SPECIALJA MES REFORMËS DHE PAZAREVE POLITIKE

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Isuf B. Bajrami

Çfarë mund të ndryshohet me ligj dhe ku fillon përplasja me Kushtetutën?

Debati për Dhomat e Specializuara të Kosovës është rikthyer fuqishëm në qendër të zhvillimeve politike dhe institucionale. Pas aktgjykimit të 16 shtatorit 2026 ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Kosovë është hapur sërish diskutimi nëse kuadri ligjor mbi të cilin funksionon Specialja duhet të ndryshohet, kufizohet apo reformohet. Në të njëjtën kohë, PDK-ja ka proceduar një projektligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa çështja është futur edhe në një kontekst më të gjerë të negociatave politike rreth funksionimit të institucioneve të vendit.¹

Këtu fillon problemi i vërtetë: jo te pyetja nëse Specialja mund të kritikohet, sepse ajo mund dhe duhet të kritikohet si çdo institucion publik, por te pyetja se çfarë synon një reformë e mundshme, mbi çfarë baze juridike ndërtohet dhe deri ku mund të shkojë Kuvendi pa hyrë në konflikt me Kushtetutën, pavarësinë e gjyqësorit dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Dhomat e Specializuara kanë një mandat të posaçëm dhe të kufizuar, të përcaktuar nga natyra e veprave, periudha kohore, lidhja territoriale dhe personale, si dhe nga kuadri i pretendimeve që lidhen me raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011. Ligji përcakton juridiksionin material, kohor, territorial dhe personal të këtij institucioni.²

Kjo krijon një asimetri institucionale në raport me krimet e tjera të kryera gjatë dhe pas luftës së Kosovës, të cilat trajtohen nga juridiksione të tjera. Kjo asimetri nuk e bën automatikisht të paligjshëm mekanizmin e Speciales. Por ajo ngre një pyetje të rëndësishme juridike dhe institucionale: a siguron kjo arkitekturë një standard koherent, të barabartë dhe të perceptueshëm si të paanshëm të drejtësisë për të gjitha viktimat dhe për të gjithë personat që mund të mbajnë përgjegjësi penale?

Kjo duhet të jetë pika e nisjes së çdo debati serioz.

Specialja nuk është krijuar jashtë rendit juridik të Kosovës. Ajo është rezultat i një procesi politik dhe juridik të ndërmarrë nga institucionet e Kosovës, pas marrëveshjeve dhe angazhimeve ndërkombëtare të vitit 2014. Në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimin kushtetues që krijoi bazën për Dhomat e Specializuara dhe më pas miratoi Ligjin Nr. 05/L-053.³

Ky fakt ka rëndësi edhe sot, sidomos kur kërkohet ndryshimi i një mekanizmi që vetë institucionet e Kosovës e kanë votuar.

Është krejtësisht legjitime që një parti politike të ndryshojë qëndrim. Edhe një ligj i miratuar nga Kuvendi mund të ndryshohet kur rrethanat, përvoja e zbatimit ose nevoja për përmirësim e kërkojnë. Por një ndryshim i tillë kërkon argumentim. Nëse në vitin 2015 një mekanizëm është konsideruar i nevojshëm, ndërsa sot kërkohet riformatimi i tij, duhet të shpjegohet se çfarë është provuar si e gabuar, cilat mangësi janë shfaqur dhe pse zgjidhja e propozuar tani është më e qëndrueshme juridikisht dhe institucionalisht.

Kjo vlen veçanërisht për PDK-në, e cila ishte pjesë e shumicës parlamentare që votoi krijimin e Speciales. Ndryshimi i qëndrimit nuk është në vetvete problem demokratik. Problemi fillon atëherë kur një ndryshim kaq i rëndësishëm paraqitet vetëm si reagim politik ndaj rezultateve të një procesi gjyqësor, pa një analizë të plotë se çfarë duhet të korrigjohet në vetë sistemin.

Një reformë serioze nuk duhet të nisë nga pyetja se si mund të ndryshohet rezultati i një procesi konkret. Duhet të nisë nga pyetja se cilat janë mangësitë sistemike dhe si mund të korrigjohen ato pa cenuar pavarësinë e gjyqësorit.

