13.2 C
Tirana
E premte, 10 Prill 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Presidenti që e ktheu filatelinë në instrument solidariteti gjatë Luftës së Dytë...

Presidenti që e ktheu filatelinë në instrument solidariteti gjatë Luftës së Dytë Botërore

0
Roosevelt - World War 2 V

Ky eshte posteri i famshem, qe permbledh serine e pullave per vendet e pushtuara ne vitet e luftes se Dyte Boterore, mes te cilave dhe Shqiperia. Ideatori i posterit ishte Presidenti Franlklin D. Roosevelt

Besnik Fishta Besnik Fishta

Në historinë politike të shekullit XX, pak personalitete kanë ditur t’i japin objekteve të vogla simbolikë kaq të fuqishëm sa Franklin Delano Roosevelt. Presidenti amerikan, i cili udhëhoqi Shtetet e Bashkuara përmes Depresionit të Madh dhe Luftës së Dytë Botërore, mbetet unik jo vetëm për zotësinë e tij politike, por edhe për mënyrën se si e përdori një pasion privat, filatelinë, për t’i dhënë politikës së jashtme një gjuhë të re. Për të, pullat postare nuk ishin thjesht copa letre të ngjitura në një zarf; ato ishin gjuhë diplomatike, mjete morale, arkiva të lirisë dhe dritare nga të cilat mund të komunikohej me botën. Kjo aftësi për ta shndërruar një hobby në instrument shtetëror e bën Rooseveltin presidentin që i dha filatelisë një rol publik të paprecedentë, sidomos gjatë viteve dramatike të Luftës së Dytë Botërore.

Që në fëmijëri, Roosevelt ndërtoi një botë të vetën përmes ngjitjes së pullave në album. Me kalimin e viteve, ky pasion u shndërrua jo vetëm në një mënyrë të përditshme për të ruajtur qetësinë mendore, por edhe në një praktikë reflektuese që e ndihmonte të mendonte strategjikisht. Edhe në kulmin e krizës botërore, në tavolinën e tij të punës në Shtëpinë e Bardhë, përkrah hartave të operacioneve ushtarake, qëndronin albumet e pullave. Roosevelt shpesh kthente një faqe në mes të diskutimeve të vështira, duke e përdorur këtë “ushtrim të heshtur meditativ” për të mbajtur të qetë mendjen në një periudhë që kërkonte vendime me peshë botërore.

President Franklin D. Roosevelt 1882-1945

Ky dimension njerëzor i jep filatelisë së tij një rëndësi të veçantë, ajo ishte për të mjet qetësie, por edhe mjet vizioni. Mirëpo roli i tij në filateli nuk mbeti në sferën e pasionit personal. Përkundrazi, Roosevelt u bë presidenti që ndikoi më shumë se kushdo në zhvillimin e filatelisë amerikane. Ai jepte sugjerime për dizajnet e pullave, ndërhynte në temat që duhej të trajtonin, komenton¬te skicat e para dhe shpesh i shtynte zyrtarët e Postës të eksploronin më shumë ide me karakter historik, kulturor apo politik. Kjo ndërhyrje nuk ishte thjesht estetike, ajo rridhte nga bindja e fortë e Roosevelt se pulla, si objekt që prek duar dhe sy të miliona njerëzve, mund të jetë mjet komunikimi me efekt të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm.

Kjo filozofi kulmon në vitet 1943–1944 me krijimin e serisë së famshme “Overrun Countries”(“Vendet e pushtuara”), një projekt filatelik i paprecedentë që i dha pullës amerikanë dimension global. Në një kohë kur lufta zhvillohej me përmasa mizore në tri kontinente, Shtetet e Bashkuara vendosën të përdorin pullat jo vetëm për postë, por edhe për politikë. Seria përfshinte flamujt e kombeve të pushtuara nga Boshti nazifashist, nga Polonia dhe Norvegjia, deri te Greqia, Jugosllavia, Koreja dhe Shqipëria, duke shndërruar pullat në “deklarata të vogla diplomatike” që transmetonin përkushtimin amerikan për çlirimin e popujve. Ky ishte një akt i menduar dhe i drejtuar nga vetë presidenti.

