GRATË  E VAJZAT DËSHMORE TË UÇK-SË (9)

0
Afete Hamzë Jashari

Sabile Keçmezi-Basha Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

AFETE HAMZË JASHARI
(16.8.1980 – 5.3.1998)

Sa delikate në pamje, e sa e vogël përballë madhështisë së dhimbjes që na la; sa e butë në buzëqeshjen e saj të pafajshme, e sa e ngrohtë në përqafimet që u dhuronte me mall prindërve dhe të afërmve – një shpirt i pastër që ngjante më shumë me një dritë e cila s’kishte ardhur për të qëndruar gjatë, por për të lënë pas një gjurmë të pashlyeshme. Ajo fytyrë e ndritur, që ndriçonte çdo dhomë ku hynte, tashmë është kujtim – një kujtim që ther si thikë në zemër, një kujtim që nuk shërohet dot.

E si të mos të dhembë kjo pamje? Si të mos të copëtojë ky imazh i një engjëlli, i një qenieje që kishte gjithë jetën përpara, por që u nda prej saj aq herët, aq padrejtësisht? Një shikim i pafund në horizont, i ngjashëm me pyetjen e heshtur që s’gjen përgjigje: pse? Ky shikim s’është më i një fëmije që kërkon ngrohtësi, por i një shpirti që ka parë më shumë se ç ‘duhej të shihte, që ka përjetuar peshën e një kohe të pamëshirshme.

Plaga është e thellë, jo vetëm në trupin e saj të ndjeshëm, por në ndërgjegjen tonë kolektive. Është një plagë që s’ka zë, por që britmën e saj e ndien secili që e ka parë këtë fytyrë. Dhemb ky kujtim, vret ky imazh, sepse përballë tij, çdo fjalë është e vogël, e çdo ngushëllim, i pamjaftueshëm. Kjo nuk është vetëm një fytyrë e një vajze të re. Është simboli i gjithë një gjenerate të sakrifikuar, i gjithë një dashurie të pathënë, i një jete që s’arriti të bëhej jetë.

Afetë Hamzë Jashari erdhi në jetë më 16 gusht të vitit 1980 në fshatin Prekaz i Ulët të Skënderajt, në një ambient familjar që ndërthurte vlerat e traditës shqiptare me idealet e lirisë dhe dinjitetit. Ajo u lind në një strehë ku atdhedashuria nuk ishte vetëm ndjenjë, por mënyrë jetese, në një familje që mishëronte më së miri idealin kombëtar. Ajo u lind në gjirin e një prej familjeve më emblematike të rezistencës shqiptare – bija e luftëtarit të paepur Hamzë Jashari, figurës së lartë që me trimëri e përkushtim u shndërrua në simbol të pathyeshmërisë kombëtare, dhe e nënës së saj të fortë, Feride Mecini-Jashari, e cila, po ashtu, dha jetën në epopenë e lavdishme të Prekazit, duke u shndërruar në dëshmore të lirisë.

Afetja nuk ishte thjesht një vajzë e lindur në një shtëpi të zakonshme, por një filiz i rritur në tokën e shenjtë të qëndresës, në kullën që do të bëhej emblemë e sakrificës kolektive për çlirimin e Kosovës. Në venat e saj rridhte gjaku i atyre që nuk pranuan të përkulen para dhunës e padrejtësisë, por që i dolën zot atdheut me jetën e tyre. Që në djep, ajo u rrethua me zëra lirie, me rrëfime për qëndresën, me përqafime që bartnin guxim dhe përkushtim. E rritur në këtë mjedis të ngarkuar me peshën e historisë, Afetja do të bëhej një ndër dëshmitaret dhe, për fat të keq, edhe një ndër viktimat e tragjedisë më të madhe që përjetoi familja Jashari dhe mbarë kombi shqiptar – Epopeja e Prekazit, që e shkroi me gjak rrugën drejt lirisë.

