JUVE PRINDËRVE – poezi

0
Hajdin Morina

Hajdin Morina

JUVE PRINDËRVE

Ju ka ndodhur juve prindërve
të shndërroheni në kroje
nga burojnë currila të nxehtë dhimbjeje,
si shatërvanët e burimeve termale
kur shpërthejnë papritmas në zonat vullkanike,
kushedi nga cila dhimbje e fëmijëve,
kushedi nga cila dhimbje
(edhe ortekë që s’janë të bardhë, se prej bore s’janë,
shpesh ju kanë zënë në ndonjë kapërcell
e lumenj jeni bërë lumenj shpeshherë
mbi fushat e shkrumbuara të blerimit të kositur).

Ju ka ndodhur juve prindërve
t’i shëmbëlleni qiellit të kaltër pa asnjë re
dhe jugës së bardhë që lulet i çel në pranverë,
ju ka ndodhur juve prindërve shpeshherë

Ju kam parë juve prinërve
duke thurur tufa të gjera me rreze
për diellin e të gjithë njerëzve.

Pllajave të shpirtit tim ju të dashur prindër fryni
si një jugë që shkrin mure e gurë,
ju të dashur prindër të fëmijëve
që prindër po bëhen në një atdhe tjetër.

PERSPEKTIVAT E SHKRIMIT NJERËZOR

Menjëherë pas tradhtisë
e zhdukën shpejt e shpejt
nga faqja e dheut.

Në hartat e shteteve të botës
nuk është askund ajo
Troja,
por hyri në letra
ta ndiejnë njerëzit
vajin e saj,
tre mijë vjet pas.

Në sofrën e Makbethit
ende kullon
e ujërat e botës nuk e lajnë
gjakun e mikut të vrarë në darkë.

Si Tartufi përditë
lindin të tjerë hipokritë
dhe asgjë nuk na mungon,
të gjitha janë:
tradhtitë, tragjeditë, komeditë,
por nëpër letra
vështirë po hyjnë, vështirë.

APOKRIF POETIK

Me zë
(mirë)
por edhe pa zë
(keq)
dimë të lutemi ne
shpesh.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.