PROZA SI EKSPLORIM MBI ANKTHIN DHE DËSHPËRIMIN NJERËZOR

0
Ragip Sylaj - Rrëfime për kohën e vdekur

Arben Veselaj

Rreth prozës tregimtare të Ragip Sylajt

Me librat me poezi, si dhe me ata në prozë, Ragip Sylaj (1959-2018) qysh herët arriti të tërheq vëmendjen, kureshtjen dhe imagjinatën e lexuesve të botës shqiptare. Brenda një harku jetësor më se 40-vjeçar ai shkroi poezi, prozë, ese, dramë, kritikë letrare, duke u bërë zë i veçuar mes bashkëkohësve të tij letrarë. Nuk e teprojmë aspak nëse themi se me librat e tij Ragip Sylaj arriti të bëhet njëri prej autorëve më reprezentativë të brezit të tij letrar-një brez që ngriti në letërsinë shqipe të arealit kosovar kultin e të bukurës si kundërvënie ndaj alarmeve të luftës.

 

Çka e bën Ragip Sylajn zë të veçuar mes bashkëkohësve të tij letrarë?

Poezia, ashtu sikurse edhe proza e Ragip Sylajt, ishin disi më ndryshe. Kishte brenda tyre diçka të saktë, diçka matematikore, sepse ai ishte “inxhinier i letërsisë”. Edhe titujt e librave të tij kishin një tjetër tingëllimë: “Anatomia e rrënjës”! Ç’ishte ajo anatomi që ai e bëri poezi? Edhe librat me tregime po ashtu: “Përhitja”! Çfarë ishte ajo pluhurosje, shtresim mëkati, ndryshk i shpirtit? Apo “Humbella e fërgëllisë”! I ç’natyre ishte ai hon i errët, pus i thellë, ku mbytej ndërgjegjja njerëzore? Pastaj “Obsesioni”! Ky libër kishte diçka kafkiane: personazhi autoironik i këtij libri – Poeti i Kastrës, ngjante me Jozef K-në dhe me Gregor Samsa-n e Franc Kafkës. Ishin sivëllezër në fatalitetin e tyre.

Gjatë jetës së tij Ragip Sylaj shkroi shumë tregime të cilat i përmblodhi në pesë vëllime: “Obsesioni” (1992), “Përhitja” (1996), “Humbella e fërgëllisë” (2001), “S’kam kohë të jetoj me vdekjen” (2004) dhe “Hija e shtëpisë” (2008).

Këtu duhet përmendur faktin se, mbase mund të ketë edhe ndonjë tregim që nuk është përfshirë në këto pesë përmbledhje, sikurse mund të ketë edhe ndonjë tjetër që nuk është botuar asnjëherë (për arsye të njohura, rrethanat e okupimit e të luftës), e, pa dyshim, edhe tregime në dorëshkrim që janë përpirë nga flakët e luftës më 1998 e 1999.

Proza esesitike e Ragip Sylajt mori udhë me librin e parë “Obsesioni”, i botuar në vitin 1992. Njëmbëdhjetë tregimet e bëjnë për shumëçka një libër të veçantë: një prej sprovave të rëndësishme të prozës eseistike në letërsinë tonë. Në lloj përsiatje e tillë, ku shkriheshin shumë lloje shkrimesh letrare, si eseja dhe tregimi, pastaj shkrimi publicistik dhe dijet filozofike etj., mbase rrallë mund të lexoheshin në atë kohë në letrat shqipe.

Këtë lloj tregimi Ragip Sylaj e përpunoi me këmbëngulje duke vazhduar ta përsosë në librat pasues. Në vitin 1996 kur e botoi vëllimin e dytë, “Përhitja”, redaktori i tij, poeti dhe romancieri i mirënjohur, Beqir Musliu, e vlerësoi lart, prozën eseistike të Sylajt, duke e quajtur “roman lirik”.

Proza e Sylajt është ese me nëntekst filozofik, është ese tregimtare e një teknike narrative e mëvetësishme; një prozë poetike ku zënë vend pasazhe të gjata eseistike, të cilat edhe pse shpesh na nxjerrin nga konteksti narrativ, na mbajnë frymën e leximit deri në shkronjën e fundit.

Proza e Ragip Sylajt është poezi e shkapërthurur, është monolog i gjatë i njeriut vetmitar, një radiografi e thellë e trishtimit, një përsiatje e thellë, siç do të thoshte vetë ai, mbi “fatumin njerëzor”.

Ragip Sylaj është zotërues i teknikës narrative të vetës së tretë. Në prozën e tij lexuesi nuk do të gjejë aspak ngjarje e histori, por vetëm ndjenjësime dhe përjetime që kanë shkaktuar ngjarjet dhe historitë. Monopatit narrativ të prozës së Sylajt i prin një personazh që ironizon me vetë autorin (siç thamë më sipër) – personazhi vetëironik. Ky personazh, që herë-herë na flet përmes dialogut të brendshëm, është alter ego e vetë autorit. Kur linja tregimtare plekset me meditimet e autorit, nga bregorja e vetës së tretë na shfaqet ky personazh, herë si Poeti i Kastrës, herë si Daskali, herë si Sizif Guri, herë si Fatbadh Dardha, e herë-herë me inicialet F. D.

