Poezi nga teologu Nikolin Sh. Lëmezhi

0
Nikolin Sh. Lëmezhi

Caku i lumtur i rritjes

Rritja është e ngadaltë,
nganjëherë e mundimshme,
por përfundon
në një cak të lumtur!

Shkodër, më 12.07.2022

Kur Heshtja flet

Kur njerëzit heshtin
dhe Heshtja flet,
aty ka Jetë.

Shkodër, më 12.07.2022

Lutje për liri shpirtërore

Derisa të kesh shije për diçka
nuk mund ta ndalosh atë.
O Zot,
prandaj pot ë lutem:
Hiqe prej meje
shijen e mëkatit!

Shkodër, më 15.07.2022

Siguria e madhe

…i deshe ata sikurse më deshe mua”. (Gjn. 17, 23)
Sa pasiguri të vogla e të mëdha
në këtë ecje,
të cilat si gjethet nga pema
bien vazhdimisht,
përpara sigurisë së madhe
se kemi një Atë që na do,
me të njëjtën Dashuri
që deshi edhe Birin e vet,
të vetmin Zot Jezu Krisht!

Shkodër, më 16.07.2022

Ndryshim kahu…

Dikur shkoja
nga njerëzit tek Zoti;
tani shkoj
nga Zoti tek njerëzit.
Të njëjtën rrugë po bëj,
por kam ndryshuar drejtim.

Shkodër, më 16.07.2022

Koha e pjekurisë

…nëse ndokush është në Krishtin,
është krijesë e re…
”. (2 Kor. 5, 17)

Ka etapa në jetë,
tani jemi në etapën e Hirit,
në etapën e jetës së re
me Krishtin.
Është koha e pjekurisë.

Shkodër, më 16.07.2022

Mos jini në mëdyshje!

Mësoni të bëni vepra të mira…!”. (Is. 1, 17)

O njerëz!
Mos jini në mëdyshje për të mirën:
Ajo duhet bërë menjëherë!
Atë e njohin të gjitha kulturat,
të gjitha kombet,
të gjitha fetë.
Ajo është si një dritë e kulluar
në ndërgjegjet e të gjithëve.
Mos pyetni nëse duhet ta bëni të mirën
dhe mos jini në mëdyshje
sepse Ajo është e njohur në vetvete
dhe nuk ka nevojë për një aprovim nga jashtë!
Aprovimi duhet vetëm për të dobëtit
që s’dinë të dallojnë lehtësisht
të mirën nga e keqja.

Shkodër, më 17.07.2022

Bashkësi dashurie

Kisha është një bashkësi dashurie
në përngjasim të Trinisë së Shenjtë,
sepse edhe Trinia e Shenjtë
është një bashkësi dashurie,
madje është bashkësia e parë e dashurisë,
bashkësia prej së cilës
buron çdo bashkësi tjetër.
Secili prej nesh është një vazhdimësi
e këtij Burimi dashurie,
secili prej nesh është
një shëmbëllesë origjinale e kësaj bashkësie.
Jemi të thirrur të rrezatojmë Trininë e Shenjtë,
jemi të thirrur të përhapim
këtë zjarr dashurie mbi tokë,
këtë zjarr dashurie që është i ndezur
që nga Përjetësia në Zemrën e Trinisë së Shenjtë.
S’ka plagë që nuk shërohet,
s’ka vuajtje që nuk merr kuptim,
për ata që janë në Zemrën e Trinisë,
për ata që qëndrojnë në vullnetin e Zotit.

Shkodër, më 19.07.2022

Jetoj i lumtur

Gjërat e bukura
të të gjitha kohëve,
që unë i përjetova,
u mblodhën në Ty, sot,
Imzot,
dhe jetoj i lumtur e i mahnitur,
përballë bukurisë dhe dashurisë,
që Ti më transmeton.

