Isak Ahmeti ose Miguel de Cerventesi bashkëkohor shqiptar

0
Isak Ahmeti

Nga Ismet Rashiti RajoniPress, 1 Maj 2020

– Poeti, përkthyesi dhe studiuesi i njohur shqiptar, Isak Ahmeti tashmë është i njohur në kulturën dhe shkencën shqiptare si njëri ndër figurat më të spikatura. Përtej kësaj, vepra e Isak Ahmetit ka arritur të përkthehet në disa gjuhë të huaja. Pasardhësi i Mikel Tarabulluzit, Isak Ahmeti ka dekada që ka hyrë sigurtë në letrat shqipe me një përgatitje të thellë intelektuale si poet që nga vitet e shtatëdhjeta, si studiues i zellshëm i historisë shqiptare në përgjithësi, të Stubllës dhe Kosovës në veçanti. Isaku flet me fakte, me fusnota dhe dokumente arkivore, mbi bazën e të cilave e thotë të vërtetën.

Për Isak Ahmetin dhe veprën e tij është shkruar në vazhdimësi nga shumë studiues me emër në letërsinë shqiptare. Megjithatë mendoj se vepra e Isak Ahmetit ende vazhdon të mbetet e heshtur dhe e pastudiuar sa duhet.

Është me interes të veçantë për artin, letërsinë dhe historiografinë shqiptare që veprimtaria shumëdimensionale e Isak Ahmetit të publikohet, studiohet dhe gjithsesi të merr vendin e merituar në letërsinë shqipe, qoftë edhe si literaturë shkollore. Autorët e kalibrit të Isak Ahmetit, nuk guxojnë të mbesin të heshtur, pikërisht në kohën kur na duhet më së shumti të flasim dhe të dëshmojmë me argumente historinë, gjuhën, religjionin dhe traditat e lashta shqiptare.

Duke lexuar poezinë e viteve të 70-ta të botuar qysh në vitin 1972 nga « Rilindja » me titull « Gallatea », vetvetiu më imponohet krahasimi i « Gallatesë » së Isak Ahmetit dhe romanit « Galatea » të shkrimtarit spanjoll , Miguel de Cerventes të vitit 1585. Sado që këto dy vepra, njëra në poezi, e tjetra në prozë kanë një distancë të gjatë kohore, mund të konstatoj se brumi është poaty : Studimi i psikologjisë së dashurisë, jetës normale dhe kërkimit të një harmonie të pamundur të shpirtrave dhe zemrave.

Hidromorava
Krijimtaria poetike e viteve të 70-ta në Kosovë për shkak rrethanave shoqërore, ka qenë hermetike, shpesh edhe e izoluar nga lexuesit e rëndomtë. Megjithatë ka arritur të shpërthej përmes figurave të ndryshme stilistike dhe mitologjike të ndërtuara mbi traditën e lashtë fetare dhe tabanin kombëtar.

Te poezia e Isak Ahmetit gjithsesi vërehet optimizmi për një të ardhme më të mirë, ndonëse nuk do të ishte e lehtë dhe e shpejtë :
«ëndrroj shkëlqimin e asaj dite
dhe shoh se ende gjendem larg saj
mes saj dhe meje qëndron një hije
e ajo mund të jet hija e vdekjes
përsëri dhembja ime ka pakëz kohë
ndërsa freskia e errët e katedrales tallet me engjujt
që këmbëzbathur ecin nëpër errësirën
»

Isak Ahmeti, i takon plejadës së poetëve bashkëkohorë shqiptarë që bënë kthesë në letërsinë shqipe të viteve 70-ta . Me diapazonin e tij intelektual dhe përkushtimin e një studiuesi të pasionuar, gjithsesi ka arritur të futet në panteonin kulturor shqiptar. /rajonipress/

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.