ASGJË SI ATËHERË: POETIKË E ZHGËNJIMIT, REZISTENCËS DHE NDËRGJEGJES QYTETARE

0
Merxhan Avdyli - Asgjë si atëherë

Dr. Sarë Gjergji

Poezia e mendimit të thellë dhe e sfidës ekzistenciale
Merxhan Avdyli, Asgjë si atëherë, Embeta, Prishtinë, 2023, ribotim, 2024.

Vepra Asgjë si atëherë e poetit Merxhan Avdyli përfaqëson një zë të veçantë dhe të thelluar në poezinë bashkëkohore shqipe, ku meditime lirike, reflektime filozofike dhe imazhe të prekshme ndërthuren në një organizëm poetik të gjallë dhe koherent. E ndërtuar me një vetëdije të lartë strukturore dhe semantike, kjo përmbledhje nuk paraqet një përzgjedhje të rastësishme vargjesh, por një narrativë të brendshme të gërshetuar me kujdes dhe vizion poetik.

Poezitë nuk janë shkruar për t’u lexuar njëherë e për t’u harruar – nuk janë thjesht për konsum të menjëhershëm estetik, por janë krijuar për të gjeneruar reflektim të thellë dhe për të komunikuar me ndjeshmërinë e brendshme të lexuesit në mënyrë të qëndrueshme.

Poezia e këtij libri është një art me njëqind e një aspekte, që pasuron unin tonë dhe e afron me hyjnoren. Kjo ndjesi e përmasave të gjera, që ngrihet përmes gjuhës së kursyer, stilit të dendësuar dhe figuracionit të rafinuar, është e pranishme në secilën faqe të këtij libri. Vargjet e Avdylit janë të ngjeshura me mendim, por gjithnjë të qarta në ritëm dhe ndjenjë; ato kërkojnë reflektim, jo vetëm ndjeshmëri, dhe pikërisht për këtë ngjajnë me poezi që nuk konsumohen shpejt, por që “vjetrohen bukur” dhe mbeten të pashtershme në leximin e përsëritur.

Mitologjia dhe sfidimi i zotërave

Që në poezinë hapëse “Vuajtjet e Tantalit të ri”, Merxhan Avdyli merr mitin e lashtë grek të Tantalit dhe e ridimensionon me mjeshtëri në një kontekst modern, ekzistencial dhe filozofik. Tantalin e mitologjisë, të dënuar nga Zeusi për të vuajtur përjetësisht për mëkatin e sfidimit të perëndive, poeti e rimendon si një figurë universale të njeriut që vuan etjen për kuptim, për dashuri, për drejtësi – duke qenë përherë afër të mirave, por pa mundur t’i prekë kurrë ato. Kjo risemantizim i mitit nuk është thjesht një akt simbolik letrar, por një qëndrim filozofik ndaj realitetit: subjekti lirik gjendet në pozitën e njeriut të përjetshëm në krizë, që kërkon dritë në një botë që shpesh është e zhytur në errësirë.

Figura e Zeusit, e pranishme në disa poezi kyçe si “Koha e krimit” dhe “Po të mos ishe i tillë”, nuk përfaqëson më hyjnoren në kuptimin klasik të drejtësisë apo mbrojtjes së rendit moral. Përkundrazi, Zeusi kthehet në një simbol të pushtetit të korruptuar, të padrejtësisë që maskohet si rend hyjnor, të një perëndie që nuk ndëshkon të ligën, por e mirëpret atë, dhe që i dhuron njeriut më shumë instinkt se arsyetim. Në poezinë “Koha e krimit” autori shpërfaq një nga kulmet ironike të përmbledhjes:

Se kafshëve u jep të drejtën
për të qenë njerëz
E njerëzve u jep
instinktin e kafshëve.

Këto vargje, me një ngarkesë të fuqishme kritike dhe me një kontrast tronditës, denoncojnë shndërrimin e shoqërisë moderne në një botë të përmbysur, ku njeriu humb njerëzoren dhe hyjnorja zbret në banalitet. Këtu Zeusi bëhet figura e njeriut të rremë që mban në dorë pushtetin pa moralin, që sundon pa mëshirë dhe që vendos rendin përmes absurdit.

