Foto e ish-Shkollës së Mesme Bujqësore Kamëz, dhe polifoto e klasës sonë e ruajtur nga Xhavit Gasa, ish-nxënës i kësaj mature
Ky shkrim merr shkak nga njoftimi i shokut shumë të mirë të klasës sonë, zotit Sami Vrapi, më datën 31.08. 2025, ku ndër të tjera shkruan: “Përshëndetje, shokë dhe shoqe të klasës sonë! Ky vit është viti i 50-vjetorit të maturës sonë, të vitit 1974-’75. Kush dëshiron të shikoj 69-70 vjeçarët si dikur 19 vjeçarë, është i lutur të vij tek lokali “Nano Rezort”, që ndodhet në Farkë, ditën e premte datë 26 shtator 2025, në orën 11⁰⁰… Ju lutem të njoftoni shokët me të cilët keni kontakte, pasi unë nuk i kam të gjitha kontaktet me bashkëmaturantët tonë.
Faleminderit për mirkuptimin dhe mirë u takofshim!” Unë i kthej mesazhin Samiut, duke e falenderuar shumë për inisiativën e marrë për takimin e maturës sonë, në 50-vjetorin saj… Kjo është vlerë. Bravo, juve Sami, kujdestarit të klasës sonë volejbollistit të shquar, Shaban Uka; dhe shokut të mirë Ylli Bejko, për këtë organizim perfekt të kësaj veprimtarie!
Përvjetorët risjellin gjithnjë kujtime, histori të shumta të atyre viteve rinore plot nostalgji për arsimin dhe jetën shkollore.
Matura e vitit 1974-75 në këtë takim, të 50-vjetorin e saj, është një eveniment i veçantë. Dhe ja pas një kohe të gjatë mblidhemi këtu në Tiranë, në këtë resort lluksoz. Kujdestari i klasës Shaban Uka, bën “apelin”. Shumica prezent. Mungojnë përjetësisht Ylli Skora dhe Roland Tomi. Ky qe fati i tyre i keq i ndarjes para kohe nga kjo jetë… Dhimbje, dhe kujtime të bukura për Landin dhe Yllin. E tillë është jeta…
Polifoto e maturës 1974-’75, dhe disa nga mësuesit tanë
Ky takim i veçantë midis shokëve dhe shoqeve të klasës është shumë i përzemërt, u sjellën mjaft kujtime të bukura me njëri-tjetrin, për ato vite të arta të Shkollës së Mesme Bujqësore Kamëz, për maturën tonë të parë, me profil bujqësor. Në bisedë secili solli ndërmend kujtimet e tij të arta për ish-mësuesit që na dhanë mësim, për aftësitë e tyre të shkëlqyera shkencore dhe pedagogjike, për përkushtimin e tyre në shkallën më sipërore të mundëshme në dhënien e dijeve tek ne, dhe mbi të gjitha ato qenë edukatorë të një niveli të lartë dhe prindër të dytë për ne. Kujtojmë me respekt të veçantë ish-drejtorin e shkollës Isuf Murthi; mësuesit: Mustafa Serezi (mësuesi kujdestar), Fehmi Shehri, Ylber Shehu, Haki Kovaçi, Mustafa Fani (Fagu), Xhevdet Çelmeta, Lulzim Fortuzi, Viron Cinxa, etj.
