Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
LETRAT E HAPURA SI LLOJE INFORMACIONI NË ILEGALEN SHQIPTARE
Letra e hapur si mjet komunikimi dhe ndërgjegjësimi kombëtar në kohë përpjekjesh
Në periudhën e tensioneve të mëdha dhe përballjes së popullit shqiptar të Kosovës me aparatin shtypës të shtetit jugosllav, një nga format më të rëndësishme të komunikimit dhe sensibilizimit ndërkombëtar ishin letrat e hapura. Ato nuk ishin thjesht shkrime të zakonshme, por dokumente të fuqishme politike e morale, që synonin të informonin opinionin ndërkombëtar, të ndërgjegjësonin diasporën dhe të forconin frymën e rezistencës kolektive. Në këtë funksion, letërshkrimi publik nuk mbeti vetëm një akt i veçantë i denoncimit, por u kthye në një instrument të domosdoshëm të luftës për të vërtetën. Një shembull i qartë i kësaj ishte letra e hapur që Kadri Zeka botoi në numrin 4–5 të gazetës Liria në vitin 1981, një organ i rëndësishëm i ilegalitetit shqiptar që vepronte në mërgatën shqiptare në Perëndim.
Kjo letër u drejtohej pikërisht mërgimtarëve shqiptarë, të cilët kishin ruajtur lidhjen shpirtërore dhe atdhetare me Kosovën dhe trojet tjera shqiptare nën Jugosllavi. Në përmbajtjen e saj, ajo mbante një thirrje të qartë për angazhim moral dhe politik, duke i ftuar ata të mos mbeteshin indiferentë përballë dhunës që ushtrohej ndaj popullit të tyre. Kjo nuk ishte një kërkesë e zakonshme për solidaritet, por një apel për bashkim të ndërgjegjes shqiptare kudo që ndodhej, për të mbrojtur me çdo mjet të mundshëm identitetin kombëtar, të drejtat e mohuara dhe jetën e bashkëkombësve.
Në një kohë kur Jugosllavia përpiqej ta mbulonte të vërtetën me propagandë dhe censurë, letra të tilla të hapura përbënin dritare të rralla të komunikimit të drejtpërdrejtë me botën, dhe dëshmonin se zëri i Kosovës nuk do të fikej në errësirën e shtypjes. Përmes tyre, u rrëzua fasada e gënjeshtrës zyrtare dhe u shpërfaq e vërteta e një populli që po kërkonte vetëm atë që i takonte me të drejtë: lirinë, barazinë dhe dinjitetin e mohuar historikisht.
Emigrimi i detyruar dhe politika e zhvendosjes si mjet i sllavizimit të trojeve shqiptare
Një nga mjetet më të përhershme që ka përdorur aparati shtetëror jugosllav, veçanërisht ai i frymëzuar nga politika titiste, për të dobësuar pozitën demografike dhe kulturore të shqiptarëve në trojet e tyre autoktone, ka qenë politika sistematike e shpërnguljes. Kjo strategji, e projektuar që në periudhën e mbretërisë jugosllave dhe më pas e përsosur nga regjimi i Titos, nuk ishte gjë tjetër veçse një përpjekje e mirëorganizuar për të zbrazur hapësirat shqiptare dhe për t’ia hapur rrugën sllavizimit të tyre.
Në këtë kontekst, marrëveshjet dypalëshe midis Jugosllavisë dhe Turqisë nuk ishin thjesht marrëveshje migrimi – ato ishin instrumente të pastër të zhvendosjes me dhunë, të dëbimit masiv të shqiptarëve drejt hapësirave të largëta, veçanërisht në rajonet e Anadollit. Me pretekstin e bashkëpunimit shtetëror, dhe shpesh me metoda brutale e çnjerëzore, qindra mijë shqiptarë u larguan nga vendlindja e tyre, jo për të kërkuar një jetë më të mirë, por sepse atdheu iu bë i pabanueshëm për shkak të presionit shtetëror dhe diskriminimit të gjithanshëm.