Andaj, nuk kishte si të ishte ndryshe: një rrugë e lavdishme, e përgjakur por fisnike, e priste edhe bijën e tyre – Afetën e hijshme e të brishtë, por të lindur me forcën e gjakut të rezistencës. Ishte krejt e natyrshme që në një shtëpi ku çdo hap kumbonte me emrin e lirisë dhe çdo mur mbante gjurmët e përkushtimit atdhetar, edhe Afetja të bëhej pjesë e kësaj historie të shenjtë. Bukuria e saj e jashtme nuk fshihej nga drita e brendshme që ajo mbartte – një dritë që vinte nga idealet e mëdha, nga përkatësia ndaj një familjeje që nuk dinte të dorëzohej.

Në një kohë kur hija e luftës rëndonte mbi çdo prag, Afetja nuk ishte thjesht një vajzë e re, por një trashëgimtare e nderit, që do të ecte në gjurmët e babait dhe nënës së saj, në rrugën ku ndalesa e vetme ishte sakrifica për atdheun. Prandaj, rruga drejt përjetësisë nuk e befasoi – ajo ishte e shkruar në fatin e saj që nga çasti kur lindi në kullën e qëndresës.

Duhet thënë me plotë krenari se në mozaikun e figurave të familjes Jashari, qëndron edhe emri i Afete Hamzë Jasharit – një ndër bijat e lindura në zemrën e një familjeje që do të bëhej simbol i qëndresës kombëtare. Prindërit e saj, Hamzë Jashari dhe Feride Mecini-Jashari, u përkushtuan edukimit të tetë fëmijëve të tyre, duke i rritur në frymën e dashurisë për atdheun dhe respektit për dinjitetin njerëzor. Në këtë kontekst edukativ dhe shpirtëror, Afetja mori hapat e parë të jetës dhe shkollimit. Si pjesë e një gjenerate që do të përballonte një kohë të jashtëzakonshme, ajo e kreu arsimin fillor në qytetin e Skënderajt – një qendër që gjithnjë kishte qenë zemra e rezistencës dhe përkushtimit patriotik.

Mirëpo, fëmijëria e saj e brishtë do të ndërpritej në mënyrë brutale dhe të dhunshme. Më 30 dhjetor të vitit 1991, kur ende ishte vetëm një njëmbëdhjetëvjeçare, shtëpia e tyre – Kulla e Jasharëve në Prekaz – u bë objekt rrethimi nga forcat e pushtuesit serb. Të organizuar si makineri shtypjeje, milicia dhe ushtria serbe kishin vënë në shënjestër jo vetëm një familje, por vetë frymën e rezistencës shqiptare. Rrethimi i kullës nuk ishte një ngjarje e izoluar, por një akt i paramenduar shtetëror për të shtypur me dhunë zërat e parë të organizuar të çlirimit.

Ky moment, i ngulitur thellë në kujtesën historike të Kosovës, shënon edhe hyrjen e një gjenerate të tërë – përfshirë edhe Afeten – në realitetin e dhimbshëm të një lufte të pashpallur, por gjithnjë të pranishme. Në sytë e një vajze të mitur si ajo, dhuna e shtetit serb do të shndërrohej në përvojë jetike, që më vonë do të artikulohej në sakrificë, heroizëm dhe përfshirje familjare në luftën për liri.

Figura e Afetes nuk mund të kuptohet jashtë kontekstit të kësaj historie kolektive të rezistencës. Ajo nuk ishte vetëm një vajzë e rritur në hijen e dy figurave emblemë si Hamzë dhe Adem Jashari, por pjesë e një brezi që fëmijërinë e pati të shënuar nga zhurmat e armëve, rrethimi i kullave, dhe pashmangshmërisht, thirrja e lirisë.

Ngjarjet e dhimbshme dhe dramatike të përjetuara gjatë fëmijërisë së hershme u skalitën thellë në kujtesën e Afete Hamzë Jasharit, duke u shndërruar në gurë themeltarë të përvojës së saj jetësore. Ato nuk ishin thjesht episode të dhunës shtetërore, por përjetime të drejtpërdrejta të një realiteti të përgjakshëm, ku lufta për mbijetesë dhe dinjitet u zhvillonte në oborrin e shtëpisë dhe përpara syve të saj të pafajshëm.

