AZIS ÇAMI LUFTOI KUNDËR NAZISTËVE  GJERMANË DHE BESONTE NË FITOREN KUNDËR PUSHTUESIT TË VENDIT

0
Komisioni për marrjen e Vlorës

Vlorë 1920. “Komisjoni për marrjen në dorëzim të Vlorës”. Nga e majta: Azis Çami, Ali Këlcyra, Ferit Frashëri, Shezai Çomo

Në 80 vjetorin e çlirimit.
Vrejtje për veprën “Histroria e shqiptarëve…”

Azis Çami iu përgjegj thirrjes së artdheut në kohë shumë kritike për fatet e  popullit tonë. Në ato kohëra ishte trimëri e madhe të ishe shqiptar, por ishte trimëri edhe më e madhe të ishe ushtar dhe major Azis Çami ishte dhe mbeti deri në frymën e fundit ushtar besnik dhe i pathyeshëm i atdheut.

Azis Çami komandant i artilerisë në Luftën e Vlorës, më 1920.
Azis Çami (1893-1943) Vjenë 1931.

Nga Enver MEMISHAJ

Nga vitit 2018 deri në vitin 2021, u botua çdo vit nga një vëllim ”Historia e shqiptarve gjatë shekullit XX”, gjithsej 4 vëllime. Për herë të parë kemi të plotë historinë e kombit shqiptar dhe autorët e saj meritojnë nderime, vlerësime të larta e lavdërime.

Vëllimi katërt përshkruan e analizon Luftën e Dytë Botërore 1939 – 1944, ku padrejtësisht përmëndet edhe major Azis Çami se paska pasur bashkëfjalime me oficerë gjerman! Kjo e dhënë për Azis Çamin del vetëm nga njw raport i Ali Demit.

Me dokumentet që do të rendis më poshtë në këtë punim do të dalë e qartë se major Azis Çami ishte një antifashist, kishte besim në fitoren kundër fashizmit dhe luftoi deri në fund të jetës së tij kundër pushtuesit të vendit.

KUSH ISHTE AZIS ÇAMI?

Gjatë jetës së tij, për interesa të atdheut u dënua me burgime dhe katër herë me vdekje.

Major Azis Çami lindi në Filat të Çamërisë në vitin 1893, familja kishte emigruar në Sarandë dhe kishte kryer Akademinë Ushtarakë në Itali.

Dezertoi nga trupat italiane dhe në krah të major Ahmet Lepenicës u bë mburojë e Kongresit Historik të Lushnjes, dhe shoqëroi qeverinë e Sulejman Delvinës nga Lushnja në Tiranë.

Më 1920, ai ishte komandnat artilerie në luftën e Vlorës, por sapo mbaron municioni i topave ai merr në krah mitrolozin dhe kur mbaron edhe municioni tij, ai merr pushkën dhe lufton me trimëri kundër pushtuesve italianë, shkruante gazeta “Drita” e Gjirokastrës.

Merita e tij e madhe është se nga viti 1920 deri në prill 1924, ai, si oficer patriot, do të shquhej në krah të Ahmet Zogut për vendosjen e qetësisë dhe rendit dhe ngritjen e konsolidimin e shtetit shqiptar.

Pas vrasjes së Avni Rustemit, në ngjarjet e qershorit të vitti 1924, bënte pjesë në forcat kryengritëse opozitare të Jugut, në krah të Fan Nolit,  që marshuan drejt Tiranës.

Me ardhjen e Zogut në fuqi Azis Çami në krah të Fan Nolit emigroi jashtë atdheut dhe në vitin 1925 i përkiste grupit që krijoji KONARE-n dhe në vitin 1927, Komitetin e Çlirimit Nacional.

Në vitin 1939 Aziz Çami u kthye në Shqipëri dhe mbeti për një kohë të gjatë pa punë.

Asgjë e vërtetë nga akuzat se Azis Çami ishte bashkëpunëtor i fashizmit!!!

Ja dukumentet:

Si oficer kariere me dekret Mëkambësuer, datë 15 mars 1942 – XX, emërohet kuestor i Korçës. (“Fletore Zyrtare”, Tiranë, nr. 38, dt. 7.4.1942)

Ditën që publikohet dekreti i emrimit kuestor, pra më 15 mars 1942, Azis Çami jep dorëheqje nga detyra, sipas një letra prej 5 faqe të daktilografuar që ia dërgon kryeminstrit Mustafa Kruja. (AQSH, F. 149-I, D. 281, f. 1 – 5)

Koiçidenca e datave shpegohet se, Azis Çami mendohet të ketë filluar punë më parë në Korçë, pra më 4 mars 1942 kur u vra me atentat Skënder Çami, ish kuestori i Korçës, dhe pasi e kishte studjuar gjendjen atje, jep dorëheqje.

Kjo letër është testamenti politik dhe testamenti jetësor i këtij patrioti. Është një dokument historik me rëndësi, që duhet t’i shmangesh çdo komenti.

