IDRIZ ZEQIRAJ
Në Kosovë ka ndodhur krimi i kontrabanduar nga Lufta e Dytë Botërore (LDB) në Shqipëri, metodat dhe praktikat fashizoide të Enver Hoxhës dhe bandës së tij, nën moton: “Pushteti merret me grykën e pushkës, vdekje nacionalistëve shqiptarë”! Prandaj, arrestimet duhet të fillonin në Shqipëri, sepse atje i instruktuan bandat ekzekutive nga sigurimsat enveristë, kryesisht, LPK-ja, hafije të SHIK-ut shqiptar, rrjedhimisht, disa syresh edhe të UDB-së serbe. Në Shqipëri nismuan edhe ekzekutimet e para, pothuaj se, zyrtare, të oficerëve të FARK-ut, përfshirë edhe Ministrin e Mbrojtës, Kolonel Ahmet Krasniqin!
Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, qysh në nismë të punës të saj, ka deklaruar se akuzat janë personale, por lidhshmëria e krimeve zinxhir i bashkon në grup. Dhe, ky grup kriminal, mirë i strukturuar, me emrin adekuat – Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale -, ka realizuar, ngeshëm e shpengueshëm, shumë qindra vrasje dhe mijëra krime të tjera.
Populli i Kosovës, luftëtarët e armatosur, kanë bërë një luftë të guximshme, deri në vetëmohim. Lufta nuk ka prodhuar as legjenda e legjendarë, as epopera, sepse emërtesa të tilla i përkasin Mesjetës dhe antikitetit, kur betejat bëheshin me thika e hanxharë dhe përgjakja ishte masive, nga palët ndërluftuese. Dhe, kjo nuk ka ndodhur në Luftën e Kosovës.
Ka ndodhur një betejë e shpejtë dhe e rreptë ballore, e njohur si Beteja e Loxhës dhe Lufta ballore e Kosharës, të dyja fitimtare, të komanduara nga ushtarakët profesionistë të Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës (FARK), të themeluara nga Dr. Ibrahim Rugova, me protagonistë-komandantët Kolonel Tahir Zemaj dhe Kolonel Ahmet Krasniqi, të dy të ekzekutuar, zyrtarisht, nga Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale (NPK).
Akuza që i bëhet Hashim Thaçit se krijoi Gjykatën Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, është e padrejtë. Dhe, këtë e ka sqaruar saktësisht dhe qartazi Thaçi: “E krijova Gjykatën Speciale se po vriteshin dëshmitarët e mundshëm të Hagës, e sidomos në Dukagjin”!
SHBA, shtetet e Quintit, bota demokratike, nuk mund të heshtnin para krimeve serike të bandave të organizuara dhe të mbrojtura nga pushtetarët. Paraprakisht, Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale (NPK), shkatërroi Sistemin e Drejtësisë, të cilin vazhdon ta mbajë të kapur PAN-i, si vijimësi e NPK.
Vazhdon një tendencë sa e rrezikshme, aq edhe kriminale, deri në tradhti kombëtare. Ata që thirrën më se shumti në UÇK-në, pra, PAN-i, duan, madje me çdo kusht, ta njollosin atë, duke konvertuar Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale (NPK), në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), edhe pse 3 (tre) prej të akuzuarëve nuk kanë qenë pjesë e luftës, madje, “isha larg frontit të luftës”, siç e pranon sinqerisht të vërtetën Hashim Thaçi.
Që nga fillimi i organizimit të protestave, të turpshme e kriminale, ku akuzohen çlirimtaret faktik të Kosovës, SHBA, Evropa dhe ndërkombëtarët tjerë, të cilët janë krijues, organizues dhe financues të kësaj Gjykate. Por, edhe arrestues dhe gjykues të eksponentëve të NPK, sepse kjo bandë shtetërore dhe pushtetare kishte uzurpuar dhe rrënuar Sistemin e Drejtësisë dhe zotëronte kompetenca tej mbretërore, pa i dhënë llogari askujt!
Organizatorët faktik të protestave kundër shteteve çlirimtare të Kosovës, janë subjektet politike PDK-AAK-NISMA, të koalicionuara në PAN-in kriminal. Kjo bandë politike, edhe pse vetë deklarohen të djathtë, ata janë ultra të majtë, për më tepër, stalinistë të mykur, të prirur për krime, krejt njësoj sikur byroistët kriminelë të Enver Hoxhës dikur. Sepse kurrë nuk u penduan dhe as nuk kërkuan ndjesë për përgjakjen e shqiptarëve. Prandaj, për ta shpëtuar vetën dhe partitë e tyre, përkatësisht, krerët dhe eksponentët kriminelë, manipulojnë me turmat, çirrën e zhurmojnë shesheve e bulevardeve vendore dhe botërore.