Intertekstualiteti me Fermën e kafshëve të Xhorxh Orvellit (George Orwell-it) i përmendur në të njëjtën poezi, e forcon dimensionin alegorik dhe politik të kësaj sfide ndaj “zotërave” modernë. Avdyli nuk i qaset mitologjisë si një burim përrallor apo i largët, por si një fushë ku njeriu bashkëkohor mund të kuptojë vetveten përmes simboleve të përjetshme. Zoti klasik është demistifikuar. Ai nuk është më as shenjtor dhe as udhërrëfyes; ai është tirani, burokrati, despot i veshur me hijen e lashtësisë.

Kjo poezi e mitit të përmbysur shtrihet si një bosht vertikal në gjithë përmbledhjen, ku zërat rebelë të subjektit lirik nuk heshtin para forcave të mëdha, por i shikojnë drejt në sy dhe i akuzojnë pa frikë. Në këtë kuptim, Avdyli ndërton një poezi të rezistencës shpirtërore dhe morale – një luftë e qetë dhe e qëndrueshme kundër çdo autoriteti që e shkel njeriun në emër të një “zotërie” të vetëshpallur.

Në thelb, poezia mitologjike në këtë vepër nuk është as nostalgji, as lojë estetike. Është një mekanizëm i fuqishëm për të kuptuar të sotmen nëpërmjet arketipave të së kaluarës dhe për të sfiduar me mençuri pushtetin – qoftë atë tokësor, qoftë atë metafizik – që ka harruar drejtësinë dhe e ka zëvendësuar me dhunë.

Poezia e jetës, dashurisë dhe çelësit të qenies

Në ciklin e poezive filozofike, si “Kodi i jetës”, “Çelësi i jetës”, “Fuqia e jetës”, “Kuptimi i jetës” apo “Masa e jetës”, Merxhan Avdyli ndërton një hapësirë poetike ku jeta nuk jepet si koncept i qartë dhe i përfunduar, por si përvojë që kërkon kuptim, maturi dhe ndjeshmëri. Këto poezi e çojnë lexuesin drejt një udhëtimi të brendshëm, në të cilin fjalët janë simbole të domethënies, dhe vargjet funksionojnë si çelësa hermeneutikë për të hyrë në shumëkuptimësinë e ekzistencës.

Autori nuk jep përgjigje absolute, por vendos pyetje të mëdha me ton të qetë dhe të brendshëm. Si një filozof i heshtur, ai shqyrton përmes vargut dilemën më thelbësore të njeriut modern: si të jetosh i lirë dhe me dinjitet në një botë që shpesh duket se mohon kuptimin e saj më të thellë. Në vend të një morali imponues, këto poezi ofrojnë një reflektim meditativ, ku shpresa dhe absurdi përballen me njëri-tjetrin si vlera që bashkëjetojnë në përditshmëri.

Në poezinë “Çelësi i jetës”, vargjet
do të mbetesh i mbyllur
në jetën tënde
peng i vetes dhe i jetës

nuk janë një thirrje për ikje nga vetvetja, por një ftesë për të zbuluar brendinë, për të gjetur çelësin që hap rrugën drejt përmbushjes. Ndërsa te “Kodi i jetës” apo “Fuqia e jetës”, gjejmë një formë të rafinuar të skepticizmit poetik: një përpjekje për të zbuluar, për të depërtuar përtej sipërfaqes, për të kuptuar kufijtë e asaj që quajmë jetë.
Kjo lloj poezie reflekton edhe një raport të thellë të autorit me filozofinë si mendësi krijuese. Nga e gjithë përmbledhja vërehet një ndjeshmëri sokratike: dëshira për të ditur pa pretenduar gjithçka, për të jetuar me pyetje, jo me dogma. Një shembull i pastër është poezia “Kuptimi i jetës”, ku vargjet
“nuk e dimë
se çfarë kuptimi ka jeta,
siç nuk e dimë
se a ka apo jo kuptim ajo”

shprehin dilemë, por jo humbje. Ato mbajnë në vete edhe frikën, edhe guximin për të jetuar me atë që nuk kuptohet plotësisht.