Pas dorëheqjes ai mbeti pa pune deri në korrik 1942 kur emrohet në dispozicion të policisë në Durrës, ku sipas shumë dëshmive të komunistëve të bëra publike në shtypin e kohës, ka përkrahur e ndihmuar luftëtarët antifashist.

Së bashku me Skënder Muçon, merr pjesë në Konferencën e Pezës 16 shtator 1942.Më 22 tetor 1942 arrestohet për pjesmarrje në këtë Konferencë dhe vuan në burg deri në fund të prillit të vitit 1943.

Pas lirimit nga burgu refuzon propozimin për t’u kthyer në gjindarmëri me gradën që kishte.

Më 1 – 2 gusht 1943, ka marrë pjesë si vëzhgues në Konferencën e Mukjes, dhe lufton kundër autokolonës italiane në Qafë Shtamë në radhët e çetës “Shqiponja” të Hysni Lepenicës. Pas Mukjes ai u emrua komandant i Ballit Kombëtar të Vlorës.

Azis Çami ishte për luftë pa kompromis kundër pushtuesit të huaj dhe për bashkëpunim me Partinë Komuniste që udhëhiqte Frontin Nacionalçlirimtar.

Azis Çami shmangu luftën civile, vëlla-vrasëse, kur forcat komuniste e sulmuan pabesisht më 24 tetor 1943 në Tragjas dhe më 4 nëntor 1943 në Gjorm batalionin “Hysni Lepenica”. Ai urdhëroi tërheqjen e forcave.

Pas këtyre sulmeve Azis Çami dha dorëheqje dhe u kthye pranë familjes në Tiranë. Gjatë jetës së tij, për interesa të atdheut u dënua me burgime dhe katër herë me vdekje.

Ra më 15 dhjetor 1943 duke dhënë frymën e fundit një nga atdhetarët që kishte luftuar intensivisht gjatë gjithë jetës së tij për atdheun e tij, shkruante shtypi i kohës.

AZIS ÇAMI UDHËHOQI FORCAT E BALLIT KOMBËTAR TË VLORËS NË LUFTË KUNDËR NAZISTËVE GJERMANË.

Në një raport që  Ali Demi i dërgon K.Q. të P. K.  shkruan: “Hazis Çami ka patur bashkëfjalime me oficerë gjermanë dhe duan që të vendosin një milici balliste që të jetë në qytet nënë urdhërat e Gestapos. Këtë mendim Hazis Çami [Azis] ja ka çfaqur kryetarit të Bashkisë së Vlorës që është një miku jonë”. (AQSH, F. 18 APL, V. 1943, D. 4, f.3. Raport i Qarkorit të PKSH për Vlorën drejtuar KQ të PKSH. “Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX”, Vëllimi IV, Tiranë 2021, f. 314.)

Duke qenë se kjo gënjeshtër, pra, se Azis Çami “ka patur bashkëfjalime me oficerë gjermanë” është përfshirë edhe në “Historinë e shqiptarëve…” të vitit 2021 e shohim të nevojëshme dhe të domosdoshme ta analizojmë nëse është e vërtetë?

 Për këtë arsye, më parë duhet të njihemi me raportin që Ali Demi, i njohur me pseudonimin “Shtegu” i dërgon KQ të PKSH:

“Lufta e Drashovicës dhe përpjekjet e tjera që ne patëm me gjermanët hodhën poshtë të gjitha pallavrat e Ballistave dhe e nxuarëm lakuriq  para popullit ashtu si kemi thënë neve.

Nga ana tjetër ballistat duke parë këtë gjendje deshën t’i paraqiteshin popullit si luftëtarë dhe dërguan atje ku ishim nevet një çetë prej 70 vetash. Ne duke kuptuar këtë gjë nuk i pranuam në luftë.

Gjatë kësaj kohe ne nuk kemi ndenjur së demaskuari me anë traktesh dhe komunikatash qëndrimin e Ballit, formimin e komisionevet në Vlorë, në marrëveshje me Gjermanët etj.

Fundi i luftës së Drashovicës i gjeti çetat e Ballit po thuaj të gjitha në Vlorë, ku të bashkuar me gjermanët bëjnë roje qytetit. Hazis Çami ka patur bashkëfjalime me oficerë gjermanë dhe duan të vendosin një milici balliste që të jetë në qytet nënë urdhërat e Gestapos. Këtë mendim Hazis Çami ia ka çfaqur kryetarit të Bashkisë së Vlorës që është një miku i jonë. Kjo u çfaq dhe në popull dhe Ballistat u revoltuan duke dashur të vrisnin dhe kryetarin e Bashkisë.

Mbas veprimit që Gjermanët bënë në Gjirokastër ku janë udhëhequr në shumë vende prej Ballistavet u pa kjartas bashkëpunimi i tyre i hapët me okupatorin.

Javën e kaluar Ballistat e Vlorës bashkë me gjermanët bënë një pastrim të gjerë në popullin e Vlorës. Këta gjë e bënë për tu hakmarrë për vrasjen e një ballisti Hazis Sharra, vrasje që ne e bëmë për arsye gangsterizmi. Janë arrestuar 150 vetë në Vlorë nga të cilët 64 u internuan dhe pjesa tjetër u lirua me që s’njifej si e Frontit dhe meqë disa prej tyre ishin Ballista.

