Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
GRATË E VAJZAT DËSHMORE TË UÇK-së
Të trajtosh historinë e Kosovës nën thundrën e pushtimit jugosllav dhe serb do të ishte e pamjaftueshme pa ndalur gjatë mbi kapitujt e qëndresës popullore, të cilët e bëjnë të veçantë këtë pjesë të historisë shqiptare. Sepse çdo fjalë për Kosovën e okupuar, në thelb të saj, përmban edhe një rrëfim të dhembshëm e krenar për rezistencën që nuk pushoi kurrë – rezistencë që nuk ishte vetëm politike apo ideologjike, por një lëvizje e përditshme e jetës përballë robërisë.
Në këtë rrugëtim të pabarabartë, protestat e demonstratat shfaqeshin si një ndër format më të fuqishme të shprehjes së revoltës kolektive dhe kërkesës për liri. Nuk mund të flasim për këto protesta pa përmendur me nderim e përulje masën e gjerë të qytetarëve që u ngritën pa frikë për të mbrojtur jo vetëm të drejtat e tyre, por vetë qenësinë kombëtare të Kosovës. Ishin punëtorët, nxënësit, studentët dhe intelektualët që dolën në rrugë me zemrën plot guxim dhe me ndërgjegje të kthjellët për të thënë se Kosova nuk është tokë që mund të tjetërsohet, nuk është vend që mund të nënshtrohet.
Andaj, të flasësh për demonstratat, do të thotë të kujtosh me nder e përulësi ata mijëra burra e gra që u rreshtuan në ballë të betejës qytetare për liri, për dinjitet, për të drejtën për të jetuar në tokën e tyre të shenjtë – Kosovën. Ata janë emblema e një epoke, dhe zëri i tyre vazhdon të dëgjohet në ndërgjegjen tonë kolektive edhe sot.
Për të kuptuar thellësisht natyrën e demonstratave gjithëpopullore të vitit 1968, 1981 dhe të gjitha protesta e demonstratat në vijim, duhet të ngjitemi shkallëve të historisë me kujdes dhe respekt, për të parë qartë se ato nuk qenë as spontane, e as të çastit. Përkundrazi, ato ishin rezultat i një procesi të gjatë të grumbullimit të pakënaqësive, i vetëdijesimit politik dhe i ndërgjegjës kombëtare, që po ngrihej përballë një shtypjeje të pandalshme dhe sistematike.
Demonstratat nuk lindën nga asgjëja. Ato ishin një përgjigje e domosdoshme ndaj një realiteti të rëndë, të mbushur me padrejtësi, shfrytëzim dhe përçmim të vazhdueshëm të identitetit shqiptar. Dhe armiku përballë kësaj lëvizjeje ishte i pamëshirshëm – një makineri shtetërore që nuk kursente mjete në brutalitetin e saj. Ishte një regjim që vepronte me logjikën e frikës, që synonte ta shuante çdo zë kundërshtimi përmes dhunës, përndjekjes dhe torturës.
Në rrjedhën historike të Kosovës, vitet e hershme të dekadës së tetë e nëntë shënojnë një nga periudhat më të errëta – kohë kur në vend të shpresës mbretëronte frika, në vend të dialogut sundonte shtypja, dhe në vend të së drejtës mbizotëronte arbitrariteti i një pushteti okupator. E megjithatë, përballë kësaj errësire, populli shqiptar ngriti zërin. Nuk u mposht.
Prandaj, protestat e demonstratat e vitit 1990 nuk mund të shihen si një shpërthim i rastësishëm i zemërimit, por si kulmim i një përpjekjeje të vetëdijshme për liri, barazi dhe dinjitet. Ato janë dëshmi se historia jonë nuk është vetëm histori e vuajtjes, por edhe e qëndresës së pashoqe.
Gjatë kësaj periudhe të errët dhe të ngarkuar me tension historik, populli shqiptar i Kosovës u përball me një valë të pashembullt represioni. Në valën e parë të ndëshkimeve, rreth 70 mijë shqiptarë u burgosën, disa për kundërvajtje, të tjerë për t’u dënuar me heqje lirie deri në 15 apo 20 vjet. Mbi 700 mijë të tjerë, pothuajse një e treta e popullatës, u përballën me policinë – disa në qelitë e hetuesisë, të tjerë në rrugët e qyteteve ku dhuna nuk linte shteg për asnjë zë kundërshtues. Arrestimet u bënë me valë, pa dallim, si një rrjetë e madhe që kapte çdo zë të shqipes, çdo mendim që guxonte të pyeste, çdo rini që ëndërronte për një ardhmëri ndryshe.
