Besim R. Cengu, “DHÛ NË SHPIRT”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “FIDANI”, Prizren, 2020, faqë 114. ISBN 978-9951-792-10-3.
Shkruan: Shefqet DIBRANI
Poezia e Besim R. Cengut, “DHÛ NË SHPIRT”, paraqet një univers të thellë shpirtëror dhe ekzistencial. Përgjatë opusit lirik shpaloset ndjeshmëria dhe guximi, që për motiv ka mungesën e qetësisë, frikës nga shkatërrimi i botës e deri te kërkimi i të vërtetës dhe i kuptimit të saj, kuptohet në dritë dhe përspektivë të re. Disa motive tematike janë: 1) Lufta me heshtjen dhe dhimbjen, 2) Njohja e brishtësisë së botës dhe njeriut, 3) Kërkimi i dritës dhe shpresës, 4) Mesazhi i përjetësisë dhe përgjegjësisë dhe 5) Lidhja me natyrën dhe trashegiminë kulturore.
Sfidë e parë e këtij vëllimi poetik është kuptimi i fjalës “DHÛ” e vendosur në titull të librit “DHÛ NË SHPIRT”. Por, për fat të mirë këtë fjalë e ka shpjeguar prof. dr. Besim Muhadri, në parathënie të librit: Dhû – “Është një shprehje që përdoret në krahinën e Lumës prej nga vjen poeti, që ka kuptimin e lidhjes së shpirtit. Një shprehje, sa domethënëse aq edhe kuptimplotë. Nyja shpirtërore e poetit është ngjizur në vargun poetik, e cila rrëshqët së bashku me shqëtësimet, brengat, dashuritë, ëndrrat, gezimet, hidhërimet e poetit, të cilat, duke qënë brenda shpirtit, kalojnë e futën brenda procesit jetësor e krijues të poetit”, po ashtu këto fenomene edhe “mund të konceptohen edhe si një tëjkalim ankthi dhe kerkese për ndryshim, për tëjkalim dhe për një ecje më tutje në jetë, e shoqëruar me vështirësitë e shumta”, ka theksuar, prof. dr. Besim Muhadri, në sqarimin dhe saktësimin e fjalës “Dhû”.
Poezia “Misioni i pëllumbit”, është vënë si “prolog”, i librit dhe përveç se përfaqëson shpresën në një kohë pasigurie dhe boshllëku, pëllumbi lidhet me aspektin e mitologjisë biblike të vargut “Nisë prej Arkës së Noes“, në të cilën pëllumbi është nisur për të gjetur tokën pas përmbytjeve të madha, prandaj në letërsi pëllumbi, përveç paqës është simbol i shpëtimit, dhe fillimit të jetës së re. Pa dyshim poezia, si strukturë lirike shpreh një alegori për njeriun që përpiqet të gjejë rrugë a zgjidhje për shoqërinë, por ka mjaftë figura të tjera që kanë të bëjnë me individët e guximshëm.
MISIONI I PËLLUMBIT
Që kur fluturoi për të gjetur tokën,
Pëllumbi u bë i bardhë,
Si një Marathonomak i rinisjes së jetës.
Fluturoi me misionin e shenjtë,
Nisë prej Arkës së Noes,
U degdis pa gjurmë në zbrazëti.
Duke lënë në ankth gjallesat,
Ngarkuar me shpresën e moskthimit,
Në pritjen e ankorimit.
Faqe 15.
Poezia “Dritarja e fëmijërisë” ka për tematikë një ndarje të dhimbshme e përfaqësuar nga dritarja e fëmijërisë, një simbol i thjeshtë, por me kuptim të fuqishëm, ku janë përmbledhur kujtimet, ëndrrat dhe ndjenjat e dikurshme të poetit. Si të them?
Poezia, “Dritarja e fëmijërisë”, shpreh edhe mallin e poetit për fëmijërinë e lënë pas, por poezia si e tillë të magjeps për kujtesën si nostalgji, pasi “Shpresoj një ditë të vij, dritare e vjetër,/ Do të shkruaj aty në pezul plot poezi”, (faqe 19). Kurse në poezinë “Ditës që dha shpirt”, poeti Besim Cengu shpreh një reflektim të thellë mbi kohën e ikur, boshllëkun që lë koha e tillë, dhe me shpresë për një tjetër ditë më të mirë. Imazhi i poezisë është i fuqishëm, duke u përjetuar ndjenja e thellë e zhgënjimit, sigurisht me shpresën për një të nesërme më të mirë.
