Zymer Mehani
1.
Ymrije Beqiri është autore poezish, që shquhet me talentin dhe stilin e të shkruarit, duke bërë përpjekje për t’u dhënë poezive të veta përmbajtje dhe formë. Për këtë autore, poezia është ndërmjetësuese mes saj dhe aktualitetit, por edhe ngjarjeve shoqërore e dukurive që ndodhin në shoqëri. duke mbetur prore aktuale, ngase flet mbi ndryshimet individuale, familjare dhe mbarënjerëzore.
Në strukturë të poezive të poetes Ymrije Beqiri inkuadrohen edhe mjaft elemente të figuracionit poetik, që luajnë rol meditativ e artistik. Po ashtu, në këto poezi gjejmë edhe mjaft simbole e metafora të bukura.
Duke e lexuar poezinë e poetes Beqiri, mësojmë se gjatë realizimit të vet poetik e artistik, ajo është ngritur gradualisht, si përnga sasia, ashtu edhe përnga cilësia, duke e pasuruar gjithnjë opusin e saj poetik.
Përmbledhja poetike “Letra në sirtar” e poetes Ymrije Beqiri më dha shkas për të shfaqur disa mendime për atë që shpreh dhe përmban poezia e kësaj autoreje. Për faktin se autorja kaherë ka nisur të botojë poezitë e veta, edhe më parë kemi pasur rast që të shfletojmë diçka nga autorësia e saj, prandaj vlerësimi ynë për artin poetik të saj do të jetë relativisht i saktë, sepse e kemi mbështetur në një kriter të nivelizuar sipas urdhrit teoriko-letrar.
Vëllimi poetik “Letra në sirtar” në të vërtetë është edhe një dëshmi e ekzistimit të indit poetik të poetes Ymrije Beqiri, që është në zhvillim e sipër. Nga poezia e kësaj poeteje kemi gjetur tërë atë që është e natyrshme: shpirtin e dëlirë, butësinë dhe madhështinë, të mbështjellur me dashuri të sinqertë dhe me mall e dhembshuri për njeriun, qoftë prind, vëlla, motër, bijë, apo edhe të dashur.
Poezinë e poetes Beqiri e pranojmë dhe e kuptojmë si ndjenjë dhe mbresë të raporteve të përditshme jetësore, por edhe si funksion ndjenjash në të përjetuarit e jetës shpirtërore. Prandaj poezinë e kësaj autoreje do ta quajmë krijim më suptil dhe ndjenjë, madje edhe kur është fryt i ndjenjave intime, të buta dhe i shtytjeve të brendshme. E tillë është dhe duhet të jetë poezia e mirëfilltë, shprehëse e mendimeve për problemet dhe preokupimet e drejtpërdrejta, të thurura me gjuhën e fantazisë dhe të sensit krijues.
Në poezinë e poetes Ymrije Beqiri dominon motivi i dashurisë në kuptimin e gjerë të fjalës. Ky motiv trajtohet i shoqëruar përherë me brenga dhe halle, kundërshtime e pajtime, luftë kundër veseve, siç janë gënjeshtra, mashtrimi, pabesia etj. etj.
Kur mbërrijmë deri te poezia e fundit e përmbledhjes poetike “Letra në sirtar” të autores Beqiri, do të mbetemi të ngazëllyer, ngase përmbledhja do të na sjell përjetimin e vlerave poetike dhe të freskisë së motiveve, siç janë dashuria, dashuria ndaj fëmijëve, ndjenja e miqësisë së sinqertë etj., por njëkohësisht do të na lërë përshtypje edhe me përdorimin me sukses të figuracionit poetik.
Gjuha dhe fjalori i përdorur nga autorja Ymrije Beqiri është e thjeshtë dhe e kuptueshme. Po ashtu ajo ka ndërtuar strofa të ndryshme, por më të dendurat janë katrena (katërvargëshi), dhe tipi i vargjeve në kolonë.
