BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH…
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha & Prof. Dr. Tefik Basha
Praga dhe Karlovy Vary – Dy Fytyrat e Bukurisë Çeke
Pjesa e parë
Një shoqe dikur më patë thënë- udhëtimet kanë një magji të veçantë, qofshin nën dritën e diellit apo në freskinë e mëngjesit të ftohtë, gjithmonë duken të bukura. Sot e kuptoj se kishte të drejtë, sepse edhe unë e ndjej njësoj. Nuk ka rëndësi nëse duhet të zgjohem herët për të zënë avionin, apo nëse më duhet të udhëtoj gjatë nëpër autostradat që shtrihen si damarë të gjatë nëpër shtete të panjohura, në të dy rastet, zemra më rreh me të njëjtin gëzim.
Çdo nisje më ngjan si një festë e vogël e shpirtit. Përgatitja e valixhes nuk është vetëm detyrë praktike, por një rit i ngarkuar me emocione. Çdo rrobë e palosur është një premtim për kujtime të reja, çdo gjë e vendosur me kujdes është një ëndërr që pret të bëhet realitet. Dhe pastaj, momenti kur nisesh në rrugë – qoftë me hapin e shpejtë drejt aeroportit apo me ritmin e qetë të makinës në autostradë – gjithmonë e gjithmonë më duket i këndshëm, si një melodi e njohur që të zgjon brenda një dritë të re.
Është kjo arsyeja pse udhëtimi, për mua, nuk matet me orë, kilometra apo lodhje, por me pritjen e ëmbël që e shoqëron. Sepse çdo rrugë është një premtim, çdo destinacion një kapitull i ri, dhe unë mezi pres ta hap atë faqe, duke marrë me vete gëzimin e thjeshtë të nisjes.
Tefik e Sabile Basha, Aeroporti “Nënë Teresa”, Tiranë, 18 shtator, 2025
Edhe ky udhëtim, ashtu si shumë të tjerë më parë, për mua, Tefikun dhe Artën, ndjek të njëjtën rrugë të zakonshme, nisjen për në Tiranë dhe më pas fluturimin nga atje drejt Pragës së largët. Ky itinerar është bërë tashmë pjesë e pandashme e përvojës sonë të udhëtimit, një ritual i përsëritur që, megjithëse i njohur, mbart gjithnjë një ngarkesë të veçantë përgatitjeje dhe pritjeje.
Çdo gjë, në thelb, bart kënaqësinë dhe bukurinë e vet të veçantë. Udhëtimi, pavarësisht vështirësive që shpesh e shoqërojnë, mbetet një përvojë e pasur dhe e çmuar. Vërtet, rrugët nganjëherë mund të jenë të lodhshme, me pritje të gjata, ndalesa të panevojshme apo pengesa të paparashikuara që e bëjnë itinerarin më të rëndë se sa mendohej fillimisht. Por kjo nuk ia zbeh kuptimin, përkundrazi, e pasuron përvojën, sepse lodhja është pjesë e natyrshme e çdo rrugëtimi.
Në fund të fundit, gjithçka justifikohet nga arritja në destinacion. Fakti që pas gjithë mundimeve të rrugës na pret një qëllim i caktuar, një përvojë e re, një takim apo një horizont tjetër, bën që çdo pengesë të marrë një kuptim të ri. Kështu, lodhja e udhëtimit nuk shihet më si pengesë, por si çmimi i natyrshëm i një kënaqësie që e tejkalon atë. Fundi, gjithmonë, ia vlen – sepse është aty ku shndërrohet në përvojë të plotë ajo që në fillim dukej thjesht një rrugë e gjatë.
Dëshira për të parë Pragën, atë qytet të bukur e të largët, asnjëherë nuk më ishte shuar. Ajo qëndronte brenda meje si një thirrje e heshtur, që ditë pas dite bëhej gjithnjë e më e fortë. Ditët kalonin, vinin e shkonin, por mendimi për këtë udhëtim më mbërthente mendjen dhe zemrën, duke më preokupuar me ëmbëlsinë e një ëndrre që po afrohej. Ishte fundi i gushtit, kur ndodheshim në Ulqin, atëherë kur deti na rrëfente qetësinë e tij të pafund. Pikërisht aty, në atë atmosferë verore, Arta më shkroi një lajm që ia shtoi krahët dëshirës sime, më tregoi se një agjenci turistike nga Shqipëria po organizonte udhëtim për në Pragë. Pyetja e saj ishte e thjeshtë, por e mbushur me emocion, a na përshtateshin datat që kishin caktuar?
Në atë çast, udhëtimi nuk ishte më vetëm një dëshirë e largët, por një mundësi konkrete që më ftoi ta përjetoja. Dhe mendimi për të nisur rrugën drejt Pragës nuk ishte vetëm planifikim, por një gjallërim i brendshëm, një ndjesi sikur një pjesë e shpirtit tim e kishte nisur udhëtimin shumë përpara se ta niste trupi.