Një ndër ditët më tronditëse në kujtesën e saj ishte ajo kur babai i saj, Hamza Jashari, së bashku me vëllezërit – ndër ta edhe Adem Jasharin – qëndruan heroikisht në mbrojtje të kullës familjare. Pa asnjë hezitim dhe pa u dorëzuar përballë një force të organizuar dhe të pamëshirshme, ata zhvilluan një qëndresë të pashembullt gjatë gjithë ditës. Ky akt i guximit të rrallë, përjetuar në kohë reale nga një fëmijë, la gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen e Afetes, duke i dhuruar asaj jo vetëm traumën e një kohe të egër, por edhe krenarinë e pashoqe për qëndresën e gjakut të saj.

Megjithatë, përjetimet e saja nuk u kufizuan vetëm në atë episod të dhunës së parë. Më 22 janar të vitit 1998, Afetja do të përballej sërish me tmerrin e rrethimit – herën e dytë, edhe më të ashpër dhe paralajmërues për tragjeditë që do të vinin. Atë ditë dimri, me acar që dukej sikur vetë natyra i përgjigjej egërsisë së pushtuesit, forcat serbe rrethuan sërish kullën e Jasharëve. Aty, Afetja pa me sytë e saj luftën e pashoqe të gjyshit të saj, të xhaxhallarëve dhe të kushërinjve që nuk pranonin nënshtrim, por qëndronin në mbrojtje të tokës, nderit dhe historisë.

Rrethimi i dytë nuk kaloi pa pasoja të rënda për familjen. Në atë ditë të ngjeshur me dhembje dhe zjarr, motra e saj, Selvete Jashari, bashkë me kushërirën Iliriana, u plagosën nga predhat e armikut – një akt që vërtetoi edhe një herë se fëmijët e kësaj familjeje nuk po rriteshin me lodra në duar, por me plagë në trup e kujtime të përgjakura në shpirt.

Këto përjetime, të akumuluara që në një moshë të njomë, i dhanë Afetes një pjekuri të parakohshme, duke e përfshirë në mënyrë të heshtur, por të pandalshme, në epopenë e përbashkët të qëndresës dhe lirisë që po ndërtohej në të gjitha shtëpitë shqiptare – por që në Prekaz, kishte marrë përmasat e një legjende të gjallë.

Në historinë e popujve që kanë njohur shtypjen dhe kanë luftuar për ekzistencën, janë të rralla familjet që përfaqësojnë një vetëdije kolektive të tillë për liri, sa ç ‘përfaqëson familja Jashari për popullin shqiptar të Kosovës. Brenda kësaj familjeje, edukimi nuk ishte vetëm proces arsimor apo ndërtim karakteri – ishte një akt i vazhdueshëm përgatitjeje për flijim. Edhe Afete Hamzë Jashari, ashtu si çdo bir dhe bijë e kësaj familjeje, ishte rritur në këtë frymë të thellë atdhetarie, ku ndërgjegjja për lirinë e atdheut nuk ishte vetëm ideal, por një detyrë e trashëguar dhe e pranuar me vetëdije të plotë.

Qysh në moshë të njomë, fëmijët e familjes Jashari ishin të përfshirë në një proces edukimi të veçantë, ku frika kishte humbur çdo kuptim. Ata nuk e kishin njohur fëmijërinë në kuptimin tradicional, por ishin rritur nën hijen e një rezistence të përhershme, ku nocioni i sakrificës për kombin ishte pjesë e pandashme e jetës së përditshme. Në shtëpinë e tyre, armët nuk ishin tabu, por mjete të mbijetesës kombëtare. Rojet e natës të mbajtura nga prindërit nuk ishin shfaqje frike, por shprehje e vetëdijes për rrezikun dhe gatishmërisë për përballje.