Kur kjo strategji e zhvendosjes fizike në mënyrë të drejtpërdrejtë hasi në vështirësi për shkak të kundërshtimeve ndërkombëtare dhe të qëndresës popullore, regjimi jugosllav adoptoi një metodë tjetër, më të sofistikuar dhe më pak të dukshme, por gjithsesi po aq shkatërruese: emigrimin ekonomik të detyruar. Skamja, papunësia e përhapur, mungesa e perspektivës dhe diskriminimi institucional krijuan një mjedis shtypës, i cili e bëri për shumë shqiptarë mërgimin të vetmen alternativë për mbijetesë. Ky emigrim masiv nuk ishte një zgjedhje e lirë, por një pasojë e drejtpërdrejtë e kushteve të rënda sociale dhe ekonomike të krijuara nga vetë politika diskriminuese.
Ai u bë një realitet i hidhur për mijëra familje shqiptare, të cilat për të mbijetuar, u detyruan të ndahen, të lënë pas vatrat shekullore dhe të shpërndahen në katër anët e botës. Në këtë mënyrë, mërgimi shqiptar nuk ishte vetëm një lëvizje njerëzore në kërkim të punës, por edhe një plagë e rëndë kombëtare, një proces i qëllimshëm për të dobësuar strukturën kombëtare, për të shuar lidhjet me atdheun dhe për të minuar kauzën kombëtare nga vetë trupi i saj shoqëror.
Dhe, në atë situatë, thuajse nuk kishte familje shqiptare që të mos ketë përjetuar plagën e mërgimit. Kjo e vërtetë nuk ishte vetëm statistikë, por dëshmi e gjallë e një politike që kërkonte zbehjen e identitetit kombëtar përmes largimit fizik dhe shpirtëror nga atdheu. Dhe pikërisht për këtë arsye, mërgata jonë nuk duhej të ishte e heshtur, por një zë i fuqishëm në mbrojtje të së drejtës për të jetuar në vendin e vet me dinjitet e pa frikë.
Kurbeti i imponuar
Në narrativën politike të regjimit jugosllav, dhe veçanërisht të rrymave revizioniste që përfaqësonin interesat e borgjezisë shtetërore dhe shovinizmit serbomadh, emigrimi i shqiptarëve ishte përpjekur të paraqitet si një akt i lirisë individuale dhe një mundësi zhvillimi personal. Në realitet, ai përfaqësont një nga format më të rafinuara të spastrimit të heshtur etnik dhe të nënshtrimit shoqëror, ekonomik dhe kombëtar të shqiptarëve në Jugosllavi.
Revizionistët dhe bashkëpunëtorët e tyre nuk kanë ndjerë asnjë ndjesi turpi për tregtinë e poshtër me fatet njerëzore që është bërë përmes politikave të mërgimit të detyruar. Përkundrazi, ata janë përpjekur ta paraqesin këtë realitet të dhimbshëm si një sukses personal dhe shtetëror, si dëshmi të një demokracie të supozuar që mbretëronte në Jugosllavi. Me një arrogancë cinike, ata përpiqen ta shesin plagën si shërim, mërgimin si zgjedhje të lirë, shpërnguljen si përparim dhe vuajtjen si përmbushje të aspiratave njerëzore.
Mirëpo, populli e njehte mirë të vërtetën. Ai e dallonte “dhallin nga gjalpi”, dhe e dinte se mërgimi nuk është as zgjedhje, as privilegj, por një plagë e thellë dhe e hapur që rrjedh ende gjak në trupin kombëtar shqiptar. Kurbeti ishte simboli më i dhimbshëm i mospasjes së alternativës, i jetës në kufijtë e ekzistencës, i zgjedhjes midis urisë në vendlindje dhe izolimit në mërgim. Ata që janë detyruar të lënë atdheun, e përjetonin kurbetin jo si një rrugëtim drejt suksesit, por si një përvojë të trishtë, ku mallkimi i ndarjes nga familja dhe nga trualli i të parëve ndjekte çdo hap.
