Mikel GOJANI
Rreth romanit “Frymëmarrje nate” të Anton Nikë Berishës, botuar nga SHB Faik Konica – Prishtinë dhe Kuvendi Françeskan, Gjakovë 2021
Në fundin e vitit të kaluar shkrimtari dhe studiuesi i shquar i letërsisë sonë nxori në dritë romanin interesant me titull “Frymëmarrje nate”. Secili që e lexon me vëmendje këtë vepër bindet për të veçantat që ajo ngërthen brenda romaneve të tjera të këtij autori, po dhe të letërsisë sonë në përgjithësi.
Romani ndjek modelet e rrëfimit realist, të gërshetuar me atë përfytyrues të konsoliduar tashmë në krijimet e autorit bashkë me mënyrën origjinale të qasjes dhe të ndriçimit të botës së brendshme të personazheve. Tashmë është e njohur prirja e autorit që dukuritë aktuale t’i vështrojë në një ndërlidhje të ngushtë me ato që kanë ndodhur ose që mund të ndodhin edhe në të ardhmen.
Në roman shprehen drama, trazime dhe plagë të shpirtit të individit, po ato përherë kanë dhe marrin një përmasë më të gjerë, kolektive. Konfliktet që ndodhin në shoqëri dhe brenda individëve janë boshti kurrizor i botës që shprehet poetikisht në këtë prozë.
Në veprimet dramatike jetësore personazhet ballafaqohen me rrethana të ndryshme, ku ata ose lartësohen ose pësojnë, duke i dëshmuar cilësitë dhe karakterin e tyre. Në të vërtetë, rrëfehet për ngjarjet e vitit 1866 – 1868, të përjetuara e të shënuara nga kryeipeshkvi i Arqipeshkvisë Shkup – Perzerend (kështu shkruhet në tekstin e romanit), Dario Buçarelli, që në periudhën e përmendur selinë e kishte në Ipeshkvinë e Perzerendit.
Mirëpo, duhet thënë se autori të vërtetën historike përmes tekstit dhe rrëfimit të menduar mirë e shndërron në të vërtetën poetike, si e thotë ai në një bisedë. Pra, Berisha i ka kushtuar kujdesin e shumëfishtë gjuhës poetike dhe ndërtimit të tekstit poetik, i cili e pushton lexuesin në mënyrë të jashtëzakonshme. Kjo dëshmohet nga fillimi i romanit e deri në faqen e fundit.
Për ta dëshmuar këtë po sjell vetëm dy shembuj. I pari është vetë fillimi i romanit:
Nazif Pashai erdhi në krye të Vilajetit të Perzerendit në mbarin të vjeshtës, kur një i ftohtë i egër e mbërtheu qytetin, ndërsa një mjegull e dendur dhe e ngrysur, si hijesim ngërçi ose si jermi e harruar stinësh, e mbuloi Kalanë e lashtë dhe u shpërnda pandalshëm gjithandej. Në fillim u nde në ndërtesat e larta, i puthi kulmet e shtëpive një e dy katesh, pastaj zbriti si një hajneshë në oborre dhe mbi valët e lumit, që në atë acar, rridhnin ngjitas me njëra – tjetrën, mbase për t’u ngrohur nga të ftohtit. Me gjasë, mjegulla u hyri edhe njerëzve në shpirt, që vërehej në sjelljet dhe në atë që thoshin si belbëzime. Gjithçka po sharronte në një dyshim të shfrenuar, thuajse asgjëja po dërmonte dhe shpërfillte çdo gjë.
Tjetri është nga “Letra e burgosur”, siç e emërton autori një kapitull të romanit, që është marrë nga letra që Maria ia shkruan burrit të saj, Prenkut, në mendje, për arsye se s’kishte kurrfarë mundësie që t’ia niste dhe ajo t’i binte në dorë:
Ndonëse është dritë jam e mbytur në natë dhe në errësirë që më ka hyrë deri në palcë dhe më gërryen si një tenjë e uritur. Nuk dua ta shndërroj zërin tim në zërin e kukuvajkës, as të hokzës e as të hutinit, as t’i vesh e t’i shpreh fjalët me zërat e zogjve në syrin e pranverës, kur nis e mugullon çdo gjë dhe kur këngët e tyre gërshetohen e njësohen në një shumësi të mahnitshme tingëllimesh. Dua t’u kundërvihem të gjitha vuajtjeve dhe pësimeve që më mbulojnë si re vjeshte e ngrysur e kërcënuese që pastaj derdhet në shi që bie si me bisht të kalit.
Nuk e di ku je dhe në çfarë kushtesh ndodhesh për arsye se ndonjëherë tërbimi që i kaplon njerëzit tanë s’ka kufi, po uroj që të jesh shëndosh; të jesh dhe të mos harrosh se është diku Maria dhe do të jetë përgjithmonë me ty dhe e jotja, edhe atëherë kur nga ajo s’do të ketë shenjë jete, kur trupin e saj do ta shkrijë dheu ose mishin e pa jetë do ta hanë krymbat.
Romani “Frymëmarrje nate” shpreh pësimet dhe fatkeqësinë e njerëzve tanë nën sundimin e Nazif Pashën në Vilajetin e Perzerendit, i cili në mënyra të ndryshme bën dhunë të egër në banorët e Vilajetit, sidomos tek shqiptarët katolikë. Këtë e dëshmojnë pësimet e personazheve kryesore: Maria e Mark Gurakut nga Fani i Mirditës dhe Prenk Kaçinari, mirditor, ngulitur në Pëlqimë të Perzerendit. Maria është shqiptare e besimit mysliman, ndërsa Prenku i besimit katolik.