Projektligji i proceduar nga PDK-ja përmban propozime që shkojnë përtej një korrigjimi teknik. Sipas raportimeve mbi tekstin e tij, propozohen ndryshime në juridiksionin e Speciales, kufizim i dënimeve në 15 vjet, mundësi për transferimin e rasteve në sistemin vendor dhe përfshirje e mundësisë së faljes presidenciale për personat e dënuar.⁴

Secila prej këtyre çështjeve kërkon analizë më vete.

Juridiksioni është ndoshta çështja më themelore. Nëse Kuvendi synon ta ngushtojë juridiksionin e Speciales, duhet të përcaktojë qartë se mbi çfarë baze kushtetuese dhe ndërkombëtare e bën këtë. Nuk mjafton argumenti se mandati është shumë i gjerë ose se institucionet vendore do të mund ta trajtonin një pjesë të rasteve. Duhet të shqyrtohet nëse ndryshimi prek vetë bazën mbi të cilën është krijuar institucioni.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për shkak të nenit 162 të Kushtetutës.

Në vitin 2020, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese shqyrtoi amendamente të propozuara për nenin 162 dhe konstatoi se ato do të pakësonin të drejtat dhe liritë e garantuara nga Kapitulli II i Kushtetutës. Në të njëjtin vendim u ritheksua se mandati i Dhomave të Specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuar vazhdon deri në njoftimin për përfundimin e mandatit nga Këshilli i Bashkimit Evropian.⁵

Kjo tregon se ndryshimi i Speciales nuk është vetëm çështje e një ligji të zakonshëm. Në momentin kur një ndryshim prek elementet themelore të mandatit, juridiksionit ose strukturës së institucionit, çështja kalon në një terren ku duhet të shqyrtohet edhe në raport me Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare.

Kjo është vija që Kuvendi duhet ta përcaktojë para se të votojë.

Nëse një dispozitë është problematike, ajo mund të ndryshohet. Nëse një procedurë ka mangësi, ajo mund të përmirësohet. Nëse të drejtat e mbrojtjes duhet të forcohen, ato duhet të forcohen. Nëse mekanizmat për viktimat nuk janë të mjaftueshëm, duhet të përmirësohen. Por nëse ndryshimi prek vetë themelin mbi të cilin është krijuar Specialja, atëherë nuk mund të trajtohet si një ndryshim teknik.

Një çështje tjetër e rëndësishme është ajo që në diskursin politik shpesh quhet “selektiviteti”.
Edhe këtu duhet bërë dallimi ndërmjet kritikës politike dhe konstatimit juridik.

Specialja nuk është formalisht një gjykatë që gjykon UÇK-në si organizatë. Përgjegjësia penale sipas ligjit është individuale dhe gjykohen persona për vepra konkrete. Vetë Dhomat e Specializuara theksojnë se nuk mbajnë përgjegjëse një etni, komunitet apo organizatë si të tillë.⁶

Por kjo nuk e eliminon pyetjen mbi asimetrinë e juridiksionit.

Specialja është krijuar për një kategori të përcaktuar veprash, personash dhe periudhe kohore, ndërsa krime të tjera të kryera gjatë luftës trajtohen nga institucione të tjera. Kjo është një zgjedhje juridike dhe politike që mund të analizohet. Pyetja nuk është nëse kjo është automatikisht e paligjshme, por nëse krijon një sistem që perceptohet si koherent dhe i barabartë.

Nëse një kategori viktimash ka qasje në një mekanizëm të posaçëm ndërkombëtar, ndërsa një kategori tjetër mbështetet në kapacitetet e sistemit vendor, shteti duhet të sigurojë që dallimi në mekanizëm të mos shndërrohet në dallim në cilësinë e drejtësisë.

Kjo është arsyeja pse debati nuk duhet të kufizohet vetëm te Specialja.

Nëse ekziston shqetësimi për selektivitet, zgjidhja mund të jetë edhe forcimi i drejtësisë vendore për krimet e tjera të luftës. Kjo nënkupton hetime më efikase, mbrojtje më të mirë të dëshmitarëve, kapacitete më të mëdha profesionale, trajtim më të mirë të viktimave dhe transparencë më të madhe mbi rastet e pazgjidhura.

Në këtë mënyrë, problemi i mundshëm i asimetrisë nuk zgjidhet duke e dobësuar një institucion, por duke e ngritur standardin e institucioneve të tjera.