E shikuam me vëmendje me Tefikun itinerarin, duke ndalur në çdo detaj të tij sikur të lexonim një hartë ëndrrash. Datat na u dukën të përzgjedhura me kujdes, të qëlluara, si të kishin ardhur në përputhje me dëshirën dhe mundësitë tona. Pa hezitim, i dhamë Artës përgjigjen e thjeshtë por të ngrohtë: “Po”.
Dita e nisjes ishte caktuar më 18 shtator. E enjte. Një ditë që sikur kishte marrë ngjyrën e duhur për të shënuar fillimin e një udhëtimi të veçantë. Zgjedhja e saj nuk ishte vetëm çështje rasti; ajo na ofronte edhe mundësinë që Arta të ishte pjesë e këtij rrugëtimi, pa humbur shumë ditë nga fakulteti. Në këtë mënyrë, jo vetëm nisja u bë më e përshtatshme, por edhe më e gëzueshme, sepse premtonte shoqërinë e saj në këtë aventurë të re.
Kështu, 18 shtatori nuk ishte më vetëm një datë në kalendar, por një pikë e shënuar me emocion, një prag që na ftonte të hapnim kapitullin e radhës të kujtimeve tona të përbashkëta.
Në ditën e caktuar, gjithçka ishte gati. Me nga një valixhe të vogël në duar dhe me makinën tonë, u nisëm drejt Tiranës. Në çdo udhëtim, ky qytet ka diçka të veçantë që na zgjon emocionin dhe na shton ritmin e zemrës, sikur nisja të merrte një kuptim më solemn sa herë që kalonim kufirin drejt tij. Nuk e di pse, por Tirana dhe gjithçka që lidhet me të na mbetet e dashur, sikur të ishte një portë e hapur drejt botës e njëherësh një strehë që na jep siguri.
Rruga drejt saj ishte më e qetë se zakonisht; nuk kishte atë ngarkesën e rëndë të muajve të pikut të verës, kur kolonat e makinave bëjnë që çdo kilometër të duket një pengesë. Këtë herë gjithçka ishte e lehtë, ashtu siç e kishim planifikuar. Arritëm në aeroportin e Rinasit pa pengesa, me një ndjesi se koha po rridhte në harmoni me dëshirën tonë.
Dhe kur ora shënoi 20:00, aeroplani u ngrit drejt qiellit, duke na çuar përmbi retë drejt Pragës. Atë çast, zemra ndjeu jo vetëm gëzimin e një nisjeje të re, por edhe atë dridhje të ëmbël që vetëm udhëtimet e largëta dinë të sjellin — një përzierje e padurimit, e kureshtjes dhe e magjisë së panjohurës që na priste përpara.
Sabile e Tefik Basha, hyrja në Urën e Karlit, shtator 2025
Avioni, i tejmbushur deri në ulëset e fundit, dukej sikur kishte përthithur çdo grimë hapësire të lirë. Çdo vend ishte i zënë, çdo korridor i ngushtuar nga prania e trupave njerëzorë që kërkonin qetësi dhe vendosmëri përballë një udhëtimi të gjatë. Nga ajo dendësi, krijohej ndjesia se ajri vetë ishte bërë më i rëndë, sikur frymëmarrja të mos ishte e mjaftueshme për të gjithë. Dhe megjithatë, pavarësisht ngarkesës së tepërt, atmosfera nuk ishte ajo e zakonshme, plot gjallëri e zhurmë. Përkundrazi, pasagjerët shfaqeshin të qetë, të mbyllur secili në mendimet e tij, ndërsa bisedat që shpërtheheshin aty-këtu ishin të buta, pothuaj të përmbajtura, duke i dhënë udhëtimit një karakter solemn.
Heshtja, megjithatë, nuk ishte absolute. Herë pas here, ajo prishej nga e qeshura e një fëmije, një zë i gëzuar që vinte nga fundi i avionit dhe sillte gjallëri në atë qetësi të rënduar. Ky zë fëmijëror, i ngazëllyer dhe i papërmbajtur, kontrastonte me seriozitetin e të rriturve, duke i dhënë hapësirës një frymë të papritur gjallërie. Në intervale të tjera, heshtjen e çante zëri i një stjuardi, i cili me ton profesional dhe të rregullt njoftonte ndryshimet në itinerar. Këto ndërhyrje, edhe pse të shkurtra, krijonin një ritëm të veçantë, një lojë të alternuar mes heshtjes dhe zërit, mes përqendrimit të brendshëm të udhëtarëve dhe realitetit praktik të udhëtimit.
