ROMAN I RRËFIMIT MJESHTËROR

0
Anton Nikë Berisha - Frymëmarrje nate

Llesh Ndoj

Rreth romanit më të ri të Anton Nikë Berishës “Frymëmarrje nate”, SHB Faik Konica, Prishtinë 2021

Romani “Frymëmarrje nate” i shkrimtarit dhe studiuesit tonë të shquar, Anton Nikë Berishës, botim i shtëpisë botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2021 dhe i “Kuvendit Françeskan” të Gjakovës, të mbërthen në leximin e tij nga rreshti i parë deri tek ai i fundit dhe nuk të “lëshon” edhe pasi e ke përfunduar leximin, duke të tundur në përjetimet që të ka dhuruar leximi i librit e në “dallgët” e ngritura nga autori në rrëfimin e tij, si të ishe i vetmuar duke lundruar në një varkë në valët e një oqeani të trazuar, ku fati yt varet vetëm nga ti, ose më saktë, nga besimi yt në Dritën e Hyjit, të cilën e ke zgjedhur jo thjesht si “çengelin”, ku kërkon të kapesh në një situatë që të vjen si e pa shpresë, por si Dritën e Jetës, Udhërrëfyesin tënd në të mirë e në të keq, e vetmja që do ta drejtojë varkën tënde në një liman të qetë…

E mora librin me një autograf nga Antoni dhe kisha menduar ta lexoja sa më shpejt, por një fjalë e autorit ma nxiti kureshtjen dhe e lexova atë brenda një nate.

– Fani, – më tha, – ky Fani yt, duke drejtuar gishtin nga kopertina e librit tim “Fani dhe fanasit…” ka zënë vend në rrëfimin e librit tim!

Ishte ky një motiv nxitës për mua që të “thyej radhën” e punëve e t’i përkushtohem leximit të këtij libri dhe, e them me bindje, bëra gjënë e duhur. Është një vepër e arrirë, e shkruar me një gjuhë të pastër e të pasur, plot ngjarje emocionuese, brenda të cilave shpalosen pjesë të historisë sonë kombëtare, drama të këtij populli, puna dhe përpjekjet për ngjizjen dhe ruajtjen e identitetit tonë kombëtar nga lufta e paskrupullt e shumëshekullore dhe rreziqet që i janë kanosur (dhe i kanosen!) këtij populli, por dhe më shumë.

Përmes ngjarjeve që zhvillohen në një terren të përcaktuar e relativisht të vogël dhe me pak personazhe, autori shpalos me mjeshtëri idenë e tij, ilaçin magjik për ta ruajtur këtë identitet edhe në të ardhmen e për ta mbrojtur atë nga rreziqe që vazhdojnë t’i kanosen edhe sot e kësaj dite këtij vendi, sigurisht në forma të reja e më të sofistikuara, jo vetëm nga jashtë e drejtpërdrejtë, por edhe nga brenda e në formë “të ëmbëlsuar” që duken si “E Bukura e Dheut” për brezin e ri.

Ngjarjet në romanin e profesor Antonit zhvillohen kryesisht në trevën e Perzerendit (siç i thotë autori në libër Prizrenit), por edhe në Gjakovë e rrethinë, prej nga synojnë (dhe e arrijnë këtë më së miri!) të përfaqësojnë në gjerësi fatin e kombit tonë dhe dramat e tij. Jo më kot ky aks, aksi Gjakovë – Prizren – Shkup, është zgjedhur nga shumë autorë që i qasen temave të tilla në krijimet e tyre, si rajon përfaqësues për të gjithë trojet shqiptare, pasi aty, ndoshta më shumë se kudo tjetër, është ngjizur edhe përndjekja, represioni e lufta e egër e armiqve për ta zhduk nga harta kombin tonë, por edhe përpjekjet më të mëdha të njerëzve tanë për t’i dalë zot vatanit. Kujtoj se këtu e ka marrë subjektin e vet edhe shkrimtari Jusuf Buxhovi, për romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, apo shkrimtari Hasan Hasani për romanin e bukur “Ulërima” po dhe krijues të tjerë.