Roosevelt e kuptonte se në kohë lufte propaganda është armë po aq e fuqishme sa armët e rënda, por ai mendonte ndryshe nga regjimet totalitare: propaganda e tij nuk duhej të ishte agresive, por morale. Prandaj, flamujt e kombeve të pushtuara u vendosën në zemër të dizajnit të serisë, të rrethuar nga një kornizë solemne gri-blu që garantonte uniformitet dhe ruante seriozitetin vizual, duke bërë seri që edhe sot konsiderohet një nga më të bukurat e prodhuara ndonjëherë në SHBA. Vlera e kësaj serie nuk ishte vetëm estetike, sepse ajo dërgonte një mesazh të drejtpërdrejtë politik, qe flamuri i një populli mund të rrëzohet fizikisht, por simboli i tij nuk shuhet kurrë. Kjo ide i jepte botës një garanci morale se lufta e kombeve të shtypura nuk do të mbetej pa mbështetje.

Pulla shqiptare e emetuar më 9 nëntor 1943 zë një vend të veçantë në galerinë e rezistencës botërore. Ajo nuk ishte thjesht formale, por një njohje e sakrificës së një vendi të vogël me qëndresë të jashtëzakonshme. Shqipëria, e pushtuar e para në Evropë nga Italia fashiste më 7 prill 1939, u bë pjesë e frontit antifashist përmes rezistencës së organizuar që nga viti 1941. Flamuri shqiptar në një pullë amerikane ishte më shumë se një ilustrim, ishte dëshmi simbolike e mbijetesës së një kombi qe qendroj denjesisht në anën e drejtë të historisë. Ky akt ndihmoi në ruajtjen e imazhit të Shqipërisë si vend që sakrifikoi për lirinë, një element me vlerë të madhe në studimet historike dhe filatelike.

Në planin më të gjerë ndërkombëtar, seria “Overrun Countries” u bë dokument politik i Luftës së Dytë Botërore. Ajo u printua pikërisht kur fati i luftës kishte nisur të përmbysej, aleatët kishin fituar terren në Afrikën e Veriut, ndërsa Amerika, pas Pearl Harborit, kishte hyrë në luftë me të gjithë potencialin e saj industrial. Kështu, botimi i pullave nuk ishte vetëm akt simbolik, por pjesë e një strategjie të gjerë psikologjike që synonte të mobilizonte opinionin amerikan dhe të siguronte popujt e pushtuar se çlirimi ishte çështje kohe. Në këtë mënyrë, filatelia u kthye në një lloj “arkivi të gjallë” të Luftës së Dytë Botërore.

Zarfa nga frontet, letërkëmbime të ushtarëve, pulla përkujtimore, skica propagandistike, të gjitha u bënë pjesë e dokumentacionit që sot përdoret nga studiues për të kuptuar jo vetëm ngjarjet ushtarake, por edhe dimensionin emocional, kulturor dhe simbolik të luftës. Edhe Shqipëria ka pjesën e vet në këtë arkiv, qarkullimet postare të misioneve aleate, zarfa të rrallë të periudhës së pushtimit, materiale që i kanë mbijetuar kohës nga kampet e perqendrimit dhe që sot përbëjnë dëshmi të një kapitulli të vështirë, por thelbësor, të historisë sonë.

Trashëgimia e Roosevelt nuk mbaron me luftën. Pas vdekjes së tij, koleksioni i pullave u nxor në ankand dhe u kthye në një monument kulturor, sepse çdo pullë e prekshme nga dora e presidentit mbartte një histori më të madhe se vetvetja. Nën presidencën e tij, numri i koleksionistëve në SHBA u rrit ndjeshëm, ndërsa filatelia u institucionalizua si pjesë e kulturës kombëtare. Roosevelt mbeti në kujtesën kolektive jo vetëm arkitekti i fitores mbi nazizmin, por edhe si njeriu që i dha pullës postare dimensionin e saj më të lartë historik.

Franklin D. Roosevelt është presidenti që e ngriti filatelinë në piedestal politik, që e kuptoi se objektet e vogla mund të mbartin mesazhe të mëdha dhe që e përdori këtë forcë simbolike për të bashkuar një botë të ndarë nga lufta. Seria “Overrun Countries” është prova më e qartë se një pullë postare mund të jetë një dokument i historisë së madhe, një mësim që mbetet i vlefshëm edhe sot për studiuesit, koleksionistët dhe për të gjithë ata që besojnë se historia shkruhet edhe në detaje të vogla. Për Shqipërinë, kjo seri mbetet një nga momentet më domethënëse të pranisë së saj simbolike në aleancën antifashiste botërore, një kujtesë që edhe kombet e vogla lënë gjurmë të mëdha kur luftojnë për liri.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.