Lis Bukuroca, 09.06.2022
Meqenëse iu pamundësua ardhja në Beograd, Lavrovi nuk u shpreh si diplomat, por si njeri i zhgënjyer: i degraduar, i ofenduar dhe i nëpërkëmbur, megjithatë, qëllimi i tij është pikërisht e kundërta e asaj që deklaroi botërisht, sepse sociometri i tij, në mënyrë të qartë sinjalizonte mungesën ekstreme të respektit, që ai po ndiente, prandaj ai e pohoi këtë:
“Sigurisht nuk donin që ne t’i ofrojmë ndihmë Beogradit dhe nismës së tij “Ballkani i Hapur”, i cili do të duhej të përmirësonte marrëdhëniet në rajon.“
Lavrovi që po bombardon ‚vëllezërit‘ e vet në Ukrainë nëpër shtëpitë e tyre, po brengoset për paqen dhe për përmirësimin e raporteve në mes fqinjëve hiq më pak se në Ballkan!!! Merreni me mend ju këtë!
As vetë Lavrvoi nuk i beson atij eskalimi për manipulim. Pse? Sepse Rusisë do t’i konvenonte një përleshje në Ballkan. Sepse kështu do të hakmerrej ndaj Perëndimit. Sepse kështu lufta do të zhvendosej drejtë BE-së. Sepse do të lihej anash Ukraina përkohësisht. Sepse do të frikësonte Perëndimin. Sepse kështu do të faktorizohej dhe do të lazdrohej si superfuqi, e cila ka mundësi të nisë dhe të ndalë lufta sipas nevojës jashtë kufirit të vet.
Nuk ishte vetëm ky qëllimi. Synimi ishte edhe t’i dërgohet një mesazh Vuçiqit dhe kryesisht shqiptarëve, duke shpresuar se e braktisim „Ballkanin e Hapur“ dhe rritet armiqësia. Pse? Sepse tensionimi i gjendjes në Ballkan i duhet Rusisë pikërisht tani. Duke përmendur autorin e idesë për Ballkanin, Lavrovi shpresonte se me këtë e shkatërron atë ide përfundimisht. Ajo çfarë thoshte është njëra anë e medaljes, ajo çfarë synonte ishte ana tjetër. Nuk është me rëndësi e kujt është ideja, me rëndësi është a ndërtohet paqja!
Mirëpo Lavrovi nuk ka as legjitimitetet, as ndërgjegje njerëzor të brengoset për marrëdhëniet në Ballkan, gjersa bombardon qytetarët ukrainas nëpër shtëpitë e tyre.
Duket se Vuçiqit nuk i pëlqeu „degradimi“ ashtu publik i Ramës. Para pak ditëve ai e falënderoi kryeministrin shqiptar për mbështetjen dhe qëndresën. Po si iu përgjigj Vuçiqi Lavrovit? Apo a ishte ajo përgjigje distancimi i parë nga Rusia?
“Ballkani duhet t’i përkasë popujve ballkanikë, fuqitë e mëdha nuk kanë dashur kurrë ta lejojnë këtë. Interesi i popujve të Ballkanit duhet të jetë i yni, jo i fuqive të mëdha. Ne duhet të udhëhiqemi prej tij. Nuk më ha palla për interesat e huaja.“
“Ballkani duhet t’i përkasë popujve ballkanikë…“ Kjo fjali ishte përgjigje Lavrovit sepse ai dëshironte të vijë për të „ndihmuar”, siç po ndihmon ukrainasit! Se NATO dhe SHBA nuk largohen nga Ballkani, e di shumë mirë Vuçiqi, edhe Putini, por me atë mendim, ai iu drejtua ministrit rus, Rusisë, se ne ballkanasit duam të merremi me vetveten dhe se ata nuk duhet më të përzihen aty. Me „fuqitë e mëdha“ mendonte Rusinë, jo Europën ku dëshiron të integrohet Serbia.
Ai akuzoi edhe fuqitë e mëdha, edhe pse ato fuqi e patën krijuar një sllavi, që i përshtatej vetëm Serbisë dhe mu ajo ishte arsyeja pse të tjerët e braktisën, sapo iu ofrua mundësia e parë. Fragmentimi i gjeografisë shqiptare është vepër penale dhe pasojë koloniale e shtetit serb. Edhe sot Lugina trajtohen si koloni ku mbi 100.000 shqiptarë nuk kanë spital dhe ato komuna, janë poshtëruar në bashkësi lokale.
