PA TITULL
Lëre ti të qetë xhaxhanë tënd
Që ta vranë në kufi barbarët dhe qentë
Xhaxhait shteti i çon kurorë në përvjetor
Për xhahxhanë mbajnë fjalim të gjatë
I thonë dëshmor hero e trim
I thonë prore dritë madhështore
Ia përmendin datën dhe ditën e saktë të rënies
Çka dëshiron ti tjetër
(I thonë i thonë i thonë
E ai kot provon të zgjohet
As e lë varri të dalë as monumenti i madh
Sërish shtrihet e nga dëshpërimi shkon më thellë nën tokë
I dëgjon i dëgjon i dëgjon)
Kurse në epokën magjike
Të ndërtimit të shtetit ligjor lirisë dhe demokracisë
Si dhe në kuadër të projekteve gjithëpërfshirëse pesëvjeçare
Që mbështeten në avancimin e jetës së qytetarëve
Ti përbën tjetër temë pra ti je çështje tjetër
Shkurt e shqip e ke apo nuk e ke teserën
E cila na duhet aq shumë për të prodhuar shumë gurë
Pak për betejën e urrejtjes kundër vetvetes
Dhe pak për xhaxhanë tënd
Që ta vranë në kufi barbarët dhe qentë
I KUJT ËSHTË ATDHEU
Atdheu është plagë atdheu është gjak
Ky i vogli juaj yni dhe atdheu im i madh
Atdheu s’është atkinë m’i hip në shpinë
Koçobashë e bastardë dhe haxhiqamilë
Atdheu është përtej karrigeve e zyrave të përfitimeve
Atdheu muk është takim me fëmijë jetimë para kamerës
As vetëm fjalë e fjalim i gjatë as vetëm kurorë për dëshmorë
GRAFIA E DASHURISË
Të rënët atdheu i ka te rrënjët
e të gjallët nën fruta t’dardhës