Ibish Neziri
Reagim ndaj vendimit të trupit gjykues në Hagë për refuzimin e dëshmive që dokumentojnë krimet serbe të kryera në Kosovë gjatë viteve 1998 -1999
U njoftua se Gjykata Speciale refuzoi dëshmitë që dokumentojnë krimet serbe të kryera në Kosovë gjatë viteve 1998–1999. Refuzimi nga kjo Gjykatë i dëshmive që dokumentojnë krimet serbe të kryera në Kosovë nuk është vetëm një akt procedural. Është një goditje e rëndë ndaj të vërtetës historike dhe moralit të një lufte çlirimtare që lindi si përgjigje ndaj gjenocidit që u ushtrua për vite me radhë mbi popullin shqiptar. Ky vendim tregon se drejtësia që po shpërndahet në Hagë nuk është drejtësi universale, por një version selektiv që ndëshkon viktimën dhe amniston agresorin.
UÇK-ja nuk lindi nga dëshira për luftë, por nga dhuna e shtetit serb
Në fillim të viteve ’90, shqiptarët e Kosovës përbënin një popull të privuar nga të gjitha të drejtat themelore të njeriut. Gjatë një periudhe prej afro dyzet e pesë vjetësh, ata u ekspozuan ndaj formave të ndryshme të represionit politik e institucional, që herë vepronin në mënyrë të fshehtë e herë të hapur, në varësi të rrethanave politike brenda federatës jugosllave, e cila karakterizohej nga dominimi i hegjemonisë serbe. Megjithatë, pas vitit 1989, mekanizmat formalë të kufizimit u rrëzuan, duke e shndërruar përndjekjen e shqiptarëve në një proces të hapur, sistematik dhe gjithëpërfshirës – siç shprehet populli, “për ledinë.”
Nga viti 1989 ata u përjashtuan nga jeta publike, nga arsimi, nga administrata; u përndoqën, u burgosën e u vranë vetëm pse kërkonin të jetonin të lirë dhe të barabartë.
Në atë realitet të zymtë lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, jo si dëshirë për luftë, por si nevojë për mbijetesë. Ishte reagimi i fundit i një populli që nuk kishte më rrugë tjetër për të mbrojtur jetën, nderin dhe ekzistencën. Çdo komb që ka kaluar nëpër rrugët e robërisë e njeh këtë të drejtë si të shenjtë: të drejtën për rezistencë kundër shtypjes – dhe këtë të drejtë duhet t’ia njohin edhe të tjerët, gjë që, fatkeqësisht, nuk po ndodh.
Ky lloj arsyetimi nuk është drejtësi – është laborator i mohimit të kontekstit
Nga shqiptarët u kërkua të krijohej Gjykata Speciale, pas akuzave monstruoze për trafikim organesh, të bëra nga senatori zviceran Dick Marty. Shqiptarët e krijuan atë gjykatë, e cila më pas u transferua në Hagë, me premtimin se gjithçka do të sqarohej dhe e vërteta do të dilte në dritë. Por jo! Edhe pse nga ato akuza monstruoze nuk mbeti asgjë, mbeti vetë gjykata – dhe në sallat e saj sterile sot po gjykohen njerëzit që ishin pjesë e rezistencës, e jo ata që organizuan shfarosjen.
Dhe kur mbrojtja e tyre përpiqet të sjellë dëshmi për krimet e kryera nga forcat serbe — për fshatrat e djegura, gratë e përdhunuara, civilët e pushkatuar — trupi gjykues i refuzon ato si “të parëndësishme për rastin”.
Kjo nuk është vetëm një padrejtësi, por një fyerje e rëndë për logjikën dhe ndërgjegjen njerëzore. Si mund të quhet “e parëndësishme” dëshmia që shpjegon pse një popull u ngrit në armë? Si mund të ndahet krimi nga shkaku i tij? Si mund të gjykosh reagimin pa përmendur agresionin?
Ky lloj arsyetimi nuk është drejtësi – është laborator i mohimit të kontekstit.
Asimetria e drejtësisë
Në Kosovë u vranë mbi 13 mijë civilë, u dëbuan rreth një milionë njerëz, qindra gra u përdhunuan dhe mijëra mbeten të zhdukur. Të gjitha këto krime kanë një autor të qartë: aparatin shtetëror të Serbisë.
