Parathënie
“Kështu prej Jerusalemit e rreth e përqark deri në Ilirik e kam kryer plotësisht detyrën time të përhapjes së Lajmit të gëzueshëm mbi Krishtin”.
Shën Pali (Rom 15, 19)
Secili që e lexon me vëmendje studimin e don Gaspër Gjinit “Ipeshkvia Shkup – Prizren nëpër shekuj”[1] bindet se është një punë e mirëfilltë shkencore dhe e rëndësisë së shumëfishtë. Kjo përligjet jo vetëm nga mënyra e qasjes dhe e ndriçimit të dukurive, po dhe nga literatura e pasur e përdorur dhe nga burimet e shumta të hulumtuara nëpër arkiva të ndryshme në Itali, në qendrat e ish Jugosllavisë si dhe në arkivat e famullive të Kosovës dhe gjetiu.
Rrjedhën e gjallimit dhe të veprimtarisë së Ipeshkvisë Shkup – Prizren don Gaspër Gjini e studioi nga aspekte të ndryshme dhe në periudha të ndryshme dhe pa ngarkesë e pa anim, po në bazë të asaj që dëshmojnë të dhënat e shumta, duke lënë dhe mundësinë që autorët e mëpsatajmë t’i ndriçojnë dhe t’i thellojnë më tej njohuritë përmes dokumenteve që do të zbulohen për ta plotësuar studimin e tij të bërë më shumë përkushtim dhe dije.
Arsyet pse autori u mor në mënyrë të gjerë dhe kohësisht të gjatë – nëpër shekuj – me ekzistimin dhe veprimin e Ipeshkvisë Shkup – Prizren janë të shumta, po ndër më të rëndësishmet duhet përmendur nevojën e njohës së veprimtarisë së saj në rrjedhën e disa qindvjetshave, që në qenësi nënkupton njohjen dhe ndriçimin e dukurive më të qenësishme të jetës kulturore, shoqërore dhe politike në Evropën Juglindore, në veçanti në Siujdhesën Ballkanike, të flijimeve dhe të pësimeve të banorëve të saj nëpër periudhat përkatëse historike.
Studimi i ekzistimit të Ipeshkvisë Shkup – Prizren është bërë në rrafshin vertikal dhe në atë horizontal, duke filluar nga përhapja dhe gjallimi i krishterimit në Evropën e sotme Juglindore. Në të vërtetë, gjithçka zë fill dhe mbështetet në të dhënën e apostullit të Krishtit, Shën Pali[2], të thënë në Letrën drejtuar romakëve: “Kështu prej Jerusalemit e rreth e përqark deri në Ilirik e kam kryer plotësisht detyrën time të përhapjes së Lajmit të gëzueshëm mbi Krishtin”. Pra, studimi synon të ndriçojë, në bazë të dokumenteve e burimeve të ndryshme, vijimësisë e gjallimit të krishterimit, të pasurimit, të përhapjes e të tkurrjes së tij, duke filluar nga Dardania e dikurshme e deri në vitet e tetëdhjeta të shekullit XX. Don Gaspri ishte i vetëdijshëm se për të dëshmuar të vërtetën historike duhet bërë hulumtime të mirëfillta, duhej zbuluar, krahasuar dhe interpretuar dokumente, të dhëna dhe burime të ndryshme për t’i afruar sa më shumë asaj.
Përcaktimi i autorit që të merret me Ipeshkvinë Shkup – Prizren nëpër shekuj, një objekt studimi sa i gjerë aq dhe i ndërliqshëm, përligjet nga fakti se Shkupi dhe Prizreni, edhe si qendra qytetërimi, edhe si qendra fetare kulturore, kanë qenë të njohura qysh herët dhe kanë vazhduar, me lëkundje, nëpër shekuj, për të mbërritur edhe në ditët tona. Për këtë arsye kjo vepër është sa historia e Ipeshkvisë Shkup – Prizren nëpër shekuj, po aq dhe historia e Dardanisë, e Kosovës dhe e disa viseve të Evropës Juglindore. Në të dëshmohen dhe ndriçohen një varg përbërësish dhe faktesh për kushtet jetësore, përkatësisht për funksionimin e administratave të ndryshme; numrin e banorëve, toponimet, antroponimet dhe të dhëna të tjera.
