Këto ditë u botua libri “T’i përngjajmë Krishtit”, që është nga librat më të lexuar mbas Biblës me përkthim të ri nga origjinali latinisht të don Prekë Lazrajt.
– Hyrje –
Hyj, shkëmbi im, kështjella ime, lirimtari im,
Hyji im, shkrepi im në të cilin unë strehohem,
mburoja ime, shpëtimtari im i fuqishëm dhe ledhi im
(Ps 18, 2 – 3).
*
Hyj, sipas dashurisë sate, ma jep jetën[1].
(Ps 119, 159)
Qenësia e përshpirtërisë dhe e përvujtërisë
Në rrugën e vet të thellimit dhe të njësimit me hirin dhe me dashurinë e Hyjit, njeriu e dëshmoi urtinë e vet me përpjekje të vijueshme për të gjetur e zbatuar mënyra të ndryshme që ta forcojë këtë besim dhe këtë dashuri. Kjo ndodh për arsye se, siç thoshte dhe Nëna Tereze, jeta njerëzore, në qenësi “[…] është vetë jeta e Zotit në ne[2]”.
Një nga mënyrat më të rëndësishme të përmbushjes së këtij qëllimi: njësimi me Hyjin dhe me dashurinë e tij, është dhe leximi i Shkrimit të Shenjtë – Besëlidhjes së Shenjtë, për të cilën, ish profesori im i Universitetit të Zagrebit dhe njëri ndër intelektualët dhe shkrimtarët më të shquar kroatë, Jure Kashtellan, në “Fjalën hyrëse” të Biblës të përkthyer në kroatisht, shkruan midis të tjerash: “Bibla është libri më i lexuar dhe më së shumti i përkthyer që e ka përftuar gjeniu krijues i njerëzimit[3]”.
Brenda Biblës po përmend sidomos Psalmet dhe Këngën e këngëve për arsye se “Me Psalmet dhe me Këngën e këngëve, Bibla u hapi hullinë e hyrjes dy forcave më të mistershme me të cilat Hyji e ka pajisur njeriun: forcën e Lutjes dhe atë të Dashurisë […] këngët e Psalmeve dhe të Këngës bëjnë pikat e përjetshme të rigjetjes së mistereve më të thella të zbulimit dhe të ndriçimit[4]”. Don Giacomo Alberione thoshte se kush e lexon Librin e Shenjtë e përfill logjikën hyjnore, e flet gjuhën hyjnore dhe e përvetëson prirjen hyjnore[5]. Më duhet të them se libri “T’i përngjajmë Krishtit” është i natyrës së tillë dhe thellësisht mbështet në Psalmet.
Libri që po i jepet në dorë besimtarëve të krishterë dhe jo vetëm atyre, në përkthim të ri, të bërë me përkushtim e dije nga don Prekë Lazraj, ndriçon pikërisht rëndësinë e forcimit dhe të pasurimit të këtij besimi dhe të kësaj dashurie, që shpaloset përmes dy formave: të ndriçimit të thelbit të besimit në Hyjin dhe të mënyrave se si ky besim duhet të zbatohet dhe dëshmohet në rrafshin konkret jetësor. Në qenësinë e vet, libri ndriçon dhe interpreton një varg çështjesh thelbësore të Biblës, gjithë atë që përmblidhet nga koha kur, siç thotë kardinal Gianfranco Ravasi, Fjala e Hyjit e ndërpreu heshtjen nga asgjëja përmes zërit të tij krijues dhe bëri të lulëzojë gjithësia[6]. Kjo thuhet edhe në Psalmin 19, 2:
Qiejt rrëfejnë lavdinë e Hyjit,
veprat e duarve të tij i shpall kupa e qiellit.
Libri “T’i përngjajmë Krishtit” i kalon kufijtë e një doracaku të rëndomtë, për arsye se jo vetëm i ndriçon një varg çështjesh të besimit në mënyrë sa të gjerë, aq dhe thellësore, format si mbërrihet, përparësitë e besimit dhe të njohjes së tij, po dhe pësimet kur ai nuk përfillet, prapësohet ose përbuzët.
Përmes shqyrtimit të dukurive, që lidhen me Hyjin dhe me Birin e tij, Krishtin, libri shpalos, por dhe i konkretizon në mënyrë mjaft bindëse, qenësinë e Birit të Hyjit, Jezu Krishtit, kryqëzimin dhe ngjalljen e tij, i cili u shfaq si mishërim i dashurisë, i mirësisë dhe i shpëtimit: “Vërtet, dikur ishit errësirë, por tash jeni dritë në Zotërinë. Jetoni si bij të dritës” (Ef 5, 8); Krishti shpreh edhe diçka më shumë, siç thuhet në Letrën e dytë të Shën Palit drejtuar Timoteut: “Krishti e asgjësoi vdekjen dhe e bëri të ndrisë jetën dhe pavdekësinë” (2Tim, 1, 10).