Kjo poezi ekzistenciale është gjithashtu e ngarkuar me ndjenja të buta, të pa ekspozuara ndjeshëm. Në vend të melodramës, autori zgjedh të shprehë shqetësimet njerëzore përmes qartësisë dhe urtësisë. Është një poezi që shërben si pasqyrë e brendshme e lexuesit, që nuk e konsumon mendimin, por e nxit. Avdyli e sheh jetën si një strukturë të ndërtuar mbi zgjedhje, përgjegjësi, por edhe mister. Ai nuk e sheh as vdekjen si të kundërt absolute të jetës, por si pjesë të së njëjtës rrugë drejt kuptimit.

Në këtë kuptim, këto poezi janë edhe personale edhe universale, edhe intime edhe përbashkuese. Ato nuk e trembin lexuesin me pesimizëm, por as nuk e qetësojnë me optimizëm të rremë. Ato janë poezi të vërteta, sepse nuk e fshehin as ankthin, as ndriçimin që mbart jeta – dhe për këtë arsye, janë poezi që mbesin gjatë në mendje dhe në shpirt.

Motivet personale dhe të afërsisë shpirtërore

Poezitë dedikuese, si “Në fillim s’ishte fjala” – një himn i qetë për bashkëshorten, apo “Mungesa e babait” – një elegji e thellë për rrënjët e mungesës, dëshmojnë dimensionin intim dhe përkushtues të poetit. Në këto poezi, dashuria dhe lidhja me të afërmit shfaqen si përvoja thellësisht njerëzore, të ndërtuara mbi kujtesën, përkushtimin, heshtjen dhe përjetësinë emocionale.

Në mënyrë të veçantë, “Në fillim s’ishte fjala” përmban një ndër vargjet më të fuqishme të poetit në këtë drejtim. Avdyli risemantizon fillimin biblik të Ungjillit të Gjonit (“Në fillim ishte Fjala…”) për të afirmuar shikimin si akt primal, si burim të kuptimit dhe të bashkimit njerëzor:

Në fillim s’ishte fjala
Në fillim ishte shikimi fatsjellës
I yti
Pastaj iku fjala… fjala iku…
Dhe trupin ta njoha fund e krye.

Këtu fjala – simbol i arsyes, i logos-it, i rendit logjik – është zëvendësuar me shikimin dhe trupin, si mjete të së vërtetës. Erotika nuk është thjesht trupore, por njohje totale, një gnosis, që i shkon përtej gjuhës dhe ndërton një raport të shenjtë me tjetrin. Dashuria nuk ka nevojë për fjalë të mëdha apo për shfaqje të jashtme; mjafton prania e brendshme, shikimi i qetë, ndjeshmëria që rrjedh pa bujë – ashtu si në kujtimin e heshtur të babait apo në përkushtimin e butë ndaj bashkëshortes.

Në poezinë “Mungesa e babait”, kjo ndjeshmëri e thellë merr trajtën e një pezmi të qetë, por të pakompromis, ku mallkimi i mungesës shndërrohet në barrë ekzistenciale:

Një mungesë e madhe,
E rëndë sa Luboteni,
Më rri mbi shpinë!

Oborri i fëmijërisë është bërë varr i kujtimeve, dhe bari që rritet aty – një metaforë e vazhdimësisë – duket sikur pret ende kthimin e dikujt që mund t’i japë kuptim:

Bari po rritet në oborr
Dhe fijet e tij të trazuara
Sikur janë në kërkim
Që njeriu i tyre i duhur,
T’u jep kuptim!

Figura e babait është e pranishme jo si figurë monumentale, por si mungesë që shndërrohet në praninë më të fuqishme – ajo që “të mbytë / e heshtur dhe pa zë si Ai”.

Një cikël i veçantë i librit përfshin poezi të ndërtuara mbi afërsinë emocionale midis dy qenieve njerëzore – burri dhe gruaja – ku intimiteti nuk ka trajtë sensualiteti, por më tepër fryme të butë përjetimi. Në poezitë si “Përballimi”, “Papandehur”, “Në sytë e tu”, “Sot”, “Hesht” dhe “Nuk është gabim”, Avdyli nuk flet për dashurinë si për një ndjenjë abstrakte apo për një pasion të rrëmbyer, por si për një gjendje shpirtërore që jeton në heshtje, në përmbajtje, në vështrime dhe mungesa.