Dokumentet që Don Gaspri i shfrytëzoi për hartimin e studimit, i analizoi në frymën e kohës, i krahasoi me burime të tjera po të asaj kohe ose të kohëve të më vonshme, duke iu kundërvënë të gjithë atyre autorëve që, siç thekson ai, kalojnë lehtë mbi shumë fakte; edhe sjellin përfundime sipas dëshirës së tyre, që fare pak ose aspak përputhen me të vërtetën faktografike. Qëndrimit të këtillë pjesërisht i ka dhënë jetë dhe e dhëna se deri atëherë nuk ishin njohur dhe zbuluar shumë përmendore që e kanë vërtetuar vazhdimësinë e jetës së popullsisë autoktone në këto vise, pra dhe të Ipeshkvisë Shkup – Prizren.
Nga çështjet më të rëndësishme që don Gaspër Gjini ia hyri hulumtimit të jetës së Ipeshkvisë Shkup – Prizren ka qenë pikërisht lashtësia e saj: Selia e parë ipeshkvore në Dardani, me sa dihet deri më tani, ka qenë në qytetin e Scupit. Për këtë qytet ka shkruar qysh Ptolomeu[3], pastaj Prokopi[4], ndërsa Hijerokli thekson se ishte metropol i Dardanisë[5]. Për ta përligjur këtë lashtësi autori jep të dhënën se titullari i parë i dioqezës së Scupit përmendet në vitin 325, kur në Koncilin e Nicesë i nënshkroi aktet si “Dacus Dardaniae”. Për praninë e jetës së krishterë në këto vise dëshmon dhe selia ipeshkvore e Ulpianës, që përmendet në shek. IV.
Nga një varg letrash, relacionesh, vendimesh të kuvendeve (koncileve), të dëshmive të barinjve shpirtërorë, të personave të tjerë, sidomos të letrave dhe qarkoreve të papëve, qartësohet se në Dardani, gjatë periudhave të ndryshme, ka pasur disa dioqeza. Edhe pse shumica e tyre janë zhdukur, disa prej tyre janë ruajtur deri më sot, së paku e kanë ruajtur emrin. Në bazë të dokumenteve brenda gjysmës së parë të shek. IV dhe mesit të shek. VI, në këtë hapësirë përmenden dioqezat: e Scupit, e Ulpianës, e Neutinës, e Diokletianës, e Marianës, e Justinianës së Parë, pastaj edhe e Zaparës dhe e Stobit.
Sipas autorëve të vjetër kishtarë, rrënjët e Dioqezë së Prizrenit arrijnë deri në shekujt e parë të krishterimit. Shkas për këtë mendim jep, siç shkruan don Gaspri, fragmenti jo mjaft i saktë në letrën qarkore, në të cilën flitet për një varg qendrash ipeshkvore, duke filluar prej Durrësit e deri në Epirin e Ri dhe Epirin e Vjetër, ku përmendet edhe »Paulus episcopus Prinatenus«. Ipeshkvia e Prizrenit përmendet edhe në bulën e Bazilit II (1020), e cila aso kohe ishte nën juridiksionin e argjipeshkvisë së Ohrit, ndërsa më 12 gusht 1402, papa Bonifaci IX, e emëroi ipeshkëv të Shkupit murgun cistercit Robert Towtin.
Duhet të përmendet dhe letra e papës Inoçentit IV, i cili më 12 prill të vitit 1253, u shkruante sufraganëve të kishës së Tivarit dhe me këtë rast u urdhëronte që ta pranojnë me nderim të detyrueshëm Gufridin nga rendi i vëllezërve të vegjël, të cilin ua kishte caktuar si argjipeshkëv Selia e Shenjtë. Sipas Farlatit pa mëdyshje midis tyre ka qenë edhe ipeshkvi i Prizrenit.
Në përgjithësi sot është pranuar mendimi se Kisha e Shën Pjetrit dhe Shën Palit në Ras (Petrova crkva) është ndërtuar para krishterimit të serbëve dhe se sipas disa të dhënave ndërtues të saj ishin romakët.
Krahas fakteve që jep për numrin e kishave, të kuvendeve e të vatrave të tjera të karakterit fetar, kulturor e arsimor pranë tyre (shkolla, shoqata dhe aktivitete kulturore), don Gaspri ndriçon dhe një varg dukurish që e kishin ngushtuar dhe rrudhur, për të mos thënë, e kishin gjunjëzuar, punën shpirtërore dhe jetën kishtare në trevat që ishin nën mbikëqyrjen e Ipeshkvisë së Shkupit dhe Ipeshkvisë së Prizrenit, pra vështirësitë dhe të këqijat që e tundonin dhe e rrënonin mbijetimin e banorëve.