Në këtë mozaik zërash të rralluar dhe heshtjes së ngjeshur, krijohej një atmosferë e pazakontë, një bashkëjetesë e tensionit të fshehur dhe qetësisë së jashtme, një tablo e udhëtimit modern, ku individët ndajnë të njëjtën hapësirë fizike, por jo domosdoshmërisht të njëjtën hapësirë emocionale.
Ndërsa aeroplani rrëshqiste qetësisht mbi qiellin e natës, unë u gjenda e zhytur në kërkime, duke lundruar jo mbi re, por mbi faqet e pafundme të internetit. Aty hasa shumë të dhëna interesante për vendin që po e vizitonim, për atë tokë që historia dhe kultura e kanë bërë të veçantë- Çekinë.
(Lexova se “Çekia (çekisht: Česko), zyrtarisht Republika Çeke, është një vend pa dalje në det, i vendosur në zemër të Evropës Qendrore, një kryqëzim rrugësh e kulturash, një udhëkryq ku lindin dhe shuheshin perandori.” Ky shtet kufizohet nga Gjermania në perëndim, Austria në jug, Sllovakia në lindje dhe Polonia në verilindje – një vend që bart brenda vetes aromën e gjithë Evropës.
Kryeqyteti i saj, Praga, nuk është vetëm qyteti më i madh, por edhe zemra që rreh ritmin e gjithë këtij kombi, një mozaik ku gërshetohen shekujt dhe stilet arkitekturore, duke e bërë atë një skenë të gjallë të historisë njerëzore. Republika Çeke përfshin në gjirin e saj territoret historike të Bohemisë, Moravisë dhe Silezisë Çeke – tre hapësira që kanë mbajtur mbi supe ngjarje, figura dhe trashëgimi që e bëjnë këtë vend një atlas të gjallë të kujtesës evropiane.
Duke lexuar këto fakte, ndihesha sikur vetë fluturimi mbi qiellin e Evropës po më sillte më afër kuptimit të thellë të kësaj toke: një vend i vogël në hartë, por i madh në historinë dhe kulturën e kontinentit. Historia e Çekisë është një udhëtim i gjatë nëpër shekuj, që nis me Dukatën e Bohemisë në shekullin IX dhe vazhdon me shndërrimin e saj në një mbretëri madhështore nën kurorën e Perandorisë së Shenjtë Romake. Në shekujt që pasuan, ajo u përfshi në fatin e Habsburgëve, përjetoi revolta e luftëra, njohu gjermanizimin dhe rilindjen e gjuhës së saj kombëtare, duke u shndërruar më vonë në zemrën industriale të monarkisë.
Pas vitit 1918, toka çeke u bë bërthama e Çekosllovakisë, e cila kaloi pushtimin nazist, regjimin komunist dhe plagën e pushtimit sovjetik, derisa Revolucioni i Kadifenjtë i vitit 1989 hapi udhën për demokraci. Më 1993, ndarja paqësore e saj solli në jetë dy shtete të reja: Republikën Çeke dhe Sllovakinë.
Sot, me Pragën si kryeqytet dhe mbi dhjetë milionë e nëntëqind mijë banor dhe me sipërfaqe prej 78.871 km2 katror, Çekia është një vend i zhvilluar, me ekonomi të fortë, standard të lartë jetese dhe e renditur ndër më paqësoret në botë. Ajo mbetet një vend ku historia, kultura dhe moderniteti takohen, duke e bërë një urë të gjallë mes së kaluarës së pasur dhe të ardhmes evropiane. Ajo është anëtare e Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Europian, NATO, OECD, OSBE dhe Këshillit të Evropës.
Ndërsa, Praga, kryeqyteti i Çekisë dhe zemra e Bohemisë, është një nga qytetet më të bukura të Evropës, një vend ku historia dhe bukuria ndërthuren si në një poezi të gjallë. Me rreth një milion e katërqind mijë banorë, ajo shtrihet mbi brigjet e Vltavës si një kurorë kështjellash, kupolash dhe majash që i dhanë nofkën “qyteti i artë” dhe “qyteti i njëqind majave”. Qendra e saj historike, e shpallur pasuri e UNESCO-s, me Kështjellën e famshme të Pragës – më e madhja në botë – tërheq miliona vizitorë çdo vit. Praga nuk është vetëm një qytet, por një mozaik kohe, një kryqëzim kulturash dhe një skenë e përjetshme ku e shkuara dhe e sotmja flasin në harmoni).
Arta Basha – Jakupi, Sabile e Tefik Basha, Kalaja e Pragës, shtator 2025
Pas një kafeje që mbeti në kujtesë jo vetëm për shijen, por edhe për atë çast të qetësisë që ofronte, dhe pas dy orësh udhëtim që u shuan sikur të ishin vetëm disa minuta, aeroplani nisi të zbresë me një elegancë të përmbajtur. Lëvizja e tij, e qetë dhe e matur, të kujtonte një balerin që përfundon vallëzimin me një hap të butë, duke prekur tokën me delikatesë. Dhe kështu, me një prekje thuajse të padukshme, ai u vendos mbi pistën e aeroportit të Pragës, duke shënuar fundin e udhëtimit dhe fillimin e një përvoje të re.