Këtu është përqendruar dhe ka shfaqur gjithë përmasën e vet lufta për myslimanizimin e vetë shqiptarëve dhe më vonë sllavizimin e tyre, si mënyra më e lehtë për të arritur çrrënjosjen tek ta të vetëdijes kombëtare. Mirëpo, duhet ditur se këtu edhe janë zhvilluar luftëra e ngjarje më peshë kombëtare, si, fjala vjen, Lidhja e Perzerendit (1878), për ta ruajtur e fuqizuar këtë vetëdije, si “thembra e Akilit” e ekzistencës së kombit tonë.

Shkrimtari Anton Nikë Berisha në qendër të romanit vendos një personazh interesant, që është Maria, një vajzë me prindër myslimanë, me origjinë nga Fani i Mirditës, të shpërngulur atje për një jetë më të mirë. Maria ishte rritur nën hijen e gjyshes Lizana, një katolike e devotshme, e cila kurrë s’kishte pranuar të ndryshonte fenë e saj katolike, madje në arkën e së cilës, bashkë me petkat e vdekjes (mirditori, sidomos gruaja mirditore, e ka pasë zakon që kompletin e rrobave të vdekjes ta ketë kurdoherë të gatshëm sepse: Të gjithë jemi bashkudhëtar me vdekjen!) ishte vendosur dhe Kryqja e Krishtit.

Ajo kishte përjetuar që për shkak të vështirësive e shtypjes djemtë e saj ta ndryshonin besimin nga katolikë në myslimanë (Jaku bëhet Jakup), por këtë nuk ia kishte lejuar vetes! Maria, nën ndikimin e gjyshes e nën vegimin e Hirit të Hyjit, ishte pagëzuar e krezmuar dhe kishte zgjedhur edhe kishte vënë kurorë në Kishën e Shna Ndout në Gjakovë me Prenk Kaçinarin, katolik. Pikërisht ky akt, bashkë me bukurinë që Zoti ia kishte falur me bujari, ishte edhe “mëkati” i saj që autoritetet turke të Vilajetit, posaçërisht Nazif Pashai, nuk mund t’ia ”falte” kurrë dhe se ky “mëkat” ishte rrënim për Marinë, e cila mund t’i humbiste të gjitha (ndoshta edhe jetën!), po të mos ishin Besimi i saj, Drita e Hyjit, ndihma e klerit katolik të Arqipeshkvisë Shkup – Prizren, në krye të së cilës ishte Buçarelli dhe të aleatëve të mëdhenj të shqiptarizmës, përfaqësuesit e Austro – Hungarisë, që do të gjenin rrugëzgjidhjen e do ta merrnin atë në mbrojtje diplomatike.

Ngjarjet në roman, përgjithësisht, zhvillohen në formë lineare, duke e ruajtur tek lexuesi fillin pa ndonjë mundim të madh, por autori, në mënyrë të shkëlqyer, ka zgjedhur që herë pas here, ta shkëpusë këtë linearitet e ta hedhë lexuesin në të shkuarën, përmes rrëfejzave, tregimeve e gojëdhënave të rralla që vijnë si meditime të personazhit kryesor, Marisë, treguar nga prindërit e saj, e që e degëzojnë dhe e pasurojnë botën kuptimore të romanit: Ruajtjen e identitetit tonë kombëtar si çelësi i mbijetesës dhe zhvillimit të natyrshëm. Të tilla ndërprerje e shtesa të bukura e funksionale janë ato të gojëdhënës për emrin Drini i Bardhë, Gurin e Kshetës, të Bukurën e Dheut etj., që e bëjnë të këndshëm leximin e të përvetësueshëm mesazhet që dalin nga teksti. Ngjarjet në këtë vepër të prof. Antonit lëvizin bukur në rrafshin horizontal e atë vertikal, me një gërshetim, që flet shumë dhe që e mban lexuesin gjithnjë të lidhur me sistemin kuptimor të librit.