Ata jetonin në baraka të ngushta, të papërshtatshme edhe për bagëti, e ktheheshin nga puna të lodhur, vetëm për t’u përballur me vetminë, me mungesën e njerëzve të dashur, me ftohtësinë e një shoqërie që s’i pranon dot si të barabartë. Edhe përqafimi me një fotografi në vend të fëmijëve, edhe buzëqeshja e mallëngjyer në një kartolinë, nuk mund ta mbushte zbrazëtinë shpirtërore që sjellte mërgimi.
E veçanërisht therëse ishte ndjenja kur ktheheshin në vendlindje dhe fëmija i tij, që e kishte lënë foshnjë, nuk e njihte më. E quante “dajë”, sepse e shihte për herë të parë. Kjo nuk ishte vetëm tragjedi njerëzore, por ishte edhe një akt i qëllimshëm politik: që shqiptarët të ndahen nga rrënjët e tyre, që të përçahen në ndjenjat më të shenjta, në familje e në identitet. Kurbeti nuk ishte dhe nuk mund të jetë liri.
Ai ishte një formë tjetër e robërisë, e detyruar nga një regjim që nuk i siguroi popullit të vet as të drejtat themelore të jetës. Në vend që të garantonte punë, arsim dhe dinjitet, regjimi i Titos i vuri shqiptarët përballë një zgjedhjeje tragjike: të vdesin nga uria në atdhe, ose të mplaken në mërgim – të rraskapitur në punë të rënda, të larguar nga fëmijët e tyre, të huaj në truallin e huaj dhe të harruar nga institucionet e vetat.
Në këtë dritë, qëndresa ndaj kësaj politike nuk ishte vetëm një nevojë sociale, por një detyrim kombëtar. Shqiptarët, brenda dhe jashtë atdheut, nuk mund të lejonin që një realitet i tillë të shndërrohet në normë. Dhe historia ka treguar se edhe në mërgim, fjala, protesta dhe përkushtimi atdhetar ishin kthyer në urë bashkimi dhe në burim të pashtershëm të rezistencës.
Kurbeti si plagë kolektive
Në peizazhin emocional dhe shoqëror të Kosovës, kurbeti nuk ishte thjesht një udhëtim drejt së panjohurës për të siguruar një kafshatë bukë – ai ishte drama e përditshme e një populli që përjetonte ndarjen si plagë të pashërueshme. Çdo ditë, djemtë dhe burrat e Kosovës niseshin nga vatrat e tyre me valixhe në dorë dhe zemrën e rënduar nga ankthi dhe trishtimi. Ndahej një pjesë e shpirtit nga e tëra, sepse ajo që lënë pas nuk ishte vetëm shtëpia, por e tërë historia e tyre personale dhe kolektive: prindërit që zgjateshin me sy të njomë për t’i parë për herë të fundit, gratë që ngeleshin në pritje si në një heshtje zie të përhershme, dhe fëmijët që rriteshin pa përqafimin e përditshëm të atit, edhe pse ai jetonte.
Në këto ndarje që përsëriteshin pa ndalur, nuk përcillej vetëm malli, por një ndjenjë rrënuese e zbrazëtisë. Ato përshëndetje të përmallshme që ndodhin në derë të shtëpisë nuk ishin thjesht gjeste zakonore – ato ishin rrëfime të heshtura të një dhimbjeje që nuk kërkonte fjalë. Sepse kush largohet nga vendi i tij nuk përshëndetet vetëm me njerëzit e dashur, por edhe me çdo gjethe, çdo rrëke uji, çdo mal që ka mbajtur mbi supe kujtimet e jetës. Largohet nga varret e të parëve, nga djersa që i lag tokën, nga era që i kujton fëmijërinë. Largohet, jo për të udhëtuar – por për të ikur, pa e ditur nëse kthimi do të jetë ndonjëherë i mundur.