Edhe të drejtat e të akuzuarve duhet të jenë pjesë qendrore e reformës. Një sistem drejtësie që pretendon të jetë i drejtë duhet të garantojë qasje efektive në prova, barazinë e armëve, ndihmën juridike, kohë të arsyeshme të procedurave dhe mekanizma efektivë të ankimit. Nëse në praktikë ka mangësi në këto fusha, ato duhet të dokumentohen dhe të korrigjohen.

Kjo është reformë.
Ndërhyrja në një proces konkret përmes një ligji të ri është diçka tjetër.

I njëjti parim vlen edhe për viktimat. Specialja ka mekanizma të veçantë për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e viktimave, ndërsa sistemi vendor ka përgjegjësi për rastet që nuk hyjnë në juridiksionin e saj.⁷ Prandaj reforma duhet të shikojë edhe përtej Hagës dhe të pyesë se çfarë drejtësie po ofron Kosova për viktimat e tjera të luftës.

Nëse qëllimi është barazia e drejtësisë, atëherë standardi duhet të jetë i barabartë.

Kjo është një nga çështjet që politika kosovare e ka lënë shpesh në plan të dytë. Debati është përqendruar te pyetja nëse Specialja është e drejtë ose e padrejtë, ndërsa më pak është diskutuar nëse sistemi i përgjithshëm i drejtësisë për krimet e luftës është i aftë t’u japë përgjigje të gjitha viktimave.

Një reformë serioze do ta zgjeronte pikërisht këtë debat.

Kuvendi mund të kërkojë transparencë më të madhe, raportim institucional, vlerësim të pavarur të funksionimit të mekanizmave të drejtësisë, forcim të sistemit vendor dhe përmirësim të të drejtave të viktimave e të mbrojtjes.

Por Kuvendi nuk mund të bëhet gjykatë.

Parlamenti nuk mund të ndryshojë një aktgjykim konkret, nuk mund të urdhërojë gjykatën se si t’i vlerësojë provat dhe nuk mund të shpallë një person fajtor ose të pafajshëm përmes një dispozite ligjore. Një ndërhyrje e tillë do të cenonte drejtpërdrejt ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e gjyqësorit.

Prandaj edhe propozimi për kufizimin e dënimeve në 15 vjet duhet të shqyrtohet me kujdes. Nëse synohet që ky kufizim të ketë efekt edhe mbi procedura ekzistuese ose persona të dënuar, atëherë lindin pyetje serioze mbi zbatimin në kohë të ligjit, parimin lex mitior, sigurinë juridike dhe efektin e ndryshimit mbi vendimet gjyqësore.⁸

E njëjta gjë vlen për propozimin që personat e dënuar nga Specialja të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale. Falja presidenciale është kompetencë kushtetuese, por ushtrimi i saj në raport me një institucion të krijuar mbi një bazë të veçantë kushtetuese dhe ndërkombëtare kërkon analizë të posaçme juridike. Nuk mund të supozohet se një ndryshim në ligj mjafton për të anashkaluar kufizimet e tjera kushtetuese dhe ndërkombëtare.⁹

Edhe transferimi i rasteve nga Haga në Kosovë nuk mund të trajtohet si një çështje administrative.

Në parim, sistemi vendor duhet të jetë në gjendje të hetojë dhe gjykojë krimet që bien nën juridiksionin e tij. Por Specialja nuk është një gjykatë e zakonshme e Kosovës që mund të ndryshojë juridiksionin vetëm me një vendim të Kuvendit. Ajo është krijuar mbi një bazë të veçantë kushtetuese dhe ndërkombëtare. Prandaj çdo transferim i detyrueshëm i procedurave, dosjeve, provave ose personave duhet të shqyrtohet në raport me këtë bazë.¹⁰

Pyetja nuk është vetëm nëse Kosova ka gjykata dhe prokurori. Pyetja është nëse një ligj i Kuvendit mund t’i ndryshojë efektet e një mekanizmi që është krijuar edhe përmes angazhimeve ndërkombëtare.

Kjo është një çështje që nuk zgjidhet me shumicë politike.

Këtu hyn në lojë edhe diplomacia.

Kosova e ka ndërtuar një pjesë të rëndësishme të subjektivitetit të saj ndërkombëtar përmes bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Specialja vetë është krijuar në këtë kontekst. Prandaj një ndryshim i njëanshëm që do të perceptohej si përpjekje për të cenuar pavarësinë ose mandatin e saj do të mund të prodhonte pasoja politike dhe diplomatike përtej vetë ligjit.