Mbas asaj dite gjendja jonë me Ballin është acaruar shumë. Tani politikisht jemi në dy fusha të kundërta, tamam si edhe me Gjermanët. Kanë filluar pritat dhe vrasjet, kanë atentuar kundër disa

simpathizantëve tanë, një prej të cilëvet u vra. Gjithashtu dhe ne kemi pushkatuar ballista të rrezikshëm dhe jemi në ndjekje të krerëve të tyre si dhe të zhdukjes së çetave të tyre. Nga ndjekjet e fundit që janë bërë në Vlorë janë arrestuar dy shokë… Vlorë më 19/ 10/ 43 Për Komitetin Qarkor të Vlorës Sekretari Organizativ”. (AQSH, F.18/AP, V.1943, D.4, f.3.)

Për akuzat ndaj Ballit Kombëtar, nuk u paraqitën kurrë dokumente dhe dëshmi të besueshme. Akuzat u mbështetën në propagandë bajate, në fjalë boshe dhe opinione. E tillë është edhe letra e Ali Demit, e cila ka falsifikime dhe mashtrime, konkretisht:

  1. Është e domosdoshme të përsërisim dhe theksojmë qëndrimin antikombëtar të Partisë Komuniste, veçanërisht të Ali Demit, ndaj Organizatës së Ballit Kombëtar: “Gjithashtu dhe ne kemi pushkatuar ballista të rrezikshëm dhe jemi në ndjekje të krerëve të tyre si dhe të zhdukjes së çetave të tyre”. Shprehje që nuk ka nevojë për koment.
  2. Ali Demi thotë: “Fundi i luftës së Drashovicës i gjeti çetat e Ballit pothuaj të gjitha në Vlorë ku të bashkuar me gjermanët bëjnë roje qytetit”.

Asgjë e vërtetë se forcat e Ballit Kombëtar shkuan në Velçë 40 kilometra larg Vlorës dhe atje formuan batalionin “Hysni Lepenica”, me komandant Hodo Meton nga Tragjasi.

  1. Më tutje Ali Demi shkruan: “Javën e kaluar Ballistat e Vlorës bashkë me gjermanët bënë një pastrim të gjerë në popullin e Vlorës. Këta gjë e bënë për tu hakmarrë për vrasjen e një ballisti Hazis Sharra, vrasje që ne e bëmë për arsye gangsterizmi”.

Asgjë e vërtetë e provuar dhe e dokumentuar për akuzat e Partisë Komuniste se arrestimet dhe internimet nga gjermanët u bënë mbi bazën e denoncimeve të Ballit Kombëtar për hakmarrje të vrasjes së Hazis Sharrës. Balli Kombëtar i Vlorës iu përgjigj mashtrimeve të komunistëve me një trakt prej dy faqe, ku ndërmjet të tjerave shkruan:

“Popull vlonjat!

Komunistët nxuarën një trakt ku akuzojnë Ballin Kombëtar si tradhëtar, kompronisaxhi dhe e tregojnë si shkakëtar të kontrollimit që ushtria gjermane bëri në qytetin tonë në të gdhirë të datës 10 të këtij muaji.

Fjalët e poshtra që trakti komunist përdor kundra nacionalizmit shqiptar janë kaq të ndyra kaq fyese prandaj ne e quajmë për detyrë kombëtare tu përgjigjemi këtyre bishave të egra, këtyre maskarenjve, këtyre antishqiptarve…

Popull vlonjat!

Ti e di fare mirë se nga të gjithë të rreshatuarit e datës 10 ndodhen shumë anëtarë të vlefshëm të Ballit Kombëtar si Fan Shuka, Elmas Memua, Nazër Mezini, Idai Mezini, Mustafa Kuçi, Feti Çobani, Memsur Mustafaraj, Seit Qemali dhe i biri Sezai Qemali, Kudret Kokoshi dhe Tasim Jonuzi ishin anëtarë të Komitetit Qarkor të Vlorës, Spiro Suli, Razip Dervishi, Rasim Hamzaraj,  e të tjerë.

Ti e di fare mirë se nga komunistat përveç një Mico Tërbaçi dhe Hajredin Kërkovës asnjë tjetër nuk është marrë sepse Mit Strati e të tjerë nuk kanë qenë kurrë komunist.

Ti duhet ta dish o popull vlonjat se ata që kanë shpurë gjermanët derë më derë kanë qenë kryepleqtë të shtërnguar, dhe prej këtyre që shumica kanë qenë komunista si për shembull:

Hamdi Zoga, Mulla Sabriu, e të tjerë.

Duhet ta dish se në Kërkovë gjermanët i ka shpurë Hamdi Zoga për të kapur Hajredinin dhe Micon e ka dorëzuar Mulla Sabriu…

Popull!