Pra me mendimin se: “Nuk më ha palla për interesat e huaja“ Vuçiqi iu drejtua Rusisë dhe ktheu vështrimin drejt BE-së. Po kontrata për gazin? Tani për tani ajo do të mbetet, sepse me atë Rusia shpreson ta përdorë Serbinë si kamikaze. Serbia deshi apo nuk deshi, do të largohet. Në pyetje është vetëm dita, përndryshe përfundon si Korea Veriore.
Meqenëse nuk ia doli të kontrollojë emocionet e veta, Lavrovi edhe gënjeu, mu siç e bënte dje edhe Millosheviqi. „Brukseli ka premtuar solemnisht se do të mbështesë një status special si për veriun e Kosovës ashtu edhe për Donbasin, i cili do t’i lejojë serbët në Kosovë dhe Metohi të flasin serbisht dhe rusët në Donbas të flasin rusisht…“
Me rusishten ata përligjën sulmin ndaj vëllezërve të vet dhe dëbimin nga shtëpitë e më shumë se 7 milionëve qytetarëve. Madje, gënjen dhe flet jerm thua se serbet nuk paskan të drejtë të flasin serbisht, thua se serbishtja nuk është gjuhë zyrtare dhe thua se nuk jetojnë në një shtet ku nuk paguajnë as tatime, as rrymë elektrike…
Dhe, për ta trishtuar Vuçiqin nga Perëndimi, Lavrov shtom: „Tani është e qartë se NATO dhe Brukseli duan ta kthejnë Ballkanin në projektin e tyre “Ballkani i Mbyllur!“ Domethënë Perëndimi do të shkatërrojë planin e Vuçiqiti.
E çfarë tha pastaj Vuçiqi? “Kur jemi bashkë, atëherë jemi shumë, shumë më të fortë. Serbia ka më së shumti ushqim, miell, vaj, sheqer, ne i kemi të gjitha këto…”
Ky mendim vlente për Lavrovin, por edhe për tregun e brendshëm serb, duke u thënë atyre, se ne do të jemi shumë të fuqishëm dhe do ta dominojmë Ballkanin, sepse ne kemi ushqime jo vetëm për vete, por edhe për të tjerët dhe me ushqime, ne fitojmë dominimin ndaj tyre, sepse ne prodhojmë dhe të tjerët janë vetëm konsumatorë, por ata të tjerët, janë të NATO. Pikë!
Para dy muajve isha në Poloni dhe një arsimtare polake, gjatë bisedës për Ukrainën, më tha se 30 milionë rusë, nuk kanë nevojtore në shtëpi, kurse politikani i Serbisë Nenad Çanak, tha se nga dhjetë 10 miliarderët rusë, oligarkët, 9 janë nga ish KGB.
Paga minimale për një orë pune është 89 centë. Si mund të jetë superfuqi një shtet në këtë gjendje të mjerë ekonomike? Ai mund të jetë fuqi atomike, por kurrë jo superfuqi! Si Pakistani për shembull. Në fakt rendi politik i Putinit dhe Lavrovit është kleptokraci e stabilizuar me popull të trishtuar si në kohën e Stalinit.
Ata i gënjeu si në Kopshtin e Fëmijëve: pushtimin e quajti „operacion“ duke besuar se zgjat sa një operacion në spital dhe kur e pa se po bëhet luftë e madhe, nuk e ndali luftën, por e ndaloi fjalën, çfarë nuk e kanë bërë kurrë as diktatorët tjerë, që nga Kaligula, deri te Hitleri e Millosheviqi.
Por, një agjent i KGB-së, i cili kurrë nuk ia doli të bëhet politikan, e bën edhe atë pafytyrësi. Madje edhe manipulon duke shpërndarë video që mundësojnë interpretime të gjesteve, mimikës, të së ashtuquajturës gjuhë trupi, thua se nuk e bën qëllimisht!
Tirani ndalon fjalën luftë, por ja që lejon video të bëhen publike, si mbahet për tryeze, si i dridhet dora apo këmba, apo si poshtëron gjeneralët e bashkëpunëtorët. Asnjë video e Kremlinit nuk bëhet publike pa lejen e tij.
Spiuni i KGB-së ka ngelur manipulues, si ishte kur ishte ai që duhej të mbetej përgjithmonë: një spiun i vogël me shumë komplekse inferioriteti!