Shih për këtë arsye poeti i jep ditës trajta njerëzore, si metaforë për një vajzë që “dha shpirt”, por më artistikisht përjetohet nga vargjet: “Dha shpirt kjo ditë, e dashur,/ E gjatë një mijë vjet m’u duk,/ Me fustanin e bardhë veshur,/ Stolisur me më të mirin luk”, (faqe 23). Kjo ditë e gjatë, sado e dhimbshme, nëpërmes metaforës shndërrohet në qenie të gjallë, duke shpresuar për rimëkëmbje të shpirtit lirik. Sepse në thelb të saj, poezi është “një lutje për rifillim”.
Pastaj në poezinë “Bukuri kryeneçe” poeti krijon një varg të ndjeshëm dhe të përjetuar thellë për vlerën e bukurisë, e cila në këtë poezi shkon përtej pamjes së jashtme duke shprehur, pastërti dhe thjeshtësi, duke vlerësuar më tepër bukurinë e brendshme e cila lidhet me shpirtin dhe ndjenjën e njeriut, siç shprehet çartë vet poeti: “Dua bukurinë,/ që futet në qenjën tonë,/ e shkrihet në mua plotësisht…/ Dua bukurinë e pastër njërëzore,/ siç dua gruan lehonë”, (faqe 27). Në poezinë e shkurtër “Ndiej”, hasim një kompozim tjetër, poezi e cila ka strukturë të thyer dhe e fragmentuar, duke sforcuar emocionalisht përmbajtjen e saj, andaj si e tillë ia vlenë ta sjell edhe këtu:
NDIEJ
E
ndiej
se po bie
në humnerën tënde të pafund.
E di se dorën nuk do të ma zgjasësh aspak…
Por s’kisha rrugë tjetër, beso,
tjetër fund,
dëgjon?
Ë?
Faqe 28.
“Loti i mërgimtarit”, në poezinë e Besim Cengut, bëhet varg elegjiak, e përjetuar thellë nga ndarja dhe mërgimi. Dhimbje kjo pas largimit nga vendlindja. E shkruar me ndjeshmëri të thellë, sikur vet të largohej nga atdheu. Me mesazh të fuqishëm për të mos i harruar rrënjët, kur të ikun larg. E ilustrar me vargun e një kënge folklorike: “…ka dalë nana në qosh të avlisë,/ po i fshin lotët në cep të shamisë“, (faqe 29), i jap poezisë tone të dhembjes kolektive atëherë kur nënat shqiptare përcillin bijtë e tyre në kurbet, plagë kjo që kullon dhembje edhe sot. Dega e pishës, simbol i gjallërisë dhe identitetit, “Ngrije lart e tunde,/ trego, biro, se je gjallë”, (faqe 29), është përjetim simbolik për tu treguar mërgimtarëve sa nuk janë zhdukur nga kujtimi dhe mendja e familjarëve që kanë lënë në atdhe.
E lidhur me motivin e “Lules Bozhur” që rritet kryesisht në Kosovë, plaga e mërgimit në këtë poezi bëhet universale sepse “Pisha e lënduar qan për ty” kurse “Lulja bozhur të pret”, (faqe 29). Personalishit duke përjetuar këtë plagë të mërgimit, poezia më ngjalli emocione, ndërsa ky shkrim, në vend të pishës le të tregoj se jam gjallë! Me një fjalë mesazhi i poezisë përçon mallin dhe dhimbjen e mërgimtarit për atdheun ndërsa për familjarët, veçmas nënat, për mos harresën për bijtë e tyre, prandaj poezia “Loti i mërgimtarit”, është krijim artistik që reflekton një plagë të përhershme të identitetit shqiptar, siç është mërgimi. Ndërsa, “Silueta të zbehta” është një poezi me meditim ekzistencial, që flet për identitetin kolektiv të një populli i lodhur nga vuajtja dhe sfidat si përpjekje për të mbijetuar.