Shkodër, më 21.07.2022

Të kushtuarit e mi…

Dhelprat kanë strofuj e zogjtë e qiellit çerdhe,
kurse Biri i njeriut
nuk ka ku ta mbështesë kryet”. (Mt. 8, 20)

Të kushtuarit e mi mbajnë roje
dhe telekamera sepse kanë më pak besim në mua;
të kushtuarit e mi përdorin celularë
sepse përdorin më pak zemrën e tyre për të komunikuar;
të kushtuarit e mi mbështeten shumë tek paraja
sepse kanë pak besim në Provaninë time;
të kushtuarit e mi përdorin makina
sepse kanë pak besim në fjalën time
kur Unë i dërgova dy e nga dy në këmbë
dhe i mësova:
“Mos merrni me vete as qese, as strajcë,
as të mbathura…!”;
të kushtuarit e mi kanë banesa të mira,
shumë herë më të mira
se shtëpitë e të varfërve të mi të dashur,
e nganjëherë banojnë në shtëpi luksoze,
kur Unë, Mbreti i tyre,
nuk kisha ku ta mbështesja kokën;
të kushtuarve të mi u dhashë pushtet për të shërbyer
e jo për të sunduar mbi të tjerët.

Ata përdorin petka të çmuara,
ndërsa unë që jam Mësuesi
dhe Zoti i tyre,
jam njohur gjithmonë e nga të gjithë
si i varfëri i Nazaretit.
Të kushtuarit e mi
kalojnë shumë kohë përpara televizorit,
kurse Unë i ftova që të qëndrojnë në Fjalën time
e të më bëjnë mua shoqëri;
të kushtuarit e mi gjykojnë,
e pra Unë iu dhashë fuqinë
që të falin e të falin vazhdimisht në Emrin tim
mëkatet e bijve të mi.
I dërgova në botë me një mision të qartë:
Të shpallin me vepra e me fjalë,
Dashurinë e pakufi të Atit.
Nuk e di nëse në fundin e kohëve Unë do t’i njoh,
sepse nuk janë kështu Nxënësit e mi!

E megjithatë, Unë po ju them:
Mos i gjykoni të kushtuarit e mi,
por pranojeni mësimin tim:
“…ju duhet t’i dëgjoni
e të zbatoni gjithçka t’ju thonë,
por mos bëni si bëjnë ata”. (Mt. 23, 3).

Shkodër, më 23.07.2022

Kur njerëzit kanë etje…

Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur…”. (Mt. 11, 28)

Kur njerëzit kanë etje,
a shkon pusi
që t’iu japë ujë të freskët atyre,
apo njerëzit
shkojnë tek pusi për të pirë?

Shkodër, më 23.07.2022

Koha e volitshme

Mos bëni sforcime
se s’ka ardhur akoma
koha!

Shkodër, më 24.07.2022

Takim

Qëndroni në dashurinë time!”. (Gjn. 15, 9).

Nëse ky takim
është kaq i vërtetë e i gjallë,
ma jep Hirin
të qëndroj në këtë Takim
gjatë gjithë kësaj dite!

Shkodër, më 26.07.2022

Kotësi

Nuk duhet gjë zjarri
nëse nuk i afrojmë njerëzit tek ai
për t’u ngrohur;
gjithashtu, nuk vlen asgjë,
nëse njerëzit i afrojmë
për t’i ngrohur
e nuk e ndezim zjarrin për ta!

Shkodër, më 29.07.2022

Fshati im

Oh, sa dashuri
më ngjall ky fshati im!
Me ato shtëpi
e zemrat plot gëzim.

Kujtime të bukura,
nga bota e fëmijërisë.
Sa jetë të lumtura,
në kulm të varfërisë!

U ndala pak çaste,
si në meditim.
Të thur pak vargje,
për ty fshati im.

Blinisht, më 29.07.2022

Gëzimi i plotë

…gëzimi im të jetë në ju
e gëzimi juaj të jetë i plotë”. (Gjn. 15, 11)

Derisa njeriu të ketë shije
për të lexuar përralla
dhe libra për fëmijë
ai është i lumtur;
nëse i ka humbur kjo shije,
do të thotë se i ka humbur Hiri
ose dëshira për mëkat.
Në këtë të fundit
qëndron gëzimi i plotë,
për të cilin na ka folur Mësuesi.

Blinisht, më 29.07.2022

Shpirti jep jetë

Shpirti është ai që jep jetën…”. (Gjn. 6, 63)

Jetoj pa rregulla
sepse kam zbuluar Rregullën.
Dhe kam Jetë vazhdimisht.
Shkodër, më 29. 07. 2022

Nikolin Sh. Lëmezhi
Teolog Katolik

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.