NGA VISAR ZHITI –
Ukraina qëndron… Ajo po lufton, po lufton dhe me libra, me poezi, po fiton… Bota u trondit sërish, kur u vra nga bombardimet poetja dhe romancierja e re Victoria Amelina, dëshmitarja e sulmeve ruse, me artin e saj. Mediat në Perëndim, në Itali, Francë, etj, e deri në SHBA e shpërndanë lajmin e kobshëm: po bombardohet poezia… Edhe një miku ynë shkrimtar, Dashnor Kokonozi, shkruajti i pari për atë…
Ukraina na dhimbet, Ukraina na mrekullon, vazhdon jo vetëm luftën, por dhe luftën kulturore, takimet letrare, çmimet, përkujtimoret, botimet, ja, Panairi i Librit në kryeqytet, në Kyiv, etj, etj.
Miku dhe poeti i dashur ukrainas Dmytro Chystiak nxori një antologji të poezisë së popullit të tij, “Klarinetat diellore”, me nja 50 poetë, në gjuhet frënge dhe atë italiane dhe po përurohet si të ishte një mision. Ai kujton ata që kanë mbështetur Ukrainën tani, poezinë e saj të lirisë dhe rendit vendet nga janë: Shqipëri, Belgjikë, Brazil, Spanjë, Itali, Kanada, Poloni, Rumani, Slloveni, Turqi, Hungari, Francë, Zvicër…
Shqipëria sigurisht është e para se fillon me A, Albania. Ndërkaq atje, në Ukrainë, edhe pse janë të gjithë të armatosur, nuk po gjej ankesa që s’është ky poet apo ai a unë e të qëllojnë mbi antologjistin, të marrin tanksin dhe të hedhin predha mbi shtëpinë botuese a raketa mbi promovimet…
Vetëm pushtuesit rusë vranë dhe një shkrimtare ukrainase së fundmi, Victoria Amelina, 37 vjeçe, ishte më koleget e saj të huaj në një pizzeri dhe po bisedonin për organizimin e Festivalit të ri të poezisë, “New York”, poezia si metropol…
Ndërkaq në Kiev para u bë Panairi i Librit, pllakati i tij, punim i çiftit të dy artistëve, Romana Rymanyshyn dhe Andriy Lesiv, bëri “xhiron e botës”, sepse “Librat janë mbrojtje kundër çmendurive të çdo lloji”, shkruanin gazetat dhe kompozimi ishte i tillë, shikojeni: poshtë një libri të hapur si nën një strehim janë njerëz, burra që mbajnë librin mbi krye, me shpatulla, me krahë, me muskujt e mendjes e të shpirtit, edhe një foshnjë nga karroca e saj zgjat këmbkat të mbajë librin të mos bjerë, edhe një njeri me bastun mundohet të largojë një gjarpër në anë, kurse sipër librit rrumujshëm janë raketat, avionët luftarakë bombardues, tanket, (pikërisht mbi këmbkat e foshnjës), misilet, shkrepëtimat e tyre mizore, shenjat e trafikut të vdekjes…
Dhe një shkrimtare u vra… ciflat e bombave na kapën të gjithëve, mishi i poezisë rrjedh gjak…
Tre poezi të saj këtu, trini në nderim të triumfit të jetës mbi vdekjen, të qëllimit hyjnor, të vetë poezisë që po lufton, të Victoria Amelina-s, të atij çasti, për ju…
VICTORIA AMELINA
(1 Janar 1986 – 1 Korrik 2023)
STATISTIKAT E HUMBJEVE…
Statistikat e humbjeve tona janë sekrete,
deri në fund të luftës, nuk ka shifra.
Aty do të jetë fqinji, burri i asaj gruas
eksentrike që mbolli lulet e kuqe.
Miku, i cili nuk lajmëroi askënd.
Mësuesi që e pëlqenim aq shumë.
Ajo vajza irrituese dhe piktori
i çmuar nga të gjithë, që e dashuronin.
Në emër të sekretit shtetëror,
Betohem, nuk do t’i numëroj
të rënët tanë,
Nuk do t’i numëroj deri në rraskapitje
dhe deri në fund të luftës.
(Në fakt u përpoqa të numëroj – por e humba.)
Lviv, 7.V.2022
SIRENAT
Sirenat e sulmit ajror në të gjithë vendin
Ndjehen sikur të gjithë
janë nxjerrë jashtë për ekzekutim
Por vetem një person është
në shënjestër
Zakonisht ai më këndej…
Këtë herë jo ti; gjithçka e qartë.
NUK SHKRUAJ POEZI
Nuk shkruaj poezi
shkruaj prozë
Por realiteti i luftës
i ha shenjat e pikësimit
kohezioni i fakteve
kohezionin ha
Sikur në gjuhë
të kishte rënë një granatë
copërat e gjuhës
janë poezi
por unë s’jam
dhe as kjo nuk është.
Ajo është në Charkiv
Ajo po lufton
Përktheu: Eda Zhiti
Shkrimtarja ukrainase Victoria Amelina, e vrarë nga bombardimet ruse para ca ditësh… Shkrimtarja Victoria Amelina duke fotografuar gërmadhat e luftës në Atdheun e saj… Antologji e poezisë ukrainase “Klarinetat diellore”, në gjuhët franceze dhe italiane, përgatitur nga poeti, Profesor Dmytro Chystiak…
Poeti Dmytro Chystiak dhe një antologji e poezisë së popullit të tij…
Marrë nga Nacional