Nga viti 1981 deri më 1990, numrat, edhe pse të ftohtë dhe të thatë, flasin më shumë se çdo fjalë: 3,348 shqiptarë të dënuar, 183 të vrarë me plumba nga policia dhe ushtria, mes tyre 16 fëmijë, 616 të plagosur, 49 prej tyre fëmijë e gra. Çdo vit kishte emra të rinj në listat e vdekjes, çdo vit një dhimbje e re mbështillej mbi plagët e vjetra. Në vitin 1981, 13 shqiptarë u vranë; në 1982, dy të tjerë; në 1983, një heshtje e përkohshme, si qetësia para furtunës. Në 1984, tre të vrarë; në 1985, një tjetër jetë e shuar. Por më pas, numrat u bënë të frikshëm: në vitin 1989, 33 të vrarë; në vitin 1990, 39 të tjerë. Dhe pas këtyre shifrave, ishin familjet që mbeteshin pa bijtë e tyre, rrugët që mbusheshin me funeralë, zemrat që nuk dinin më të shpresonin.
Burgjet mbusheshin kryesisht me të rinj, me ata që ende nuk e kishin shijuar jetën, por që e kuptonin peshën e lirisë. Një brez i tërë u rrit mes qelive, mes torturave dhe dhunës, në një botë ku shpresa ishte një luks që askush nuk mund ta lejonte më.
Por historia nuk shkruhet vetëm me armë, por edhe me qëndresë. Dhe kjo qëndresë u mishërua me dinjitet në fshatin e Ylfetes – në Lupqin e Poshtëm – ku, për më shumë se tri ditë radhazi, banorët, burra e gra, dolën në rrugë për të protestuar. Ata nuk kishin armë dhe nuk ushtronin dhunë, por ishin të pajisur me guximin për t’u përballur me kolonat ushtarake serbe. Qëndruan përballë tankeve dhe autoblindave vetëm me forcën e zërit dhe vullnetit, duke protestuar qetësisht kundër pushtimit dhe militarizimit të atdheut të tyre, duke ngritur dy gishta në formën e V-së – simbol i fitores dhe i paqes.
Arrestimet u bënë pjesë e përditshmërisë. Policia vepronte me egërsi të organizuar, duke synuar jo vetëm ndëshkimin individual, por edhe frikësimin kolektiv. Burgosjet, torturat, ndjekjet dhe proceset gjyqësore të montuara u shndërruan në mekanizma të sistemit për të shuar zërin e çdo kundërshtimi dhe për të shtypur çdo përpjekje për emancipim politik apo kulturor.
Dhuna e ushtruar ndaj popullit shqiptar në këtë kohë kapërcente çdo kufi njerëzor. Ajo nuk ishte vetëm fizike, por edhe psikologjike, duke synuar ta thyejë shpirtin e një populli që historikisht kishte mbijetuar përmes qëndresës. Por, përkundër kësaj dhune të egër dhe të organizuar, qëllimi i regjimit dështoi: sepse sa më shumë që shtypej, aq më shumë forcohej vullneti i shqiptarëve për të mos u dorëzuar.
Kjo fazë e historisë së Kosovës është një kujtesë e dhimbshme, por njëkohësisht edhe një testament i vendosmërisë së një populli që, përballë dhunës dhe përjashtimit, zgjodhi të qëndrojë në këmbë dhe të kërkojë të drejtën që i takon me dinjitet dhe vendosmëri.
Veçanërisht mbresëlënëse ishte pjesëmarrja e të rinjve që ende nuk kishin mbushur as moshën madhore. Ata, me guximin e lindur dhe me ndjenjën e natyrshme të lirisë që nuk njeh frikë, ishin dëshmi e gjallë se rezistenca nuk njeh moshë. Me duart e ngritura lartë dhe zëra që tundnin botën, ata dolën në përkrahje të një ideali që i tejkalonte vitet.
