Kryeministri në mbledhen e datës 16.01.2026, me grupin e ri parlamentar të PS, e mbylli fjalimin duke thënë: “Kujdes RTSH-në dhe Ministrinë e Jashtme”… Duke marrë shkas nga ky fjalim, mua më lindin disa pyetje, dhe po jap edhe disa mendime. Kujt i’a la në dorë ai, në fund të fjalimit tij, këtë detyrë? Grupit të deputetëve të të P.S? Kjo është e papranueshme për kryeministrin që është votuar nga shumica e shqiptarëve. Z. Kryeministër nuk duhet braktisur RTSH-ja, por duhet reformuar. Reformën e bëjnë institucionet përkatëse dhe specialistët e fushës. Shtetet kanë televizionet e tyre publike. Televizioni Publik i Shqipërisë u krijua nga asgjëja, u rrit shumë dhe u bë dritarja ku u flak errësira dhe hap drita, u përhap dija, arsimi dhe kultura. Ai e luajti rolin e tij në këtë aspekt. TVSH, sot me të vërtetë është në pikën e tij më të dobët, e megjithatë ka mbijetuar. Ka disa kanale televizive, të cilat kush më shumë e kush më pak po e bëjnë punën e tyre.
Në kanale të ndryshme të TVSH ka emisione shumë të mira, si: Emisione për arsimin, kulturën, shkencën, për fëmijë, për sportin, ka shumë filma të vjetër dhe të rinj me vlera të larta edukative, patriotike dhe atdhetare, ka emisione muzikore me vlera të larta artistike, ka festivalet kulturore etj. A janë të mjaftueshme këto arritje të RTSH? JO. Duhet që RTSH-ja të reformohet. Pikë së pari duhet shkarkuar BORDI i tij. Pastaj drejtuesja e re, znj. Eni Vasili, duhet të bëjë reformë. Ajo duhet të vërë në pozita kyçe, njerëz të zotë, specialistë të fushës dhe kudro të aftë e të devotshëm në shërbim të kombit. Kjo gjendje e RTSH, pikësëpari është prishur nga ndërhyrja e politikës, pas viteve ’90. TVSH është vlerë kombëtare. Si i tillë ai ka një thesar të çmuar dhe të jashtzakonshëm në arkivin e tij. E si mund të zhbëhet kjo, vetëm me një të rënë të lapsit? Kjo nuk duhet të ndodhë.
Unë nuk jam i fushës prandaj duhet të jem i fundit që mund të jap mendime dhe të prononcohem me këtë shkrim modest. Këtë e bëj mbasi më dhimbset RTSH-ja, pasi ai ka luajtur një rol të madh në formimin dhe modelimin tonë në vite. Ne si teleshikues paguajmë taksa për të… Sugjerimet e palo “këshilltarëve”, zonjës Vasili, për mbylljen e RTSH-s janë më e pakta dashakeqe, dhe më e shumta antishqiptare. Ndaj, zonja Eni Vasili në pozicionin që ke duhet të bësh reformimin e këtij institucioni, dhe jo mbylljen e tijë. Mendoj se shumica e shqiptarëve mbështet reformën dhe drejtoreshën e re në misionin e saj. Kjo është në dinjitetin e saj ta kryej këtë proçes të vështirë por jo të pamundur. RTSH duhet reformuar që ti përshtatet më shumë kërkesave të kohës… Mendoj që, Qeveria Shqiptare, Kuvendi i Shqipërisë dhe institucionet përkatëse, duhet:
1-Të shkrijnë Bordin Drejtues të RTSH dhe të zgjedhin bordin e ri.
2-Të shtojnë buxhetin për financimin e RTSH.
3-Të ndërhyhet nga institucionet përkatëse për detajimin e fondeve dhe mirëmenaxhimin e tyre.
4-Drejtoria e RTSH me grupin e specialistëve të fushës të bëjnë projektet për reformën e duhur bashkëkohore të institucionit.
5-Të merren masa drastike me abuzimet e drejtuesve për pagat.
6-Kontrolli i Lartë i Shtetit të bëjë një auditim të brendshëm të institucionit dhe të lërë detyra.
Nga Ibrahim Kabili, ish mësues i historisë dhe gjeografisë.
Tiranë, më, 17.01.2026