Në rrafshin horizontal ngjarjet, siç e kam cekur edhe më lart, zhvillohen në një terren disi të ngushtë: në Pëlqimë, në Marash, në Isniq, në Deçan e në Prizren (bashkë me shkuarjen  në Stamboll), por domethënia e tyre përfshin gjithë trojet shqipfolëse, apo edhe kontestin e tyre nën sundimin e Perandorisë Osmane, ndërsa në rrafshin vertikal, lexuesi nuk e ka të vështirë të kaloje nga personazhet e librit: Maria, Hakmet Hoxha, Nazif Pashai, kryeipeshkvi Buçarelli, tek Pallati i Sulltanit, për t’u ngjitur pastaj në Fe e Atdhe, si një binom i palëkundur ndër shqiptarë.

Nëpërmjet përcjelljes së njërës nga idetë kryesore të tekstit të romanit, nevojës për ruajtjen e identitetit kombëtar përmes ruajtjes së besimit në Dritën e Hyjit dhe katolicizmit, autori sjell pashmangshmërisht edhe disa ide e tema të tjera, të cilat ndërthuren bukur, nuk e sfumojnë boshtin kryesor të librit, pasi ai i ruan mrekullisht raportet mes atyre që janë kryesore e përbëjnë boshtin qendror dhe atyre që janë plotësuese, por e pasurojnë dhe e plotësojnë më së miri atë.

Kështu, përmes shtjellimeve dhe gojës së personazheve kryesorë, përmes ngjarjeve të vogla në dukje apo dialogëve, autori sjell në dritë faktin se të huajt i kanë realizuar qëllimet e tyre kurdoherë duke i vënë shqiptarët kundër shqiptarëve, siç paraqiten në libër bajraktarët e caktuar nga Pashai për realizimin e grabitjes së Marisë e dërgimin e saj tek ai, si pjesë e haremit të vet (që s’u realizua kurrë!), nuk shprehet pa arsye fakti se sundimtari i ri turk i Vilajetit të Prizrenit, Nazif Pashaj, puna e parë që do të bënte ishte caktimi i “vëzhguesve” në çdo fshat të vilajetit, thënë ndryshe informatorëve apo spiunëve, që ishin pika referencë për ta mbajtur nën zapt vendin e ruajtur gjatë pushtetin e vet absolut, apo ngjarja e varrimit të Lizanës, gjyshes së Marisë, e presioni i madh që iu bë Jakut të myslimanizuar në Jakup, për ta varrosur jo sipas amanetit të saj, në varret katolike, por në ato myslimane, si dhe për të mos lejuar Kryqin (që lëshonte rreze drite e shprese edhe në gjoksin e saj të pafrymë!) të ishte pjesë e veshjes së kufomës, kërkimi i Marisë nga shërbëtorët e sundimtarit turk edhe “në arkën e rrobave” të një gruaje mirditore, ku s’kishin si të mungonin Flamuri e Kryqi, apo edhe “thirrja e gjenit” e shërbëtorit të myslimanizuar për të mos i prekur ato edhe pse u duk i shqetësuar prej tyre, ngjarje ku, edhe pse me mundime, gjithnjë triumfon e mira mbi të keqen, shpresa mbi brengën e rrënimin.

Ndër pasuritë më të rralla që vetë Zoti e ka bekuar për shqiptarët është harmonia fetare. Autori Berisha kujdeset që këtë përmasë ta sjellë sa më mjeshtërisht dha poetikisht në libër, përmes rrëfimit të ngjarjeve dhe fakteve, në dukje të vogla e të “pavëmendshme”, por që flasin shumë, dhe ta “ballafaqojë” këtë virtyt të shqiptarëve me përpjekjet e paskrupullta të armiqve e të krerëve sundimtarë për ta dëmtuar këtë virtyt e unitet shqiptar. Përzgjedhja e bashkëjetesës në të njëjtën shtëpi e personazheve të besimit katolik e mysliman, mbështetja që ata gjejnë tek njëri-tjetri edhe në raste të rënda e të rrezikimit të tyre, prania në të njëjtin territor e kishave dhe xhamive e deri tek pjesëmarrja në festat e secilit besim edhe e besimtarëve të besimit tjetër, janë episode që vijnë në libër si dëshmi e këtij virtyti e uniteti.