Vargjet janë të pastra dhe të pjekura, plot delikatesë dhe përkushtim emocional. Tensioni poetik nuk lind nga trupi, por nga ndjenja që qëndron pezull mes afërsisë dhe mungesës, mes thirrjes dhe heshtjes, mes dëshirës për të qenë bashkë dhe nderimit të distancës shpirtërore që ruan dinjitetin e dashurisë. Poezia “Hesht”, për shembull, e përmbyll në mënyrë shembullore këtë atmosferë të butë:

Hesht
Dhe në heshtje
Mëkoje dashurinë.

Në këtë përmbledhje, dashuria është përjetim i heshtur, shpirtëror, jo shfaqje e ndjenjave të vrullshme. Ajo është një bekim i brendshëm, një energji që qarkullon pa zhurmë, dhe që mbetet gjallë edhe në mungesë të fjalës. Poezitë nuk bien në sentimentalizëm, as në formalizëm të thatë; ato janë poezi të pjekura, që trajtojnë afërsinë dhe dashurinë me thjeshtësi, respekt dhe ndjenjë të thellë njerëzore.

Ky cikël poetik përbën një bërthamë të ngrohtë të librit, ku njeriu është i zbuluar pa u zhveshur, i pranueshëm pa u ekspozuar, dhe ku dashuria është ndoshta forma më e thellë e qëndresës shpirtërore ndaj harresës, vetmisë dhe kohës.

Poezi me motive animale: reflektim mbi instinktin dhe natyrën njerëzore

Një veçori e dallueshme e kësaj përmbledhjeje është prania e poezive me motive shtazore, të cilat nuk janë për të përshkruar botën shtazore në vetvete, por për të reflektuar mbi natyrën njerëzore dhe instinktin e saj. Kafsha, në poezinë e Avdylit, është pasqyrë dhe projeksion: një mënyrë për të shqyrtuar dimensionet e pavetëdijshme, të papërpunuara e shpesh të errëta të qenies njerëzore. Motivi shtazor bëhet, kështu, një instrument etik, antropologjik dhe shpirtëror.

Në poezinë “Koha e krimit”, kafshët përdoren si metaforë e kthimit të njeriut në instinkt, në egërsi të zhveshur nga etika:

Se kafshëve u jep të drejtën
për të qenë njerëz
E njerëzve u jep
instinktin e kafshëve.

Ky është një vizion distopik i realitetit, ku e liga nuk vjen nga natyra shtazore, por nga fakti që njeriu braktis ndërgjegjen njerëzore për t’u rikthyer në një gjendje primitive, të pakontrolluar. Poezia bëhet një akuzë e heshtur ndaj botës moderne, ku shtirja, manipulimi dhe ligësia bëhen “rruga normale” e jetës shoqërore. Kjo ide thellohet përmes intertekstualitetit me Orvellin dhe romanin e tij Ferma e kafshëve, duke e ngritur poezinë në një nivel universal të kritikës së pushtetit dhe dekadencës morale.

Ndërkaq, në poezinë “Rrugëve të Romës”, poeti bën një reflektim të goditur për botën urbane dhe shoqëritë perëndimore të pasura, ku qenët, të lidhur me zinxhirë dhe të shoqëruar kudo nga njerëzit, kanë zëvendësuar lidhjet natyrore njerëzore. Është një poezi e dhimbshme për humbjen e thelbit njerëzor – për shkëputjen nga familja, nga fëmijët, nga lidhja me jetën në formën e saj më të pastër.

Asnjë qen nuk ecën vetëm, i lirë.
Në rrugë, në bar, në restorant,
Në market, në trotuar, në park – qen…

Poeti nuk e sulmon dashurinë për kafshët, por vë në pah një zbrazëti të thellë shoqërore, ku kafsha mbetet e vetmja që shoqëron njeriun – ndërkohë që fëmijët dhe lidhjet e ngrohta janë zëvendësuar me marrëdhënie të zbutura, sterile dhe të kontrolluara. Ky është një përmbysje e rolit të natyrës, ku liria kafshërore është e kufizuar me zinxhir, njësoj si liria njerëzore në shoqëritë e standardizuara.