Në atë çast, mes buzëqeshjesh dhe shikimesh të mirëkuptuara, unë, Tefiku dhe Arta u ngritëm e u drejtuam drejt daljes. Ishte befasuese mënyra se si të gjithë udhëtarët ruanin një ritëm të përbashkët, të butë e të disiplinuar. Nuk kishte nguti, as nxitim të shfrenuar, as shtyrje që shpesh e karakterizon një turmë të lodhur nga udhëtimi. Përkundrazi, duke respektuar njëri-tjetrin, secili ecte në heshtje, si pjesë e një koreografie të padukshme të qytetarisë dhe mirësjelljes.
Në fundin e korridorit të ngushtë të avionit, një stjuardesë, me një elegancë që i përshtatej rolit të saj, na priti me një buzëqeshje të ngrohtë. Me një zë të qetë dhe të ngushëllueshëm, ajo na uroi një qëndrim të këndshëm, duke e shndërruar largimin nga avioni në një përshëndetje miqësore. Dhe, me një lëvizje të lehtë të dorës, ajo hapi derën, sikur të hapte një portë drejt një bote të re, ku pritnin rrugët, qyteti dhe përjetimet e panjohura që ende nuk kishin marrë formë.
Dy orët e udhëtimit u tretën me një shpejtësi të habitshme, sikur koha vetë kishte vendosur të përshpejtonte ritmin e saj për të na sjellë më afër destinacionit. Ende të mbërthyer nga përshtypjet e fuqishme që na kishte lënë aeroporti i Tiranës, me turmat e mbipopulluara dhe zhurmën e dendur që dukej se pushtonte çdo hapësirë, papritmas u gjendëm përballë një kontrasti të thellë kur dyert e avionit u hapën dhe para nesh u shfaqën ambientet e qeta dhe të rregullta të aeroportit të Pragës.
Sabile e Tefik Basha, në qendër të Pragës, shtator 2025
Qetësia e këtij vendi ishte gati e prekshme. Nuk kishte turma të zhurmshme, as pritje të gjata e të lodhshme. Hapësirat e brendshme shndrisnin nga pastërtia, dhe një freski e butë, e shoqëruar nga një aromë e pastër ajri të filtruar, na përshkoi trupin, duke na dhënë ndjesinë e një mirëseardhjeje të heshtur. Çdo gjë dukej e matur, e menduar dhe e organizuar për t’i dhënë udhëtarit jo vetëm funksionalitet, por edhe një lloj rehatie të padukshme.
Pas një kontrolli formal të pasaportave, që kaloi pa asnjë vonesë apo komplikim, e gjetëm veten menjëherë në dalje, ku teknologjia e kohës sonë na vinte në ndihmë. Uberi i porositur na priste aty, një shenjë e modernitetit që e kishte zhdukur pritjen dhe pasigurinë e dikurshme. Dhe për habinë tonë, sikur koha të ishte shkurtuar edhe më tej, sa hap e mbyll sytë udhëtimi ynë na çoi para hotelit të përzgjedhur. Ishte një kalim i shpejtë dhe i qetë, nga fluturimi në aeroport, nga aeroporti në qytet, dhe nga qyteti drejt hapësirës së përkohshme që do të bëhej streha jonë e parë.
Hoteli “Botanic”, edhe pse ndodhej shumë pranë zemrës së qytetit, na dukej sikur ishte hyrja në një botë tjetër. Rruga që përshkuam nga aeroporti e deri aty nuk ishte thjesht një segment udhëtimi, por një përjetim i plotë, një panoramë që na mbeti e ngulitur thellë në kujtesë. Shtrirja e bulevardeve, gjerësia e rrugëve të rregulluara me kujdes, dhe mbi të gjitha gjelbërimi që shoqëronte çdo hap – të gjitha këto na dhanë ndjesinë e një qyteti që frymonte lirshëm, të një hapësire ku njeriu dhe natyra kishin gjetur mënyrën të bashkëjetonin pa e mposhtur njëra-tjetrën.
Ndryshe nga Prishtina, ku zhurma dhe ngarkesa janë pjesë e pandashme e realitetit të përditshëm, këtu syri ynë nuk ndeshi asnjë tollovi, asnjë ngutje të lodhshme. Qyteti na u shfaq i qetë, i përmbajtur, sikur të ishte ndalur në një ritëm të veçantë, që nuk kishte nevojë të garonte me kohën.