Zoti i ka falë fetë e besimet për bashkim e jo për ndarje… Mirëpo, siç ndodh jo rrallë, pikërisht ajo që përbën edhe gjënë më të mirë të njeriut, mund të kthehet edhe në fatkeqësinë e përndjekjen e tij. A nuk ndodh kështu me Marinë, personazhin e romanit, ku bukuria fizike dhe shpirtërore e saj kushtëzojnë dhe përndjekjet më të mëdha?!

Edhe në rrafshin shoqëror, autori e shpreh këtë dukuri të rëndësishme, ku harmonia e shqiptarëve me dy besime përballet me goditjen e vazhdueshme të sundimtarëve. “Përçaj e sundo”, kjo ka qenë edhe motoja e vazhdueshme e atyre që nuk e kanë dashur kurrë këtë popull. Jo vetëm sunduesi turk që e nxit këtë më së shumti, por në shtratin e ngjarjeve të këtij romani, ashtu si edhe në jetën reale, një faktor mjaft ndikues, negativ dhe armiqësor, ka qenë (edhe mbetet!) kisha ortodoks serbe.

Këtë e dëshmon dhe ajo që ndodh sidomos në Isniq të Deçanit, ku në fshatrat përreth bashkëjetojnë katolikë, myslimanë e ortodoks, ku gjenden pranë e pranë kisha katolike, xhamia edhe manastiri ortodoks. Pikërisht në manastirin e Deçanit, kleri ortodoks serb, më shumë se punë normale kishtare, zhvillonte veprimtari përçarëse e antishqiptare. “Merimangat e zeza” i quan autori ata, nisur jo thjesht nga veshja, por mbi të gjitha nga brendia dhe nga veprimi i “errët” dhe i shëmtuar që bënin.

Ngjarja që ndodh në xhaminë e fshatit Isniq, kur në prag të kremtimit e festës së Bajramit, “merimangat e zeza” bëjnë një akt të kobshëm: natën, në errësirë të plotë, ashtu siç edhe ishin, përmes një të paguari të tyre (shqiptar), futin në xhami një derr, të cilin e therin dhe me gjakun e tij spërkasin muret e xhamisë! Ky veprim bëri që populli i armatosur me armë e urrejtje të ishte gati për një kasaphanë, ndoshta ndër më të egrat e të paparat…

Po Zoti e ka gjithnjë një zgjidhje! Hiri i Hyjit e do që ngjarjen e futjes në xhami të “merimangave të zeza” në mesnatë, ta shohë Drinas Gurra, një shqiptar mysliman i devotshëm, i cili, edhe pse nuk e kishte parë me sy çfarë kishte ndodhur brenda saj (kur kthehet e mëson nga bashkëfshatarët të armatosur në shesh), i kishte ndjek nga pas personat “hijet” deri në Manastirin e Deçanit, ndërsa vegimi i dritës e ballafaqoi me një vullkan zemërimi në shpërthim. Fati dhe zgjuarsia e Drinas Gurrës, besimi që kishin njerëzit tek ai, po dhe ndërhyrja e bajraktarit me kërkesën që të qetësoheshin dhe të shkonin në kullën e tij e ta falnin Bajramin, bën që të shmangej tragjika e shumëfishtë ndemjet shqiptarëve.

Edhe vizita e kryeipeshkvit, Buçarelli, në Isniq dhe takimi i tij me Drinas Gurrën dhe Bajraktarin, dëshmon për ata individë që mendojnë për të mirën e njeriut dhe për jetën e tij.

Shpalosen bukur në libër edhe veset e Nazif Pashait, ashtu si transmetohen edhe tiparet e rralla të Diloshes apo Drenushit mysliman dhe gruas së tij, Mirushes, që e strehojnë në shtëpitë e tyre dhe e mbrojnë Marinë. Bile edhe emrat që autori ka përzgjedh për personazhet e veta flasin shumë! Maria, në përngjasim të Zojës së Bekuar, Lizana, Diloshja, Drenushi, Mirushja etj. janë emra tipikë.