Kështu, autori përmend romanizimin dhe thotë se ai është një proces që u zhvillua në mënyra të ndryshme: në vendbanimet urbane, ku fjalën e kishin romakët (latinët), ai u bë më shpejt dhe në mënyrë më radikale, por, në katundet e largëta dhe vendbanimet malore, pak ose aspak. Vetë kushtet natyrore dhe pozita gjeografike (malore), u kanë ndihmuar shumë banorëve që të ruhen nga ndikimi dhe rreziqet.
Autori i ndriçon dhe pasojat e depërtimit të sllavëve nën Danub dhe në trojet arbërore. Ai thotë se sipas të dhënave të Jireçekut dhe Radoniqit, depërtimi i serbëve në territoret e Kosovës së sotme dhe në jug të saj ndodhi afërsisht në fund të shekullit XI, duke u zgjeruar nga ngulitjet e tyre të para gjithnjë e më shumë.
Është e njohur se sllavët paganë për një kohë të gjatë i bënë ballë krishterimit në trojet e reja; ata i sollën me vete edhe hyjnitë, të cilat s’kanë mundur t’i lënë lehtë, prandaj procesi i kalimit në fenë e krishtere ndoshta zgjati më se dy shekuj. Si na njofton Konstantin Porfirogeniti, në fillim fenë krishtere te serbët e përhapën misionarët romakë.
Me depërtimin e serbët në viset e Arbërisë dhe të Kosovës së sotme, filluan pësimet dhe të këqijat, që nuk përfunduan as gjatë kohës së sundimit të Perandorisë Otomane, po as më vonë. Kjo dëshmohet dhe me atë që shkruan në Kodin e Dushanit, ku katolicizmi vlerësohet si “herezi latine”, ndërsa katolikët si “gjysmë besimtarë”.
Trazimet që sllavët u shkaktuan arbërorëve – shqiptarëve katolikë sa shkuan e morën përmasa shqetësuese në veprimet konkrete. Don Gaspri i përmend, fjala vjen, konfliktet e ashpra midis serbëve dhe katolikëve në Rashkë. Këto të dhëna përligjen dhe nga letra e papës Klementit V, i cili i drejtohet mbretit, Millutinit, duke kërkuar që t’i lirojë kishat latine, të cilat i kishte okupuar ai ose të tjerët. Gjendjen e këtillë të katolikëve në Rashkë e vërtetojnë dhe fjalët e autorit anonim, i cili i njihte mirëfilli kushtet dhe vendin: katolikët janë të ndjekur edhe në pjesën bregdetare, po u rrëzohen kishat dhe sulmohen prelatët. Ndërsa mbreti Stefan Uroshi II “i ndjek shumë katolikët dhe i urren” duke i përzënë nga vendi i tij. Kështu, në Rashkë e ndaloi ritin latin dhe katolikëve ua rrënoi kishat në mënyrë që t’u zhdukë gjurmët: “i dogji deri nën thua”.
Don Gaspër Gjini sjell të dhëna të shumta dhe për vuajtjet, dhunën dhe pësimet e arbërorëve – shqiptarëve nën sundimin otoman, për procesin e islamizimit të tyre, për vrasjet dhe për shpërnguljet; dëshmohet ajo gjendje që arqipeshkvi i Tivarit, Zmajeviq, i shkruante Papës, Klementit XI për gjendjen e rëndë të Kishës katolike në trojet arbërore:
“Ti më urdhnove, o Shêjti Atë Papë, me i vizitue e me i vû ré, si vizitor apostolik, kishat e Shqipnisë, dheut tim. Unë ju përmbajta urdhnit, iu solla dheut rreth e rreth e gjithë mbarë e kërkova dhe i pashë nevojat e Shqipnisë. Pashë vuejtje shum! Qytetin, që ma parë qe i pari i gjithë vilajeteve, vû nën haraç, Zojën e njerzve me futë në krye, kalanë e trimave të rrënueme, murin e mbrojtjen e forcës sonë qartë e prishë; pashë të pafetë hŷ në vend të shugurueme; kishat përlyer, lterët ndŷ sa mezi pashë nji vend, ku mundet me u mbledhë populli në tubim. Pashë pleqtë tue vajtue, meshtarët, shërbtorët e Zotit, tue qá e tue lotue; barijtë travajue, dhêtë shpërndá e tretë nëpër pyll; pashë murtajën që mbytte gjind e bante kërdí të madhe nëpër të gjitha vendet.