Vozitësi i Uber-it, me një qetësi që dukej se përfaqësonte shpirtin e qytetit, ndali para hotelit. Pa fjalë të tepërta, por me një mirësjellje të heshtur, ai na ndihmoi të zbresim valixhet, na uroi mirëseardhje dhe, sikur të zhdukej në një re të lehtë, u largua prej nesh. Mbetëm aty, të habitur, duke soditur hotelin që shndriste nën dritat e natës, rrugët e pastra që të ftonin për ecje, dhe njerëzit që herë pas here kalonin të qetë mbi trotuaret e tyre, pa zhurmë, pa ngut, sikur nata ishte pronë e tyre e përhershme.
Ora nuk ishte vonë – vetëm rreth njëmbëdhjetë pas dy orësh fluturimi – dhe megjithatë, një qetësi e rrallë e përshkonte qytetin. Ishte një qetësi që nuk vinte nga boshllëku, por nga harmonia; një qetësi që nuk ishte mungesë jete, por shenjë e një jete të rregulluar, të disiplinuar, ku njeriu nuk e mposhtte hapësirën me ngutjen e tij, por e jetonte atë me dinjitet.
Në atë moment, ku rrugët, hoteli dhe gjelbërimi i qytetit ndërthureshin me qetësinë e natës, ndjemë se kishim hyrë në një përvojë tjetër udhëtimi – një udhëtim ku çdo detaj i vogël fliste me gjuhën e vet poetike, duke na kujtuar se qetësia është gjithashtu një formë e thellë bukurie. Në hyrje të hotelit na priti një atmosferë që të ngjallte menjëherë ndjesinë e mirëseardhjes. Recepsionistja, me një buzëqeshje të ngrohtë e të përzemërt, na shoqëroi me fjalë të pakta, por të mjaftueshme për të krijuar një ndjenjë qetësie, dhe na dorëzoi çelësin e dhomës 507, duke na treguar me gjest të butë drejtimin e ashensorit. Ishte një pritje që nuk kërkonte pompozitet e fjalëve të mëdha, sepse ngrohtësia e saj e thjeshtë e mbulonte gjithë hapësirën.
Edhe pse lodhja nga udhëtimi e ndjente veten në supet tona, ajo u zbut dhe u tret nga një rehati e papritur që na pushtoi sapo hodhëm sytë përreth. Në çdo cep të hotelit shquheshin lulet të freskëta, të gjalla, të vendosura me kujdes si shenja të një mikpritjeje të heshtur. Fuajeja dhe restoranti nuk ishin vetëm hapësira funksionale, por të shndërruara në një kopsht të brendshëm ku natyra vetë dukej sikur na përshëndeste.
Por mbi të gjitha, ajo që binte në sy dhe prekte ndjeshmërinë tonë ishte pastërtia e përkryer, që i jepte hapësirës një ndjenjë gati shpirtërore. Çdo gjë dukej e rregulluar, e përmbajtur, në një harmoni të heshtur ku qetësia mbretëronte pa rivalë. Ishte një qetësi që nuk rëndonte, por të mbështillte si një pëlhurë e lehtë, duke i dhënë mundësinë të marrë frymë thellë e lirshëm.
Në një qoshe të restorantit, disa mysafirë të tjerë rrinin të ulur, të zhytur në biseda të qeta. Zërat e tyre ishin të butë, të përmbajtur, si një murmurim e largët lumi që rrjedh pa u ndalur. Nuk i shqetësonte as hyrja, as dalja e njerëzve nga hoteli. Ata dukeshin të mësuar me këtë qetësi, sikur jeta e tyre përkohësisht i përkiste këtij rregulli të heshtur, kësaj harmonie të brendshme që hoteli shpërndante me natyrshmëri.
Në atë mbrëmje, ndoshta më shumë se në çdo udhëtim tjetër, kuptuam se mikpritja nuk matet me fjalë apo madhështi, por me detaje të vogla, një buzëqeshje e sinqertë, një hapësirë e pastër, aroma e luleve dhe zëri i qetë i bisedave që nuk prishin asgjë. Ishte sikur hoteli na ftonte jo vetëm të pushojmë, por edhe të hyjmë në një gjendje tjetër, ku qetësia dhe thjeshtësia bëhen vetë luks.
Dhoma që na priti ishte një befasi e këndshme, një hapësirë e vogël që dukej sikur kishte pritur enkas për ne. Bardhësia e saj shkëlqente në çdo cep, aq sa reflektonte dritën e qetësisë që kisha ëndërruar gjithmonë të gjeja në një strehë udhëtimi. Ajo bardhësi nuk ishte thjesht ngjyrë, por simbol i pastërtisë, i thjeshtësisë dhe i fillimeve të reja, sikur muret vetë dëshironin të na përqafonin me paqen e tyre.
