Naxhije Doçi – Prof. – Prishtinë, (30.07.2022)
JE SI NJË MUZË E GJALLË
Prishtinë tempull magjik i bekuar
vrullesh të harlisura shëmbëllimi
në përqafim të diellit
je si një muzë e gjallë
me frymim të lashtë paraantikë
që nga perënditë.
Në thellësinë e paprekur të qenësisë
që në agminë e çmendur
kënga jote me sy deti
dendësive përrallore të Gërmisë
ku shtojzovallet pagane
ende thurin romanca dashurie
për trëndafilat e tu të kuq,
lulegjaket e përjetësisë.
Zog i magjepsur pas kaltërsive
në grishje pranverash melodike
me jehun e derdhur triumfues
mos ma ngatërro testamentin e krenarisë
qasjen ndaj kohëve epike
me retorikën e vetmuar!
Le të përkunden legjendat e etnisë
në djepin purpur të idhujve
me ndjeshmërinë e natyrshme!
Në hartën e shpalosur të atdheut
jetëshkrimi yt në pirgje të pamposhtura
gdhendur në melodi vargu
për të sotmen rrezesh të dehura praruar
me kornizë thelbësore të jetës,
në përmasa jehu kurorëzuar.
Perlë e flakërimit të pamposhtur
me liri e njëmendësi ardhmërie
sa shumë ta kanë lakmi
për rininë përherë në përtëritje
gufuar nga dashuria.
– Poezi nga libri “UDHA E KOMBIT-Ëndërr e dehur e rrënjës” – Naxhije Doçi – Prishtinë – 2015
PRISHTINË FRON I BEKUAR
Prishtinë fron i bekuar
hirësish sublime në shtresime
në mijëvjeçarin e tretë rrëzëllues
ritmikë e ndezur me buzëqeshje agu
me hove guximi flakëruar,
në hartën më të re përthekuar.
Qytet i shpresës dhe i qëndresës
nëpër gjurmë urtie përtërirë
metaforë e frymëzimit të dëlirë,
në ty përjetova për shumë mote
dhe stinë për stinë
rininë me vizione të dehura drite
në flakje të errësirës.
Ëndërrat shkreptinin krejt të harlisura
për një melodi të derdhur vargu
me pylsim zemre qëndisur
jehut gjer tek retë.
Mosha e pjekurisë ritmikë e pandalur,
ujëvarë shkumbëzimesh të krisura
për beteja të reja sfidimi
në përmasa përkushtimi.
– Poezi nga libri “JEH MOTESH” – Naxhije Doçi-Prishtinë – 2019
PËR PRISHTINËN VARG ZEMRE
HARKUT YLBEROR
Për Prishtinën e jehut krahështrirë
frymëzimi im në gufim zemre
për thurje vargu harkut ylberor
fjalët lirikë e thinjur me rrëzëllimë agu
flakërimit melodik të pashuar
në tela lyre komponuar.
Kurrë nuk është mjaftë të shkruhet për Prishtinën
qytetin rrënjor të gjallërimit tonë të hershëm,
historinë në krah baladash përthekuar
dhe për zemërbardhësinë etikë e praruar.
Në Prishtinë përfundova universitetin
dhe avancimin në hulumtime e krijime,
ndërtova edhe kulmin e magjisë së uruar
si fat i shkruar
edhe trashëgiminë e bekuar.
Edukova me përkushtim zemre prore
gjenerata të tëra shkollore,
haperova edhe me aktivitete zgjimi
për rrëzëllimë të pashuar dielli,
përmallim i etur moteve në panumërim
që ardhmëria të shndrisë e buzëqeshur
në dheun tim sublim,
në Kosovën rrënjësh të lashta në deshifrim.
Edhe me shkrime jehu e me vargëzime
Ishte përkushtimi.
– Poezi nga libri “SI HARK YLBERI” – Naxhije Doçi-Prishtinë – 2021