Sinani pa mson për prralla

0
Sinan Kastrati - muza

Pjesë nga libri në dorëshkrim për Turjakën e Zatriqit. Axha Ban*) a kânë vllai i vogël i babës Imer. Ai ishte çabani e bujki ma i mirë në Turjakë.

 

Shka pa keshi, a mas pa shkoj mas grave t’huja?  

Njiherë kur argatët mihnin kallamoqin, dikush flet dishka e të tjerët fillojnë me kesh ndërsa axha Ban nuk i kish ngu shka kanë fol por vetëm kur i nin që pa keshin, menon se pa keshin me axhën Ban.

– Shka pa keshi, a mas pa shkoj mas grave t`huja? Ai mendon se njerëzit keshin vetën nëse shkon shkon, gjuan gra të huja.

Baba Imer, si në në mahi i thotë axhës Ban:
– Jo, jo Shaban, Allahile shko mas grave t’huja n’guxofsh!

 

Me dasht i qoj lopt n’Biligrad   

Baba i gjyshit, i Imer Seferit, Sefer Avdullahi ish kânë i papuntor por patriot (atdhetar). Ai gjithë kohës ankohej e thonte:

-Kuku për neve, na mur shkau*). Kohën më të madhe ai rrinte te dajtë e vetë në Bellenicë e 2 gratë e ti*), (nana Ruki e nana Hanife, punonin …)  i krynin të gjitha punët e burrave, me t`korra e me t`fshime.

Axha Ban, si ma i vogli qi ishte, shkonte me lop, çaban. Kur e nin babën Sefer tuj folë për shkaun, thotë:

– Vallahi, unë s`tutna hiç pi shkaut, bile me dasht i qoj lopt tej n`Biligrad. Baba Sefer ia kthen:

– Jo bre birë, s`ki nevojë me shku me lopë n`Biligrad, Biligradi vjen k`tu e i merr lopt.

 

Sinani pa mson për prralla

Zeqa vëllai im, shpesh te gardhi i aborrit shtyhej*) me fjalë me hallen Selvë *) nënen e Jakupit, gruen e bacës Bali.

Ajo i thonte Zeqës:

– Sinani pa mson për prralla që në popull sa herë të thuhet “prrallë”, “u bâne perrallë” dmth “u bâne hor”,”u bâne gaz”, është nënçmim, sepse unë studjoja letërsinë, dilja në teren e shkoja te plakat e pleqt me fletore e laps e mbidhja këngë, të lindjes, të fejesës, martesës, këngë kanagjeqi po edhe përraalla nëpër katund dhe ajo kishte të drejtë por e përdorte si alibi kundër Zeqës se studimet e mia nuk vlejnë agjë. Zeqa i thonte hallës Selvë:

“Jakupi pa mson për zhaba, për zhapij, gjarpij e për plluma”, sepse ai studjonte biologjinë dhe mblidhte, kudo që i zinte gjarpinjët i fuste në shishe e i lente në dhomën ku flente.

Jakup Bali Kastrati, është djalë axhe. Moshatar i imi. Ishte kryetar i LDK-së dhe kryetar komune në Malishevë në zgjedhjet e para e të lira, pas vitit 1999.

 

Mustafë Balia i Turjakës:

– Mas kaj, unë ti fali 3 vllazën!

Mstafë Balia, a kân djali ma i madh i bacës Bali, axhës tim. Nuk besoj se ka pas trim më të madh se Mstafë Balia. E ka pas një të metë të madhe, pinte shumë birra e raki e ndodhte që nën ndikimin e alkoolit i rrihte njerëzit (”e pafajshëm”?) apo i ranonte me fjalë, nëse dikush guxonte e ia kthente fjalën.

Kur ka punua në Zvicërr, Mstafa, pinte raki me shokët që banonte e punonte. Njëherë tuj pi raki me një boshnjak, boshnjaku kante*). Si rakia ma, dikush kur pin kan e dikush kesh e knon.

Mstafa i bërtet bashnjakit:
– Shka ki qi pa kan?
– Pa kaj se nuk kam asnji vlla?’
– Asnji vlla?
– Jo.
– Unë po t’i fali 3 vllazën, Jakupin, Idrizin e Hazirin, e mas t’ni ma tuj kajt!

 

Idrizin e mora veq me ma çel rrejen

Ish pas shku niherë Mstafa n`dimen me Idrizin n`Damanek te Halil e Sadri Hiseni *). Kur afrohen, te dyert e aborrit, dalin dajt e pi presin, qysh âsht adet te na. Kur e shohim Mstafën eme Idrizin, dajtë i thonë:

Mstafë, a me Idrizin je ardh a?