A është Edi Rama tradhtar? Jo! Ai nuk është. Përpjekjet e tij janë përpjekje për të zhbërë armiqësinë, urrejtjen dhe për të rritur bashkëpunimin ekonomik. Po Edi Rama po bashkëpunon me Serbinë? Po, mirëpo Kosova e bën qysh nga shtatori i vitit 1999 dhe gati pa ndërprerje ka ndihmuar dhe ka investuar në ekonominë e Serbisë. Shqipëria nuk duhet të ndihmojë në rritjen e armiqësisë, por në zvogëlimin, siç edhe po bën. Shqipëria nuk duhet të barrikadohet dhe tregohet më e ashpër se vetë Kosova.
Pse them se Rama nuk është tradhtar? Sepse bazohem në këtë rrëfenjë nga libri „Kuptimi i jetës“, sekretet e suksesit dhe lumturisë, faqe 49
„Si shkatërrohet armiku?
Mbreti dha urdhër për të shkatërruar armiqtë e vendit të tij. Për këtë detyrë u emërua gjenerali i armatës, i cili premtoi se nga shkatërrimi i armikut, do të përfitonte mbreti dhe populli. Gjenerali u nis me ushtrinë e tij dhe nuk u dëgjua një kohë të gjatë për të.
Mbreti humbi durimin dhe pyeti këshilltarin e tij, se a kishte ardhur ndonjë lajm nga fronti i luftës dhe nga gjenerali. Këshilltari i tha se nuk kishte asnjë lajm. Mbreti urdhëroi një bashkëpunëtor të shkojë atje dhe të shikojë se çfarë po ngjante. Kur i dërguari arriti në territorin e armikut, nga larg dëgjoi kremtimin e një feste. Ai eci me hapa të shpejtë drejt zhurmës së ahengut.
Kur u afrua pranë kampit, i dërguari i mbretit pa gjeneralin dhe ushtarët e tij ulur në një tryezë festive, ku po hanin e pinin së bashku me armikun, madje edhe me mbretin e atij vendi dhe oficerët e tij.
I dërguari i mbretit, i acaruar, nxitoi drejt tryezës së gjeneralit dhe bërtiti: “Ju keni dhënë një premtim! Ju keni dhënë një betim se do të shkatërroni armikun dhe se nga ai shkatërrim, do të përfitojë mbreti dhe populli!”
“Unë kam mbajtur premtimin. Unë kam përfunduar urdhrin e mbretit dhe populli do të përfitojë nga kjo!” u përgjigj gjenerali i qetë, por me vendosmëri dhe plot seriozitet.
„Si e keni shkatërruar, kur ju po hani dhe pini me armikun?”, bërtiti ai përsëri.
“Unë kam shkatërruar armiqtë! Tani, tani e tutje i kemi miq!”, tha gjenerali dhe u ngrit nga tryeza për t’u kthyer me ushtrinë e vet pa humbur asnjë ushtar dhe pa vrarë asnjë njeri.“
A është qëndrimi i Ramës normal? Për Rugovën po. Edhe për Krishtin, edhe për Budën, edhe për Lao Cenë, edhe për Konfucin! Sepse për Budën: „Urrejtja nuk shuhet me urrejtje, në asnjë kohë. Urrejtja shuhet me dashuri. Ky është ligji i përjetshëm.“
Rama po lufton një armiqësi shekullore. Ajo luftohet me paqe, por a duhet t’i bashkëngjitet kësaj nisme Kosova? Ajo nuk duhet të marrë pjesë derisa vetë të jetë në kushtetutën serbe dhe, autonomi serbeve, nuk mund t’u jepet gjersa ajo vetë të konsiderohet autonomi nga Serbia. Dhe, atë që e dëshiron për serbet në veri, duhet ta mundësojë për shqiptarët në jug të Serbisë.
Kur ajo ta njohë Kosovën dhe të pendohet për gjenocidin në Kosovë, atëherë ajo do të bëhej si Gjermania: e penduar! Aty nis pajtimi, bashkëpunimi dhe paqja. Tani ato premisa mungojnë.
Në vitin 2014 pata shkruar këtë tek „Gazeta Dita“:„Perëndimi vështron duke rezignuar dhe dërguar apele, por për despotët, thirrjet janë shprehje e pafuqisë dhe mungesë e guximit dhe vendosmërisë. Pas Osetisë Jugore dhe rrënimit të integritetit territorial të Gjeorgjisë, nuk është më pyetja a do të shkëputet Krimea, por cilit vend Putini do t’i shkëpusë ndonjë regjion. Nuk i mjafton thertorja e ndihmuar prej tij në Siri, por për të treguar forcën dhe stërvitur Perëndimin me oreksin rus, i duhen edhe tjera…“