Feti TUNUZLIU
Poezi
(Sabiha Kasimatit)
Pesëmbëdhjetë pranvera mbush i kishte e mitura e paepur
kur ia behu nga Turqia moderne n’Shqipërinë e prapambetur.
kishte pamje rrezatuese, madhështore – si drita e bukur fare,
shquhej me temperament burrëror, e emancipuar dhe natare.
Ishte e vetmja çupë në klasën veç djem, teksa shkollohej,
e para femër që kreu liceun francez n’Korçë, ku arsimohej,
falë forcës së vullnetit dhe bindjes profesioniste,
sërish e para n’shoqërinë shqiptare: doktor shkence, evolucioniste.
Demokratja europiane me ideale iluministe brymosur
“s’mund ndërtohet demokracia me vrasje e dhunë”, thoshte e vendosur,
jo – as shteti me “furanxhijë e rrobaqepës, teneqexhi e këpuctarë”,
ndërsa, intelektual perëndimorë duke persekutuar e vrarë.
Me që “nuk e qepi gojën” as kur mbushi të tridhjetat
me shpërthimin n’legatën sovjetike, fatkeqësisht, iu drejtuan shigjetat:
Enveri i klasës e futi n“Listë t’Zezë të terroristeve” dhe sakaq e arrestuan
politika totalitare e dënoi – xhelatët komunist mizorisht e masakruan.
Pas shkërmoqjes së diktaturës së errët e t’mallkuar,
e pafajshme shpallet intelektualja dikur e anatemuar,
me Medale – Nderi i Kombit nga demokracia shqiptare nderohet
n’varret e martirëve rivarroset, ndër shekuj do përkujtohet.