Ishin këto protesta një nga rrëfimet më të fuqishme të bashkimit shoqëror në emër të së drejtës. Kur ndodh bashkimi i brezave në një qëllim të përbashkët, atëherë historia shkruhet jo me urdhër, por me gjak, lot dhe guxim. Dhe këtë guxim populli shqiptar e dëshmoi me gjithë qenien e vet
në rrugët e Kosovës. Këto momente nuk janë vetëm kujtime, por themele të vetëdijes sonë kolektive për lirinë që sot e gëzojmë.
Më 1 shkurt të vitit 1990, historia e Kosovës njohu një tjetër kapitull të dhembshëm, një moment që rrallë kush e kishte parashikuar me atë intensitet: revolta popullore kishte arritur pikën e vëlimit. Ishte një shpërthim i natyrshëm i pakënaqësisë së akumuluar ndër vite, një reagim i një populli të ngarkuar me padrejtësi dhe dhunë të përhershme. Në këtë kohë të tensionuar, makineria shtetërore serbe, në panik dhe në ethe për kontroll, u vu në lëvizje me një agresivitet të paprecedent. Kolona të tëra ushtarake të pajisura rëndë, të armatosura deri në dhëmbë, nisën marshimin drejt Kosovës si një mesazh force dhe frikësimi.
Por historia nuk shkruhet vetëm me armë, por edhe me qëndresë. Dhe kjo qëndresë u mishërua me dinjitet në fshatin e Ylfetes – në Lupqin e Poshtëm – ku, për më shumë se tri ditë radhazi, banorët, burra e gra, dolën në rrugë për të protestuar. Ata nuk kishin armë dhe nuk ushtronin dhunë, por ishin të pajisur me guximin për t’u përballur me kolonat ushtarake serbe. Qëndruan përballë tankeve dhe autoblindave vetëm me forcën e zërit dhe vullnetit, duke protestuar qetësisht kundër pushtimit dhe militarizimit të atdheut të tyre, duke ngritur dy gishta në formën e V-së – simbol i fitores dhe i paqes.
Por reagimi i forcave serbe ishte brutal dhe i pamëshirshëm. Kolona e armatosur, në vend që të ndalej për të dëgjuar zërin e protestës paqësore, reagoi me egërsi, duke shtënë për disa minuta me armë automatike në drejtim të popullatës. Ky akt barbar nuk ishte vetëm një shenjë frike nga fuqia morale e një populli të vendosur, por edhe një dëshmi e thellë e përpjekjes për ta mbytur me dhunë zërin e së drejtës.
Ngjarja e Lupqit nuk është thjesht një episod i një revolte lokale, por një gur themeli në kujtesën kolektive të qëndresës sonë kombëtare – një dëshmi se edhe përballë dhunës së armatosur, populli ynë zgjodhi dinjitetin, qëndresën dhe të drejtën për të qenë i lirë në tokën e vet.
Shtrohet pyetja kush ishte Ylfete Humolli- Ylfete Humolli erdhi në jetë më 15 shkurt të vitit 1973, në fshatin Lupç i Poshtëm të komunës së Podujevës, në një familje me rrënjë të thella atdhedashurie dhe përkushtimi ndaj çështjes kombëtare. Ajo ishte bija e Isës dhe Sevdijes, prindër që jo vetëm e rritën me dashuri, por edhe e ushqyen me ndjenjën e lirisë, dinjitetit dhe qëndresës. Familja Humolli, me tetë fëmijët e saj, përbënte një vatër vlerash ku dashuria për atdheun ndërthurej natyrshëm me përkushtimin ndaj njëri-tjetrit.
Ylfetja ishte pjesë e këtij mozaiku shpirtëror të veçantë. Në mesin e vëllezërve dhe motrave të saj, veçon emri i Mentorit, i cili më vonë do të radhitej në altarin e dëshmorëve, duke u flijuar për lirinë e Kosovës më 21 mars 1999. Historia e kësaj familjeje bart në vete shumë rrëfime përkushtimi dhe sakrifice.