E shkruar në vitin 1988, poezia ngërthen një ndjenjë të thellë të vetëdijes historike, “të rrënuara deri në themel të tokës së përflakur/ tash tremijë vjet”, (faqe 36), bëhet akt ndërgjegjësimi dhe i domosdoshëm për tu vetdijësuar. Pastaj, “Erdhëm ne,/ të nëmurit e këtij shekulli”, (faqe 36), vargu bart vetëm dritëhije si dëshmi për, “Netë të errëta të 100 vjetëve”, (po aty, faqe 36), andaj këto “Silueta të zbehta”, paraqesin një imazh të rrënimit shpirtëror, të mungesës dhe fuqisë për t’i mëkuar plagët qindvjeçare. Si e tillë poezia është një perlë për të shpjeguar se ne ecim mbi gjurmët e një historie të errët, të një populli që nuk e ka gjetur ende qetësinë, të paktën nga këndëvështrimi social dhe poetik.
E poeti thotë se: “Diçka humbas çdo ditë”, (faqe 37), të paktën meditimin për një poezi, dhe “Vjen një ditë”, kur ai bënë një reflektim të qetë, dhe duket mjaftë i fuqishëm në të gjitha proceset e tranzicionit që kaloi atdheu i poetit, prandaj “Vjen një ditë kur përmbyten mendimet, / njeriu nuk është më ai”, (faqe 38). Me një reflektim poetik dhe poezi mjaftë artistike është poezia, “Engjëll nuk je”, kundër papërgjegjësisë njerëzore. Në këtë poezi, Besim Cengu, shprehet: “Engjëll nuk je, / Edhe pse mbi supet tua është fati i njerëzve”, (faqe 39). Kur zyrtaret nuk sillen me mirësi dhe kujdesë.
Simbolikën e barrës së rëndë, që bartin brezat, nga njëri tek tjetri, e shpjegon vet poezia në vijim:
SHEKUJT MBI SUPE
U nisëm shtigjeve të ashpra,
Me përgjegjësinë e shekujve mbi supe.
Po ecim shtigjeve të rënda,
me hapin tonë modest.
Kaptuam rrugët,
për të arritur dritën e shekullit të ri.
1989
Faqe 40.
Në poezinë “Shpejtojmë hapat”, (faqe 41), poeti jep një portret të bukur të një bebeje një vjeçare, me vështrim të pafajshëm i jep kuptim jetës, sepse fëmija përfaqëson shpresën, pafajësinë, dhe perspektivën përtej rutinës dhe sfidave të përditshme. Po ashtu edhe poezia “Si mund të heshtësh?”, është një thirrje e fuqishme për ndërgjegjësim përballë krizave dhe padrejtësive, edhe atëherë kur “Bubullimat rrokën qiellin,/ Si mund të heshtësh?”, (faqe 42).
Po ashtu e kësaj natyre është poezia, “T’i dhashë sytë”, (faqe 45), në të cilën autori i falë dashurisë jo vetëm zemrën dhe frymën, por edhe fuqinë edhe zemrën, e më në fund edhe shpirtin, me simbolikë për “sytë”. Në anën tjetër është edhe metaforë për dhënien e mundësisë për të parë dhe kuptuar botën dhe të vërtetat në një këndvështrim më të plotë, duke prekur themelin e dashurisë. Një mesazh i thjeshtë që nxjerrë në pah dritën e brendshme që secili prej nesh mban në shpirt e shpreh poezia “Rrezato”, e cila është një thirrje frymëzuese për të jetuar me vetëdije dhe pozitivitet.
RREZATO
Jepe dritën e bardhë që ke në shpirt,
Mbushe plot hapësirën që ke përpara,
me forcën magjike nuk duhet bërë flirt,
Do të shikosh se kjo është pasuria jote.
1990
Faqe 46.
Poezitë, “Jam strukur në kështjellë”; “Do ta prek fundin”; “Mos ik…”, janë thirrje dramatike që shprehin dhimbje dhe shqetësim poetik, kuptohet figurativisht secila në mënyrën e vet. Por vargu “Mos ik drejt në honin e zi, / Mos ik… jetëvdekja e kombit tim”, është dhembja e poetit që bëhet dhimbje universale, sigurisht nga ikjet masive dhe të pakontrolluara.