Ti e di fare bukur se të gjithë komunistat krerë dhe ushtarë janë sot të lirë në këtë qytetin tonë, të shumë vuajtur, në këtë qytetin tonë nacionalist.

Ti e di fare bukur se Balli Kombëtar nuk është tradhëtar , as spiun, as kompromisaxhi. Se sikur të ishte ashtu siç akuzon Partia Komuniste, atëhere këtu në Vlorë nuk do të kish mbetur këmbë komunisti, sepse të gjithë do të ishn kapur e pushkatuar , kudo që të ishin futur, në cilëndo vrimë miu të ishin fshehur”. (AQSH, F. 270APL, D. 59, f. 17, 18)

  1. ASGJË E VËRTETË PËR AKUZËN SE AZIS ÇAMI “KA PATUR BASHKËFJALIME ME OFICERË GJERMANË”

Në të njejtën kohë, pra në fund të shtatorit 1943, Ali Demi nga Vlora i shkruan K.Q. të P.K., ndërsa Ali Këlcyra nga Gjirokstra i shkruan K.Q. të Ballit. Në “Historinë e shqiptarëve…” është marrë parasysh vetëm letra e Ali Demit!

Ky veprim është i pa drejtë, pasi Historia nuk bëhet me fjalët e një miku!!! Shqiptarët thonë shih një e gjyko dy nuk bëhet, ose sipas latinëve: të dëgjohet edhe pala tjetër. Pra historianët tanë duhet të kishin dëgjuar edhe palën tjetër: letrën e Ali Këlcyrës që botohet më poshtë dhe dokumentet e shumta të Ballit Kombëtar.

Theksojmë se si shoku Ali Demi edhe zoti Azis Çami ishin të dy nga Filati i Çamërisë. Azizin e vranë me të pa besë shokët e Aliut, në Tiranë, më 15 dhjetor 1943, ndërsa Aliu do të vritej 4 ditë më vonë, në Kaninë, më 19 dhjetor të atij viti, i tradhëtuar nga shokët e tij komunistë.

Dukej sikur Perëndia po merrte hak, ndaj shokut Ali Demi, për vrasjet e fshatarëve të pafajshëm, pushkatimin e ballistëve dhe djegien e fshatrave të rrethit të Vlorës, Velçës, Gjormit, Lepenicës, Dulatit etj.

Kush ishte “miku” i komunistëve, që i paska thënë Ali Demit se Azis Çami është fjalosur me oficerë gjermanë? Ky ishte Enver Tarakut (1917 – 1989) nga Peja, kryetari i bashkisë së Vlorës, i shkolluar në Beograd!

Në një thirrje që bëjnë qytetarët vlonjatë, më 16 shtator 1944, për internimet që gjermanët bënë në Vlorë gjatë vjeshtës dhe dimrit të vitit 1943, akuzojnë prefektin Ahmet Myftari dhe kryetarin e bashkie Enver Taraku se kanë hartuar listat e personave që u internuan në datat: 10 tetor 1943,

5 nëntor 1943 dhe 28 dhjetor 1943. Me të mbaruar përpilimi i këtyre listave ata u larguan nga Vlora dhe nuk u kthyen më kurrë në Vlorë!(AQSH, F. 392, V. 1944, D. 38, f.79)

*        *       *

“Më 8 shtator mbas dite erdhën fuqitë gjermane dhe çarmatosën ushtrinë italiane në Vlorë dhe në Drashovicë. Filluan çarmatimin e qendrave ushtarake…” (Shih: “Historia e shqiptarve…”, Vëll. IV f. 266 – 270. AQSH, F.14AP, V. 1943, D. 22, fl.1 (Letër e Liri Gegës)

Për të gjykuar për qëndrimin e Azis Çamit ndaj gjermanëve që pushtuan Shqipërinë, së pari duhet të dimë qëndrimin zyrtar të kësaj Organizate e cila ishte për luftë kundër pushtuesit, sipas dokumenteve të Komitetit Qëndror të Ballit Kombëtar: “Balli Kombëtar që është një organizatë revolucionare, e formuar për të luftuar e çliruar Shqipërinë nga okupatori fashist, e ka caktuar qëndrimin e vet, si të gjithë shqiptarët, për të qenë në krah të aleatëve Angli, Amerikë e Bashkimi Sovjetik, kundër fuqive të Boshtit, që kanë robëruar popujt.

Ne luftuam dje fashizmin italian, sot do të luftojm fashizmin gjerman. Qëndrimi i Ballit Kombëtar në këtë vijë është i caktuar: jemi kundër okupatorit gjerman që kërkon ta bëjë vendin tonë fushë mjerimi e rrënimi. Dhe lufta kundër tyre është çelur. Çetat tona kanë urdhër të prerë të luftojnë okupatorin e ri në çdo kënd të tokës arbënore. Çetat tona të Korçës e të Vlorës e kanë filluar luftën e tyre kundër gjermanëve”. (AQSH, F. 270APL, D. 11, f. 35)

Të vendosur për ta luftuar pushtuesin gjermanë Komiteti Qëndror e përjashton nga orgnaizata e Ballit Kombëtar Lef Nosin pasi mori pjesë në Komitetin Ekzekutiv që formuan gjermanët.