Më tej, në triptikun simbolik “Ujku i brendshëm”, “Dhelpra e brendshme” dhe “Lepuri i brendshëm”, Avdyli zbulon tri figura arketipale që i vendos brenda vetes së njeriut. Ujku është simbol i egërsisë, agresivitetit dhe instinktit shkatërrues që rri i fshehur në shpirtin njerëzor. Dhelpra shfaqet si shenjë e zgjuarsisë manipuluese, e mashtrimit të natyrshëm, ndërsa lepuri është përfaqësim i frikës së thellë, i ikjes, i shmangies së përballjes me sfidat.

Shikoje ujkun brenda vetes
Dhe mos i kërko gjurmët e tij
Në tokën e shkretë, o njeri
.”

Këto poezi nuk janë alegori të thjeshta: ato janë analiza të natyrës njerëzore në forma të thjeshta, por shumë domethënëse. Ato e kthejnë vështrimin e lexuesit nga jashtë – nga shoqëria dhe bota – drejt brendësisë së vetes. Aty ku njeriu është i mbushur me ujq, me dhelpra, me lepuj – e ndoshta, përmes vetëdijes për ta, mund edhe t’i përballojë. Këto poezi ndërtojnë një zoologji të ndërgjegjes njerëzore, që ngjan me fabulat e Ezopit, me “Zoologjinë imagjinare” të Borhesit (Borges-it) apo me shenjtërinë e kafshëve në letërsinë mistike.

Në këtë mënyrë, motivi shtazor në poezinë e Avdylit tejkalon funksionin estetik dhe shndërrohet në një udhërrëfyes etik për njeriun modern, duke e sfiduar atë të kuptojë, të pranojë dhe të marrë përgjegjësi për vetveten. Kafsha bëhet figurë e ndërgjegjes morale të njeriut – një pasqyrë e shpirtit të tij të trazuar apo të deformuar. Poeti ndërton kështu një univers metaforik, ku kafsha është zë, është simbol dhe njëkohësisht alter ego e njeriut.

Poetika e kujtesës dhe e rikthimit: Gilbushi si arketip i atdheut të brendshëm
Poezia “Kthimi në Gilbush” është shtesa e vetme në botimin e dytë të librit Asgjë si atëherë (krahas disa poezive përkushtuese për autorin), dhe si e tillë merr një peshë të veçantë simbolike dhe strukturore. Ajo vjen si një mbyllje ciklike e përmbledhjes – një kthim në zanafillë, jo vetëm si vend fizik, por si hapësirë shpirtërore, si vend i brendshëm ku gjithçka fillon dhe rifillon – një topos i përkatësisë. Gilbushi, vendi real i fëmijërisë së poetit, shndërrohet në një toponimi metafizike: në një vend të rrënjëve dhe të kujtesës, ku çdo kujtim është jetë dhe çdo grimë dheu është fjalë.

Ky rikthim nuk është thjesht një akt emocional, por një akt i thellë vetëdijeje dhe vetëpozicionimi në kohë. Në poezinë e Avdylit, e kaluara nuk paraqitet si idil i humbur, por si themel mbi të cilin mund të ndërtohet kuptimi i të tashmes. Është një përpjekje për të gjetur jo thjesht veten fëmijë, por për të rindërtuar ndjesinë e plotësisë, të ndriçimit të brendshëm, të pafajësisë së humbur në kohët moderne. Kësisoj, rikthimi në Gilbush nuk është qëndrim në të kaluarën, por një mënyrë për të ndriçuar të tashmen dhe për ta përballuar të ardhmen me përmbajtje.

Poeti e kujton barin, lumin, diellin dhe ëndrrat rinore si pjesë të një bote të ndërtuar nga brenda, me fjalë të thjeshta, por të ngarkuara me simbolikë të thellë:

Dhe ndjehesha Zeus
Dhe nuk kisha dëshirë
Askush hije të më bënte…

Këto vargje nuk janë shprehje e dëlirit të fuqisë, por e ndjesisë ekzistenciale të paprekshmërisë së fëmijërisë, të lirisë absolute në një botë ku njeriu është ende i pandarë nga natyra dhe nga vetvetja. Rikthimi është kërkim i kësaj gjendjeje, i këtij identiteti burimor që, në zhurmën e qytetërimit dhe të historisë, mund të zbehet apo të humbasë.