Edhe poezia “…Prandaj s’e doje perëndimin e diellit ti?!”, është reflektim i thellë mbi frikën dhe refuzimin, e pranimit të vdekjes, si çështje ekzistenciale që përmbyt jetët reale. Së këndejmi edhe poezitë, “…Dhe ja erdhi acari i jetës”; “Më iku vetja”; “Heshtja”; “Vrasja e fjalës”, në tërësinë e tyre tematike, janë poezi të fuqishme dhe synojnë të ndikojnë në vetëdije dhe identitet qytetar. Ndërsa dy poezitë e shkurtëra “Altruizëm” dhe “Asgjë më…”, e para përçon mesazhin e sakrificës dhe e dyta shpreh zhgënjim dhe mërzi për diçka të rëndësishme që paska humbur kuptimin për jetën e poetit.
ASGJË MË…
Kurgjë s’më josh më, rri në qetësi,
Jo, jo, për mua më asgjë s’ka kuptim,
Por ti bëj si të duash, gjithsesi,
Gjthçka patëm iku, shkoi fluturim.
Faqe 71.
Poezia “Fyelli i bablokut”, në brendësinë e saj ka një metaforë të fuqishme për Bablokun, dhe fuqinë magjike të fyellit të tij, mishëron lidhjet me rrënjët, jetën dhe shpirtin e poetit me rrënjë familjare si kulturë e lashtë dhe tradicionale. Natyrisht poezia shpreh frigën e poetit se po humb diçka tradicionale siç është “tingulli i fyellit“, e jo fyelli, përmes të të cilit ai flet për trashëgimi të lashta e tradicionale siç shprehet në vargjet: “Eh, këngë e papërsëritshme e Lumës,/ Epike gjer ku s’ka më,/ Sintezë e jetës së përgjaktë,/ Me një këmbë në varr…/ E tjetrën në qiell”, (faqe 79-80).
Po me këtë ndjenjë dhe po me këtë pasion është e ndërtuar edhe poezia, “…Dhe Baba më tha” që është një perlë lirike dhe një këshillë e thellë dhe e fuqishme që shprehet si katër këshilla të babait: “1. Bir, krejt nuk duhet me vdekë njeriu, 2. Fëmijë duhet të lindësh, 3. Fjalën e mirë duhet ta lësh, 4. Librin e jetës duhet ta shkruash”, që përçon mesazhe të rëndësishme për jetën, vdekjen dhe trashëgiminë shpirtërore, por poeti përdor zërin e babait si një zë të urtë dhe të fuqishëm, pothuaj si zë i Zotit, që jep këshilla si të ishte një amshim i madh për t’i realizuar pikë për pikë.
Ciklit të poezive për familjen ia kisha shtuar edhe poezitë: “Agimi i ditëve të mia”; “Gjysmëndrra e Babës”; “I ëmbli zëri i Nënës”; “Dritë në shtëpi”; “Ngazëllimi yt”; “Hidhi botës një vështrim të ri”; “Po lind një jetë e re”, e ndonjë tjetër e kompletojn mozaikun e këtyre lirikave të shkruara për vetvete dhe familjen e vet. Si ndërtime artistike, janë të bukura sepse shprehin atë ndjenjën dhe ndjeshmërinë reale, pa filozofema e glorifikime. Një poezi mjaftë e shkurtër është,“Intermexo” ose një frymëmarrje në mes motiveve të këtyre poezive përjetohet më shumë si një ftesë e butë dhe e thellë për frymarrje dhe për të reflektuar mbi botën dhe brishtësinë e saj.
INTERMEXO
Nuk ndjehesh e qëtë?
Puthe qiellin gri të perandorisë së Hadit,
E atëherë do të të ndiej zemra e dheut,
Dhe të gjitha tragjeditë do t’i tregojë.
Atëherë do ta kuptosh se sa e brishtë paska qënë kjo,
botë hiçgjë,
Hiçgjë deri në kulm… e mira ime ti.
Faqe 108.
Përfundim: Poezitë e vëllimit, “DHÛ NË SHPIRT”, janë një thirrje për ndërgjegjësim, reflektim dhe guxim për të përballuar vështirësitë përballë realitetit. Poezitë e Besim Cengut, na mësojnë të pranojmë heshtjen, të përballojmë fjalën e rëndë dhe fatkeqësitë e mundshme: Poeti sugjeron për të mos u dorëzuar, prandaj ai kërkonë dritën dhe kuptimin e jetës në çdo varg të poezisë, me mesazh universal për jetën me dashuri dhe me përgjegjësi të përhershme.