– Vallahi Idrizin e kam marrë vetëm me ma çel rrejen*), me e largue borën nga rruga se nuk e kisha marrë.

 

Qitnum edhe mu mi nanen e juj!    

Shaban Ramadani*), a kânë plak i meçum e i hollë nga menja, kapil*). Disa kusherinj të Shabanit qi punonin në punë t`shtetit, ni mramje masdarke tuj nejt livdoheshin se pa marrin rrogë t`mira e shtesa për fmij. Për me i marr shtesat e fëmijëve në ish RSFJ-në duhej mos me pas pasuni tjetër, mbi vete përveç rrogës. Dhe ata qi kishin naj arë, mal, livadh duhej me ia qit me tapi dikujt tjetër. Dhe ata, në muhabet e sipër pa bâjnë llaf para Shaban Ramadanit se si e kanë qit livadhin e Madh, Arën te Molla a malin, mi nanën.

Shaban Ramadani nuk durohet e iu thot:

– Qitnum edhe mu mi nanen!

 

Fjalorth me shënime plotësuese

*) Agja Ban, Shaban Seferi, ka lindur më 1912 e ka vdekur më 1982 në Turjakë. A kânë vëllai i vogël I babës Imer. Puntor i madh, bujk e bari që asnjëherë nuk ka pasur shtëpia e jonë si ai. A a kânë pakëz babxhan, i pa sherr por I vendosur. Baba Imer thonte “Shabani kurrë s`ma ka këthye fjalën.

*) Dishka, diçka

*) Ngu, dëgjua (i ka ni)

*) i nin, i dëgjon

*) pa keshin, me qesh, pa qesh

*) a mas pa shkoj mas grave t`huaa?

*) Kuku për neve, na mur shkau, mjertë na, na muar serbi.

*) 2 gratë, Baba Sefer i ka pasur dy gra, nânen Hanife, bijë e Dragabili, qika e Asllan Fejzullahit dhe dhe nânen Ruki, bijë e Ratkofcit por që nuk kishte pas fëmi ndërsa me nânen Hanife, 3 djem e 1 qikë.

*) me dasht i qoj lopt tej n`Biligrad, axha Ban, mendonte se ashtu qysh e njeh bjeshkën e Turjakës, si çaban e nuk frikësohet, me lopë shkon deri në Biligrad (Beograd, kryeqyteti i Serbisë)

*) shtyheshin, ziheshin, e akuzonin njëri tjetrin

*) halla Selvë, është grueja e bacës Bali, axhës tim, qika e Xhemë Sadrisë nga Panorci.

Jakupi është djali i dytë, moshatar imi., profesor biologjie. Ishte drejtor shkollash dhe kryetari parë i Komunës së Malishevës, pas vitit 1999.

*) Sinani pa mson për prralla, nga shkaku që studjoja letërsinë dhe mblidhja thesarin popullor.

*) Jakupi pa mson për zhaba, për zhapij, gjarpij, për shtazë e për shpezë.

*) Mstafa, Mustafa, ishte djali më i madh i bacës Bali dhe hallës Selve. I dyti, është Jakupi… Idrizi

*) i ranonte, i ofendonte me fjalë

*) kante, qante

*) Halil e Sadri Hiseni, janë vëllezërit e gjyshës, nanës Didë (Gjezide) nga Damaeku, katund në veri të Turjakës, 2, 3 km. larg.

*) Mstafë, a me Idrizin je ardh a? Mustafa ishte autoritavi dhe i zgjidhte njerëzit.

*) Idrizin e kam marrë vetëm me ma çel rrejen, që dtth. ai për tjetër nuk më duhët, nuk e kisha marrë.

*) Shaban Ramadani, plak vejan i fizit zogaj nga Turjaka. Ka pas 1 djalë, Demirin e 7 vëllezër të tjerë: Brahimin, Bajramin, Muharremin, Hasanin, Nezirin, Salihin, Sylën

*) kapil, kopil, këtu ka kuptimin:  i zgjuar e dinak, njeri finok, shejtan

*) –Qitnum edhe mu mi nanën, shprehje e rrallë provokative për ata që nuk kishin grue e cila mund të prodhonte sherr.

Sinan Kastrati, Suedi
Malmö, 10 janar 2024
sinankastrati09@hotmail.com

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.