Në këtë poezi, kujtesa nuk është arkiv i ndodhive, por një akt krijues – një mënyrë për të ndërtuar veten nëpërmjet të kaluarës. Kujtimi nuk është pasqyrim, por ringjallje; ai ka ngjyrat e pranverës, aromën e barit dhe dritën e një kohe që ndoshta kurrë s’ka qenë plotësisht e tillë, por që në kujtesën poetike bëhet thelbësisht e domosdoshme. Pikërisht për këtë arsye, poezia nuk ngrihet mbi nostalgji, por mbi reflektim dhe rivendosje të kuptimit të ekzistencës.

“Kthimi në Gilbush” funksionon si një poezi-sintezë, që përmbledh të gjitha temat madhore të librit: lirinë, përkatësinë, fëmijërinë, kohën, kujtesën, qenien. Ajo është mbyllja më natyrale për një përmbledhje që nis me mitin e Tantalit dhe përfundon me njeriun që, pas gjithë përpjekjes për kuptim, kthehet në pikën e vet më të pastër – në fushën ku ka ëndërruar për herë të parë.

Në këtë mënyrë, poetika e kujtesës në veprën e Merxhan Avdylit nuk është as konvencionale, as sentimentale. Ajo është e ndërtuar mbi kërkesën për rrënjë dhe për kuptim, mbi bindjen se vetëm ai që e njeh origjinën e vet mund të ecë me siguri drejt të ardhmes. Kjo poezi, dhe kjo përmbledhje në tërësi, është një udhë e kthimit për të gjetur sërish atë që nuk është lënë kurrë pas.

Poetika e qëndresës dhe e lirisë

Në përmbledhjen Asgjë si atëherë, liria nuk është vetëm një motiv poetik i përsëritur apo një temë e deklaruar, por përbën një dimension qenësor të ligjërimit poetik dhe filozofik. Është vetë fryma që përshkon librin nga fillimi në fund – një liri e brendshme, e mendimit dhe e ndërgjegjes, e shpirtit që refuzon të pranojë dhunën, skematizimin apo uniformitetin. Avdyli nuk flet për lirinë si për një të drejtë juridike apo politike; ai e shpalos atë si nevojë thelbësore të njeriut për të qenë vetvetja, për të menduar me kokën e vet, për të qëndruar i drejtë edhe kur rrethanat e shtrëngojnë të përkulet.

Qëndresa në këtë poezi nuk ka formën e revolucionit të bujshëm, por të rezistencës së qetë dhe të palëkundur të individit ndaj çdo forme tiranie – qoftë ajo politike, shoqërore apo metafizike. Në vargjet ku Zeusi paraqitet si metaforë e pushtetit të verbër dhe të padrejtë, poeti sfidon jo vetëm perënditë e rreme të kohës, por edhe vetë konceptin e hyjnores që ka humbur lidhjen me drejtësinë. Kjo qëndresë merr formë poetike edhe përmes figurave të përsëritura të zogjve.

Figura e zogut, e pranishme në disa poezi të librit, shndërrohet në një metaforë shumëplanëshe: shpirt, mendim i lirë, dëshirë për pavdekësi dhe revoltë ndaj padrejtësisë.

Në poezinë “Zogu i zaiftë”, kemi një qasje të drejtpërdrejtë ndaj historisë së vuajtjes kolektive:
Zog i fatit tonë
me shekuj,
Mbi flatrat e tua,
fatin e njerëzimit e bartë

Zogu bart një trashëgimi dhimbjeje, por edhe të vërtetash të pathëna. Ai qëndron përballë pushtetit të verbër, simbolizuar nga Zeusi:

E kurrë
një fjalë të ëmbël
Zeusi nuk ta tha
”.

Në këtë përballje, poeti nuk flet për një përulje, por për një fitore të heshtur të shpirtit të plagosur ndaj forcës që tenton ta heshtë.

Në “Zogu i lirisë”, mesazhi është më universal dhe abstrakt:
Atë këngë
që secili dëshiron ta këndojë
por askush deri në fund
nuk mund t’i shkojë.

Kënga është një metaforë për lirinë absolute – një aspiratë e paarritshme për njeriun, por gjithsesi thelbësore për ta përfytyruar dhe ndjekur. Edhe nëse nuk mund të përmbushet, ajo duhet kënduar.
Në “Zogu i zemrës”, liria nuk është më një koncept abstrakt, por një ndjenjë intime, thellësisht personale:

Vetëm ti kur këndon
më duket
se zemrën time
me gozhdë e shpon.