Shumë eksponentë të PAN-it, përfshi edhe disa organizata e shoqata, si OVL e UÇK-së dhe të tjera, vegla dhe argate partiake, në një mënyrë apo tjetër, i kanë shërbyer Ndërmarrjes të Përbashkët Kriminale, ngulmojnë në konvertimin e NPK në UÇK. I fshehur, falsifikueshëm, pas UÇK-së, PAN-i pesëfishoi numrin e veteranëve të rrejshëm, duke zhvatur, vjedhur dhe abuzuar milionat nga buxheti shtetëror, edhe ashtu i brishtë. Veteranët e rremë shërbejnë si klientelë elektorale të subjekteve politike, të koaliciouara në PAN-in kriminal.
Pas propozimit të masës së dënimit nga Prokuroria Speciale, për katërshen e akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, janë shtuar zërat kundër Gjykatës Speciale dhe të themelueseve të saj, Amerikës, Evropës dhe botës tjetër demokratike. Këtij turpi dhe krimi, akuzë apriori, pa ditur ose pa dashur të mësojnë të vërtetën faktike, i janë bashkuar bandës masive të NPK.
Realisht, Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, është imponuar nga pamundësia e Kosovës, për ta bërë drejtësinë, për qytetarët e vetë. Megjithatë, kohë-zgjatja e hetimit ndër vite, ishte bajate, e panevojshme, sepse krimet serike politike në Kosovë kanë qenë gjysmë-legale, me fakte të bollshme.
Gjykata Speciale ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë e kushtueshme. Deri në qershorin e kaluar, për 7 (shtatë) vitet e fundit, nga buxheti i Kosovës janë paguar 276 milionë euro. Një duzinë avokatesh matrapazë, kanë zhvatur, kot se koti, paranë e popullit të Kosovës. Cili shtet i botës do ta bënte këtë marrëzi e krim monstrum të tillë?! Absolutisht, asnjë.
Pelegrinazhi i vizitave në burgun e Hagës, përjashto familjarët e të akuzuarve, të tjerët janë horra e zuzarë, shumica e tyre meritojnë zinxhirosje, për krimet e tyre, si pjesë e bandës masive, NPK, e shndërruan këtë Gjykatë prestigjioze, në një maskaradë. Disa dhjetrave prej këtyre të dyshuarëve, të intervistuar nga kjo Gjykatë, u thoshte: “Fol lirshëm, se nuk do të arrestojmë”, duke qenë e bindur se ishin për hekura, sepse ishin pjesë aktive e NPK.
Vitin e kaluar u bë një gjyq në Amerikë. 5 (pesë) të rinj kishin vrarë një shokun e tyre. Të pestit u dënuan me burg të përjetshëm, për vetëm një vrasje. Dhe, 3 (tre) shokët e tyre pse e dinin, por nuk e kishin denoncuar krimin, u dënuan me nga 15 vjet burg secili. Kjo është drejtësi e vërtetë, që shtetet ligjore demokratike bëjnë për qytetarët e vetë. Ndërsa për të huajt bëjnë drejtësi me honorarë!
Deklarimet paushalle të krerëve shtetërorë, pushtetarë, partiakë qendrorë dhe lokalë, pacipërisht, rehabilitojnë krimin dhe kriminelët, duke rivrarë viktimat e NPK dhe duke fyer, në mënyrën më të poshtër, mijëra familje të viktimave dhe shumë qindra-mijëra familje tjera, të cilat i lidhin gjaku, farefisnia, miqësia dhe dashamirësia njerëzore. E turpshme për zyrtarët, madje të çfarëdo niveli, të cilët bëhen kaq të pamëshirshëm për mijëra fëmijë bonjakë, nuset e veshura në të zeza, prindërit dhe familjen tjetër, me vajin e dhimbjen e përjetshme, të viktimave të ekzekutuara nga NPK!
Por, mbi të gjitha, aprovimi i zyrtarëve shtetërorë dhe pushtetarë, qendrorë dhe lokalë, ta konvertojnë NPK në UÇK, që është një qasje tërësisht tradhtare, një njollosje dhe përdhosje e qëllimshme të luftës të popullit të Kosovës.
Nga përcjellja e mediave dhe të gazetarëve, që trajtuan kërkesën e Prokurorisë të Dhomave të Specializuara, për masën e dënimit të katërshes të akuzuar, për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, ia huqen të gjithë, amnistuan krimin dhe kriminelët, pa kërkuar fare falje për krimet, tashmë, të bëra.
Përjashtim bëri gazeta kombëtare “Bota Sot” dhe gazetarët e saj besnikë, të cilët mbajtën qëndrim parimor dhe nuk mohuan asgjë, nga ajo e vërtetë e shprehur ndër vite, për Shtabin e Rognerit, i cili hartonte lista vrastare dhe Komunikata ogurzeza, paralajmëruese të plumbosjes të kundërshtarëve politikë, gjithherë, në emër të UÇK-së!