Kjo gjendje e jashtëzakonshme e jetesës formoi një brez të kalitur në zjarrin e përgjegjësisë. Për Afeten dhe vëllezërit e saj, të rritesh në një ambient ku dinjiteti ishte më i rëndësishëm se jeta, do të thoshte të mos kesh më frikë nga vdekja, por nga padrejtësia. Ishte pikërisht kjo ndërgjegje që i bëri ata të jashtëzakonshëm, jo vetëm në qëndresë, por edhe në gatishmërinë për flijim të plotë.

Përmes këtij edukimi të rrallë dhe të qëndrueshëm, familja Jashari u shndërrua në simbolin më të fuqishëm të përkushtimit për lirinë e Kosovës. Në këtë frymë u rrit edhe Afetja – jo thjesht si vajzë e një familjeje të njohur, por si pjesë e një trashëgimie të gjallë që e kishte mësuar se liria nuk dhurohet, por fitohet me gjak, guxim dhe vetësakrificë.

Më 5 mars të vitit 1998, Kulla e Jasharëve në Prekaz u shndërrua në një simbol të gjallë të betejës së fundit për nder dhe liri, në një arenë ku fjalët nuk kishin më vlerë përveç atyre që përforcoheshin me veprim dhe qëndresë. Të rrethuar nga forcat e shumta policore dhe ushtarake serbe, familja Jashari nuk u tërhoq e as nuk kërkoi shpëtim. Përkundrazi, ata u pozicionuan me vendosmëri në Kullën e tyre – tashmë e pagëzuar me emrin “Kulla e Rezistencës” – duke e shndërruar atë në një kështjellë të vullnetit njerëzor, të krenarisë shqiptare dhe të sakrificës supreme.

Deklarata e tyre nuk u bë me fjalë formale, por me qëndrimin e pathyeshëm të trupit dhe shpirtit: se pushtuesi serb nuk do të mund të kalonte as mbi trupat e tyre të gjallë, dhe se përderisa kishin jetë në trup, asnjë serb nuk do të guxonte të shkelte pragun e shtëpive shqiptare. Kjo nuk ishte një sfidë emocionale e momentit, por një qëndrim i ndërtuar me vite të tëra përballjeje, edukimi patriotik dhe përgatitjeje për vetëflijim.

Me këtë akt, Jasharët jo vetëm që hodhën poshtë idenë e nënshtrimit, por e ngritën qëndresën në një nivel simbolik dhe historik, duke e bërë të qartë se për ta, liria nuk ishte negociatë, por vlerë që mbrohej me jetën. Barrikadimi i tyre në kullë nuk ishte vetëm një masë mbrojtëse fizike, por një akt i qartë politik dhe moral, që shënjoi fillimin e një epoke të re në historinë e Kosovës – epokës së UÇK-së si ushtri popullore dhe si zë kolektiv i popullit të nëpërkëmbur.

Pikërisht për këtë arsye, 5 marsi nuk është thjesht një datë kalendarike, por një ditë që u skalit në kujtesën kombëtare si çasti kur refuzimi për të jetuar nën pushtim u bë akt i pavdekshëm. Në Kullën e Jasharëve, u dëshmua se heroizmi nuk është frymëzim i çastit, por përkushtim i gjatë, i heshtur dhe i ndërgjegjshëm për atë që është më e shtrenjtë – liria dhe dinjiteti i popullit.

Më 5 mars të vitit 1998, ndërsa luftime të ashpra dhe të pandërprera zhvilloheshin në Prekaz, në zemër të kësaj përplasjeje ndodhej vetë Afete Hamzë Jashari – jo si një dëshmitare e rastësishme, por si pjesë e një qëndrese familjare që sfidonte me guxim një pushtet ushtarak të pamëshirshëm. E rrethuar nga zjarri, tymi dhe britmat e historisë që po shkruhej me gjak, Afetja gjendej në Kullën e Rezistencës, së bashku me babain e saj, Hamzë Jasharin – një ndër figurat qendrore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – me nënën, Feride Mecini-Jashari, dhe me gjithë anëtarët e tjerë të familjes së ngushtë.