Kjo nuk do të thotë se partnerët ndërkombëtarë duhet të kenë veto mbi Kuvendin e Kosovës. Do të thotë se Kosova, si shtet që ka marrë detyrime ndërkombëtare, duhet t’i llogarisë ato detyrime para se të ndërmarrë hapa që mund të bien ndesh me to.

Në këtë pikë, debati për Specialen lidhet drejtpërdrejt me besueshmërinë e shtetit.

Një shtet serioz nuk pyet vetëm nëse ka numrat për ta miratuar një ligj. Pyet nëse ligji është kushtetues, nëse është i zbatueshëm, nëse respekton ndarjen e pushteteve dhe nëse është në përputhje me detyrimet që shteti ka marrë.

Prandaj, para çdo votimi për ndryshime të tilla, Kuvendi do të duhej të kërkonte një analizë të plotë kushtetuese dhe ndërkombëtare, mendim të Ministrisë së Drejtësisë, vlerësim të ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare dhe, aty ku është e nevojshme, shqyrtim nga organet kompetente kushtetuese.

Kjo do të ishte rruga institucionale.
Por debati aktual ka edhe një dimension të qartë politik.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se miratimi i projektligjit për Dhomat e Specializuara është prioritet dhe se, nëse projektligji kalon, PDK-ja është e hapur të diskutojë për çështjen e presidentit.¹¹ Kjo e vendos Specialen në një kontekst negociues me një çështje tjetër të rëndësishme kushtetuese.

Nuk është e drejtë të nxirret automatikisht nga kjo se synimi është krijimi i anarkisë institucionale ose dërgimi i vendit në zgjedhje të reja. Një pretendim i tillë do të kërkonte prova të tjera. Por është legjitime të shtrohet pyetja nëse një çështje kaq e rëndësishme juridike duhet të kushtëzohet me një çështje tjetër institucionale.

Sepse këtu ekziston rreziku që reforma juridike të shndërrohet në instrument të një pazari politik.

Dhe ky është një kufi që Kuvendi nuk duhet ta kalojë.

Specialja nuk duhet të përdoret si monedhë për zgjedhjen e presidentit, as çështja e presidentit nuk duhet të përdoret si mjet për të kaluar një reformë të diskutueshme të drejtësisë.

Të dyja çështjet duhet të trajtohen sipas meritës së tyre.

Kritika ndaj Speciales është legjitime. Kërkesa për reformim është legjitime. Edhe kërkesa për një trajtim më të barabartë të krimeve të luftës është legjitime.

Por reforma duhet të fillojë nga një pyetje e thjeshtë: çfarë nuk funksionon?
Nëse problemi është juridiksioni, ai duhet analizuar juridikisht.
Nëse problemi është mbrojtja e të akuzuarve, duhet forcuar mbrojtja.

Nëse problemi janë të drejtat e viktimave, duhet përmirësuar mekanizmi i tyre.
Nëse problemi është perceptimi i selektivitetit, duhet shqyrtuar i gjithë sistemi i drejtësisë për krimet e luftës.
Nëse problemi është marrëdhënia me Kushtetutën, duhet ndjekur procedura kushtetuese.

Dhe nëse problemi është se një dispozitë e ligjit nuk funksionon, atëherë ajo duhet ndryshuar për një arsye konkrete, jo sepse një rezultat gjyqësor nuk i pëlqen shumicës politike të momentit.

Kjo është pika ku reforma juridike ndahet nga ndërhyrja politike.

Dhe këtu duhet të bëhet edhe pyetja më e pakëndshme për ata që sot kërkojnë ndryshimin e Speciales: nëse institucioni ishte i nevojshëm në vitin 2015, çfarë ka ndryshuar sot që e bën të domosdoshëm ndryshimin e tij? Nëse përgjigjja është përvoja e këtyre viteve, atëherë kjo përvojë duhet analizuar me dokumente, vendime, procedura dhe pasoja konkrete. Nëse përgjigjja është politike, atëherë edhe publiku duhet ta dijë se kemi të bëjmë me një zgjedhje politike dhe jo thjesht me një korrigjim teknik.

Kjo nuk është çështje e mbrojtjes së Speciales.

