
Rrap shekullor pranë udhës
që çon në Bllacë e Toplicë,
në tokën e të parëve të mi.
Atje ku ende,
sikur nga varret, dëgjohet gjëma
e nënave dhe fëmijëve
të atij dimri të zi.
Bishat e tërbuara të stepave të Karpateve,
me bekimin e të çmendurës së Bosforit,
dogjën mbi 600 fshatra
dhe vranë mijëra pellazgo-dardanë
me plisa të bardhë.
Dimër i tërbuar i 1878-ës,
qofsh mallkuar që na dëbove
nga Shqipëria e vjetër
dhe na dhe emrin muhaxhirë.
Rrënjët e trungut, të zhytura në gjakun e shqiptarëve,
s’thahen e s’harrohen kurrë.
ARIF EJUPI
Shënim:
Kjo poezi u kushtohet dëbimeve masive të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe trevat përreth gjatë viteve 1877–1878, si pasojë e dhunës së ushtrive serbe. Mijëra familje shqiptare u shndërruan në muhaxhirë, duke lënë pas tokat, varret dhe historinë e tyre të trishtë.