Rruga që ata marrin është e gjatë dhe e errët, një rrugë që shpeshherë më shumë ngjan me një kalvar shpirtëror sesa me një rrugëtim të zakonshëm. Disa janë kthyer me thinja e me plagë që nuk shërohen kurrë, por shumë të tjerë nuk janë kthyer asnjëherë. Ata janë shpërndarë në të katër anët e botës, të harruar nga sistemet që i shtynë të largohen, por të përjetësuar në kujtesën e atyre që i prisnin. Dhe kështu, ndarja që për secilin do të duhej të ishte ngjarje tragjike e rrallë, për popullin tonë ishte bërë ritual i përditshëm, pjesë e natyrshme e ekzistencës sonë kolektive.
Në një vend ku kurbeti nuk ishte zgjedhje, por imponim, ndarja nuk ishte veç moment – ishte gjendje. Nuk ishte akt i izoluar – ishte proces i vazhdueshëm. Dhe teksa çdo ditë mijëra sy përcjellin të dashurit e tyre drejt kufijve të panjohur, ky realitet bëhej dhembje gjithëpopullore – një plagë që shtrihet mbi të gjithë si një re e rëndë që nuk e lëshon kurrë qiellin e Kosovës. Dhe kjo plagë, për aq sa ishte individuale dhe intime, ishte gjithashtu historike dhe kombëtare, sepse prekte çdo shtresë, çdo familje, çdo kujtim. Kurbeti ishte, ndoshta, drama më e heshtur, por më universale e shqiptarit të Kosovës.
Në sistemin kapitalist, përjetimi i padrejtësive shoqërore dhe ekonomik ishte një përditshmëri për çdo punëtor. Mirëpo, brenda këtij universi të pabarazisë, ekzistonte një kategori e veçantë që mbarte mbi vete barrën më të rëndë të shfrytëzimit: punëtorët emigrantë, e veçanërisht ata shqiptarë. Të vendosur në punët më të rënda dhe më të rrezikshme, ata përballen me një realitet të egër pune që nuk ofron as siguri, as mbrojtje sociale. Rroga e tyre ishte më shumë simbolike sesa funksionale, ndërsa respekti dhe dinjiteti mungojnte thuajse krejtësisht në marrëdhëniet që krijohen mes tyre dhe sistemit që i ka pranuar vetëm si fuqi punëtore, por jo si njerëz me dinjitet dhe të drejta të plota.
Në përpjekje për të siguruar një jetesë sado të thjeshtë për familjet e tyre, këta punëtorë përballen me sakrifica të pafundme. Ushqehen me bukë të thatë për të kursyer çdo qindarkë, e cila gjithsesi rrallohet nga përfitimi, pasi pjesa më e madhe e parave rrëmbehet nga vetë shteti prej nga kanë ardhur – përmes mekanizmave të bankave që funksionojnë si gracka të sofistikuara financiare. Përfaqësues të tyre, të dërguar nga regjimi titist, shfaqen nëpër qendra të mërgatës me premtime boshe, duke synuar vetëm të mbushin arkën e një shteti në krizë, që ndodhet buzë falimentimit, por që fsheh varfërinë e tij pas një fasade zhvillimi të sajuar.
Mashtrimi bëhet më i rafinuar përmes diskursit të “bashkëpunimit”, “solidaritetit” dhe “kontributit vullnetar”, ku emigrantëve u kërkohet të ndihmojnë për ndërtimin e rrugëve, shkollave apo spitaleve në vendlindje. Në realitet, këto janë vetëm fjalë të zbukuruara për të justifikuar zhvatjen e një klase punëtore që nuk ka asnjë fuqi për t’i kundërshtuar. Në këto mjedise të përçudnuara, shfaqen edhe zëra të tjerë – llafazanë, burokratë dhe emisarë politikë – që i shesin punëtorëve iluzionin e një “parajse” titiste, të një zhvillimi të gënjeshtërt të Kosovës, e të një “vëllazërim-bashkimi” që ekziston vetëm në letër e propagandë.
