Nga ZAMIRA SHTYLLA
Lirika “NË PUSHIMORE TË STROFËS ”e Avdush Canajt përfaqëson një nga shembujt më delikatë të poetikës bashkëkohore shqiptare, ku bota natyrore ndërvepron me botën estetike përmes një tërësie shenjash që prodhojnë kuptime shumëplanëshe. Teksti nuk zhvillohet mbi një narrativë të fortë, por mbi një sistem figurash dhe simbolesh që komunikojnë përtej kuptimit të drejtpërdrejtë. Duke u mbështetur në parimet e semiotikës strukturaliste dhe poststrukturaliste—sidomos në konceptet e Ferdinand de Saussure, Charles Sanders Peirce, Roland Barthes dhe Jurij Lotman—poezia mund të lexohet si një “hapësirë semioze”, ku shenjuesit qarkullojnë duke rikrijuar vazhdimisht marrëdhëniet mes brendësisë subjektive dhe hapësirës kozmike.
..
Hëna është figura qendrore e poezisë dhe shfaqet menjëherë si një shenja komplekse, e cila kombinon karakteristika të shenjave simbolike, ikonike dhe indeksike në kuptimin peircean. Në planin ikonik, ajo përfytyrohet “si gocë me bishtaleca”, çka e shndërron objektin abstrakt kozmik në një figurë antropomorfe të njohur culturalisht. Ky ikonizim e zhvendos hënën nga sfera astronomike në sferën e afërsisë gjuhësore dhe të përvojës fëmijërore.
Si shenjë simbolike, hëna mishëron arketipin universal të dritës së natës dhe poetikës së ëmbël, ndërsa në aspektin indeksik ajo shënjon ardhjen e frymëzimit, një lloj “prezence” që hyn përmes dritares. Kështu, hëna bëhet një shenjë e lëvizshme, që i shënjon proceset e krijimit poetik dhe vetë aktin e komunikimit me kozmosin.
..
Dritarja funksionon si një element kyç në semiotikën e tekstit: një “prag” që ndërmjetëson brendësinë e subjektit poetik me jashtësinë e botës. Në kuptim lotmanian, tekstet krijojnë hapësira semiosferike ku kufijtë janë vendet e përkthimit, të ndërveprimit mes kodeve të ndryshme. Dritarja tek Canaj është pikërisht ky kufi ku përkthehet drita e hënës në emocion, imazh dhe kuptim.
Ajo nuk është vetëm element hapësinor, por edhe shenjë poetike e intimitetit. Duke ardhur deri te dritarja, hëna bëhet pjesë e brendësisë, duke u ngarkuar me konotacione familjariteti, intimiteti dhe afrimiteti. Përmes dritares realizohet semioza kryesore e tekstit: hyrja e të jashtmes në botën e brendshme të poetit.
..
Vargu “Diçka tha ëmbël / e s’e mora vesh mirë” është një nga momentet më të rëndësishme semiotike të tekstit. Këtu kemi të bëjmë me atë që Barthes e quan “shenjë e shenjës” ose “tërheqje e kuptimit”. Fjala e hënës është një shenjë e padekoduar, e cila nuk e humbet funksionin e saj vetëm sepse nuk kuptohet; përkundrazi, pakuptueshmëria e saj bëhet vetë shenjë.
Në poezinë moderne, hapësirat e paqarta dhe pauzat e interpretimit shërbejnë si vende ku lexuesi aktivizohet për të plotësuar kuptimin. Kjo ndodh edhe tek Canaj: pamundësia për të kuptuar “çfarë tha hëna” nuk është mungesë domethënieje, por tregues i thellimit të kuptimit—shenja nuk mbyllet, por hapet drejt leximit të pafund.
..
Fragmenti “Simfonia nëpër rrokje” e përkufizon poezinë si një strukturë gjuhësore ku kuptimi nuk buron vetëm nga semantika, por edhe nga ritmi i shenjave tingullore. Sipas Jakobsonit, funksioni poetik i gjuhës thekson vetë formën e mesazhit. Canaj pikërisht këtë e bën: e kthen prozodinë në shenjë poetike.
Në këtë kuptim, rrokjet nuk janë vetëm njësi gjuhësore, por njësi semiotike që krijojnë “simfoninë”. Kuptimi i tekstit duket se lind jo vetëm nga lidhja e fjalëve, por nga muzikaliteti i brendshëm i gjuhës, pra nga mënyra se si shenjuesit tingullorë ndërveprojnë me njëri-tjetrin.
..
Varësisht nga interpretimi semiotik, pushimoret e strofave mund të lexohen si shenja të heshtjes, një element i pranishëm por i padukshëm në tekst. Heshtja nuk është privim i shenjave; ajo është një shenjë në vetvete—një kod i pazëshëm që flet për ndalesat, frymëmarrjen dhe pauzat e mendimit.
Ndonëse pushimoret nuk shkruhen si tekst, poezia i identifikon ato si vendet ku “çel gonxhja”, çka krijon një ekuivalencë poetike: kuptimi rinovohet në hapësirat e bardha. Në perspektivë semiotike, kjo është një shenjë metapoetike: teksti shpjegon vetë mekanizmin e lindjes së domethënies.
..
“NË PUSHIMORE TË STROFËS” e Avdush Canajt, poezi kjo që ggjendet në vëllimin poetik “ Hyr në ëndrrën time” botuar nga Shtëpia Botuese “ Faik Konica”, Prishtinë, 2o22, shfaqet si një poezi e ndërtuar mbi një sistem të shumëfishtë shenjash, ku bashkohen shenjat vizuale (hëna, dritarja, vajza), shenjat tingullore (rrokjet, simfonia), dhe shenjat e mungesës (pauzat, pakuptueshmëria). Nëpërmjet këtyre elementeve, poezia kthehet në një tekst të hapur, ku semioza ndodh vazhdimisht dhe ku kuptimi nuk jepet si kategori e mbyllur, por si proces i gjallë që kërkon pjesëmarrjen e lexuesit.
Hëna e ikonizuar dhe e personifikuar, dritarja si kufi simbolik, heshtja si shenjë e brendshme dhe muzikaliteti si strukturë ritmike e domethënies e bëjnë këtë tekst një model të shkëlqyer të leximit semiotik në letërsinë shqipe bashkëkohore. Në këtë kuptim, poezia e Canajt dëshmon se teksti poetik nuk është thjesht kumt emocional, por një sistem kompleks shenjash që krijojnë hapësira të reja perceptimi dhe të kuptimit estetik.
Avdush Canaj
NË PUSHIMORE TË STROFËS
Erdhi hëna në dritare
Si gocë me bishtaleca
Donte të dinte
Ç`vjershë kam shkruar
Yjeve t`ua mësonte sonte
Nuk di pse i qeshën faqet
Diçka tha ëmbël
E s`e mora vesh mirë
Ndoshta i pëlqeu tepër
Simfonia nëpër rrokje
E një gonxhe e çelur
Në pushimore të strofës