Në libër vëzhgohen në mënyrë të veçantë domosdoja e përvujtërisë, po dhe vuajtja dhe nevoja e përballimit të saj, përkatësisht bashkëjetimi me të. Rreth kësaj papa Gjon Pali II pati thënë: “Krishti, duke vuajtur për të gjithë ne, ka paraqitur një kuptim të ri të vuajtjes; e ka vënë në një përmasë të re, në një rregull të ri: në atë të dashurisë […] Është dashuria që e djeg dhe e zhbën të keqen me flakën e dashurisë dhe nxjerr edhe prej mëkatit forma të mira të shumta lulëzimi[7]”. Pra, “Çdo vuajtje njerëzore, çdo dhembje, çdo fatkeqësi ngërthen një premtim (shpresë) për shpëtim, një shpresë për gëzim[8] […] Nuk ekziston vuajtje që Ai nuk di ta shndërrojë në rrugën që shpie tek Ai[9]”.
Mënyrat që i përdor njeriu kur i drejtohet Hyjit dhe komunikon me të janë të shumta dhe të ndryshme, për arsye se Hyji është i Tejlarti dhe i Gjithëpushtetshmi dhe nga ai nxitet dhe fillon çdo nismë.
Toka është e Hyjit dhe gjithçka që ajo përmban:
bota me banorët e saj.
Ai është që e përfitoi atë mbi detet
dhe e vendosi mbi lumenjtë (Ps 24, 1- 2).
Krishti – dashuri e pafund përdëlluese
Në librin “T’i përngjajmë Krishtit” vështrohet sidomos mendimi i Krishtit: “Kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i sprasmi i të gjithëve dhe shërbëtor i të gjithëve” (Mk 9, 34) dhe “Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet çdo ditë dhe të më ndjekë” (Lk 9, 24), që përligjet në mënyra të ndryshme dhe në tekstet e Psalmeve[10].
Për ta fituar jetën hyjnore në mënyrë që shpirti të prehet në parajsën qiellore, njeriu duhet të vuajë, duhet të heqë dorë, siç thuhet, nga kënaqësitë e mishit, dhe me gjithë qenien e tij të njësohet me Hyjin dhe me hirin e tij. Vetëm në këtë mënyrë sigurohet shpëtimi dhe amshimi i shpirtit. Këtë dukuri e theksonte dhe papa Gjon Pali II: “Ungjilli përmban një paradoks themelor: për ta gjetur jetën, duhet ta humbasësh jetën; për të lindur, duhet të vdesësh; për të shpëtuar, duhet të marrësh mbi supe Kryqin. Kjo është e vërteta themelore e Ungjillit, që gjithmonë dhe kudo do të hasë në kundërshtimin e njeriut[11]”.
Qenësia e besimit në Krishtin përligjet dhe nga dashuria që njeriu duhet të tregojë për tjetrin; tjetri është ai që e dëshmon dashurinë hyjnore në mënyrën më të thellë e më konkrete. Paul Claudel thoshte: “Të jeni të sigurt se dashuria për tjetrin a nuk është rruga më e shkurtër për të mbërritur tek Ai (te Hyji – v. ime)[12]”?
Shembull i denjë i një jete të tillë është vetë Shën Pali, njëri nga më të mëdhenjtë e themelimit dhe të përhapjes së besimit të krishterë, gjë që e dëshmojnë dhe këto fjalë të Nënës Tereze: “Shën Pali, të cilin përpiqem ta imitoj për sa i përket zellit, ishte një apostull i gëzimit. Ai u jepte zemër të krishterëve të parë të gëzohen përherë në Hyjin. E gjithë jeta e Shën Palit mund të përmblidhet në një shprehje: ‘I përkas Krishtit’. ‘Asgjë nuk mund të më ndajë nga dashuria e Krishti, as vuajtja, as përndjekja, njëmend asgjë’. ‘Nuk jam më unë që jetoj, po Krishti jeton në mua’ (Gal 2, 20). Ja arsyeja pse Shën Pali ishte kaq i mbushur plot me gëzim[13]”.
Për ta dëshmuar këtë mënyrë përkushtimi në jetën konkrete njeriu duhet të mbështetet tek Hyji, ashtu siç e pati thënë ”shitësi i fjalëve”, Shën Augustini: për të pasur individi një cilësi e për të mundur që atë t’ia dhurojë tjetrit, duhet që atë t’ia këtë dhuruar më parë Hyji: “Më lejo që për flijim unë të ofroj shërbimin e mendimeve të mia dhe të gjuhës sime, mirëpo më parë më jep atë që unë dua të të ofroj[14]”.