Prindërit e Marisë ishin të krishterë, po ndërkohë e ndërrojnë besimin dhe kjo merret si shkas dhe arsyetim i përndjekjeve dhe i pësimeve që e përcjell atë nga dita e martesës, edhe pse ajo ishte krezmuar dhe kishte vënë kurorë në Kishën e Shna Ndout në Gjakovë. Në të vërtetë, ishte bukuria e saj që e kishte tundur dhe verbuar Nazif Pashën dhe gjithë tragjika që pëson kjo “turke”, po dhe shumë të tjerë, e kanë bazën në qëllimet djallëzore të udhëheqësit otoman, që t’i detyrojnë katolikët ta ndërrojnë besimin e tyre. Natyrisht ai ka sjellje të tjera me kishës ortodokse serbe dhe me udhëheqësit e saj, që e kishin pranuar sundimin e Sulltanit menjëherë pas pushtimit të Ballkanit.
Rrëmbimi me dhunë i Marisë në shtëpinë e saj dhe ndarja nga burri, Prenku, bëhet me qëllim që t’ua futin frikën në palcë dhe t’i detyrojnë të krishterët e tjerë katolikë të Vilajetit të Perzerendit të ndërrojnë fenë dhe t’i shndërrojnë në vegla të sundimtarit dhe të shërbëtorëve të tij. Përmes rrëfimit poetik Berisha jep pamje konkrete e të rralla të një realiteti absurd dhe rrënues.
Nazif Pashën e merr si fyerje të rëndë që brenda Vilajetit të tij një “turke” të martohet me një “kaurr” dhe i detyron shërbëtorët e vet të ndërmarrin masa të jashtëzakonshme që ta ndajnë gruan nga “kaurri” dhe t’ia sjellin atij.
Mbyllja e Marisë në kullën e Hakmet Hoxhës në Marash, bëhet vetëm për të peshuar gjendjen dhe te keqen që mund të shpërthente pas rrëmbimit të saj nga njerëzit e Pashait. Mirëpo, mirditorja e zgjuar dhe e shkathët ia del të zvarritet murit të kullës natën dhe të arratiset dhe drama e saj e shumëfishtë vazhdon.
Mbasi ik nga kulla, ku e kishin ngujuar, Mirditorja kërkon në fillim ndihmë nga françeskanët e Kishës së Shna Ndout në Gjakovë, ndërsa më vonë gjithçka vihet nën përkujdesin e kryeipeshkvit, Buçarelli, i cili ishte i vetëdijshëm se rasti i saj ishte vetëm një nga të shumtët që përjetonin shqiptarët e besimit katolikë nën sundimin e Nazif Pashait në Vilajetin e Prizrenit dhe më gjerë.
Për ta strehuar Marinë në ndonjë vend të sigurt, derisa të gjendet një zgjidhje e përshtatshme, kryeipeshkvi Buçarelli një herë ia beson Marinë Diloshes, një besimtareje besnike katolike, pastaj çiftit bashkëshortor të besimit mysliman, Drenush Mrikës dhe Mirushes, të cilët ishin miq të imzotit.
Duke vërejtur këmbëngulësinë e tërbuar të Nazif Pashës që ta gjejë Marinë dhe ta sjellë në selinë e tij, kryeipeshkvi u bën të njohur rastin përfaqësuesve të dy misioneve diplomatike, të Austro – Hungarisë dhe të Rusisë, në Perzerend.
I vetëdijshëm për rrezikun që i kanosej Marisë, diplomati austro hungarez jo vetëm që e strehon gruan në misionin që kryesor, po dhe kërkon ndihmë nga ambasada Austro hungareze në Stamboll, akt që kushtëzon fillimin e zgjidhjes dhe fundin e tragjikes së saj.
Krahas dhunës dhe pësimeve që pësojnë shqiptarët nën sundimin e Nazif Pashës, sidomos ata që kishin ruajtur besimin e tyre të krishterë, Berisha vështron dhe dukuri të tjera, ku realiteti shprehet në mënyrë sa komplekse aq dhe tragjike. Kështu, përfaqësuesit e kishës ortodokse në Deçan, për të nxitur vëllavrasjen mes shqiptarëve të dy besimeve, natën, në mënyrë të fshehtë, e vendosin një derr të prerë në xhamin e Isniqit, duke i spërkatet muret me gjakun e tij pikërisht në natën e Bajramit të madh, ku besimtarët (të nesërmen) duhej t’i luteshin Zotit. Gjithë aktin e shëmtuar e qëllimzi, ç’prej arritjes së përfaqësuesve të kishës ortodokse serbe natën në katundin e Isniqit e derisa kthehen në Deçan, e përcjell Drinas Gurra, i cili të nesërmen dëshmon para bashkëfshatarëve gjithçka kishte parë dhe kishte ndodhur në xhaminë e katundit gjatë natës.
Edhe ndërhyrja e bajraktarit të Isniqit, Brahimin, që burrat e tronditur dhe të zemëruar të qetësohen dhe ta marrin punën me gjakftohtësi dhe ftesa që u bën atyre që ta falin Bajramin në shtëpinë e tij, e shmang kasaphanën e menduar të disa katundeve përreth Isniqit. Gjithashtu dhe vizita që kryeipeshkvi Buçarelli i bën katundit, Drinas Gurrës dhe Bajraktarit, dëshmon konceptin e autorit për t’i përjetësuar në art marrëdhëniet thellësisht vëllazërore të shqiptarëve të dy besimeve, të bashkëjetesës që mund të merret si shembull për çdo nderim, edhe në kushte tepër të rënda jetësore.
Me pak fjalë, një roman sa dramatik, po aq poetik që e pasuron prozën tonë në disa aspekte, sidomos për gjuhën poetike që përdoret në të.