Posa i lëshuam valixhet, atmosfera mori menjëherë një tjetër dimension. Qeshjet tona shpërthyen natyrshëm, ashtu si ndodh gjithmonë kur jemi pranë fëmijëve tanë. Kishte një gëzim të veçantë në atë çast, sepse me ne ishte Arta, ajo dashuri e pamatur në familjen, që çdo udhëtim e bën më të bukur. Bisedat tona të gjalla e mbushën dhomën me jetë, duke e kthyer atë nga një hapësirë e huaj në një strehë intime e të njohur.
Rikujtuam ngjarjet e udhëtimit, pamjet e rrugëve të gjera, qetësinë e Pragës, pritjen në hotel dhe buzëqeshjet e të panjohurve që na shoqëruan gjatë ditës. Çdo kujtim u bë një fije e re në pëlhurën e bisedës sonë, duke krijuar një rrëfim që na përkiste vetëm neve. Dhe kur nata ra mbi ne me gjithë heshtjen e saj të thellë, lodhja e udhëtimit na pushtoi ngadalë, duke na ftuar në përqafimin e gjumit.
Dikur vonë, të shtrirë mbi bardhësinë e dhomës që tashmë ishte bërë e jona, sytë na u mbyllën të qetë. Dhe ashtu, mes kujtimeve të freskëta dhe qetësisë së natës, gjumi na mori me vete, duke e mbyllur ditën me një premtim të heshtur për një mëngjes të ri, plot përjetime të tjera.
Agimi i ditës së re na gjeti tashmë gati, sikur vetë nata kishte punuar për të na përgatitur për udhëtimin që do të niste. Rrezet e para të diellit depërtuan lehtë mbi qytetin e huaj, ndërsa në brendësinë tonë zgjoheshin padurimi dhe kureshtja. Një mëngjes i begatë, i mbushur me shije që i dhanë trupit forcë dhe shpirtit gjallëri, na priti si një shenjë e mbarë. Dhe mbi të gjitha, dy kafe aromatike u bënë ritmi i fillimit të ditës sonë, një rit i vogël që shënoi hyrjen në aventurë. Tashmë të ngopur me shije e të mbushur me energji, ndjemë se ishim të gatshëm të shkelim çdo shteg e çdo qoshe të këtij qyteti, i cili prej kohësh përshkruhej si margaritar i Evropës Qendrore. Fjalët e të tjerëve, se Praga është një ndër qytetet më të bukura të këtij kontinenti, nuk ishin më vetëm një thënie, ato ishin një premtim që prisnim ta vërtetonim me sytë tanë.
Me hapa të lehtë, me shpirt të hapur dhe me mendjen që kërkonte të thithte çdo pamje, u nisëm në eksplorimin e këtij vendi ku historia dhe bukuria, arti dhe qetësia, bashkëjetonin në një mozaik të papërsëritshëm. Ishim gati të hulumtonim jo vetëm rrugët e tij, por edhe të zbërthenim misterin që e bënte këtë qytet kaq të dashur për udhëtarët e botës.
Që nga çasti kur u vendos udhëtimi ynë drejt Pragës, unë kisha filluar të ushqeja kureshtjen me lexime dhe pamje të këtij qyteti. Më pëlqente ta përfytyroja udhëtimin përpara se të ndodhte, sikur ta jetoja dy herë, një herë në mendje e letër, e pastaj në realitet. Vendet më tërheqëse i kisha përzgjedhur me kujdes dhe i kisha shtypur në faqe të bardha letre, të cilat tashmë më shërbenin si një hartë e vogël personale, një udhërrëfyes që duhej vetëm të kthehej në përvojë të gjallë. Nga letra në vepër, nga imazhi i imagjinatës në realitetin e prekshëm – ky ishte hapi që do të ndërmerrnim.
Pas një mëngjesi të pasur, që na mbushi me gjallëri e shpresë për një ditë të re, u përgatitëm me shpejtësi dhe dolëm në rrugët e qytetit. Mu përballë hotelit, fati na kishte vendosur stacionet e tramvajit dhe të autobusit, ndërsa pak më tej shndriste hyrja e metros – një shenjë se Praga na ofronte lirinë për të zgjedhur çdo mjet udhëtimi, çdo rit të lëvizjes. Ishte një ndjesi sikur vetë qyteti na ftonte ta njihnim me mënyrën që donim, pa na imponuar asgjë.
Propozimi i Artës, megjithatë, ishte ai që i dha udhëtimit tonë drejtimin më të zgjuar, të merrnim autobusin “Hop-on, Hop-off”, atë që përshkonte gjithë pikat turistike të qytetit dhe i lidhte ato si fije të një gjerdani të ndritshëm. Ky autobus nuk ishte thjesht një mjet transporti, por një mënyrë për të hyrë në zemrën e Pragës, duke na dhënë lirinë të zbrisnim aty ku bukuria na thërriste më shumë, të shihnim, të preknim, të ndjenim, e pastaj të ktheheshim përsëri për ta vazhduar rrugëtimin drejt pikave të tjera.