Kështu, punëtori shqiptar në mërgim përballet me një shfrytëzim të dyfishtë: nga njëra anë, ai është i nëpërkëmbur nga sistemi kapitalist ku jeton dhe punon; nga ana tjetër, është viktimë e regjimit autoritar të atdheut të vet, që kërkon prej tij jo vetëm djersën e trupit, por edhe heshtjen e shpirtit. Në këtë marrëdhënie të padrejtë, ai mbetet një figurë tragjike e kohës moderne, që punon për të tjerët, sakrifikon për familjen dhe ngel në harresë nga të gjithë. Por vetë ekzistenca e këtij punëtori është dëshmi e qëndresës dhe burrërisë që sfidon padrejtësinë me punë të ndershme dhe me mall për tokën e vet.
Në përpjekjen e tyre të vazhdueshme për ta mbajtur nën kontroll çdo shfaqje të vetëdijes kombëtare dhe politike të punëtorëve shqiptarë në mërgim, autoritetet titiste nuk ngurrojnë të përdorin mekanizma represivë të mirëorganizuar dhe psikologjikisht të kalkuluar. Përveç represionit të hapur dhe masave të dhunshme në vendlindje, ata synojnë gjithashtu të manipulojnë e shpërbëjnë vetëdijen dhe solidaritetin e emigrantëve, përmes një spektri të gjerë formash kontrolli dhe nënshtrimi.
Një prej praktikave më të përdorura është organizimi i të ashtuquajturave “pritje zyrtare” për punëtorët që kthehen në atdhe për pushime. Por këto takime nuk janë gjë tjetër veçse skena të tensionuara të mbikëqyrjes dhe presionit psikologjik, ku pjesëmarrësit gjenden përballë kërcënimeve direkte nga strukturat e UDB-së. Në vend që këto pritje të shërbejnë për të shprehur interes për jetën e mundimshme të mërgimtarëve dhe për sfidat që ata përballojnë në vendet e huaja, ato shndërrohen në tribunale frikësimi.
Aty u thuhet të mos shoqërohen me bashkëpunëtorët e huaj, të shmangin sindikatat dhe format e organizimit demokratik, të mos lexojnë shtypin shqiptar në mërgatë, e sidomos të mos ndjekin radion socialiste nga Tirana. Shantazhet e tilla shpesh kulmojnë me paralajmërime brutale: konfiskim të pasaportave apo arrestime nëse zbulohet se kanë “shkelur” këto udhëzime të pashkruara, por të përçarta. Qasja e tillë tregon se, për regjimin titist, mërgimtari shqiptar nuk është një individ që meriton përkrahje e respekt, por një subjekt për t’u mbikëqyrur, frikësuar dhe kontrolluar në çdo aspekt të jetës.
Për të përforcuar këtë kontroll dhe për të minuar ndjenjën kombëtare të shqiptarëve në diasporë, regjimi ka ngritur në vendet perëndimore një sërë “klubesh të punëtorëve” – institucione të maskuara që më shumë se për t’u shërbyer punëtorëve, synojnë t’i shthurin ata. Në këto ambiente, në vend të pasqyrimit të realitetit kulturor shqiptar, shfaqen filma pornografikë, sjellë nga vetë Jugosllavia, organizohen koncerte dekadente me këngëtarë të importuar dhe shpërndahen gazeta e revista me përmbajtje të degjeneruar e apolitike.
