POPULL SHKRIMTAR PA LEXUES

0

Kalosh Çeliku NGA KALOSH ÇELIKU

Populli shqiptar, që dikur në kohën e komunizmit, mezi e priste t’i vijë një libër shqip dorë më dorë nga Beogradi. Ose, maleve me gomar nga Shqipëria. Sot, nuk ka nevojë më për libra. Barkun e ka plotë me libra, e pa ushqim. Në atë kohë edhe shkrimtarët i numronte në gishta. Vështirë botoheshin librat. Edhe, atë pa kaluar nëpër duart e cenzurëkuqëve të Partisë Komuniste, nuk mund ta shihte libri dritën. Ditën e Sotshme, nuk kemi cenzurë komuniste, por kemi partiake me pak vlera të arrira artistike. Kujt t’i teket pa kritere letrare boton libra.

Niko Nikolla, satirist i mirënjohur shqiptar para disa viteve (1997) gjatë Akademisë përkujtimore të Mehmedali Hoxhës në Strugë, pati të drejtë kur tha: nuk ka popull shqiptar, por ka popull shkrimtar. E, sot me kaq shumë parti politike shqiptare, secila pjellë si buçat pas ndonjë kontenieri shkrimtarë?!

Sot, hapeni internetin, Facebook, dhe shihni sa shkrimtarë i ka ky popull: shkrimtarë kuqezi me shqiponja të partive politike, shkrimtarë-analistë melezë me sheshira, shkrimtarë rrufjanë, shkrimtarë rriqëra që turren pas personaliteteve historike, shkrimtarë dudumë të policies letrare, që ua fërkojnë herdhet prijësve të partive politike, shkrimtarë trusakatë me herdhet nëpër këmbë. Shkrimtarë oborri me dosje “patriotike” policore, që gjithë jetën i janë ngatërruar popullit shqiptar nëpër këmbë.

E vrasin dhe e presin “armikun” historik nëpër libra. Gjakun e derdhin deri në gju për gjuhë shqipe, shkolla e flamur kombëtar… Copë-copë e bëjnë armikun… “Shkaun” e rrokin për fyti… Lapsin e nxjerrin nga hatullat… E bëjnë “Shqypni të madhe” me poezi patetike.
Libri shqip me vite si zakonisht, edhe sot burgoset dhe dergjet podrumeve të institucioneve të partive politike në pushtet dhe opoziët. Vështirë edhe sot i kalon kufinjt politik. Lirshëm e kalon kufirin libri provokativ-politik “Kosova dhe Metohija”, por jo edhe libri shqip artistik.

I cili flen gjumë të rëndë Panaireve të librit në Tiranë dhe Prishtinë. Përmëkeq, në Panirin e Librit në Shkup, nuk flet edhe shqip. Përshkak, se: Gjuha Shqipe, ende nuk është zyrtare. Strehohet, qoshkeve me pak shtëpi botuese dhe libra me slloganin: “Ushqim për Shpirtin”?! Kohë, kur populli e ka barkun e zbrazët. E, Panairin e Librit në Shkup plotë me politikë partiake.

Libra kemi me thasë arnë përmbi arnë, por nuk kemi lexuesë. Librit, Sot: i bënë konkurencë dhe e ka zëvendsuar Interneti: Facebook, Instagram dhe Partitë Politike në pushtet për pasuri personale dhe familjare, që e kanë rrokur me të dyja duart për fyti.
Shqiptarët edhe në Panairin e Librit në Shkup 2025, janë “pakicë kombëtare” edhe me më pak se 20 përqindje. Shumica e shtëpive botuese në gjuhën shqipe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, e kanë braktisur Panairin e Librit në Shkup. Poashtu, edhe lexuesit shqiptarë.

Panairi i Librit 2025 ka pak vizitorë, pak stenda të Shtëpive Botuese Shqiptare. Librat në gjuhën shqipe në Panairin e Librit në Shkup, këtë edicion ishin edhe më të reduktuar, gjithsejtë gjashtë stenda ku pranë njëri – tjetrit gjendeshin shtëpitë botuese: “Albas”, “Nobel”, “Fan Noli” (Shqipëri), “Logos-A”, “Furkan” (Maqedoni e Veriut), “Dituria Islame” (Kosovë).

“Nuk ka ndonjë ndryshim të madh kulturor. Ashtu si çdo vit”, thonë: shtëpia botuese “Fan Noli”, që është edhe stenda e vetme nga Shqipëria. Nga Kosova shtëpia e vetme botuese me 70 tituj është “Dituria Islame”. Ky është viti i dytë i pjesëmarrjes dhe janë të kënaqur?! “Kemi patur vizitorë, të interesuar për atë që ofrojmë ne, literaturë fetare, shkencore”, thonë nga “Dituria Islame”. E kënaqur është edhe Shtëpia Botuese “Logos-A”. Nga shtëpia botuese “Furkan”, të pakënaqur i fajësojnë organizatorët, që çdo vit iu rezervojnë cepat e sallës së Panairit. “Ka patur vërtet pak vizitorë. Por faji është tek mungesa e informimit, tek organizatorët që na bëjnë diskriminim teknik të qëllimtë çdo vit. Duket se nuk na duan këtu”, thonë nga “Furkan”.

Edhe vizitorët kët vit ndahen të pakënaqur. Ankohen për çmimet, por edhe për mungesë aktivitetesh kulturore, apo promovime titujsh të rinj të librave e autorësh, që prej disa vitesh mungojnë për publikun shqiptar. “Çmimet janë të larta. Nuk ka ndonjë ulje, apo oferta tërheqëse për lexuesin”, thotë një student. Me sloganin “Ushqim për Shpirtin”, në edicionin e 37-të të PNL morën pjesë 65 shtëpi botuese. Për dallim nga këndi i stendave të botuesve shqiptarë, pjesa tjetër gjatë gjithë ditëve ka qenë e mbushur me vizitorë dhe organizime të ndryshme, mes të cilave 110 promovime dhe takime me autorë.

Me oferta dhe ulje çmimesh të afishuara dukshëm thuajse në çdo stendë, kënde prezantimesh dhe edukative për fëmijë. Ky edicion u hap nga presidentja Gordana Siljanovska dhe ministri i kulturës Zoran Ljuktov me theksin tek 80 vjetori i kodifikimit të gjuhës maqedonase. Ministria e Kulturës Serbisë zuri një vend të posaçëm me disa promovime librash dhe titujsh, ku nuk mungonin ato provokativë si “Kosova dhe Metohija”.

Në ditët e fundit të panairit botuesit shqiptare ndahen thuajse të zhgënjyer nga frekuentimi i dobët, edhe pse siç pohojnë një pjesë prej tyre nuk kanë pasur as mikpritje kulturore – artistike nga organizatorët.

Dhe, një popull shkrimtar pa lexuesë, nuk ka nevojë për libra…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.