Zgjedhja e personazhit kryesor nga autori: një vajzë e bukur nga Mirdita, vendi që ka flijuar më shumë se çdo krahinë tjetër për Fe e Atdhe, ndërthurja e fitores së të drejtës së saj edhe me ndihmën e kryeipeshkvit Buçarelli e të Konsullit austriak etj., janë përqasjet e autorit me të dhëna reale të kombit tonë dhe e bëjnë gjithë rrëfimin shumë të afërt për lexuesin. Atëherë kur e gjithë Shqipëria (pjesa më e madhe e popullsisë në trojet shqipfolëse) u myslimanizua nën Perandorinë osmane, ishte pikërisht Mirdita me krerët e saj që e ruajtën të paprekur këtë besim, duke flijuar shumë e duke vuajtur “si Krishti”, por edhe duke zgjedhur aleatë të mëdhenj, siç ishte shteti i Austro – Hungarisë që e përkrahu shumë Mirditën dhe mirditorët.

E kanë thënë më shumë se një herë e më shumë se një autor se Mirdita e besimi i saj kanë luajtur një rol thelbësor në ruajtjen e vetëdijes kombëtare shqiptare e në ruajtjen e kombit tonë nga asimilimi.

Rrugëtimi i Marisë drejt ngadhënjimit të saj: Ruajtjes së fesë së Krishtit e ruajtjes së kurorës së shenjtë me Prenk Kaçinarin, përcillet me plot vuajtje e pësime. Ato të kujtojnë vuajtjet e mundimet e Birit të Hyjit, por edhe ngadhënjimin e dritës mbi terrin. Në sytë e mendjen e lexuesit Maria bëhet shumë shpejt një personazh i dashur, të cilit ke dëshirë t’i ngjash, ashtu siç bëhen figura të urryera personazhe si ato të bajraktarit të Marashit, sidomos të Nazifit, kreut turk të Vilajetit të Perzerendit.

Përmes personazheve në tekstin e romanit, autori sjell fraza e shprehje të bukura që në pak fjalë thonë shumë dhe që të mbeten në mendje gjatë, si, fjala vjen: vuajtja është mënyrë e mbëltimit të jetës, heshtja si forma më e lartë e fjalës, mirditoret më parë flijojnë veten sesa pranojnë t’i mbesë një njollë e zezë turpi, ne s’mund ta ndërrojmë historinë se ajo i përket të kaluarës, por mbi të mund të ndërtojmë të sotmen për t’i hapur shteg të nesërmes, joshja për pushtet i zhbën edhe virtytet më të mira të njeriut, është mëkat të hedhësh gurë në muranën e së keqes, njeriu pa të vetët është si pema pa rrënjë, apo më mirë të durohet padrejtësia se sa të shpërdorohet e drejta, të cilat përbëjnë mendime të rëndësishme dhe janë të çmuara për të gjithë.

Në mbyllje të gjithë këtij rrëfimi mjeshtëror, vjen një përsiatje mendimesh të Marisë, kur ishte në Shkodër dhe po përgatitej të udhëtonte drejt Portës së Lartë për gjykimin atje të kërkesës së saj për ruajtjen e besimit katolik, një meditim lidhje mes detit e lumenjve. Deti është zemërgjerë e pranon çdo pikë ujë të lumenjve, por edhe lumenjtë janë damarët e detit. Në se nuk janë  lumenjtë edhe deti vdes, por as lumenjtë s’ekzistojnë pa detin, i cili ua kthen përsëri ujin atyre…, ai është ati i lumenjve, të cilët kthejnë aty ku kanë lindur. E gjitha vjen si një mesazh e mësim, se atdheu ka nevojë për ndihmën e të gjithëve dhe se forca e njeriut për të përballuar dallgët e jetës buron nga atdhedashuria e bëhet shumëfish më e madhe kur drejtohet ka Drita e Hyjit dhe e besimit.

Një libër për t’u lexuar e rilexuar e për ta pasur pjesë të bibliotekës personale e të trashëgimisë kulturore, edhe për brezat e ardhshëm.

Faleminderit profesor Antoni për çastet e bukura që më dhurove gjatë leximit të kësaj vepre me vlera të veçanta letrare poetike.

Lezhë, nëntor 2022

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.