Në atë hapësirë tashmë të shndërruar në një fortesë të sakrificës, ajo ndante çastet e fundit me motrat e saj – Selveten, Lirinë, Fatimen dhe Blerinën – si dhe me vëllezërit, Besimin e Blerimin. Kulla, që për dekada kishte qenë strehë e përditshmërisë dhe jetës së qetë familjare, atë ditë u shndërrua në arenën e përplasjes mes jetës dhe vdekjes, ndërmjet pushtimit dhe dinjitetit, ndërmjet asgjësimit dhe qëndresës.

Mizoria e ofensivës serbe nuk kurseu askënd. Shumica e anëtarëve të familjes së Hamzë Jasharit u flijuan, duke u shndërruar në dëshmorë të kombit dhe në gurë themeltarë të shtetformimit të Kosovës. Nga kjo familje e ngushtë, vetëm dy mbijetuan: Bekimi dhe Besarta Jashari – fëmijë që bartën mbi shpatullat e njoma jo vetëm traumën e një masakre, por edhe amanetin për të jetuar për ata që ranë.

Ky fragment i dhembshëm i historisë sonë përfaqëson jo vetëm tragjedinë e një familjeje, por edhe heroizmin e një brezi që u rrit me vetëdijen e përballjes me vdekjen për të jetuar lirinë. Qëndresa e Afetes dhe familjarëve të saj në Kullën e Rezistencës nuk ishte një episod i shkëputur, por një kapitull madhështor në epopenë e çlirimit të Kosovës, që dëshmoi se aty ku rënia është e përbashkët, edhe pavdekësia bëhet kolektive.

Në historinë moderne të shqiptarëve, familja Jashari nga Prekazi është shndërruar në simbolin më të fuqishëm të sakrificës kolektive, të vetëdijes së përkushtuar për liri dhe të qëndresës së palëkundur përballë shtypjes. Heroizmi i saj, i mishëruar në betejën epike të marsit 1998, nuk mbeti i harruar apo thjesht i ruajtur në kujtesën popullore, përkundrazi, ai u kurorëzua me një sërë aktesh zyrtare nderimi dhe respekti nga institucionet më të larta të shtetit të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Dekoratat, mirënjohjet dhe falënderimet e shumta që kjo familje ka marrë nga autoritetet shtetërore nuk janë thjesht shenja formale vlerësimi, por akte të domosdoshme simbolike për të përkujtuar dhe legjitimuar, në nivel institucional, atë që populli shqiptar e kishte vendosur tashmë në panteonin e vet historik: se familja Jashari është themel i lirisë së Kosovës.

Një nga deklaratat më domethënëse për të kuptuar përmasat e kësaj sakrifice është ajo e kryeadministratorit të parë ndërkombëtar të Kosovës, Bernard Kouchner, i cili me një ndjeshmëri të thellë njerëzore dhe politike u shpreh se, po të ekzistonte një Çmim Nobel për Rezistencën, ai pa asnjë mëdyshje do t’i takonte familjes Jashari. Kjo thënie, më shumë se një vlerësim personal, shpreh një të vërtetë universale përmes gjuhës së diplomacisë: se qëndresa e Jasharëve tejkalon kufijtë e historisë kombëtare dhe bëhet pjesë e ndërgjegjes ndërkombëtare për lirinë dhe dinjitetin njerëzor.

Në një kohë kur bota shpesh harron të dëgjojë zërat e atyre që sakrifikojnë gjithçka për liri, Jasharët janë zëri që nuk mund të heshtet. Ata nuk kërkuan famë, por drejtësi; nuk luftuan për lavdi, por për të drejtën e të jetuarit të lirë. Dhe pikërisht për këtë, mirënjohja ndaj tyre nuk është vetëm e merituar, por edhe një detyrim moral i përhershëm i shtetit dhe i shoqërisë.