Emrat e tjerë – Lulja, Serbezja, Vlora, Muhameti, Jetoni dhe Arianiti – përfaqësojnë jo vetëm anëtarët e një familjeje të madhe, por gjithashtu dëshmojnë për një brez të rritur me ndjenjën e qëndrueshme të identitetit dhe barrës së rëndë të kohës. Brenda kësaj familjeje, Ylfetja u formua si një vajzë e ndjeshme, me vetëdije të hershme kombëtare, dhe me një prirje të natyrshme për të kuptuar dhimbjen e vendit të saj, e cila më vonë do ta shndërronte në simbol të guximit dhe qëndresës rinore.
Ajo ishte një vajzë e re me mendje të ndritur dhe shpirt të ndjeshëm, një nxënëse shembullore në vitin e tretë të shkollës së mesme në një kohë kur Kosova po përjetonte një nga periudhat më të errëta të historisë së saj. Ishte viti 1989-90, një moment dramatik kur regjimi serb vendosi t’i hiqte autonominë krahinës së Kosovës – një akt që shënoi kthesën e dhunshme drejt represionit të gjithanshëm politik, kulturor e njerëzor.
E re në moshë, por e pjekur në mendim, Ylfetja kuptonte qartë dimensionin e këtij akti antikushtetues dhe antinjerëzor. Ajo ishte rritur në një familje me ndjenja të thella atdhedashurie dhe ishte formuar në frymën e një brezi që nuk e pranonte robërinë si fat. Shkolla për të nuk ishte vetëm vendi i dijes, por edhe i vetëdijes kombëtare. Ajo i lexonte me kujdes zhvillimet politike, dëgjonte zërin e popullit që shpërthente gjithandej në protesta dhe manifestime, dhe më së shumti, i kuptonte dhimbjet e vendit të saj si dhimbje të vetat.
Trimja shqiptare ishte vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeçe — një vajzë në fillim të jetës, me shpirtin plot ëndrra e zemrën të mbushur me dashuri për vendin e saj. Por ajo nuk e jetoi këtë moshë si shumica e bashkëmoshatarëve në botën e lirë. Më 1 shkurt të vitit 1990, në një akt të lirisë dhe guximit, ajo qëndroi përballë kolonës ushtarake serbe, duke protestuar paqësisht kundër regjimit okupues që kishte shtrënguar fytin e popullit të saj. Ishte pikërisht në këtë ditë të ftohtë shkurti që breshëria e plumbave, që erdhi si përgjigje ndaj kërkesave për drejtësi, i mori jetën kësaj vajze të re — kësaj bije të Kosovës, e cila nuk pati frikë ta ngrinte zërin.
Rënia e Ylfetes dhe heroizmi i Mentorit nuk janë vetëm pjesë e një tragjedie familjare. Ata janë simbol i një brezi të tërë të rinjsh që u rritën nën shtypje, por që nuk u përkulën. Janë pjesë e historisë së madhe të një populli që, përmes flijimit të bijve dhe bijave të tij më të mirë, shkroi rrugën e lirisë me gjak, me lot, por edhe me një krenari që nuk vdes kurrë.
Në atë kohë, Kosova kishte hyrë në një gjendje të përgjithshme mobilizimi shoqëror. Rrugët, sheshet, shkollat, fabrikat – të gjitha ishin bërë skenë e protestës. Dhe Ylfetja, me guximin që buronte nga ndërgjegjja e pastër dhe edukata familjare, ishte pjesë aktive e këtij zgjimi kolektiv. Për të, heshtja nuk ishte opsion. Ajo zgjodhi të flasë, të veprojë dhe të qëndrojë përkrah popullit të saj, duke u bërë një shembull frymëzimi për brezat që do të vinin.
Rrugëtimi arsimor i Ylfete Humollit nisi në fshatin e saj të lindjes, në Lupç të Poshtëm, ku ajo përfundoi shkollën fillore duke dëshmuar përkushtim, zgjuarsi dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie që në moshë të hershme. Brenda klasave modeste të shkollës fillore, ajo u dallua për etjen për dije dhe për ndjeshmërinë ndaj padrejtësive që e rrethonin shoqërinë e asaj kohe.