(AQSH, F. 270APL, D. 11, f. 35)

“Në Vlorë po në këtë kohë, Azis Çami,i propozoi qarkorit të PKSH-së së Vlorës bisedim për një bashkim në Luftë kundër pushtusve të rinj gjermanë. Por Liri Gega si e deleguar e KQ të PKSH-së për qarkun kishte refuzuar sepse, siç i shkruante ajo Enver Hoxhës, “ne nuk duam asnjë bashkëpunim në luftë, luftën e bëjmë vetë, pranojmë vetëm ata që duan të luftojnë si anëtarë të Frontit Nacionalçlirimtar”, shkruan prof. dr. Paskal Milo  “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”, Vëllimi II, Tiranë 2021, f. 69 – 70).

Dokumente të Ballit Kombëtar të Vlorës, që provojnë në mënyrë përfundimtare se Balli Kombëtar i Vlorës nën komandën e Azis Çamit luftoi pa ndërprerje me nazistët gjermanë. Dokumente të cilat janë mohuar e nuk janë marrë parasysh nga autorët që kanë hartuar “Historinë e shqiptarëve…” të vitit 1921.

  1. Letra e Ali Këlcyrës: Azis Çami kërkon armë dhe oficera për të rritur sulmet kundër pushtuesit gjerman.

Ali Këlcyra, anëtar i Komitetit Qëndror të B. K. në vjeshtën e vitit 1943 ishte dërguar në Jug të Shqipërisë për të udhëhequr forcat e Ballit Kombëtar. Nga andej i dërgon raporte Komitetit Qëndror të Ballit Kombëtar ku fket edhe për Azis Çamin:

“Gjirokastër 25. 9. 943. Përfitoj nga rasti që vjen aty një njeri i besuar i yni t’u shkruaj edhe këtë raport… Aziz Çami më shkruan se Orollogai më ka shkruar një letër mua edhe një për një oficer engles, që të dyja këto letra nuk më kanë ra në dorë. Kam frikë se mos kanë humbur, prandaj në kanë rëndësi lutem përsëritni përmbajtjen e tyre dhe m’i dërgoni me një njeri të sigurt.

Situata këtu është shumë grave…

Dje [d.m.th. më 24 shtator 1943] përpara publikut dhe përpara shtabit komunist mbajta një fjalë duke shfaqur emrin e Komitetit Qëndror, nevojën e domosdoshme të një marrëveshje me komunistët  (d.m.th. midis dy partive) për krijimin e një farë autoriteti qeveritar  dhe për të zhdukur gjendjen kaotike e anarqike që mbretëron në prefekturën tonë. Çfaqa dhe programin tonë në politikën e brendshme, për një regjim demokratik popullor dhe në politikën e jashtëme për një bashkëpunim të ngushtë me misionet ushtarake engleze, duke caktuar qartazi se kërkojmë për sa i përket Jugut kufijtë e 1913-tës e për sa i përket Veriut kufijtë etnikë.

Natyrisht në këtë fjalim kujtova Marëveshjen që bëmë në Mukaj me Këshillin Nacionalçlirimtar dhe shfaqa habinë time sesi Marëveshja nuk u vu në zbatim. Eksponenti i Partisë Komuniste në

Gjirokstër Bedri Spahiu m’u përgjegj përsa i përket Marrëveshjes së Mukajt tekstualisht me këto fjalë: “Nuk mund të bëjmë marrëveshje me një organizatë shqiptare që kërkon kufijtë etnikë, gjë e cila na vë në konflikt me aleatët tanë”.

Kuptohet vetiu se këta janë nën influencën absolute të Meladinit e Dushanit, të cilët nuk do të lejojnë kurrë një marrëveshje midis shqiptarësh”…

Materiali që zumë në Këlcyrë mjerisht është i vetmi që ra në duart tona. Këtë material po e ndaj sipas nevojës së çdo province.

Tre topa dhe disa mitroloza i kam sjellë këtu, një pjesë ia dërgova Azis Çamit në Vlorë, i cili po më kërkon edhe tjatër. Abas Ermenji po më kërkon ca mortaja e mitroloza të cilat do ia dërgoj…

Sot mora një letër nga Azis Çami. Lufta tani atje ka pushuar. Të dy palët mbajnë vendet që kanë pasur.

Azizi më kërkon jo vetëm materiale po edhe oficera duke më kujtuar sesi vetë ashtu dhe një oficer që ka janë të sëmurë. Ne këtu oficera s’kemi që t’i dërgojmë në Vlorë. Ata që janë na nevoiten për këtu. Azizi më thotë që megjithqë 3/4 e popullatës janë me neve, mjerisht në partizanët tanë nuk ka disiplinë dhe vullnet sa duhet. Prandaj duhet të dërgohen me urgjencë oficerë nga Tirana. Duhet t’u bëni apel oficerëve patriot që të nisen sa më parë për këto anë.