Njeriu varet krejtësisht prej Hyjit dhe se dashuria e njeriut e ka burimin në dashurinë e tij. Nëna Tereze theksonte se përmes besimit dhe lutjes jo vetëm mund ta dëshmojmë dashurinë për Hyjin dhe të njësohemi me të, por edhe të kuptojmë mirëfilli brishtësinë që jemi një hiç dhe s’kemi asgjë tonën: “Kur je ballë për ballë me Hyjin, nuk mund të bësh asgjë tjetër pos të kuptosh se je një hiç dhe që s’ke asgjë […] Nëse vihesh përpara Hyjit në lutje dhe në qetësi, padyshim se Hyji do të të flasë: ndodh vetëm atëherë kur e përmbush asgjënë tënde, zbrazëtinë tënde, të cilën Hyji mund të ta mbushë me vetën e tij[15]”. Pra, nuk janë dy dashuri; jeta shpirtërore është “Bashkim i dashurisë me Krishtin, në të cilin hyjnorja dhe njerëzorja njësohen krejtësisht njëra me tjetrën. Gjithë ajo që më kërkon Krishti është që t’i jepem atij me gjithë varfërinë time dhe me hiçin tim[16]”.
Në veprën “T’i përngjajmë Krishtit” ndriçohet mirëfilli domosdoja për të hyrë në të fshehtat e botës shpirtërore për arsyes se duke e njohur më mirë veten, secili bëhet më shumë i vetëdijshëm për vetveten. Kur bëhet mirëfilli i vetvetes, bëhet më shumë edhe i Hyjit. Të bëhesh më shumë i Hyjit domethënë t’ia falësh dashurinë tënde edhe Atit, edhe krijesave të përftuara nga ai. Duke ia dhuruar dashurinë tënde Hyjit dhe tjetrit, bëhesh sa i vetvetes aq edhe i tjetrit. Nëpërmjet këtij veprimi e kësaj dashurie ti e njeh tjetrin.
Kjo mundëson mbërritjen e qetësisë shpirtërore, që është e mira më e lartë. Kur njeriu e mbërrin këtë, mendon në mënyrë më të thellë e më të drejtë për atë që bën. Për të mbërritur qetësinë shpirtërore duhet shumë përkushtim e dashuri ndaj Hyjit; ajo të mëson se e mira është e lidhur ngushtë me dashurinë dhe më së shumti mësohet nga dashuria, nga dhimbja dhe nga vuajtjet. Ta duash dikë domethënë të flijosh diçka për të. Ta duash Hyjin domethënë të flijohesh për dashurinë e tij. Flijimi i këtillë të shkakton kënaqësi, të jep fuqi të veprosh e të gjallosh përherë me përvujtëri e me nder[17]”.
Duke folur për njësimin e dashurisë së njeriut me Hyjin dhe me tjetrin, papa Benedikti XVI, theksoi ndër të tjera: “Vetëm gatishmëria ime ta ndihmoj të afërmin, t’ia dëshmoj dashurinë, më bën të ndjeshëm edhe përballë Hyjit. Vetëm shërbimi për tjetrin m’i hap sytë e mi për atë që Hyji bën për mua dhe për atë si Ai më do. Shenjtërit – të mendojmë për shembull për të lumturën Terezen e Kalkutës (Nënën Tereze v. ime) – e kanë dëshmuar aftësinë e tyre ta duan të afërmin, përherë në mënyrë të re, nga takimi i tyre me Hyjin eukaristik dhe, ky takim, në mënyrë të ndërsjellë, ka provuar realizmin dhe thellësinë e tij pikërisht në shërbimin e tyre për të tjerët[18] […] Dashuria për Hyjin dhe dashuria për të afërmin janë të pandashme, janë urdhërim i përnjëjtësuar. Të dyja, pra, jetojnë nga dashuria e ardhur nga Zoti…[19]”.
Në vijim të vëzhgimit të dashurisë dhe të së vërtetës së Hyjit përballë veprimit jetësor të njeriut, ndriçohet rëndësia e kungimit, shenjë e njësimit konkret me dashurinë dhe me flijimin e Krishtit, rëndësia e punës dhe e përkushtimit të meshtarit, si ndërmjetës i hirit hyjnor dhe besimtarit, pastaj e dhëna se çdo gjë të jetës së njeriut duhet ta drejtojë vetëm një qëllim: hapja e shtegut drejt Hyjit, për arsye se asgjë s’ka vlerë nëse nuk përshkohet me dashurinë dhe nuk mbështetet në hirin e Tij. Pikërisht kjo dashuri e rrënjëzon dhe e shpërfaq lirinë e shpirtit dhe e kushtëzon lirinë e veprimit në pajtim me dashurinë e Hyjit dhe me kryqëzimin e Birit të tij, Krishtit, dhe i siguron shpirtit të njeriut parajsën – qëllimi kryesor i jetës së tij.
