Robert Martiko
Rreth poezisë “Vajzat kanë mërguar…” të autorit Timo Mërkuri

Poezia “Vajzat kanë mërguar…” është një rrëfim i ndjeshëm për një përvojë intime të mungesës, që nuk artikulohet përmes ngjarjes, por përmes ndjesive që rrjedhin ngadalë, si një kohë e brendshme që s’matet me orë, por me ndjenja. Trëndafili i bardhë që nusëron në pragun e shtëpisë është një shenjë që nuk i përket thjesht botës fizike, por është e ngarkuar me kujtime, me emocione që zgjaten në vetëdijen e poetit si rrjedhë e vazhdueshme.
Kjo përvojë mund të shihet përmes syrit të Bergson-it, i cili e kundërshton konceptin racional të kohës si ndarje mekanike dhe lineare, duke theksuar se jeta e vërtetë përjetohet përmes një kohe të brendshme të pandashme, e cila rrjedh si një muzikë e vazhdueshme. Mungesa e vajzave nuk është vetëm një fakt social apo demografik, por është një zgjatje e një ndjenje që mbështjell të gjithë qenien e subjektit lirik. Trëndafili në prag nuk është një lule – ai është simboli i një ndjenje që jeton në vetëdije, në kujtesë, në atë Kohë që Bergson do ta quante e brendshme, intuitive dhe jetësore.
Përmes kësaj perspektive, vargu “Por unë s’mund ta këpus / se s’kam kujt t’ia dhuroj” nuk është shprehje e një akti të thjeshtë ngurrimi apo dëshpërimi, por është shprehje e një ndjenje që nuk mund të ndahet nga rrjedha e shpirtit të njeriut. Poeti nuk i jep zë kohës së jashtme, por përjetimit të brendshëm të një boshllëku që rrjedh në vetëdije – një boshllëk që nuk shërohet me veprime, por me kuptim.
Në këtë perspektivë, poezia nuk është thjesht një elegji për të shkuarën, por një akt intuite i jetës, një moment i thellë i vetëdijes, ashtu siç Bergson e përkufizon përjetimin autentik të kohës dhe të qenies.
VAJZAT KANË MËRGUAR…
… e te pragu i shtëpisë sime
një trëndafil i bardhë nusëron.
Mëngjeseve kur nisem për rrugë
më përcjell me dënesa e lot.
E diç më thotë mes psherëtimave.
Por unë s’mund ta këpus
se s’kam kujt t’ia dhuroj.
Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, shkrimtar