Skënderbeu në filatelinë shqiptare ndërmjet artit, propagandës dhe kujtesës kombëtare

0
Skënderbeu - pullë - 1913

Emetimi i parë për Skënderbeun, 1 dhjetor 1913

Besnik Fishta Besnik Fishta

Figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut është një nga më të pranishmet dhe më të dendurat në filatelinë shqiptare, sidomos në dekadat e para pas shpalljes së pavarësisë. Ky fenomen nuk ishte i rastësishëm. Një shtet i ri dhe ende i brishtë kishte nevojë të dëshmonte se nuk ishte një krijesë artificiale e shekullit XX, por pasardhës i një tradite të lashtë historike, ndër më të vjetrat në Ballkan. Përmes pullës postare, që shërbente jo vetëm si dokument postar, por edhe si “kartëvizitë” diplomatike, Shqipëria e paraqiti Skënderbeun si dëshmi të lavdisë së saj, duke afirmuar trashëgiminë historike në sytë e brendshëm dhe të jashtëm. Megjithatë, mënyra e trajtimit të figurës së heroit ka ndryshuar sipas periudhave historike.

Gjatë monarkisë së Zogut (1928–1939), bie në sy mungesa e imazhit të plotë të Skënderbeut në pulla. Me gjasë, kjo ishte një zgjedhje e qëllimshme për të mos eklipsuar figurën e Mbretit Zog, i cili kërkonte të projektohej si simbol i vetëm i shtetit dhe kombit. Kështu, heroi kombëtar përfaqësohej vetëm në mënyrë të tërthortë përmes përkrenares apo statujës së kalit duke u ruajtur një lidhje simbolike me të kaluarën, pa u vendosur në rivalitet ikonografik me monarkun. Gjatë periudhës së pushtimit nazi-fashist është e kuptueshme që nuk mund të emetoheshin pulla me tematikë kombëtare, përfshirë edhe ato që lidhen me heroin tonë kombëtar, Skënderbeun. Kjo ndodhi sepse sistemi postar dhe politika e emisioneve ishin të kontrolluara drejtpërdrejt nga pushtuesit. Në vend të figurave kombëtare, pullat e kohës mbartnin simbolet e shtetit italian dhe më pas të atij gjerman, duke u përdorur si instrument propagandistik për të legjitimuar praninë e tyre në Shqipëri.

Përdorimi i Skënderbeut ose i figurave të tjera të historisë shqiptare do të kishte nxitur ndjenja të forta patriotike dhe do të rrezikonte të kthehej në një thirrje për rezistencë. Në periudhën socialiste (1945–1990), paraqitja e Skënderbeut u ndikua drejtpërdrejt nga prioritetet ideologjike të regjimit. Në fillim, ai u përdor për të krijuar paralele mes rezistencës së shekullit XV dhe luftës antifashiste, por më vonë u zhduk për periudha të gjata nga pullat, sepse hapësira u mbush me liderë idologjike botërorë. Megjithatë, duhet theksuar se pavarësisht këtyre kufizimeve ideologjike, kjo periudhë solli disa nga arritjet më të larta artistike të filatelisë shqiptare. Emisionet e viteve 1967 dhe 1968 spikasin për cilësinë e jashtëzakonshme të vizatimit dhe për individualitetin e imazhit te heroit tone, ku dallohen emra si Shadan Toptani, dizenjatori më prodhimtar i pullave shqiptare. Këto krijime, përtej ideologjisë, përbëjnë një trashëgimi artistike me vlera të qëndrueshme.

Pas viteve 1990, filatelia shqiptare rifitoi lirinë tematike dhe kishte mundësinë të sillte një qasje më të gjerë e pluraliste ndaj figurës së Skënderbeut. Megjithatë, kjo mundësi nuk u shfrytëzua gjithmonë siç duhet. Pulla e vitit 1997, ndonëse me qëllim të shpallur për një imazh “modern”, nuk arriti të përmbushte pritshmëritë, duke humbur në vlera artistike dhe kompozicion. Në të kundërt, emisioni i vitit 2018 doli me mbresëlënës si për nga përmasat, ashtu edhe për mënyrën e realizimit, duke dëshmuar se Skënderbeu vazhdon të mbetet një figurë frymëzuese për krijimtarinë filatelike.


Zarf i qarkulluar, 1914


Emetimi “Skënderbeu dhe shqiponja” i paqarkulluar, 1922


Pulle me elemente nga figura Skenderbeut, 1938


Emetimi: “483 vjetori vdekjes Skenderbeut”, 1951


Emetimi: “Në prag te 500 vjetorit te vdekjes Skenderbeut”, 1967


Emetimi: “500 vjetori vdekjes Skenderbeut”, 1968


Tematika: “Armet e ushtrise se Skenderbeut”, 1977


Pulla kushtuar “Vitit kombetar per Skenderbeun”, 2018


Emetimi: “Skenderbeu ne gravurat europiane”, 2018

Figura e Skënderbeut në filatelinë shqiptare eshte pjesë e një praktike të gjerë ndërkombëtare ne fushen e filatelise, ku shtetet kanë përdorur pullat postare për të afirmuar heronjtë e tyre kombëtarë dhe për të treguar sejcili prej tyre identitetin kombëtar.

Disa nga shembujt te prezantimeve te tilla ne shtete te huaja sjellim me poshte :
– Franca : Jeanne d’Arc (Zhan d’Ark): që nga vitet 1929 e 1945, është përdorur si simbol i rezistencës dhe besimit kombëtar.

– Italia: Giuseppe Garibaldi: i pranishëm që nga 1910, si figurë qendrore e bashkimit kombëtar.

– Polonia: Józef Piłsudski: i vendosur menjëherë pas pavarësisë në 1918, si simbol i rilindjes së shtetit.
– Greqia: Theodoros Kolokotronis: i paraqitur në 1971, si strateg i revolucionit të 1821.

– SHBA: George Washington dhe Abraham Lincoln: të pranishëm që nga emisionet më të hershme, si figura themeluese dhe bashkuese.

– Gjermania – Otto von Bismarck: i përkujtuar si unifikues i shtetit pas Luftës së Dytë Botërore.

Në dallim nga këto raste, ku përdorimi i heronjve kombëtarë është shpesh i kufizuar në përvjetorë të veçantë, filatelia shqiptare ka krijuar një narrativë të vazhdueshme dhe të larmishme rreth Skënderbeut. Me mbi 150 pamje të ndryshme në periudhën 1913–2025, ai është jo vetëm figurë përkujtimore, por një ikonë e përhershme e pullës shqiptare. Kjo e veçon filatelinë tonë nga shumë vende të tjera: Shqipëria ka arritur të ndërthurë historinë, artin përmes figurës së një heroi që përbën simbolin më të fuqishëm të identitetit dhe unitetit kombëtar. Në këtë aspekt, filatelia shqiptare ka meritën të kthehet jo vetëm në një pasqyrë të politikave të kohës, por edhe në një mjet të vazhdueshëm për kultivimin e kujtesës historike dhe të krenarisë kombëtare.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.