KATËR MOLLAT E ILIRISË
– poezi nga libri në dorëshkrim, “Atdheu nis nga Çamëria”
Tre Drina rrjedhin tokës së Shqipërisë
tre Drina bartin flamuj të ndryshëm
tre Drina flasin me pasaportë mes veti
tre Drina i thërrasin ndërgjegjes sonë!
Atdhe, para grekut këtu i kemi shtëpitë
palat e fustanellës nuk i kemi pa gjak
as pa dëshmi heroike të kohërave të
hershme, as pa fitore betejash të forta.
Le të zemërohen retë, deti dhe Greqia
Çamëria po rilindet mbi hirin pellazg
ajo e ruajti gjuhën e palat e fustanellës
simbolet e hershme të luftërave të saj.
Në Çamëri dhe gjithandej Shqipërisë
Epir e More e ruajnë kujtesën e tyre
mbrojnë gjuhën e shkruar nëpër gurë
mbrojnë rrënojat e monumentet e tyre.
Çamëri, koha është të jesh vetja! Me
flamurin kuq e zi ta mbulosh Epirin
beteja për liri s´ ka fillim e as mbarim,
lufta për Çamëri mbetet kombëtare.
Çamëri, jepja dorën Prometheut tënd
palave të flamurit dhe të fustanellës,
mblidhu shesheve si në kohërat epike
le të zemërohen retë, deti dhe Greqia!..
Atdhe Geci – poezi nga libri në dorëshkrim, “Atdheu nis nga Çamëria”