Ky personazh nuk është një autor-narrator, por “dikush” që botën e shikon, e kupton dhe e mendon me sytë dhe me mendjen e autorit. Gjatë përsiatjes së tij prozaike Sylaj përdor, siç thamë më sipër, monologun e brendshëm për t’i shprehur lirshëm dhe në mënyrë të drejtpërdrejt mendimet, kujtimet, dramat, shqetësimet, traumat, dashuritë dhe urrejtjet e tij.

Intermedialiteti si formë e shkrimit posmodern e shquan fund e krye prozën e Ragip Sylajt; aty gjejmë elemente të reportazhit, të letërkëmbimit, të prozës poetike, të përsiatjes eseistike, të monologut dhe dialogut dramaturgjik etj. Fjalitë e tij të shumtën janë të formës pyetëse, sepse ai ndiqte parmin çehovian të shkrimit, sipas të cilit roli i shkrimtarit është më shumë të bëjë pyetje se sa të japë përgjigje.

Në prozën e tij Ragip Sylaj ka përdorur nota të autobiografike, por, siç thamë më sipër, me sensin vetëironik. Me tregimet e tij ai na rrëfeu poetikisht përvojën e të qenit njeri dhe artist përballë realitetit të ashpër jetësor. Mund të thuhet se në prozën e tij shkrihen përvojat personale me përvojën letrare.

Siç e përmendëm edhe më sipër, që në fillet e para Ragip Sylaj krijoi personazhin vetëironikt. Ky peronazh është njeriu i shkretë i kohës së autorit, pa ndjenja negative, pa ambicie dhe pa ëndrra të mëdha; një krijesë letrare që ironizon me vetveten; një lloj “heroi spirituoz”. Një njërën nga perlat e tij poetike (hartuar nga fundi i jetës), këtë hero ai e pati quajtur “Shqiptari primitiv”. Personazhi i Ragip Sylajt parapëlqen heshtjen, mbylljen në vetvete. Atij i mungon përshkrimi i jashtëm, por bota e brendshme e tij gëlon nga dramat njerëzore dhe nga dilemat jetësore. Ky personazh nuk i akuzon të tjerët – ai ia bënë gjyqin vetes; çdo herë është fajtor – fajtor për diçka që as vetë nuk e di për çfarë, e nganjëherë fajtor edhe për mëkatet e të tjerëve. Ky personazhi i Ragip Sylajt është vetë Krishti, vetë kryqi dhe vetë gozhdët, njëherësh.

Ragip Sylaj, si në poezi ashtu edhe në prozë, mbetët një mjeshtër i rrallë i ironisë. Kjo ironi nganjëherë merr trajtat e humorit zi dhe është mjaft origjinale. Ajo është aq e gjallë dhe dinamike sa nganjëherë duket se i flet lexuesit me qortim: mos qesh, kjo s’është për të qeshur, është për të qarë!

Sfondi i zisë në ironinë e Ragip Syljat e ka brenda një bukuri të përjetshme: “bukurinë zezë”, siç do të shprehej shkrimtari, Beqir Musliu.

Gjuha e Ragip Sylajt është gjuhë analitike-siç thamë më sipër, e saktë. Ndonëse nuk ndoqi studime për gjuhën, ai, si rrallë ndonjë autor tjetër i brezit të tij letrar, gjuhën e përsosi gjatë tërë procesit krijues.

Me librat e tij në prozë Ragip Sylaj rrëmoi në shqetësimet e mëdha të njeriut të kohës së tij. Me stilin diskursiv të traktateve filozofike ai u dha zë trazimeve jetësore të njeriut të kohës së vet. Ai e shprehu me guxim realitetin kritik të shoqërisë në të cilën jetoi.

Proza e Sylajt është prozë realiste, ku i bëhet kritikë humbjes së vlerave morale të shoqërisë. Atë e shquan ironikja kritike dhe komikja groteske. Ironia e Ragip Sylajt nuk është tallëse-është kritike. Ai e bëri letërsi aspektin më tragjik e më paradoksal të realitetit kosovar, ku individi, aq sa në robëri, gati po aq edhe në liri, u ndie i robëruar dhe u shkel pamëshirshëm nga sistemi.

Nëpërmjet fjalës kritike Ragip Sylaj synoi ta trandte ndërgjegjen kolektive për t’iu kundërvënë të ligës, të padrejtës. Shkroi për varfërinë – sepse nuk pajtohej me skamjen; shkroi për jetën e mbyllur – sepse nuk pajtohej me robërinë; shkroi për pikëllimin – sepse bota që përshkroi qe tragjike; shkroi për fatalitetin – sepse në botën e tij kishte pak shpresë. Ka edhe errësirë në prozën e Ragip Sylajt – sepse bota që e shqiptoi ai qe me pak dritë. Ka shumë vetë akuzë në tregimin e Ragip Sylajt – sepse, sikurse në letërsi, ashtu edhe në jetë, më shumë se sa të tjerët ai e fajësonte vetën e vet.

Po ta përgjithësonim me një fjali veprën e Ragip Sylajt në prozë do të mund të thoshim se ajo e është një gërmim poetik dhe filozofik mbi kompleksitetin e qenies njerëzore, mbi shpërfytyrimin, mbi ankthin dhe mbi dëshpërimin njerëzor.

Edhe pas vdekjes proza e tij vazhdon t’i flasë kohës sonë, me të njëjtën ndjeshmëri të lartë artistike dhe me të njëjtin mendim të thellë.

Prishtinë, prill 2024

Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, shkrimtar

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.