Kjo poezi sjell përfytyrimin e shpirtit të brendshëm që i flet vetes – një liri që dhemb, që kërkon përkushtim dhe nuk mund të braktiset. “Mos dil nga unë / se nuk të lëshoj” – është një betim poetik për ta ruajtur autenticitetin përtej kohës: “deri në përjetësi.”

Në një tjetër trajtesë metaforike, “Zogu i plastikës”, poeti ironizon pavdekësinë artificiale dhe zbrazëtinë e pushtetit:

Me shekuj hesht
dhe ende asnjë melodi
të këngës tënde nuk e dëgjuam.

Ky zog nuk këndon, nuk rebelon, por rri i heshtur – ndoshta simbol i atyre që nuk guxojnë të flasin. Megjithatë, edhe Zeusi e lakmon:
Se edhe ai dëshiron
të mbetet i pavdekshëm
sikurse ti.

Këtu përshkruhet një pavdekësi pa shpirt, një lloj ekzistence plastike – e kundërta e shpirtit që proteston.

Ndërsa në “Zogu i zi”, kemi një përqasje ekzistenciale:
Ai nuk ndalet,
vetëm fluturon
dhe trishtueshëm këndon
por asnjë këngë të tij
kurrë kush nuk e mëson.

Zogu fluturon mbi “mjegullnajën / e jetës sonë njerëzore”, duke u shndërruar në emblemë të lirisë që asnjëherë nuk përthithet plotësisht. Ai është vetmia, dhimbja, por edhe kërkimi i pashtershëm për kuptim.

Në këtë mënyrë, poezia e Merxhan Avdylit ndërton një poetikë të qëndresës që nuk është militante, por etike dhe filozofike. Është një qëndresë e qetë, por e pamëshirshme në parim; një liri që nuk shpallet, por jetohet. Në një botë të përmbysur nga frika, mediokriteti dhe konformizmi, poezia e tij është akt i heshtur rebelimi, një shprehje e identitetit që nuk shembet përballë dhunës, por që forcohet nga përballja me të.

Ky dimension i qëndresës e bën këtë përmbledhje një testament të njeriut të lirë – jo si hero romantik, por si qenie që, në vetminë e mendimit të lirë, arrin të ruajë integritetin e tij moral e shpirtëror. Dhe kjo është, ndoshta, forma më e lartë e qëndresës në kohën tonë.

Epifania e zbrazëtisë: përmbyllja poetike në “Asgjë si atëherë”

Përmbyllja e vëllimit Asgjë si atëherë shpalos thelbin filozofik të gjithë librit: përvojën e një bote që ka rrëshqitur nga idealet drejt një relativizimi moral, një zbrazëti ku ndryshimi nuk prodhon përparim, por humbje të kuptimit. Dy poezitë mbyllëse – “Kështu ishte dikur” dhe “Asgjë si atëherë” – përbëjnë një binom të ndërtuar në kontrast të brendshëm, mes një së kaluare të papërsosur, por të kuptueshme, dhe një së tashme të mjegullt, ku as liria dhe as robëria nuk kanë më trajtë të qartë.

Në poezinë “Kështu ishte dikur”, poeti vë në lëvizje kujtesën jo për të glorifikuar të shkuarën, por për të zbuluar një strukturë antropologjike të jetës, ku vlerat ishin më të kuptueshme dhe marrëdhëniet më njerëzore:

Kështu ishte dikur
Jo krejt si sot
Dhe çka s’kishte,
Nuk ishte më mirë
Por as më keq nuk ishte.

Vargjet nuk bien në nostalgji naive; ato ruajnë një maturi gjykimi, duke e vendosur të shkuarën në një raport krahasimi me të tashmen, jo për ta mitizuar atë, por për të dëshmuar se edhe mungesa kishte një rend. Sot, ndërkaq, mungesa është bërë përmbytje, dhe prania është bërë e pakuptimtë. Poezia thërret për një rend të brendshëm, për një kohë ku edhe kur mungonin gjëra, nuk mungonte sensi i tyre.

