14.5 C
Tirana
E premte, 6 Shkurt 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Si dështuan Rugova & Demaçi në momentet vendimtare për Kosovën?! (6)

Si dështuan Rugova & Demaçi në momentet vendimtare për Kosovën?! (6)

0
Veton Surroi - ekskluzive

Letër e hapur e Veton Surroit drejtuar Adem Demaçit

(Pa ndërhyrje drejtëshkrimore – IMH)

1 shtator 2002
Nga Veton Surroi

Dëshira për ta thënë se pari fjalën e fundit

1. Mbi shkaset për të shkruar

Adem Demaçi
Adem Demaçi

I nderuari Baca Adem,

Shkaset për këtë letër janë të shumta. I menjëhershmi është paraqitja jote mediale e këtyre ditëve,në këtë kohë që edhe ti e unë i identifikojmë si fillim të etapës së re të krizës politike në Kosovë.Brenda kësaj paraqitje,ke kerkuar nga unë,si njëri prej nënshkruesve të Marreveshjes së Rambouillet-se(Parisit) te distancohëm nga akti im i para tre vjetëve,meqe sipas teje kriza të cilën po e përjetojmë rrjedh mu nga ky nenshkrim.Se dyti, e rrjedhimisht, shkas për këtë letër është një borxh që kam ndaj teje,e që nuk kam mundur të ta sqaroj,ngase për tre vjet nuk kemi kontaktuar si para Clirimit.

Para tre vjetësh, dhe me t’u kthyer nga Rambouillet-ja, pata deklaruar në pyetjen e gazetarëve lidhur me kundërshtimin tënd ndaj kësaj marrëveshje (e ti në atë kohë konsideroheshe përfaqësues politik i UCK-së), se ti je një prej dy milion njerëzve në Kosovë. Kam borxh, gjithashtu të të informoj se vetë kam kërkuar, po atë ditë, dhe ditët e mëvonshme, nga diplomatët amerikanë dhe britanikë, që të nderpritet kontakti me ty, për të të bindur rreth kësaj marrëveshjeje.Ky qendrim më vonë u bë i përgjithshem Perendimor dhe,me sa di unë, akullin e ka thyer vetëm pas luftës Daan Evertsi, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, kur janë parë efektet evidente të Merrëveshjes së Rambouillet-së, shporrja e regjimit serb nga Kosova.

(Me sa di unë, mu me insistimin e këtij diplomati holandez ti je emërtuar në krye të Bordit të RTK-së). Më kanë thënë se je ofenduar me të dy veprimet e mia dhe mund të kesh të drejtë. Qëllimi im ka qenë që të të merret prej dore e drejta të cilën e vetshpalle asokohe, që të flasesh në emër të UCK-së. Njëkohësisht ashtu si nuk mendoj se kam gabuar ne te dy këto veprime ashtu mendoj se fjalët që thua dhe veprimet që i bën janë konsekuente. Pra, shkasi i tretë është konsekuenca, e cila të ka karakterizuar gjithnjë e që të bën të mos i ndryshosh pikëpamjet në këto tre vjetët e fundit. Debati të cilit ti po i prinë tash është po ai kur kam zbritur në Aeroportin e Prishtinës duke u kthyer nga Rambouillet-ja, pra sërish po insiston se shqiptarët që e nënshkruan Marrëveshjen në fund do ta kthejnë Beogradin në Kosovë. Mëqë disa gjëra kanë mbetur të pasqaruara, shpresoj se më këtë letër do të mund t’i kontriboj që në kokën tënde dhe timen të përfundojë pranvera e vitit 1999.

2. Mbi vendin dhe kuvendin

Njëri prej mendimeve të cilin e ke shprehur ka tre vjet është se në Kështjellën e Rambouillet-së delegacioni i shqiptarëve të Kosovës ka hequr dorë nga pavarësia dhe e ka pranuar sovranitetin e Beogradit mbi Kosovën. Ky është një mit të cilin e ke artikuluar ti, por në një formë a tjetër, është treguar lehtësisht i kapshem në formë miti edhe për njërëzit tjerë publik. Madje, te ta them, më një rast gjatë negociatave, njeriu i cili këtu në Kosovë ka famën prej njeriut prej ekspertëve më të mëdhenj juridik, na dergoi një faks prej njëzet faqësh rekomandimesh se c’duhet bërë, dhe që në faqën e parë ishte kërkesa e tij që delegacioni i Kosovës të mos oranonte të bisedonte për asgjë pos pavarësisë.

E për cka të bisedonim atëherë? Vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Beogradin në momentin kur Beogradi kishte 100 mijë ushtarë e policë në Kosovë? Koncepti i këtillë, do të befasohesh, nuk është vetëm i yti, apo i këtij akademiku, por është pjesë e një tradite politike të krijuar në Kosovë e cila karakterizohet me aktin e të shqiptuarit fjalën e fundit që në fillim.

Pra, që të thuhet se populli i Kosovës e do pavarësinë dhe nuk do të bisedojë për gjë tjetër. E të rrije derisa të përmbushet ky kusht. Sado që nuk do të të pelqejë ky krahasim, më duhet të them se përfaqësuesi më i mirë i kësaj tradite politike është Ibrahim Rugova. Edhe ai e kaloi një dhjetëvjetësh të tërë duke thënë se Kosova është shtet i pavarur, ndërsa e paralizoj tërë jetën shoqërore duke e pritur atë ditë. Po të mos ishte paraqitja e UCK-së, ne ende do ta prisnim atë ditë dhe ende do ta prisnim nën sundimin e Beogradit. Natyrisht, ky veprim merr përmasa mitike në popull. “Krisi pushkë filani”, thotë populli, kur i dëgjon këto fjalë. Por në politikë kjo funksionon ndryshe.

Sa e sa herë na ka ndodhur edhe mua edhe ty që kemi folur për statusin dhe kemi shprehur pavarësinë si opcion të vetmin tonin dhe kemi ardhur në konstatimin se nuk ishte as vendi e as kuvendi. Këtë e ka parë edhe Ibrahim Rugova, jo vetëm në Perendim. kur shkuam në Beograd për t’u takuar me Millosheviqin në maj të vitit 1998, që në fillim të bisedës i tha se “opcioni ynë është pavarësia” dhe e mbylli gojën gjatë tërë kohës deri në momentin kur Millosheviqi ofroi nga një gotë uiski me c’rast Rugova tha: “Po, e pijmë nga një gotë”. Bashkëbiseduesi ynë, kur i dëgjoi fjalën e fundit të parën, buzëqeshi dhe kaloi në temë tjetër. Për të biseda për pavarësinë me një njeri i cili i priu stagnimit kishte efekt të njejtë si njohja e Republikës së Kosovës nga Domonioni i Malchidezekut.

( V i j o n )

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.