Keto vuejtje i pashë dhe gjimova: zemra, bashkue me mjerimet e popullit tim, donte me m’u ndá përgjysmë, nga i shifsha bijtë e mi në rrezik me bjerrë fenë [6]” dhe në Relacionin e gjendjes në Shqipëri dhe Serbi: “Në asnjë krahinë të Turqisë nuk janë të shtypur kaq shumë besimtarët dhe nuk janë kaq të egër turqit ndaj tyre sesa në Shqipëri, dhe ky trajtim çnjerëzor i të pafeve lind nga një egërsi e veçantë e tyre, nga urrejtja më e madhe e pamëshirshme që ata ushqejnë ndaj emrit të krishterë si gjinde kufitare e stërvitur në rast luftërash, në përleshje të përgjakshme, në rrënime reciproke me të krishterët fqinj dhe së fundi [lind ky trajtim] nga frika e vazhdueshme e shkaktuar prej trimërisë që besnikët e kombit [shqiptar] kanë treguar në shumë përballime me shumë dëm për vetë të pafetë”[7].
Për t’i islamizuar arbërorët – shqiptarët e krishterë u përdorën mënyra të ndryshme të shtypjes e të dhunës: vrasjet dhe shpërnguljet e detyrueshme etj. Megjithatë, shumica e autorëve të relacioneve dërguar Propagandës Fide, në Romë, po dhe dokumentet e tjera, vënë në dukje se shumica e të krishterëve katolikë e ndërruan fenë nga se nuk mund t’i përballonin taksat e larta e të shumta që kërkoheshin nga qeveritarët e ndryshëm lokalë. Ka pasur edhe të tillë që me kalimin në fenë islame kanë siguruar lirinë për të jetuar pa shqetësim ose të pasurohen.
Dukurinë e islamizimit e shkaktoi dhe mungesa e priftërinjve dhe mos përgatitja e tyre e nevojshme[8].
Shkaku tjetër i kalimit në islamizëm ka qenë edhe institucioni i defshirmës (tatimi në gjak), do të thotë mbledhja e fëmijëve të krishterë me qëllim të përgatitjes së tyre për pozita në oborr, në administratën ose në formacionet ushtarake. Kjo u zbatua në kohën e Muratit II do të thotë në fillim të shekullit XVI.
Për gjendjen tepër të rëndë dëshmon edhe raporti që nipi i Pjetër Mazrrekut dhe famullitar i Prizrenit, Gërgur Mazrreku, i dërgoi Kongregatës së Propagandës, për gjendjen e katolikëve në Gjakovë dhe në rrethinë. Derisa para 35 vitesh në qytet kishte 80 familje katolike, tani ka mbetur vetëm një, në katundin Fagan (Sogani?) ka 100 katolikë; në Letan kanë mbetur vetëm 250 gra; në katundin Segeç kanë mbetur vetëm 40 gra katolike. Situata është e ngjashme edhe në katundet Doranj dhe Lushtë. Përmendet edhe Nassari (Hasi?), në të cilin dikur ka jetuar një numër i madh i katolikëve, tani kanë mbetur vetëm edhe 300 gra dhe fare pak burra, sepse të tjerët e kanë pranuar islamizmin për të shpëtuar nga taksat dhe tatimet e mëdha.
Më 2 shkurt të vitit 1744, vetëm 4 muaj pas raportit të paraqitur të Mazrekut, papa Benedikti XIV e bën këtë të njohur në një letër të veçantë dhe të gjerë apostolike. Në hyrje të saj thuhet se nga burime të ndryshme kemi kuptuar se çka jeni duke vuajtur vite me radhë nën torturat e rënda turke. Tani na ka pikëlluar shumë me raportin e vet, bariu i posa emëruar i Shkupit, i cili para syve tonë në mënyrë edhe më të plotë na i ka paraqitur të gjitha këto mundime dhe vuajtje të shumëllojshme. Papa e përmend edhe atë se popujt e këtyre viseve gjenden në rreziqe dhe tortura të dyfishta, nga një anë shtypja e rëndë dhe ndjekjet e otomanëve, ndërsa nga ana tjetër urrejtja skizmatike, domethënë nga ortodoksët sllavë.
Në studimin e don Gaspër Gjinit jepen një varg të dhënash dhe për famullitë e Ipeshkvisë Shkup – Prizren, për numrin e kishave, për besimtarët, për ipeshkvijtë dhe argjipeshkvijtë, për arsimin dhe shkollat që vepronin brenda disa famullive dhe jep shënime për barinjtë – eprorët shpirtërorë që kanë qenë pjesë e Ipeshkvisë ose e kanë udhëhequr atë, deri më 31 tetor të vitit 1969, kur Selia e Shenjtë e emërton si ordinar të Shkupit, imzot Joakim Herbutin.
