ANALOGJI STINËSH
E m’i ngërdheshen honxhobonxhot
e m’i zgërdhihen haxhiqamilët
Musine Kokalarit, trimëreshës Kokalari
që në gjyqin e partishëm
dje u tha e sot u thotë atdheu është i pari.
E m’i ngërdheshen honxhobonxhot
Musine Kokalarit,
fort m’i zgërdhihen trimes haxhiqamilët,
shkapërdarët e kazasë e të nahijes
e qatipët me të gjithë filistinët.
E hanëmet e kurtizanet e kajmekamit
e kurtizanet e hanëmet e dovletit
seç m’i kapardisen Musine Kohë Trimes.
DJE E SOT
dje e sot
nesër e dje
qeni ha
pastaj leh
(qeni leh aty ku ha)
dje e sot
nesër e dje
njeriu ha
pasi të lehë
(njeriu ha aty ku leh)
PAS FESTËS Ç’TË BËSH
vërtet
pas festës ç’të bësh
apo vetëm të shkruash vargje
por të bësh vargje
a është njësoj si me mbyllë gojën
a është njëlloj si kur hesht
sepse nuk është stinë e metaforës sot
por dimër i madh lulëzon kundër saj
vërtet pas festës
njeriu ç’duhet bërë
sepse festa është festë
festa është e shenjtë
e në ditën e festës
ti nuk bën ta prishësh
emocionin e turmës
ti qytetar i republikës
se për besë
ty t’i lidhë duart
ndonjë pjesëtar i rendit
menjëherë
nëse hijes
që drita s’i jep emër
ia rrëmben nga dora
tëndin flamur
që s’i rrjedh as i rrodhi
syve as dejve kurrë