Kulmi i kësaj refleksioni arrihet në poezinë “Asgjë si atëherë”, e cila jo vetëm mbyll librin, por përmblodhi në titull edhe gjithë filozofinë e tij poetike. Ajo funksionon si një postludi poetik, ku çdo koncept i njohur përmbyset: koha, hapësira, njeriu, jeta, drita – të gjitha kanë ndryshuar në mënyrë thelbësore, dhe ky ndryshim nuk sjell ringjallje, por krizë të kuptimit:

Atëherë ishte krejt ndryshe
Edhe koha ishte tjetër
Sikurse edhe lëvizja e saj.
[…]
As ikja nga liria,
As hyrja në robëri.

Përmbyllja thekson se ka ndodhur një përmbysje ontologjike: nuk ka më dallim midis hyrjes në liri dhe daljes nga ajo. Fjala “liri” ka humbur peshën semantike dhe morale, ashtu si edhe konceptet e tjera që dikur formonin arkitekturën e përvojës njerëzore. Me këtë, Avdyli e shpreh me qartësi krizën e botës bashkëkohore: një botë ku as liria nuk njihet më si vlerë, dhe as robëria si kërcënim.

Vargjet e përsëritura si refren:
Asgjë si atëherë,
Si atëherë asgjë nuk është

funksionojnë si një poezi e mbrapsht e historisë, ku e tashmja nuk përmirëson të shkuarën, por e zhbën atë. Në vend të një progresi linear, kemi një qark të mbyllur zhgënjimi. Poezia nuk përmbyllet me një shpresë shpëtimtare, por me një vëzhgim tronditës të degradimit të njeriut dhe të gjuhës me të cilën ai dikur përshkruante botën.

Në këtë mënyrë, përmbyllja e librit nuk është një epilog i qetë, por një epifani e zbrazëtisë, ku fjala ka pushuar së qenë udhërrëfyes dhe është bërë pasqyrë e thyer e vetvetes. Kjo mbyllje mbart një fuqi të madhe poetike dhe filozofike: ajo lë lexuesin jo me qetësi, por me dyshim – me pyetje që nuk marrin përgjigje, sepse asgjë nuk është më si atëherë.

Në vend të përfundimit

Asgjë si atëherë është më shumë se një përmbledhje poetike – është një përvojë e thellë estetike dhe ekzistenciale që përfshin lexuesin në një udhëtim të brendshëm përmes temave themelore të qenies: jeta, liria, dashuria, kujtesa, identiteti dhe sfida e ekzistencës moderne. Merxhan Avdyli nuk shkruan për të impresionuar, por për të ndriçuar – për të rrokur esencën e njeriut dhe për ta shpalosur atë me një gjuhë të përmbajtur, të dendësuar, por thellësisht të fuqishme.

Ky libër nuk përmban vetëm poezi të mira, por edhe poezi të jashtëzakonshme – të tilla që i lexojmë me ndjenjën se botëkuptimi ynë po ndryshon pikërisht në momentin e leximit. Poezitë e Avdylit nuk lënë gjurmë vetëm në ndjeshmëri, por edhe në ndërgjegje; ato nuk janë për konsum të shpejtë, por për përsiatje të thellë, për rikthim dhe rilexim.

Në këtë vepër, fjala poetike është një akt i ndërgjegjshëm dhe etik – një formë qëndrese ndaj zbrazëtisë, një mënyrë për të ruajtur integritetin shpirtëror në një kohë të shprishur nga vlerat. Qoftë përmes figurës së zogut të lirisë, qoftë përmes mitologjisë së sfiduar apo introspeksionit filozofik, poeti ndërton një univers ku fjala është formë e qëndresës dhe ku heshtja është pjesë e domethënies.

Asgjë si atëherë është një libër i domosdoshëm për çdo lexues që kërkon art të vërtetë – art që nuk ndan ndjenjën nga mendimi, as përvojën nga kuptimi. Po ashtu, është një burim i çmuar për studiuesit e letërsisë shqipe, që duan të ndjekin zhvillimin e një poetike të re, të pjekur dhe të vetëdijshme.

Në fund të leximit, lexuesi nuk e mbyll thjesht një libër, por mbart me vete një përvojë të pazëvendësueshme – një zë që vazhdon të flasë edhe përtej faqeve, një kujtim që nuk tretet, një fjalë që ndryshon diçka në thellësi. Dhe kjo është, në thelb, shenja më e sigurt e një vepre që i përket letërsisë së qëndrueshme dhe të nevojshme.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.