Azizi më thërret në Vlorë për me ngrit sa më tepër moralin e atij populli. Do të shkoj andej mbas pakë ditëve dhe andej do të shkoj në Berat ku do të bëj mbledhjen për të formuar qendrën e e Komitetit të Jugut e sidomos Komandën e Përgjithshme Ushtarake të Jugut, meqënse i shkreti Hysni vdiq, dhe vdekja e tij na bëri shumë dëm. Një tjetër fatkeqësi është vetvrasja e Safet Butkës…

Pres përgjigje e lajme të plota nga ju ose me anën e Abas Ermenjit ose me anën e Azis Çamit.

Lutemi të na mbani në korent të plotë të çdo gjëje. Të fala të gjithë shokëve Ali Këlcyra”.

(AQSH, F. 270 APL, D. 4, f. 1- 4)

Ndërsa komunistët i referohen letrës së Ali Demit, mohojnë letrën e Ali Këlcyrës që është në të njëjtën kohë dhe  për të njëjtën çështje!!!

  1. Trakt i nr. 1 Balli Kombëtar lufton në luftën e Drashovicës 14 – 16 shtator 1943.

“Prej 11 deri në 12 shtator çetat e Ballit Kombëtar pushtuan Cerkovinën, Bestrovën, Llakatundin dhe Mifolin ku gjetën një qëndresë të rreptë.

Natën e 11-12 shtatorit çetat e Ballit Kombëtar sulmuan Qafën e Llogorasë që u muar me kundërshtime, mbasi komamdanti i tyre ish i njohur për mizoritë kundra shqiptarëve dhe kishte frikë të dorëzohej; natyrisht, mbas dorëzimit, oficeri mbeti i paprekur, sepse zakoni i

shqiptarit të falë të mundurin është një ndjenjë e thelluar në shpirt më lart se çdo gjë tjetër.

Po në datën 12 afër Dukatit u shpartallua një kolonë gjermane që kërkonte të ripushtojë qafën e Llogorasë…

Më 14 shtator në orën 2.30 çeta e Ballit Kombëtar e kryesuar nga Zybi Merua hapi zjarr mbi gjermanët dhe në orën 4 beteja ndodhej në kulmin e saj duke filluar prej Peshkëpisë, në grykë të Vllahinës, në Kropisht, në Mavrovë dhe në shkallën e kësaj që shërbente si shtylla e sektorit të mesëm në krahun e majtë dhe e përshkuar nga udha Tepelenë-Vlorë…

Po gjatë kësaj udhe, dhe sidomos nga Vajza deri në Shkallë të Mavrovës kanë luftuar çetat balliste kundra kolonave armike që vinin nga Tepelena gjatë ditës 14-15 shtator; njëkohësisht prej shkallës së Mavrovës në Lapardha, Millona,Vodicë e Drashovicë beteja u zgjerua dal nga dalë nga çetat balliste të kryesuera nga Elmas Çarçani e Tasim Bonjaku.

Qysh prej asaj date krahina e Topalltisë është bërë fushë e një beteje të madhe midis gjermanëve dhe çetave të Ballit Kombëtar të kryesuara nga major Aziz Çami…

Rroftë Shqipëria! Shqipëria e Lirë, 25 shtator 1943. Balli Kombëtar, Komiteti Krahinor i Vlorës”

(AQSH, F.556, V.1943, D. 4, f.1; Revista “Robni o Liri”, Shkodër, dt. 28.11.1943, f. 3.)

  1. Trakt i nr. 2 i Ballit Kombëtar:

Më datë 19 shtator 1943, në ora 10.20 një nga fuqitë tona që gjendej në afërsitë e katundeve Risli-Çeprat e përbërë prej 60 vetësh, ra në përpjekje me një fuqi gjrmane që ndodhej në ato katunde dhe përbëhej prej një numuri të madh ushtarësh.

Lufta ishte e ashpër dhe zgjati për 3 orë, deri sa fuqia gjermane u tërhoq. Në darkën e po asaj dite një fuqi jona që ndodhej në sektorin e Bestrovës, ndeshi në një autokolonë armike dhe luftoi kundër saj.

Në agimin e ditës 20 në ora 5 midis fuqive armike gjermane që kishin ardhur gjatë natës dhe kishin përqëndruar një ushtri shumë të madhe në krejt sektorët: Risili-Çeprat-Bestrovë-Bunavi e Hoshtinë dhe vullnetarëve tanë që ndodheshin të rradhitur në këtë sektor, u hap zjarr. Përnjëherë lufta filloi me ashpërsi nga të dy anët…

Armiku la në fushë të luftës një numur të madh të vrarësh. Fuqitë armike në orën 20 u tërhoqën në qendrën e mëparëshme…

Kur dy gjuajtës gjermanë ishin duke bombarduar dhe mitraluar fuqitë tona, në luftim e sipër, pa pritur, duket në qiell një aeroplan aleat; bateritë dhe gjuajtësit gjermanë i hapin zjarr dhe ky mbrohet rreptësisht. Marria pjesë e aeroplanit aleat lehtësoi lëvizjen e trupave tona...(AQSH, F. 556, V. 1943, D. 4, f. 23)