Dhe kështu bëmë. U nisëm me një emocion të qetë, të mbështjellë nga siguria se nuk do të humbnim asgjë, se çdo atraksion i madh i qytetit do të na priste në kthesën e vet. Udhëtimi ynë u bë një lojë e bukur mes ndalesës dhe vazhdimit, mes soditjes dhe ecjes përpara. Ishte një mënyrë për ta jetuar qytetin si të ishte një libër i hapur, ku çdo kapitull duhej të lexohej ngadalë, me kujdes, duke mos harruar se pas çdo faqeje kishte gjithmonë një faqe tjetër, po aq të pasur.
Me agimin e ditës së re, qyteti nisi të zgjohej ndryshe nga qetësia e natës së kaluar. Rrugët e Pragës, që mbrëmë na ishin dukur të heshtura e të qeta, tani gumëzhinin nga prania e turistëve. Një mori turistësh, të ardhur nga anë të ndryshme të botës, i mbushnin sheshet dhe rrugicat si një lumë i gjallë që rridhte pandalë. Qyteti dukej se merrte frymë nëpërmjet hapave të tyre, ndërsa zhurma e lehtë e bisedave dhe e hapave të sinkronizuar krijonte një ritëm të veçantë urban.
Turmat lëviznin me një organizim të habitshëm, sikur çdo grup kishte gjenezën e vet të brendshme, një disiplinë që i mbante të bashkuar. Në krye të secilit grup turistesh, ngrihej një flamur i vogël, një shenjë orientuese, një yll i udhërrëfimit, që turistët e ndiqnin me sy për të mos humbur në detin e njerëzve. Ata flamuj të vegjël, që valëviteshin lehtë në erën e mëngjesit, i jepnin qytetit pamjen e një procesioni shumëngjyrësh, ku çdo komb e kulturë gjente vendin e vet.
Ishte një spektakël i gjallë i lëvizjes njerëzore, një mozaik i popujve që shkrinin kureshtjen dhe gëzimin e tyre në rrugët e Pragës. Dhe në atë shfaqje të hapur, qyteti vetë bëhej një skenë, ndërsa turistët – aktorë të përkohshëm të një drame të përditshme, ku bukuria e trashëgimisë dhe fryma e historisë lidhnin të panjohurit në një përjetim të përbashkët.
Kisha ndjesinë e fortë se ky qytet ishte i rregulluar mbi ritmin e saktë të orës, sikur çdo gjë të lëvizte me një harmoni të padukshme, por të përkryer. Nuk kishte vonesa, nuk kishte improvizime të lodhshme. Gjithçka ndodhte në kohën e paracaktuar. Edhe autobusi ynë erdhi në minutën e caktuar, sikur të ishte pjesë e një koreografie të madhe urbane. Udhëtarët, pa nguti dhe pa asnjë shtyrje, zunë vendet e tyre me një qetësi të admirueshme, duke e shndërruar nisjen në një përvojë të natyrshme dhe të disiplinuar.
Ne kishim zgjedhur linjën e kuqe, atë që përshkonte nëntë pika kyçe të qytetit, secila një gur i çmuar në kurorën e Pragës. Me këtë itinerar, udhëtimi ynë u bë një shpalosje graduale e mrekullive, sikur qyteti të na zbulohej ngadalë, faqe pas faqeje, si një libër i trashë i historisë dhe bukurisë.
Që në momentet e para, sytë tanë u kapën nga madhështia e këtij vendi. Rrugët ishin të gjera dhe të rregulluara, të menduara jo vetëm për të lehtësuar lëvizjen, por edhe për të ruajtur një estetikë urbane që të ngopte shpirtin. Komunikacioni ishte i qetë, pa kaos, pa ngarkesë – një rrjedhë e butë, ku njeriu ndjehej i lirë. Dhe më e habitshmja, gjatë gjithë segmentit që përshkuam, më dukej se hapësirat u ishin dorëzuar më shumë këmbësorëve sesa makinave. Ishte sikur qyteti të kishte zgjedhur të jetonte në ritmin e hapave njerëzorë, jo në vrullin e motorëve.
Kjo përkujdesje e hollë, ky respekt për këmbësorin, më dha ndjesinë e një qyteti që nuk e shihte njeriun si pengesë të komunikacionit, por si masë të tij, si qëllim dhe thelb. Dhe aty, mes rrugëve të gjera e të qeta, fillova ta kuptoj se pse Praga përshkruhej kaq shpesh si një vend ku historia dhe moderniteti nuk luftojnë, por shtrëngojnë duart për t’i ofruar njeriut hapësirën ideale të jetesës.