E megjithatë, në Hagë nuk ka asnjë proces gjyqësor për to. Nuk ka asnjë oficer serb që po përballet me pasojat e urdhrave të tij. Ndërsa ata që ngritën pushkën për të ndalur këto krime, sot gjykohen për “ndalime të paligjshme” apo “keqtrajtime të mundshme”, madje – si në rastin e Sali Mustafës – edhe për vrasjet e të ndaluarve që i kishte kryer vetë Serbia.
Ky disproporcion është fytyra e vërtetë e drejtësisë selektive: kur krimi i madh shlyhet me harresë, e rezistenca gjykohet me zell.
Varrezat masive dhe pyetjet që ende kërkojnë përgjigje
Pas përfundimit të luftës, trupat e shumë shqiptarëve u gjetën në varreza masive në Serbi. Njëra ndër to ishte në Batajnicë, vetëm pak kilometra larg VMA-së (Vojna Medicinska Akademija) në Beograd, ku që nga vitet ’70 kryheshin transplantime organesh.
Kjo ngre pyetje që drejtësia ndërkombëtare ende i shmanget: si përfunduan trupat e shqiptarëve në varrezat masive në Serbi, e posaçërisht në Batajnicë? A u dërguan të gjallë atje, për t’iu marrë organet për transplante, apo u sollën të vdekur?
Pse pikërisht Batajnica? Pse trafikimi i organeve nuk u hetua në Serbi – në Batajnicë, ku ekzistonin të gjitha kushtet për transplantim – por në Kosovë, ku as gjasat më të vogla, madje as teorikisht, nuk ekzistonin për diçka të tillë?
Këto pyetje janë thelbësore jo vetëm për drejtësinë, por për vetë besueshmërinë e institucioneve që pretendojnë se e zbatojnë atë.
E drejta për t’u mbrojtur nuk është krim, kurse drejtësia pa kontekst është padrejtësi
Asnjë popull nuk mund të urdhërohet të presë në heshtje derisa të shfaroset.
Kur në Drenicë e në Dukagjin digjeshin shtëpitë dhe vriteshin fëmijët, askush nga bota nuk dërgoi ushtri për t’i mbrojtur shqiptarët. E vetmja mbrojtje që mbeti ishin vetë djemtë dhe vajzat e Kosovës.
Ata nuk ishin mercenarë, as aventurierë; ishin bijtë e këtij populli që morën pushkën për ta ndalur terrorin. Dhe pikërisht për këtë sot gjykohen – sepse fituan.
Nëse drejtësia heq nga dosja e saj kontekstin e luftës, ajo humb kuptimin. UÇK-ja nuk mund të kuptohet jashtë masakrave të Prekazit, Reçakut, Krushës, Mejës, Izbicës, Suharekës…
Të thuash se krimet serbe “nuk janë të rëndësishme për rastin” është një mënyrë tjetër për të thënë se jeta e viktimave shqiptare nuk ka peshë në kujtesën e drejtësisë ndërkombëtare.
Në këtë kuptim, Gjykata Speciale nuk po gjykon individë – po gjykon vetë legjitimitetin e luftës çlirimtare. Dhe këtë gjykim, historia tashmë e ka dhënë: UÇK-ja ishte luftë për liri, jo për krim.
Nëse drejtësia nuk mban parasysh shkakun e luftës, nëse refuzon të shohë agresorin, ajo humb autoritetin moral.
Refuzimi i dëshmive për krimet serbe është, në fakt, një akt simbolik i mohimit të dhimbjes së Kosovës. Është sikur dikush të kërkojë drejtësi për një plagë, ndërsa gjykata të thotë: “plaga jote nuk është relevante.”
Lufta e UÇK-së ishte pasojë e dhunës serbe dhe nevojë historike për mbrojtje kombëtare.
Të gjykosh ata që e bënë atë është të gjykosh një popull që zgjodhi të mos vdiste në heshtje.
Nëse Gjykata Speciale vazhdon të injorojë këtë të vërtetë, atëherë ajo nuk është më gjykatë për drejtësi, por institucion për rishkrim të historisë sipas vullnetit të të fuqishmëve.
Drejtësia e vërtetë nuk kërkon vetëm prova; ajo kërkon kuptim, ndershmëri dhe barazi morale.
Derisa të pranohet kjo, çdo vendim që del nga Haga do të mbetet një njollë në ndërgjegjen e Evropës.