Në historinë e lavdishme të rezistencës shqiptare, Beteja e Prekazit zë një vend të veçantë si simbol i sakrificës sublime dhe qëndresës së pamposhtur për liri dhe dinjitet. E zhvilluar më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, kjo betejë u shndërrua në një akt kulmor të vetëdijes kombëtare, ku ideali i lirisë u mishërua në veprën dhe gjakun e një familjeje – familjes Jashari – e cila qëndroi e pathyeshme përballë një makinerie ushtarake të një shteti shtypës.

Në zemër të kësaj epopeje qëndron figura e Adem Jasharit, Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili, së bashku me vëllain Hamzën, babanë Shabanin dhe anëtarët e tjerë të familjes, u rreshtuan pa asnjë mëdyshje në mbrojtje të atdheut, dinjitetit njerëzor dhe trashëgimisë së brezave. Kulla e Jasharëve në Prekaz nuk ishte më thjesht një banesë familjare; ajo u shndërrua në fortesën e krenarisë shqiptare, në simbolin e një vendosmërie që nuk njeh dorëzim.

Për tre ditë me radhë, forcat serbe sulmuan me mjete të rënda luftarake, por Jasharët nuk u tërhoqën. Ata luftuan me vetëdijen se po shkruanin me gjak një kapitull të ri të historisë sonë. Në këtë betejë heroike, ranë 59 dëshmorë nga lagjja Jashari dhe nga miqtë që ndodheshin atë ditë në rrethim. Ishte një çmim i lartë për lirinë, por edhe një akt i pashoq i sakrificës kolektive.

Prekës është numri i anëtarëve të rënë nga familja e kryefamiljarit Shaban Jashari – gra, burra e fëmijë – emrat e të cilëve nuk janë më thjesht pjesë e një liste, por udhërrëfyes të ndërgjegjes sonë kombëtare: Shaban Murat Jashari, Zahide Shaban Jashari, Zarife Bahtir Jashari, Hamëz Shaban Jashari, Feride Ramadan Jashari, Adem Shaban Jashari, Adile Bahtir Jashari, Hidajete Rifat Jashari, Valdete Rifat Jashari, Igballe Rifat Jashari, Igball Rifat Jashari, Selvete Hamzë Jashari, Afete Hamzë Jashari, Besim Hamzë Jashari, Lirie Hamzë Jashari, Blerim Hamzë Jashari, Fatime Hamzë Jashari, Blerina Hamzë Jashari, Fitim Adem Jashari, Kushtrim Adem Jashari – të gjithë dëshmi e gjallë e një qëndrese të rrallë. Nga familja e ngushtë e Hamëz Jasharit mbijetuan vetëm Bekimi dhe Besarta, dëshmi të gjalla të një tragjedie që u kthye në thirrje për liri.

Beteja e Prekazit nuk është vetëm një ngjarje historike; ajo është gurthemel i shtetndërtimit të Kosovës, mësim i përhershëm për gjeneratat që vijnë dhe një ndër aktet më të larta të sakrificës në historinë e popullit shqiptar. Në kujtesën kolektive, ajo do të mbetet përgjithmonë si momenti ku përballja me vdekjen u bë akt i jetës për liri.

Literatura:

  1. https://www.radiokosovaelire.com/afete-hamze-jashari-16-8-1980-5-3-1998/
  2. https://vendlindjaimeshqiperi.wordpress.com/2020/12/20/afete-hamze-jashari-16-8-1980/
  3. https://sq.wikipedia.org/wiki/Ham%C3%ABz_Jashari
  4. https://www.botasot.info/aktuale-lajme/664547/keta-jane-emrat-e-familjareve-te-jasharajve-qe-dhane-jeten-per-liri/
  5. https://fjala.info/qendresa-e-grave-te-familjes-jashari-1980/
  6. https://www.linkedin.com/posts/eglantina-bilalli-0113b01a2_lufta-heroike-e-familjes-jashari-u-zhvillua-activity-7170740657421029377-htr5

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.