Studimi mbyllet me kronologjinë (kronotaksën) e ipeshkvijve të trojeve të Ipeshkvisë Shkup – Prizren duke filluar nga Dacus-i (rreth vitit 325) e deri në vitin 1969.
Në mënyrë të përmbledhtë mund të themi me bindje se studimi i don Gaspër Gjinit “Ipeshkvia Shkup – Prizren nëpër shekuj”, që po e boton Instituti për trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve në Shkup, qoftë për mënyrën, për gjerësinë dhe për thellësinë e shqyrtimit e të ndriçimit të dukurive, pra të përligjjes së burimeve dhe të dhënave të shumta, është një vepër e rëndësisë së shumëfishtë, që do t’u shërbejë jo vetëm atyre që merren me rrjedhat e gjallimit të krishterëve në Evropën Juglindore, sidomos të Siujdhesës Ballkanike, po dhe historianëve, sociologëve, antropologëve, njerëzve të kulturës, të gjithë atyre që merren dhe duan ta njohin mirëfilli të kaluarën tonë.
Shkup – Prishtinë, janar 2023
PROF. DR. SKËNDER ASANI
PROF. DR. ANTON NIKË BERISHA
[1] Botim i revistës “Drita e Ferizajt. Studimi i don Gaspër Gjinit është në të vërtetë teza e tij e doktoratës hartuar në latinisht dhe mbrojtur në Universitetin Papnor Urbaniana të Romës më 1968 me titullin “Mbi burimet historiko-juridike të Kishës së Shkupit”. Shih dhe botimin në kroatisht Gjini Gaspër, Skopsko-Prizrenska biskupija kroz stoljeća, KS – DRITA, 1986.
[2] Shih më gjerësisht për këtë studimin tim Shën Pali dhe Nëna Tereze. Qasje besimit – dashurisë për Hyjin e për njeriun. “Maluka”, Tiranë 2009. Botimi i dytë i plotësuar. “Sanctae Crucis”, Prishtinë 2009. Botimi i tretë “Faik Konica” 2010.
[3] Ptolomaeus III 9, 4, rec. Bekkerus I., Bonnae 1840, 436.
[4] Procop. Caesar., De Aedificiis IV 1, në: VIZINJ I, 54-55.
[5] Hierocles, Synecdemus: »Provincia Dardaniae sub preside, urbes 3: Scupom metropolis, Merion, Ulpiana«, rec. Bekkerus I., Bonnae 1848, 393; njësoj edhe te PG 113, 141.
[6] Kuvendi i Arbënit 1703. Përktheu nga latinishtja don Engjëll Radoja. Përshtati në gjuhën e sotme Anton Nikë Berisha. Shpresa, Prishtinë 2003, f. 12, 27. Është e njohur se Kuvendi i Arbënit u mbajt më 14, 15 dhe 16 janar të vitit 1703 në Mërqi të Dioqezës së Lezhës. Shih P. Vinçenc Malaj, Kuvendi i Arbënit 1703. Përshtatjen në gegnisht dhe parathânjen Prof. Dr. Anton Nikë Berisha. Përktheu nga italishtja Prof. Tonin Zadeja. Misioni françeskan, Tuz 2017 dhe veprën time Shpalime rrënjësh. Vëzhgime etnologjike dhe kulturore. Faik Konica, Prishtinë 2021, f. 39 – 66; Zef Pergega, Drita e françeskanve në Malsinë e Madhe. Vështrim fetar, letrar – artistik dhe sociologjik – psikologjik. Parathânjen Prof. Dr. Anton Nikë Berisha, Misioni françeskan, Tuz 2015.
[7] Peter Bartl & Injac Zamputti, Vincenzo Zmajevich Relacion i gjendjes se Shqipërisë e Serbisë. Relazione dello stato d’Albania e Serbia ( 1702– 1703), Faik Konica, Albanisches Institut. Prishtinë – St. Gallen 2022, f. 25.
[8] Këtë e dëshmon dhe shkrimtari Pjetër Budi në veprat e tij. Shih më gjerësisht studimin e tim Pjetër Budi poet dhe prozator. Studim. Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2015, sidomos f. 135 dhe 214. Shih dhe botimin e dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2015.