Në këtë vëllim autorja Beqiri është ndalur te bota e ndjenjave të veta subjektive dhe me to, kryesisht i ka përshkuar të gjitha poezitë e veta. Prandaj është edhe konstatimi ynë se autorja poezitë e veta i ka stolisur me ngjyrime individuale. Kjo gjeturi dhe modesti, autores i ka ndihmuar shumë dhe ka bërë që përmbledhja e saj të shquhet në mënyrë edhe më impresive.
Jemi krejt të sigurt se lexuesi do ta lexojë me ëndje vëllimin poetik “Letra në sirtar” të poetes Ymrije Beqiri, ngase aty do të gjejë optimizëm, por edhe sentimentalizëm, mall edhe dhimbje. Pra në këto poezi do të gjejmë tërë ato ndjenja,të cilat njeriun e bëjnë njeri.
2.
YMRIJE BEQIRI u lind më 25. 08. 1971, në Dubovc, komuna e Vushtrrisë, Repubika e Kosovës.
Sot ajo jeton dhe vepron në qytetin e vjetër të Vushtrrisë. Qysh në bankat e shkollës fillore ajo filloi të merrej me shkrime, kryesisht me poezi. Poezitë e saj kanë përmbajtje dhe tematika të ndryshme për jetën, për vendlindjen e saj, qytetin e vjetër, por më së shumti ajo, me zell u përkushtohet poezive për fëmijë. Ka të shkruara me qindra poezi që ua ka kushtuar fëmijëve, jetës, vendlindjes dhe çështjes kombëtare shqiptare.
Është pjesëmarrëse dhe mbështetëse e fuqishme në aktivitetet kulturore, si në orë letrare e përurime të librave të autorëve shqiptarë. Gjithashtu është edhe koordinatore për mbledhjen e poezive nga autorë të të gjitha trevave shqiptare etnike për përmbledhje poetike.
Veprat e botuara të poetes:
“NË KUFIJTË E HARRESËS” përmbledhje me poezi, 2010;
“NA BASHKOI POEZIA” vellimi 1, antologji poetike, Bashkautorë: YMRIJE BEQIRI dhe ILMI DERVISHI 2018;
“TË DASHUROSH NUK ËSHTË MËKAT”, bashkautorë: YMRIJE BEQIRI dhe HYSEN IBRAHIMI, 2019;
“NDRYSHE ËNDËRROVA” përmbledhje me poezi, 2019;
“GJURMËT E NJË LUANESHE” përmbledhje me poezi, 2019;
“KOHA E EKLIPSIT”, përmbledhje me poezi, 2020;
“PËRTEJ MALLIT TIM”, përmbledhje me poezi, 2020;
“NA BASHKOI POEZIA” vëllimi 5, antologji poetike, bashkautorë, YMRIJE BEQIRI dhe ILMI DERVISHI, 2020;
“NËPËR SHKRONJA DO SHËTIS”, libër për fëmijë, 2020;
“ME VARGUN PIKTUROJ” përmbledhje me poezi, 2020;
“NA BASHKOI POEZIA” vëllimi 9, i titulluar “RRETH FLAMURIT”, antologji poetike, bashkautorë: YMRIJE BEQIRI dhe ILMI DERVISHI;
“FOLEJA IME”(Rrëfenja për fëmijë);
“UDHËTIM BREZASH PËR ATDHE” (Monografi);
“SI TA NDALOJ KOHËN” (Poezi).
“ENDE PA AGUAR” (Poezi).
Ka në dorë edhe disa vepra të tjera për botim.
Është pjesëmarrëse në shumë botime dhe në shumë revista. Poashtu, është nderuar me shumë çmime kombëtare dhe në nivel botëror.
Vargjet e Ymrijes u komponuan në nota kënge dhe janë mbi 25 tekste këngësh me autorësi të saj.
Përveç krijimtarisë letrare, është edhe aktore në disa role në filma shqip.
Është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani”, SUEDI;
Për tërë këtë aktivitet, shumë herë është shpërblyer dhe i janë ndarë mbi 150 mirënjohje, çmime e falënderime të shumta në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.