Aleanca Kosovë–SHBA dhe përgjegjësia politike ndaj dezinformimit publik

0
Elife Luzha

Autore:
Elife LUZHA
21.12.2025

“Amerika kurrë nuk do t’ju lërë vetëm.” Ky ishte premtimi i ish-Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, që ia dha delegacionit shqiptar gjatë një nga momentet më vendimtare të historisë sonë, në Konferencën e Rambujesë. Ky premtim nuk ishte thjesht një deklaratë morale, por një angazhim politik dhe strategjik që ka shoqëruar procesin e shtetndërtimit të Kosovës ndër vite.

Nënshkrimi i Aktit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare nga Presidenti amerikan Donald Trump, ku përfshihet edhe Kosova, tregon qartë se kjo aleancë vazhdon të ketë rëndësi strategjike për politikën amerikane në Ballkanin Perëndimor. Mbështetja për një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi të bazuar në njohje të ndërsjellë, refuzimi i ndryshimeve të kufijve mbi baza etnike, si dhe përkrahja për perspektivën euroatlantike të Kosovës – është në përputhje të plotë me interesat shtetërore të Republikës së Kosovës.

Në këtë kontekst, pretendimet e opozitës politike se Qeveria Kurti ka dëmtuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të pabazuara dhe të pa qëndrueshme. Për më tepër, në këtë fushatë dezinformimi, janë përfshirë edhe disa figura publike që pretendojnë rol intelektual, të cilat në mungesë të analizës serioze, kanë shërbyer në deformimin e debatit publik duke cenuar interesin shtetëror.

Në fakt, Gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, Kosova ka shënuar përparim të dukshëm në sundimin e ligjit dhe në afirmimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar – elemente kyçe për një partneritet afatgjatë me SHBA-në.

Duhet theksuar se marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politika e jashtme, nuk maten përmes simpative personale apo taktikave momentale, por mbi interesa strategjike afatgjata, kapacitet institucional dhe besueshmëri shtetërore.

Prandaj, opozita dhe aktorët publikë duhet të mbajnë përgjegjësi për diskursin që prodhojnë.

Kritika është pjesë e domosdoshme e demokracisë funksionale; megjthatë, keqinformimi i qëllimshëm dhe instrumentalizimi i politikës së jashtme për përfitime të ngushta partiake përbëjnë rrezik serioz për pozicionin ndërkombëtar dhe interesat afatgjata të shtetit të Kosovës.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.