  1. Trakti nr. 3 i Ballit Kombëtar të Beratit datë 18.10.1943

“Me një trakt që u lëshua prej Organizatës sonë, u tregua me fakte se si kryetarët e çetave të Ballit të Gjirokastrës, kolonel Neshat Kolonja dhe kapiten Ismail Golemi, janë përpjekur me ushtritë gjermane në rrugën Gjirokastër- Tepelenë dhe u kanë shkaktuar atyre dëme me rëndësi. Ashtu dhe çetat balliste të Vlorës të komanduara prej birit tij Aziz Çami, si e di sot gjithë Shqipëria, ndodhen prej shumë javësh në luftë frontale me fuqitë gjermane të atij qarku…

Ali Këlcyra në fjalën e mbajtur prej tij përpara popullit të Gjirokastës e të publikut me një trakt të veçantë, ku deklaroi hapur në emrin e Komitetit Qëndror se “organizata e Ballit Kombëtar jo sot, por qysh më 1939 kur u filluar, ka vendosur plitikën e vet për një bashkëpunim të plot, të sinqertë me demokracitë e mëdha anglo amerikane”.

Berat, 18.10.1943 Balli Kombëtar. (AQSH, F270, V.1943, D.11. Ribotuar: Tefik Sfiri “Testamenti”, Tiranë 2004, f.113-115.)

Dokumente të qeverisë së kohës, që flasin për Azis Çamin.

Raport përmbledhës mbi situatën politike, 2 tetor 1943. Në një raport që Ministria e Brendshme i drejton Këshillit të Ministrav, analizon me radhë prefekturat e vendit. Sipas këtij raporti në të gjitha prefekturat dominojnë forcat partizane, komuniste. Për prefekturën e Vlorës shkruhet: “Vetëm qyteti i Vlorës qëndron në legalitet. Katundet e saja dominohen prej çetave komuniste dhe nacionaliste (Balli Kombëtar) që komandohen prej major Azis Çamit.

Në këtë prefekturë si duket çetat kanë ra dakort në mes tyre simbas shpalljes më 19 të muajit shtator të komandantit Azis Çami që i fton të fillojnë luftën kundër okupatorit, d.m.th. gjermanëve”.

(AQSH, F. 152, D. 211, f. 26, 26/1)

Edhe ky dokument i Ministrisë së Brendshme si shumë të tjera flet për angazhimin e Azis Çamit për luftë kundër pushtuesit gjerman dhe raporti mban datën 2 tetor 1943.

Për luftën e Ballit Kombëtar të Vlorës nën komandën e Azis Çamit kundër pushtuesve gjermanë dëshmojnë nën tortura përpara hetuesve komunistë, komandantë të Ballit Kombëtar dhe komunistë, dëshmitarë të kohës:

  1. Xhevat Kallajxhi (1904 – 1989), intelektual i shquar, poet, publicist, botues gazetash dhe librash, kryeredaktor i gazetës “Dielli” për 15 vjet në Amerikë.

“Në qarkun e Vlorës fuqitë nacionaliste, nën komandën e Azis Çamit, hynë në luftime të rrepta kundër gjermanëve në këto vende:

Në Fushën e Mavrovës, në Vodicë, Drashovicë, Kropisht, Peshkëpi, Llogora, Qafë e Bestrovës, Llakatund, Risili etj. Këto luftime zgjatën 20 ditë të tëra dhe i shkaktuan armikut humbje të mëdha. Në luftën e Llakatundit e cila i shkakëtoi armikut mjaft të vrarë e të plagosur fuqitë nacionaliste u ndihmuan edhe nga aroplanë aleatë. Komanda nacionaliste, për këto luftime heroike kundër gjermanëve, pati edhe lëvdatat e misionit ndërlidhës ushtarak aleat të qarkut të Vlorës, në krye të të cilit ishte majori angles Field.

Këto janë disa luftra që fuqitë e Ballit Kombëtar bënë kundër okupatorëve fashistë e nazistë, të cilëve u shkaktuan humbje të rënda. Por njëkohësisht, fuqitë e Ballit Kombëtar bënë çdo gjë që ishte e mundur për të mbrojtur fshatrat dhe banorët e tyre nga raprezaliet e armikut”.

