5.5 C
Tirana
E enjte, 26 Shkurt 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Struktura tripjesëshe e librit “Tragjiku i idealizmit shqiptar” si metodologji analitike në...

Struktura tripjesëshe e librit “Tragjiku i idealizmit shqiptar” si metodologji analitike në veprën e Prend Buzhalës

0
Lekë Mrijaj

(Recension i imi i lexuar në takimin e sotëm përkujtimor me rastin e 80-vjetorit të martirizimit të Anton Harapi dhe promovimit të librit “Tragjiku i idealizmit shqiptar”i autorit PrendBuzhala)

Shkruan: Lekë Mrijaj

Në historinë e kulturës shqiptare ekzistojnë disa figura poliedrike që, edhe përtej kohës në të cilën kanë jetuar, vazhdojnë të ngjallin debat, reflektim dhe kërkim të thellë interpretues. Pra, janë figura që nuk mund të mbyllen në një paragraf historie apo në një gjykim të përshpejtuar ideologjik, por kërkojnë një qasje të matur, të argumentuar dhe të përgjegjshme shkencërisht.

Pikërisht në këtë horizont vendoset vepra studimore e Prend Buzhalës, “Tragjiku i idealizmit shqiptar – Fjala e shkruar e Anton Harapit (Vëllimi I)”, një ndër veprat më të kompletuara dhe më të strukturuara të analitikës bashkëkohore shqiptare mbi figurën e At Anton Harapit.

Ky libër, të cilin po e promovojmë sot në këtë ambient të bukur kulturor e shpirtëror, nuk është thjeshtë një studim biografik, as një përpjekje për rehabilitim emocional dhe as një polemikë ideologjike, por është një analizë sistemore, e mbështetur në tekst, në dokument dhe në interpretim historik, që synon të ndriçojë jo vetëm figurën e Harapit, por edhe dramën e idealizmit shqiptar në shekullin XX.

Në pjesën e parë të librit, Buzhala vendos themelin teorik të analizës: tragjikja si kategori e mendimit dhe e historisë. Kjo nuk trajtohet si një fund i dhimbshëm sentimental, por si një përplasje e thellë midis idealit dhe realitetit historik.
Sipas kësaj qasjeje, tragjikja lind kur individi, i formuar mbi vlera të larta morale e shpirtërore, përballet me rrethana që e sfidojnë, e kufizojnë dhe shpesh e thyejnë idealin e tij. Në këtë kuptim, at Anton Harapi paraqitet si figurë paradigmatike e këtij tensioni.

Buzhala e analizon personalitetin e At Harapit në mënyrë shumëdimensionale:
● Si meshtar me formim të thellë teologjik dhe etik;
● Si shkrimtar me ndjeshmëri estetike dhe simbolike;
● Si pedagog me projekt formues për shoqërinë;
● Si figurë publike e përfshirë në një epokë dramatike historike.

Pra, vet autori shmang çdo reduktim ideologjik. Ai nuk e vendos At Harapin as në piedestal mitizues, as në bankën e akuzës, por e lexon si njeri të kohës së vet – me ideale të qarta, me përgjegjësi të rënda dhe
me një fat tragjik.

Ndërsa në pjesën e dytë, Buzhala paraqet zemrën letrare të studimit. Në analizën e romaneve “Andrra e Prêtashit dhe Valë mbi valë”, ai ndërton konceptin e “poetikës së kontemplacionit apo vështrimit të thellë shpirtëror ”.
Ai argumenton se proza e At Harapit është thellësisht meditative. Rrëfimi nuk shërben vetëm për të treguar një histori, por për të hapur një horizont reflektimi mbi ndërgjegjen, moralin dhe qenien shqiptare.

Në këtë kuadër:
• Simbolika shndërrohet në kod etik;
• Struktura narrative merr funksion filozofik;
• Personazhet paraqesin dilema ekzistenciale dhe morale;
• Tensioni ndërmjet idealit dhe realitetit përshkon gjithë tekstin.

“Valë mbi valë” lexohet si metaforë e trazimit të brendshëm shpirtëror – valët si lëvizje e ndërgjegjes dhe e historisë – ndërsa “Andrra e Prêtashit” vendoset në traditën e prozës së mendimit, ku ëndrra bëhet hapësirë simbolike e kërkimit të kuptimit.
Në këtë pikë, studimi Buzhala e kapërcen analizën formale dhe hyn në fushën e estetikës së ideve, duke dëshmuar se për Harapin arti ishte mjet i shërbesës morale.

Në pjesën e tretë, autori e zgjeron horizontin interpretues drejt mendimit sintetik të at Harapit. Veprat si Vlerë shpirtërore, Mirërritëja a se edukimi i fëmijëve, si dhe ligjëratat publike, trajtohen si dokumente të një projekti etik kombëtar.

Në “Vlerë shpirtërore”, Harapi përpiqet të ndërtojë një sistem vlerash mbi baza universale, ku feja, morali dhe identiteti kombëtar nuk paraqiten si elemente të ndara, por si pjesë e një vizioni të përbashkët për formimin e njeriut.

Në ligjëratën Çashtja e elementavet fetarë në Shqipni, ai trajton me maturi raportin mes fesë dhe shtetit, ndërsa në fjalimin Dy lotë e nji betim arrin kulmin e retorikës së tij, ku patosi kombëtar ndërthuret me ndjenjën e përgjegjësisë morale.

Buzhala argumenton se retorika e at Harapit nuk ishte propagandë, por përpjekje për të artikuluar një kod moral të qenies shqiptare – një kod që kërkonte ndërgjegje, jo nënshtrim.

Struktura tripjesëshe e këtij libri – nga tragjikja e idealizmit, te poetika e kontemplacionit, e deri te mendimi pedagogjik e politik – krijon një progres logjik dhe koherent.
Autori ndërthur:
● Analizën tekstuale dhe stilistike;
● Kontekstualizimin historik;
● Reflektimin filozofik;
● Dokumentimin kronologjik.

Kjo metodologji e maturuar e bën librin një model të studimit kritik mbi figura historike të ndërlikuara. “Tragjiku i idealizmit shqiptar” përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në:
● Historinë e kritikës letrare shqiptare;
● Historinë e ideve dhe të mendimit etik;
● Rivlerësimin e figurave të kontestuara pa paragjykim ideologjik.

Libri në fjalë i autorit Buzhala, e zhvendos debatin nga polemika drejt analizës, nga emocioni drejt argumentit, nga etiketa drejt kuptimit.

Nga një këndvështrim personal, mund të thuhet se kjo vepër e Prend Buzhalës nuk është vetëm një studim mbi At Anton Harapin, por një reflektim i thellë mbi fatin e idealizmit në historinë shqiptare – mbi dramën e intelektualit që përpiqet të mbetet besnik ndaj ndërgjegjes në kohë përmbysjesh.

Ajo na kujton se tragjikja nuk është thjesht një fund i dhimbshëm, por një kategori e vetëdijes sonë historike dhe morale, e cila kërkon gjithmonë interpretim të thelluar dhe dialog të hapur. Ndaj edhe në fund të këtij vështrimi e përgëzoj autorin e libri shkrimtarin Buzhala. Urime prof. Buzhala. Faleminderit për vëmendjen të nderuar të pranishëm!

Klinë, më 26 shkurt 2026.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.