Prishtinë, prill 2021
ANTON NIKË BERISHA
[1] Shih Psalmet. Shqipërimin dhe parathënien Anton Nikë Berisha. Arqipeshkvia Metropolitane Shkodër – Pult, Shkodër 2017.
[2] Shih Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente. Paoline. Milano, 2003, f. 220. Shih dhe José Luis González – Balado, Madre Teresa. Ricordo e messaggio. Edizioni San Paolo, Cinisello Balsamo (Milano), 2003, f. 20.
[3] Shih Jure Kaštelan, Uvodna riječ. Në “Biblija Stari i novi zajet”. Stvarnost, Zagreb 1969, f. XIII.
[4] André Neher, Prefazione. Në André Chouraqui, Il Cantico dei cantici e introduzione ai Salmi. Prefazioni di A. Neher, R. Voillaume, J. Ellud. Traduzione dal francese di Vittorio Burattini. Città Nuova Editrice, Roma 1980, f. 7.
[5] La Bibbia. Via, Verità e Vita. Nuova versione ufficiale della Conferenza Episcopale Italiana. Edizione riveduta e ampliata. Paoline. San Paolo. Cinisello Balsamo. Milano 2012, f. 6.
[6] Gianfranco Ravasi, Introduzione gjeneralë. Në “La Bibbia. Via, Verità e Vita”. Nuova versione ufficiale della Conferenza Episcopale Italiana, vep. e përm., f. 11.
[7] Giovanni Paolo II, Memoria e identità. Introduzione Joseph Ratzinger Papa Benedetto XVI. Rizolli Corriere della sera. Edizione speciale. RCS Quotidiani, Milano 2010, f. 199. Shih dhe Parole di Benedetto. La visione della Chiesa e del mondo negli interventi di Joseph Ratzinger Ancora, Milano (aprile 2005), f. 22.
[8] Giovanni Paolo II, Memoria e identità. Introduzione Joseph Ratzinger Papa Benedetto XVI., vep. e përm., f. 199.
[9] Giovanni Paolo II, Memoria e identità. Introduzione Joseph Ratzinger Papa Benedetto XVI., vep. e përm., f. 198.
[10] Shih për literaturën rreth Psalmeve në parathënien time në Psalmet. Shqipërimin dhe parathënien Anton Nikë Berisha, vep. e përm., f. 7 – 30.
[11] Gjon Pali II me Vittorio Messori-n, Të kapërcehet pragu i shpresës. Gjonlekaj Publishing Company, New York, 1998, f. 120.
[12] Paul Claudel, Tre figure sante per il tempo attuale. Charles De Foucauld – Teresa Di Lisieux – Ève Lavallière. Introduzione, traduzione e note a cura di Giovanna della Croce. Edizioni San Paolo, Torino 1997, f. 19.
[13] Madre Teresa, La mia regola. Fabbri editori. Sulla collana I classici dello spirito. R. C. S. Libri S.p.A., Milano 1997, f. 137; Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente. Paoline. Milano 2003, f. 173. Shih dhe veprën time Nëna Tereze nё shtatë shpalime. Shpalimi i pestë. “Shën Pali dhe dhe Nëna Tereze”. Botues “Faik Konica”, Prishtinë, Kuvendi Françeskan Gjakovë 2019, f. 19.
[14] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio. 3. ed. Ottobre, Edizione Pauline, 1974, f. 35.
[15] Saverio Gaeta, Il Segreto di Madre Teresa. Il diario e le lettere inedite dei colloqui con Gesù riportati alla luce del processo di beatificazione. Edizioni Piemme Spa, 2002, f. 111.
[16] Jesus, the Word to be spoken, edited by Angelo Devananda Scolozzi, Servant Books, Ann Arbor (USA), 1986. Italisht, Le mie preghiere. Pensieri e meditazioni per ogni giorno dell’anno, vep. e përmendur. Shih Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente, vep. e përm., f. 196.
[17] Pjesë nga romani im Nëna e dritës. “Shpresa”, Prishtinë 2004, f. 292.
[18] Benedetto XVI, Deus caritas est. Lettera enciclica. Libreria Editrice Vaticana, V Ristampa 2006, f. 41 – 42.
[19] Benedetto XVI, Deus caritas est. Lettera enciclica, vep. e përm., f. 42.