Është çështje e mbrojtjes së parimit se drejtësia nuk duhet të ndryshohet sipas rezultatit të një gjykimi.

Një ligj mund të jetë i papërsosur. Një institucion mund të ketë mangësi. Një vendim gjyqësor mund të kritikohet. Por përgjigjja demokratike ndaj këtyre problemeve duhet të jetë më shumë ligj, më shumë argument dhe më shumë kontroll institucional, jo më shumë presion politik mbi drejtësinë.

Kosova ka nevojë për një debat serioz mbi drejtësinë e krimeve të luftës. Ka nevojë për një sistem vendor më të fortë. Ka nevojë për mbrojtje të viktimave, për të drejtat e të akuzuarve dhe për institucione që funksionojnë me standarde të njëjta.

Nëse Specialja ka dobësi, ato duhet të evidentohen dhe të korrigjohen aty ku ligji e lejon.
Nëse disa ndryshime kërkojnë amendament kushtetues, duhet ndjekur rruga kushtetuese.
Nëse preken detyrime ndërkombëtare, duhet të shqyrtohen edhe ato.

Nëse një ndryshim nuk mund të bëhet pa cenuar pavarësinë e gjyqësorit, atëherë ai nuk duhet të bëhet.
Kjo është ndarja themelore ndërmjet reformës dhe pazareve politike.

Specialja nuk duhet të jetë tabu.
Por nuk duhet të jetë as monedhë politike.

Ajo duhet të jetë objekt i kritikës, i kontrollit juridik dhe i reformës aty ku reforma është e nevojshme dhe e lejueshme.

Në fund të fundit, pyetja që duhet t’i shtrohet Kuvendit nuk është vetëm: çfarë mund të ndryshojmë në Ligjin për Specialen?

Pyetja më e rëndësishme është: çfarë kemi të drejtë të ndryshojmë, mbi çfarë baze juridike mund ta ndryshojmë dhe çfarë pasojash do të prodhojë ky ndryshim për Kushtetutën, drejtësinë, viktimat, të akuzuarit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës?

Vetëm pasi t’u jepet përgjigje këtyre pyetjeve mund të flitet seriozisht për reformë.
Përndryshe, rrezikojmë që në emër të korrigjimit të një padrejtësie të pretenduar të krijojmë një problem të ri institucional.

Dhe një shtet nuk matet vetëm me ligjet që miraton.
Matet edhe me kufijtë që respekton kur ka fuqinë politike për t’i kapërcyer.

Fusnotat,

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës, “Kuvendi miratoi Deklaratën lidhur me Aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së”, 28 shtika e Kosovës, Ligji Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, veçanërisht dispozitat mbi juridiksionuzë të paprovuar. Njëkohësisht, pjesa juridike e vendos qartë dallimin ndërmjet asator 2026; Radio Evropa e Lirë, “Çfarë parasheh nisma e PDK-së për ndryshime në ligjin për Specialen?”, 21 shtator 2026.

2. Republika e Kosovës, Ligji Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, veçanërisht dispozitat mbi juridiksionin material, kohor, territorial dhe personal.

3. Dhomat e Specializuara të Kosovës, informacioni zyrtar mbi bazën kushtetuese dhe ligjore të institucionit dhe procesin e krijimit të tij.

4. Radio Evropa e Lirë, “Çfarë parasheh nisma e PDK-së për ndryshime në ligjin për Specialen?”, 21 shtator 2026.

5. Kosovo Specialist Chambers, Judgment on the Referral of the Proposed Constitutional Amendments, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, 26 nëntor 2020.

6. Kosovo Specialist Chambers, informacioni zyrtar mbi juridiksionin dhe përgjegjësinë individuale.

7. Kosovo Specialist Chambers, informacioni zyrtar mbi pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e viktimave.

8. Radio Evropa e Lirë, 21 shtator 2026, mbi propozimin për kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet dhe lidhjen e tij me parimin lex mitior.

9. Po aty, mbi propozimin për mundësinë e faljes presidenciale për personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara.

10. Po aty, mbi propozimet për transferimin e rasteve, dosjeve, provave dhe personave të privuar nga liria në sistemin gjyqësor të Kosovës.

11. KOHA, “Hamza: Nëse kalon projektligji për Dhomat e Specializuara, jemi të hapur të diskutojmë për presidentin”, 28 shtator 2026.

Prishtinë, 01.10.2026

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit