ATË NATË…

0
78
Kristaq Turtulli - Të Duash Një Grua

KRISTAQ TURTULLI

Me ngulm u përpoqa të harroja atë natë të çmendur, edhe kur mundohesha të flija, ndjehesha tmerësisht e ankthuar. Më behej sikur qëndroja ngulshëm në hyrjen e ngushtë të labirinthit maramendësh, turbull më krijoheshin herioglife, të cilat shndërroheshin në akrepa të zinj.

Nëse nuk mundja ta shkelmoja natën e çmendur, së paku të qetësoja shpirtin e lodhur, mos e risillja në mendje. Shpesh më bëhej sikur ngjitesha këmbe doras në majën e thiktë e malit të thatë dhe, si Sifizi mbaja në shpinë gurin e madh të dashakeqësisë. Hidhja një hap para dhe shkisja rrëmujshëm dy hapa. Një mendim i lodhshem ish fiksuar në tru, duhej të flakja tutje prej majës së lartë të malit në honin e thellë të errët të asgjësë, gurin e rëndë i asaj nate të çmendur.

Një hop qeshja si budallaqe, mbasi zhytesha kot më kot në monopatin e pakumtimtë të ndjenjës së fajësisë dhe frikës, pendohesha për atë që ndodhi dje. Në këmishën e natës përdridhesha çakërqejf përpara paqyrës, i nxirja gjuhën. Por pasqyra si kundër përgjigje tregohej e ftohtë, akull, tjetëronte imazhin në lakuriqësi dhe mua në zinin të dridhurat. Kur kthllohesha e kuptoja, nuk ishe faji i pasqyrës por mania ime të zhvishesha dhe të vështrohesha me kujdes trupin tim dhe pa turp e them, pse jo dhe me mburrje kisha trup të bukur, të derdur si sklupturat klasike.

Mbase gati rastësisht më kujtohet një moment Sidorela, mikja ime e kursit, duke lujatur syrin me djallëzi më pëshpëriti:
‘Sa budallaçka jemi, lenë vajzërinë tonë të shkojë jabana.’
Unë përshërisja diçka të mjegull:
‘Rinia, naivja, e bukuara, e zhurmshmja, çapkënia. Sa herë e kujtoj, më behet sikur mbaj në duar gjithë frikë, delikatesë, rininë, lulen e çmuar, çuditësisht një ëndërr që ikën shumë shpejt e, nuk vjen më!’

Patjetër e kisha lënë diku në ndonjë monopat të braktisur, gazmendin e harbuar me klithma, ulërima të eksituara, jetën e pakuptimtë të një vajze të ndrojtur, nën hijen e rëndë të babait dhe syrin vigjilent, gërmues të mamasë, së bashku me zhvillimet e mëtejshme në atë lokal nate plot harbim dhe qejfe. Në tavanin e lartë vërtitej globi i madh shumëngjyrësh, sy qiklopi duke përhapur maramendjen e një bote të përmbysur, magjepsur çupëlinat naive të cilat duan të flakin me ngulm, gati me nervozizëm botën e shpifur anakronike familjare dhe, notonin në liqenin magjik të çlodhjes së drogës dhe alkolit. Vallzoja dhe nuk kontrolloja lëvizjet e mia, sy çakaritur, trup lëshuar, si të largoja, flakja tujte me moskokëçarje, nga çdo pejzë e trupit tim stresin e jetës së përditëshme provinciale, ku çdo hap që hedh në rrugicat e kalldërmta të qytetit, të gërmojnë sytë e lagështa të plakava llafazane ulur postafeve.

Në lokalin e nëntokës ‘Ulërima e egërsirës,’ mes pylit të dendur me pisha, ndanë lumit të turbullt, të rrëmbyer, rakija dhe vera derdheshin rëke me shijen provokuese të një jetë limontie. Droga dhe heroina shpërndahej pa hesap, shoqëruar me skërmitjen e keqe të provokimit, djallëzisë se kapjes së peshkut. Ndërsa kujtoja se, kjo është jeta e vërtetë dhe bota. Por tre herë u gremisa në banjat e qelbura me jashteqitje, të vjella.

Patjetër do e flakja me neveri atë natë, gjithë zallahi, në kthinën e largët të memories, shtuposur me dyllë dhe letër higjenike. Mbasi vajzat e moshës sime, rënduar nga provincializmi, fjalomania, trusnia, mërzija, dhe jeta monotone harrojnë shpejt momentet sado të vështrira të jenë dhe kërkojnë të gjejnë zbavitje dhe surpiza të tjera, të mbushin jetën.

Nuk e mora vesh çfarë ndodhi gjatë orgjisë dhe marrëzisë, mbërthyer në botën time të pështjellimit, kënaqësisë absurde. Nuk e vura re globin e madh shumëngjyrësh me sy qikpopi, u shkëput nga tavani me rapëllimë dhe u turr mbi mua. Një moment qesha e quajta shaka. Nga rëndesa s’munda të qëndroja në këmbë, mu morën mendtë, dhe mu varën krahët. Çuditërisht globi syqiklopik s’ishte prej qelqi, por mishi dhe kocka. Filloi të më qullte me pështymë, më shtypte, rëndonte sa një mal dhe merrte frymë si një kafshë. U përpoqa te shtyja, ta largoja, e kafshova në vesh, por nuk kisha fuqi, duart e mia ishin të prera. Syri qiklopik derdhi brenda meje një llavë të nxehtë, më shkaktoi të dridhura, ethe të llaharshme. Nuk e di se çfatë ndodhi më tej, mbasi rashë në kllapi.

Kur u përmenda, akoma nuk kish zbardhur. Veten e pashë shtrirë në dyshemenë e qelbur, në pozicion qesharak, këmbë hapur, shkalafitur, fustan grisur, mbatjet flakur s’dihej se ku. U ngrita e cakorduar, rrëmbeva një mbulesë tavoline dhe u mbështolla me të. Pa u vënë veshin zgërdhitjeve të kamarierëve dola, eca rrëmujshën, zbathur, në monopatin e përbaltur. Doja të ikja sa më larg të ishte e mundur prej atij lokali të pistë, pyllit të mugët me gjapërinj, fshehur nën barin e dendur. Ndërsa lumi oshtinte dhe buçiste.

Në shtëpi, hyra nga dritarja. Shkova drejt e në banjë, nxorra zorrët e barkut. Të vjellat vazhduan ditë e netë. Eh moj nëne kurrë nuk do e kujtoja, atë natë çmendurie, ekstaze dhe llahtari, sikur të mos provoja disa gjëra të pazakonshme. E papritura e neveritëshme që më la ajo natë e shpifur.

U zgjatën ditët, u shkurtuan netët. Doja ta quaja marrëzi. Trill rinor. Mendjeshkrepje. Dreqi e di se çfarë. Por… për fatin tim të keq nuk qe ashtu. Në ditët, javët e ardhmshme, gjithçka rrodhi në kundërshtim me dëshirën, ëndrren time dhe gjumi më iku krejt…

Ti hapesha nënës. Do dëgjonte syçapëlyer do ndukte faqet, klithte, do bubullonte shpërthimi i saj i furishëm. Apo babit hijerëndë, me heshtjen sfilitëse?! Sa herë i flisja më dukej sikur ndodhesha në zyrën e tij të ftohtë akull, me stivat e letrave në rafte. Ndërrimi i ngjyrave të sytë e babit nga habia e tmerri do të ishin njëlloj si ngjyrat acaruese të kartëmonedhave.

Përpjekjet e mia u bënë të mundimshme. mos bija në sy, mos kuptonte kush ndryshimin e madh, të pafalshëm. O ZOT! A mund të mbulohet dielli me shoshë!
E topitur, ecja mes turmës dhe s’dija si të fshehesha prej saj. Nuk dija kujt ti hapesha. Isha si lulëkuqe e brishtë në mes një autostrade të zhurmshme, të çmendur. Çapitesha duke e dredhur e heshtur siç ecën pafajësia. Më mashtruan, me perdhunuan kur isha e dehur. Por përdhunuan një kufomë. Mundohesha të mësohesha me vetminë. Iu luta Zotit, doja ti rrëfehesha për mëkatin e tmershem. Mëkatin?! Kë mëkat?! A jam fajtore? Por unë e gjora jam fajtore pa faj! Më ngjan, të gjithë tallen me trishtimin dhe brishtësinë time. Me turpërimin tim. Më vinte ta shkulja atë send të huaj nga turpi që hyri përdhunshëm brenda meje. Ta hidhja tutje, mos ktheja kokën prapa, të ikja, nga sytë këmbët… Po ku të mbytesha? Qyteti qëndronte i ngrehur, zgërdhihej me mbarsjen time, turperimin tim. Do ngrihej në këmbë, duke tërhequr pas shtëpitë e ngurta, do dilnin minjtë dhe kërmijtë. Më mbështillnin hijet e thashethemeve, ngulnin thonjtë e nxirë, mbështjellë me pelenat e qelbura të mjerimit, fatkeqesise sime. Atëherë të vetëvritem. Përpiqesha ta gjeja atë pusht, maskara që më bëri hatanë e tmerrshme por më kujtohen vetëm veshi i përgjakur, mjegulla e dendur dhe ngjeshja e përbindshme me send të fortë, brenda në trupin tim.

Nëna kish filluar të më gjurmonte, kërkonte të më kapte në befasi. Më dukej e pamundur dhe jashtë arsyes. Herë më kapte shpresa e kotë. Atëherë kur korseja s’po mbulonte kapriçion e tepruar të barkut, nëna më kapi furishëm për dore dhe më tërhoqi dhunshëm në dhomë. Me gjithë kundërshtimet e mia, më zhveshi si të isha fëmijë. Dridhesha nga frika dhe inati. Nëna hungëriti si një ujkonje e plagosur dhe çori faqet:

– Bushtër, me kë e zure?
Ula kryet dhe heshta. Dhoma më vërtetej si fugë.
– Fol, hape grykën qelbësirë e dreqit, na turpërove, nxive nderin e shenjtë të famijes!- Nëna më shtyu tutje si të isha ndonjë e rrugëve.
Mu lidh gjuha. Qëndroja e shtangur, në këmbë, e ngrirë si statujë, krejt lakuriq si lavire rrugësh. Turpi mu mbështoll me litarë të akullt dhe nisa të dridhesha purtekë. Më mirë të më qëllonte, me një send të fortë, të më linte top në vend. U mata ti thosha: ‘Vritmë nënë, të lutem. Nuk kam ç’e dua jetën.’ Ajo e murrëtuar më kishte ngulur sytë si një ulkonjë, gati të më shqyente. Rrëmbeva fustanin dhe mbështolla trupin e mardhur. U tërhoqa në cep të dhomës, duke shtrënguar gjithnjë e më shumë fustanin pas trupit.

Nëna ngriti dorën, më godiste.
– Qëllomë,- i thashë zë ngjirur:- Vritmë, për mua tashmë asgjë nuk ka më kuptm, bile dhe jeta!
Nëna u zbeh dhe krahu iu var si i degë e këputur. Më vështroi syshqyer dhe doli me vrap. Mbështeta fytyrën mbi pëllëmbë dhe ia plasa të qarit me dënesë.
Nuk e di do ishte mirë të abortoja krijesën e paftuar, që mbiu aksidentalisht në qenien time, ose ti jepja fund jetës. Gjithçka më dukej e zbrazët, pa kuptim. Si hon i thellë, me errësirë ulëritëse, gjithë ankth. Lotët mu thanë dhe ja ngula sytë lojës së hijeve në mur. Çfarë detyrimi kam unë ndaj jetës, që u tregua e pamëshirshme? Mos vallë ishte faji im, ngopja e parakohshme në çaste dehjeje? Nuk doja të pija. Ishte një fillim për tu ndjerë e shpenguar. Dikush më nxiste, shtynte dorën me ngulm dhe gotat derdheshin në gurmaz si ujë. Nuk paska gjë më të pështirë se dehja. Marrosesh dhe lëshohesh si buçe në krahët e ndyra të kurvërisë. Oh, jo! Të jetë mbarsja me erën e pështirë të alkoolit një profil i pështirë e kurvërisë!

Nëna, më mori pranë dhe, më puthi si e çmendur.
– Pse ti ndodhë dritës së nënës, pse?! – Rënkoi.
U preka. Qava. Qau dhe nëna. Ankohej për babanë, për rëndësinë e tij, si njeri me peshë në qytet, drejtor banke. Ç’ mund të thonë qytetasit për të. Eh moj bijë e nënës eh. Qyteti, ngjelkat e kanë gojën e lagur. Priftin e bëjne me barrë, dhe… jo kur e bija e drejtorit…
Këto fjalë i përsëriste dhe i përsëriste vazhdimisht. Gati sa nuk iu ktheva, t’i thosha: Pse, mendon vetëm për babanë? Po për mua? Ç’ mund të bëj unë? Ku të mbytem, mu shkatërrua jeta? Asnjë nga këto nuk i thashë. Prisja të rihesha nga babai, por jo. Ai u nxi si nata, u vërtit dhe u plas si i dehur në kolltuk.

– Buçë! Qërohu nga sytë e mi,- Shau, dhe mbyll në studion e tij.
– Baba! – Klitha.
– Çfarë do bësh me të?- më pyeti nëna ftohtë.
– Nuk e di. Babi nuk më do.
– Me këtë turp të dojë yt atë!- hungëriti nëna.
– Sikur të pi helm, të zhdukem nga ky qytet që të ha me thashetheme të llahtarshem si mola. Të largohen njëherë e mirë nga kjo botë e fëlliqur? -pyeta nënën me naivitet.
– Moj moj budallaçkë e gjorë!
– Nuk mund duroj llafet e botës.
– Bota të hajë mut,- shfryu nëna.
– Eh, fjalë goje. Bota ta hedh mutin në fytyrë. Të qelb.

– Hëm, le të pëlcasë bota e qelbur, me gjithë soj e sorrollop, puf tja bëjë,- shfryu nëna dhe doli nga dhoma me nxitim.
Të nesërmen më mbushi mendjen t’i jepja fund kësaj historie. Mjeku e kundërshtoi ashpër. Trupi im i dobët nuk do ta përballonte këtë provë. Iu luta. Gjithçka ishte e kotë. Thashethemnaja filloi të bënte punën e vet. Miliona grerëza vërteteshin rreth shtëpisë sonë. Mbyllja dyer e dritare. S’ më rihej askund. Babai heshte si varr. Befas fillonte të bërtiste, më vështronte egër dhe shkelmonte ç’ gjente përpara. Unë mbyllesha në dhomë, dënesja nën zë dhe kafshoja gishtat.

– Sikur të pi helm?! – Pyeta përsëri nënën me naivitet.
– E marrë!?
U shtrova në spital. Gjithçka ishte si në ethe…

KRISTAQ@TURTULLI

TË DUASH NJË GRUA, libër me tregime dhe novela, Prishtinë, Kosovë 2023

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.