Po kështu, për shumicën prej nesh që bënim jetë konviktore, kemi konsiderata të larta për stafin e konviktit dhe përkujdesjen e tyre për ne ish-nxënësit konviktor, duke na trajtuar neve sikur të ishim fëmijët e tyre… Respekt maksimal nga kolektivi i klasës sonë për këto figura të nderuara të arsimit dhe punën e tyre plot përkushtim ndaj nesh… Ky është emëruesi i përbashkët i kujtimeve, bisedave, vlerësimeve dhe reflektimeve shumëvjeçare për shkollën e atyre viteve, për mësuesit e saj dhe personelin e konviktit… Nostalgji dhe kujtime të shumë të bukura…
Ne si maturë jemi mbledhur pjesërisht edhe herë tjetër, në vitet e fundit. Por, 50-vjetori i kësaj mature e zgjon edhe më shumë interesin dhe vlerësimin pozitiv për shkollën e atyre viteve të përjetuara vrullshëm dhe me plot energji rinore nga ne. Shoqëria e shkollës, pavarësisht rrethanave të jetës mbetet e paharruar. Nisma jonë për takime filloi para shumë vitesh, me iniciativën e Samiut, ish-kujdestari i klasës, Shaban Uka, dhe disa kolegëve të tjerë. Disa prej nesh, jemi mbledhur së bashku edhe herë tjetër, ku ftuam edhe mësuesin kujdestar Mustafa Serezi dhe atë të matematikës Mustafa Fani…
Foto e ish-maturës sonë, bërë më datën 26.09.2025 në ambientet e lokalit “Nano Resort”
Sot me datën 26 shtator 2025, kremtojmë 50-vjetorin e përfundimit të maturës… Tani, pas 50 vitesh, sërish mblidhemi së bashku dhe hamë një drekë bashkë… Siç cekëm më lart, kjo ishte një drekë ndryshe, ku bisedat, kujtimet dhe përshtypjet janë të papërshkrueshme. Pas pesëdhjetë vitesh takohemi me shokët dhe shoqet që kemi mësuar gjysëm shekulli më parë. Nga takimi u njohëm në detaje mbi ecurinë tonë në vite, familjet që ka krijuar secili nga ne, mbi veprimtarinë që kemi kryer dhe ushtrojmë tani, dhe shkëmbyem ide mbi shumëçka që është shënuar në këtë periudhë pesëdhjetë vjeçare.
Bisedat me njëri-tjetrin do i mbajnë sërish gjallë kujtimet tona, na rikthejnë rrjedhat e kohës së atyre viteve të bukura të shkollimit tonë. Organizimi i takimeve të tilla të shënimit të këtyre përvjetorëve ka për qëllim afrimin e mëtejshëm tonin me njëri-tjetrin, fuqizimin e shoqërisë sonë, përmirësimin e mëtejshëm të raporteve të ndërsjella midis nesh, rritjen e frymës së bashkëpunimit dhe afrimitetin me gjeneratat e reja…
Në këtë takim të pranishëm ishin pothuajse e tërë matura e vitit 1974-75. Të pranishëm ishin 28 ish-maturante, si:
A.Sina, A.Sheftelia, G.Shabani, G.Bulica, H.Zeneli, I.Kabili, I.Almeta, J.Kalemi, K.Doka, L.Daja, L.Osmani, M.Kacollja, N.Sefa, N.Xhakrosa, N.Sinani, N.Hida, N.Berberi, P.Beqari, S.Vrapi, S.Lika, S.Ndini, Sh.Uka, Sh.Beci, Sh.Sinani, Xh.Gasa, Xh.Xhepa, Xh.Doka, Y.Bejko…
Për mungesë kontakti nuk janë njoftuar dhe nuk mundën të vijnë: F.Pellumbi, F.Disha, Q.Gurra, N.Mullaj. Shpresojmë që nëpërmjet publikimit të këtij shkrimi të vendosim kontakte edhe me ato…
Në vend të godinës së SH.M.B.Kamëz, është ngritur Gjimnazi “Ibrahim Rugova”
Ne si ish-maturantë kemi kaluar në këtë proçes transformimi… Kemi mbaruar shkolla të tjera të larta në profile të ndyshme dhe kemi kontribuar në sektorë të ndryshëm të ekonimisë. Tani të gjithë kemi mbushur moshën e pensionit dhe i kalojmë vitet e moshës së tretë me familjet tona, me nipërit dhe mbesat ku mundohemi të përmbushim me sukses detyrat ndaj tyre. Edhe ky takim, në këtë aspekt, ka vlera të larta edukative. Atyre, ne duhut t’u japim modelin e duhur, pavarësisht na ndjekin sa duhet apo jo… Kështu ne trasmetojmë vlerat e brezit tonë tek gjeneratat e reja…
Vitet dhe koha bëjnë punën e tyre. Shkolla e Kamzës sot mban emrin: Gjimnazi “Ibrahim Rugova” dhe ka kushte moderne. Shkolla ruan traditën dhe ecën përpara në proçesin e arsimimit të brezit të ri për përballimin me sukses të sfidave të kohës. Si ish-nxënës të kësaj shkolle, me shumë emër për kohën, urojmë kolektivin mësues-nxënës për arritje edhe më të mëdha në proçesin mësimor, në kushtet e reja që dikton koha!
Ish-maturantët e vitit shkollor 1974-1975, të Shkollës së Mesme Bujqësore Kamëz.
Tiranë, më 26.09.2025
Dërgoj për publikim, Ibrahim Kabili, ish-nxënës i kësaj mature.