Sapo u ulëm në vendet tona, në autobusin turistik me çati të hapur që dukej sikur na ftonte ta përjetonim qytetin nën dritën e plotë të qiellit, një grua e buzëqeshur që shoqëronte udhëtimin na u afrua. Ajo me një kujdes të veçantë, sikur të ishte një mikpritëse e vjetër e këtij qyteti, na shpjegoi funksionimin e udhëtimit. Na tregoi vendndodhjen e altoparlantëve të vendosur me kujdes pranë çdo ulëseje, të cilët përcillnin historinë dhe rrëfimet e monumenteve në shtatë gjuhë të botës.
Ishte një çast i vogël, por me domethënie të madhe: fjala e saj e kthjellët dhe sistemi i përkthimit ishin ura që e lidhte qytetin me të huajt, duke e bërë bukurinë e Pragës të kuptueshme për secilin, pavarësisht gjuhës së nënës. Ato altoparlantë të vegjël nuk ishin thjesht pajisje teknike, por instrumente që shndërronin çdo gur, çdo urë e çdo shesh në një rrëfim të gjallë.
Në atë moment ndjeva se ky udhëtim nuk do të ishte vetëm një shëtitje vizuale. Do të ishte një udhëtim i dyfishtë: nëpër hapësirat e qytetit dhe nëpër historinë e tij të gjatë, ku çdo gjuhë bëhej një dritare e re për ta parë të njëjtën madhështi. Dhe kështu, autobusi i hapur nuk ishte më vetëm një mjet transporti, por një skenë ku historia dhe turistët bashkëjetonin, të lidhur nga tingujt e rrëfimit.
Ne zumë vendet tona me një ndjenjë qetësie dhe gëzimi të thjeshtë. Fati ishte në anën tonë, sepse koha u tregua bujare, një freski e lehtë mbështillte qytetin, duke na ftuar të udhëtonim pa ngut e pa pengesa. Nuk kishte rrezikun e diellit të rëndë që shpesh të lodh e të detyron të kërkosh hije, përkundrazi, ajri i butë premtonte një ditë të gjatë, ku mund të shëtisnim për orë të tëra, të lirë dhe të lehtësuar nga çdo brengë e vapës.
Kjo freski nuk ishte vetëm klimë, por një gjendje shpirtërore. Ajo e ktheu udhëtimin tonë në një përjetim të plotë, ku vështrimi mund të endet lirshëm mbi bukuritë e qytetit pa u penguar nga asgjë. Ishte si një dhuratë e padukshme e natyrës, që na lejoi të shijonim çdo detaj – nga hijet e ndërtesave të vjetra te gjelbërimi i rrugëve – me një qetësi që vetëm moti i përsosur mund ta falë.
Me kujdes dhe një lloj rregulli të brendshëm, i shqyrtuam të gjitha pikat turistike që na ofronte itinerari. Disa prej tyre vendosëm t’i lëmë mënjanë përkohësisht, pasi ato përsëriteshin edhe në vijën tjetër, atë të gjelbër, dhe do të kishim mundësi t’i vizitonim më vonë nga një kënd tjetër, ndoshta edhe më interesant. Kjo zgjedhje nuk ishte thjesht praktike, por edhe një mënyrë për t’ia dhënë vetes luksin e pritjes, të mos e konsumonim menjëherë çdo gjë, por ta shijonim ngadalë, në ritmin që qyteti vetë dukej se na diktonte.
Arta, me largpamësinë e saj të zakonshme, kishte marrë edhe biletat për një udhëtim me anije. Kjo nuk ishte një zgjedhje e rastësishme, por një plotësim i natyrshëm i udhëtimit tonë nga rrugët e qytetit drejt rrjedhës së tij të përjetshme, lumit Vltava. Me këtë anije, destinacionet mbeteshin po ato, por përvoja ndryshonte, do t’i shihnim më nga afër brigjet e lumit, ndërtesat që reflektoheshin mbi sipërfaqen e ujit si në një pasqyrë të lëngët, dhe mbi të gjitha, do të na shfaqej në madhështinë e saj ura emblemë e qytetit – Ura e Karlit.
Ky monument i lashtë, që lidh brigjet e Pragës prej shekujsh, nuk ishte vetëm një urë prej guri, ajo ishte një urë kohe, një dëshmi e gjallë që kishte parë miliona hapa të njerëzve, miliona shikime të turistëve dhe heshtjen e gjatë të netëve të qytetit. Ta soditnim nga lumi do të thoshte të hynim në një perspektivë tjetër, më të qetë, më të thellë, ku historia dhe natyra bashkoheshin në një simfoni të padukshme.
Kështu, udhëtimi ynë nuk ishte më vetëm një listë vizitash, por një ndërthurje e menduar bukur mes tokës dhe ujit, mes planifikimit dhe spontanitetit, mes asaj që e shihnim nga mbi urë dhe asaj që do të na shfaqej nën të. Ishte një përvojë që na kujtonte se bukuria nuk është vetëm në objektet e vizituara, por edhe në mënyrën se si zgjedh ta përjetosh atë.
(Vijon)