Pas përfundimit të arsimit fillor, ajo hapi një kapitull të ri në jetën e saj duke u zhvendosur në Prishtinë për të ndjekur shkollën e mesme. U regjistrua në Shkollën Ekonomike – një zgjedhje që dëshmonte jo vetëm interesin e saj për njohuritë praktike dhe të dobishme për jetën, por edhe përkushtimin për të ndërtuar një të ardhme nëpërmjet dijes, në një kohë kur rrethanat politike në Kosovë po errësonin çdo perspektivë për rininë shqiptare. Prishtina, si kryeqendër kulturore dhe arsimore, i ofroi Ylfetes më shumë se dije shkollore – ajo gjeti aty një terren të gjallë për vetëdijesimin e saj qytetar dhe kombëtar, i cili do ta shtynte drejt rrugës së guximit dhe sakrificës.
Ylfetja u vra më 1 hkurt 1990, në mënyrën më mizore, nga një regjim barbar që kurrë nuk njohu pendim, as nuk kërkoi falje. Ajo nuk u rrëmbye nga jeta si pasojë e ndonjë fatkeqësie të rastit, por u shënjestrua me vetëdije, sepse guxoi të ngrinte zërin për liri në kohën kur liria ndëshkohej me plumb. Vrasësit e saj nuk njohën dhe as sot nuk njohin dhimbjen njerëzore, sepse barbarët nuk e kuptojnë çfarë do të thotë të kesh atdhe, të duash lirinë, apo të çmosh jetën e një fëmije.
Ne si shoqëri nuk guxojmë të harrojmë. Harresa është krim i dytë. Është detyrë morale dhe historike që kujtimi për Ylfeten dhe për të gjithë të rënët të mos shuhet kurrë. Dhe më shumë se kaq, është detyrim i shtetit dhe i drejtësisë që autorët e këtyre krimeve të dalin para gjyqit.
Drejtësia nuk mund të mbetet peng i kohës, e as të fshihet pas harresës. Vrasësit duhet të identifikohen dhe të marrin dënimin e merituar – jo thjesht si akt ndëshkimi, por si dëshmi e së vërtetës dhe e dinjitetit të një populli që nuk pranon më të heshtë përballë krimeve që u ushtruan ndaj tij.
Ylfetja u përcoll për në banesën e fundit me nderimet më të larta, siç i takonte një jete të shkëlqyer, një rinie të flijuar dhe një ideali të pastër për liri. Ajo nuk u varros në heshtje, por në një varrim që u shndërrua në një manifestim gjithëpopullor, në një dëshmi të gjallë se populli shqiptar nuk harron dhe nuk dorëzohet.
Qindra mijëra njerëz nga të gjitha trevat shqiptare u bashkuan për ta nderuar Ylfeten — jo thjesht si një vajzë të re që u vra, por si simbol të një rinie që nuk e pranoi padrejtësinë. Në atë varrim, çdo lot ishte revoltë dhe çdo hap drejt varrit ishte betim. Me dy gishtërinj të ngritur lart, të pranishmit përcollën jo vetëm trupin e saj të pafajshëm, por edhe amanetin që ajo kishte lënë me jetën e saj: kërkesën për liri, për barazi dhe për një atdhe të lirë ku asnjë fëmijë të mos vritej për ëndrrën e vet. Në heshtjen e dhembjes së thellë, zëri i Ylfetes u bë thirrje për drejtësi dhe vazhdimësi e rezistencës.
Është e vërtetë se Ylfetja u nda nga kjo botë në mënyrën më të lartë që mund ta përfytyrojë një popull – si një shenjtore dhe një heroinë që u flijua për idealin më të lartë: lirinë. Ajo iku e re në moshë, por e pavdekshme në vepër, duke na lënë pas jo vetëm një boshllëk njerëzor, por edhe një trashëgimi krenarie, frymëzimi dhe dashurie të pakusht për tokën e të parëve dhe për lirinë e shumëpritur të atdheut.
Emri i saj tashmë është gdhendur përjetësisht në ndërgjegjen tonë kolektive, si simbol i qëndresës, guximit dhe flijimit. Dhe ashtu si Ylfetja, edhe shumë të tjerë ranë në altarin e lirisë për t’i dhënë jetë një ëndrre që u kushtoi gjithçka – jetën e tyre.
Lavdi e përjetshme Ylfete Humollit dhe të gjithë bijve e bijave të kombit që u sakrifikuan për liri, për dinjitet dhe për të ardhmen tonë të përbashkët! Kujtimi i tyre do të mbetet gjithmonë dritë udhërrëfyese për brezat që vijnë.