Këto klube nuk janë vende relaksi e solidariteti, por laboratorë të shpëlarjes ideologjike dhe rrënimit moral, të ndërtuar me qëllim që punëtori shqiptar të humbasë lidhjet me identitetin e vet kulturor, të harrojë prejardhjen dhe të shpërbëhet si individ që mendon, ndien dhe vepron në emër të një ideali. Prandaj, këto përpjekje nuk janë thjesht sjellje represive të një aparati të kalbur shtetëror, por dëshmi e një strategjie të qëllimshme për të shuar zërin e mërgatës dhe për ta shndërruar atë në një trup pa vetëdije – që punon, shërben, por nuk mendon e nuk reziston.
Në një kontekst të tillë, reagimi i organizuar i mërgatës shqiptare është jo vetëm i domosdoshëm, por edhe urgjent. Qëndresa ndaj këtyre përpjekjeve të deformimit të identitetit dhe vlerave është detyrë kombëtare dhe një akt i domosdoshëm vetëmbrojtjeje. Në mesin e formave më tinëzare të represionit ndaj mërgatës shqiptare në Perëndim, qëndron edhe filozofia shterpë e “lirive të rreme”, e ushqyer qëllimisht nga regjimi titist. Duke shtirur një tolerancë hipokrite dhe të rreme ndaj sjelljeve degjeneruese, aparati shtetëror jugosllav përpiqet ta kanalizojë liridaljen e shqiptarëve në mërgim në rrugë të vetëshkatërrimit moral, ndërkohë që vendos ndalim absolut mbi çdo përpjekje për vetëdijesim politik apo organizim qytetar.
Me anë të “këshillave” dhe veprimeve të ligështa që u adresohen emigrantëve, ky regjim në thelb u thotë punëtorëve: “Mund të bëni ç’të doni, mjafton të mos mendoni.” Ata lejohen të bien pre e vesit, të dehen, të shkapërderdhen, të shkojnë në rrugë pa krye, të konfliktohen mes vete, madje edhe të kryejnë vepra penale—me kusht që të qëndrojnë larg vetëdijes politike. Burgu, nëse ndodh të bien brenda, mund t’i shpëtojnë me një ryshfet të majmë. Kjo liri e gënjeshtërt është një grackë, sepse e vetmja gjë që nuk u falet, është mendimi kritik: të shohin të vërtetën, të reagojnë ndaj padrejtësisë, të organizohen e të flasin për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre.
Për vendimmarrësit jugosllavë, të tillë si Miniç, Kolishevski apo Deva, punëtori shqiptar është një trup që duhet të punojë dhe një zë që nuk duhet të flasë. Ai duhet të jetojë nën iluzionin e një lirie të rreme, duke u marrë me gjithçka, përveçse me politikën e jetës së vet. Kësaj strategjie i shërben me përkushtim edhe një rrjet i gjerë spiunazhi e shantazhi të organizuar jashtë kufijve të Jugosllavisë. Agjentura e UDB-së është e kudondodhur në vendet ku ndodhen shqiptarët e mërguar. E maskuar shpeshherë nën petkun e diplomacisë apo të përfaqësimeve zyrtare, kjo agjenturë operon me dy qëllime: të gënjejë dhe të përçajë. Punëtorët ndahen në “të bindur” dhe “të dyshuar”; në “të përdorshëm” dhe “të rrezikshëm”. Disa i joshin me premtime të rreme, disa i zhyten në kurthe komprometimi, ndërsa të tjerët i frikësojnë me masa ndëshkimi.
Prandaj, përballë kësaj makinerie që nuk njeh kufij në ushtrimin e dhunës psikologjike dhe përçarjes ideologjike, mbrojtja më e sigurt për punëtorët shqiptarë është vetëdija. Vetëm përmes qëndresës morale dhe organizimit të ndërgjegjshëm, ata mund t’i mbijetojnë këtyre përpjekjeve për t’i shndërruar në trupa të heshtur dhe të përulur. Qëndrimi ndaj këtyre taktikave nuk mund të jetë i heshtur – ai duhet të jetë i fuqishëm, i qartë dhe i guximshëm. Vetëm kështu punëtori shqiptar në mërgim mund të qëndrojë jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht në këmbë.
( vijon )