(Xhevat Kallajxhi “Larg Atdheut”, “Urtësi Bektashiane”, Tiranë 2020, f, 113 – 114)

* * *

  1. Tahir Hoxha (1900 – 1972), mësues diplomuar në Itali, udhëheqës i Ballit Kombëtar të Vlorës.

Ndërsa me misjon të shtypit dhe të prapagandës kam marrë pjesë aktive në luftën e Gjormit të zhvilluar kundra fashistëve dhe milicëve, në luftën e Greshicës, të Mallakastrës dhe të Luarit, kundra Isa Toskës, në luftën e Tragjasit kundra italianëve, në Mavrovë, Risili dhe Çeprrat

kundra gjermanvet… Unë Ballin Kombëtar si organizatë nuk e quaj tradhëtare…

(Arkivi M.P.B. Dosja 2454, f. 30 -31)

* * *

  1. Elmas Çarçan Deraj, lindur në Brataj në vitin 1885, i martuar me 13 fëmijë, deklaron

Dhe më pas patëm edhe prova si p.sh. lufta në Gjorm, lufta jonë kundër gjermanëve në Llakatund dhe në Drashovicë në të cilat kam marrë edhe unë me çetën time…

Pas disa ditëve të luftës së Tragjasit ka ardhur në Gjorm Azis Çami nga Tragjasi me shokët e tija dhe afro 400 ushtarë ballistë…  (Arkivi MPB, D. 3486)

* * *

  1. Komunisti Islam Muça, Veteran i Luftes Nacionalclirimtare

Nëvitin 1943, Azis Çami ka ardhur në Vlorë, mbasi u vra Hysni Lepenica, si përfaqësues i Ballit Kombëtar për Jugun duke u vendosur në Brataj…

Në Qafën e Bestrovës zhvilloi luftime në mesin e shtatorit 1943, pra luftimet e para kundra gjermanëve. Më pas u terhoq ne krahinën e Treblovës duke u shtuar me vullnetarë të lirise nga fshatrat e krahinës Sevaster-Mesaplik.

Kur Azis Çami kapi dhe gjykoi italianët e kthyer nga Saranda në Mesaplik, sepse kishin vrarë Hysni Lepenicën, përveç denimit moral nuk vuri dorë mbi këta robër italianë… (Gazeta “55”, Tiranë, dt. 25.2. 1999)

* * *

  1. Komunisti Baxhul Gjondedaj (1911 – 2001), veteran nga Tërbaçi.

“Vapa e verës së ’43-shit të përvëlonte, edhe pse po vinte mesi i shtatorit. Qarkori i Vlorës organizoi goditjen e parë frontale për pushtuesit e rinj, nazistët gjermanë… Çdo hedhje në sulm po e pagunim shtrenjtë. Po na iknin shokët një nga një… Për hir të së vërtetës:

Çeta e nacionalistëve ishte dislokuar në Kallafet. Një nga luftëtarët e Luftës së Vlorës 1920-tës Hasan Hyso, u thotë shokëve:

-Ngrihuni! Se na u vranë djemtë! Tanët janë… i ka rrethosur gjermani.

Goditja e nacionalistëve pas shpine, u diktoi gjermanëve tërheqie të përkohëshme. Krijuam kështu bashkë, rrethimin në formë dare të gjermanëve. Me gjithë të vrarët e të plagosurit tanët dhe nga pala gjermane pati humbje. Erdhi urdhëri të mos hidheshim më në sulm të tretë.

(Baxhul Gjondedaj “Vetëm e vërteta na bën njerës të lirë”, Kujtime, Teuta Print, Durrës 2010, f. 76)

* * *

  1. Neim Sali Shekaj nga Bashaj. Në vitin 1945, u dënua me 30 vjet burgim.

“Unë kam marrë pjesë me Ballin Kombëtar qysh në korrik 1943 me rastin që Hysni Lepenica ardhi në katundin tonë Bashaj. Kam marrë pjesë në luftën e Llakatundit kundra gjermanëve në shtator 1943. Kam çuar të plagosur në spital të Gjormit, mbasi ndodhi vëllavrasja në  Tragjas, 24 tetor 1943…”. (Arkivi M.P.B. Dosja 2441)

Konkluzione

Major Azis Çami vazhdoi të luftojë e udhëheqë me trimëri e zotësi forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar të Vlorës kundër pushtuesve gjermanë të vendit, nga 8 shtatori kur gjermanët shkelën Vlorën deri  më 7 nëntor1943, kur dha dorëheqje pasi u godit pas shpine, tradhëtisht, nga forcat komuniste.

Mbi bazën e këtyre dokumenteve dhe të shumë të tjerave del e qartë, fakti i pranuar nga të gjithë se major Azis Çami, Hysni Lepenica, Skënder Muço, Safet Butka, Abas Ermenji  etj komandantë të Ballit Kombëtar ishin për luftë pa kompromis kundër pushtuesit nazifashist dhe për marrëveshje e bashkëpunim me Frontin Nacionalçlirimtar, sipas edhe Marrëveshjes së Mukjes.

Ai miku që paska thënë, natyrisht në qoftë se ka thënë!?, se Azis Çami “paska patur bashkëfjalime me gjermanët” për një milici, para arsyetimit logjik, dokumenteve të kohës dhe dëshmitarëve të kohës rrëzohet. Asgjë e vërtetë se Azis Çami qenka fjalosur me oficerë gjermanë. E kundërta është e vërtetë ai luftoi kundër pushtuesve gjermanë deri më 7 nëntor 1943 kur dha dorëheqje nga komanda e trupave të Ballit Kombëtar.

F u n d

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.