Nga Enver MEMISHAJ
Isuf Luzaj ka lindur në vitin1913 në Kaninë, Vlorë, vdiq në vitin 2000 në Amerikë dhe u varros në vendlindje. Gjatë Luftës Antifashiste ishte profesor në Shkollën Tregëtare të Vlorës.
Më 28 nëntor 1939, në qytetet kryesore të vendit në Tirane, Korçe, Shkodër, Vlorë, etj., profesorët dhe studentët e shkollave të mesme me rastin e përvjetorit të Shpalljes se Pavaresise protestuan me flamurin shqiptar pa shenjat e Liktorit, për një Shqiperi të lirë dhe të pavarur. Në Vlorë, prof. Luzaj kujton se ishin rreth “njëmijë studentë dhe njëmijë qytetarë, brodhëm rrugëve të Vlorës, duke kënduar himnin e flamurit”. Reagimi i pushtuesve fashistë ishte i ashpër.
Luzajn e arrestuan dhe e internuan në ishullin Ventotene të Italisë. Ne tetor 1941, me ndërhyrjen e Ali Kelcyres Isuf Luzaj lirohet nga internimi, kthehet në Shqipëri dhe vihët në udhëheqje të luftës kundër pushtuesit fashist të vendit.
Kuestura e Vlorës me shkresën nr. 088 Div. I datë 16 prill 1940 njofton Këshilltarin e Përhershëm të Policisë Tiranë si më poshtë:
“Lënda: Isuf Luzaj i Muhametit, i internuar politik.
Për informim të detyrueshëm, kam nderin të përciell një kopjo të letrës të gjetur gjatë kontrollit postar të të burgosurit në lëndë, shkruar për të vëllanë e tij Ifrahim Luzaj.
Letra u trajtua sipas kursit të dhënë. Organizatori Policisë Jacono”.
Më poshtë po japim pwrkthimin nw shqip tw letrws qw Isuf Luzaj i drejton familjes:
“Ventotene, 4.4.1940.
E dashur nënë, vëlla i dashur, motër e dashur, më e dashura e familjes, përshëndetje të gjithëve.
1. Gjëja e parë për të cilën dua t’u shkruaj, është t’ju bëj të ditur se është në interesin tonë të shkruajmë gjithmonë në italisht, jo vetëm unë por edhe ti (përgjigja italisht). Korespodenca bëhet më e përshtatëshme dhe më e shpejtë.
2. Më dërgoni sa më shpejtë 500 lireta italiane, me çek banke, në këtë adresë: Jusuf Luzaj, i internuar politik në ishullin Ventotene, Littorio.
3. Më dërgoni të paktën një këmishë, një këmishë të re dhe gjëra të tjera që ju mendoni se janë të rëndësishme për mua këtu.
4. Më dërgoni fotografi të sejcilit, të vjetërve dhe të rinjëve, të familjes sonë, në mënyrë që t’i kem ato për t’ju kujtuar. Të gjitha me pako postale.
5. Tani më kujtohet që Rahileja dhe Drita nuk shkruajnë dot italisht, ja çfarë duhet të bësh: Ifrahimi e shkruan letrën çfarë kanë dëshirë të shkruajnë Rahileja dhe Drita, dhe duhet ta përkthesh në italisht fjalë për fjalë, sipas dëshirës së tyre, kështu unë do të kem korespodencë të plotë prej tyre, mirë?, Po!…
6. Ti Skënder me Ifrahimin rri i qetë, mos fol me njeri, mos shko në qytet, përveçse të blesh ushqime, se nëse të folurit është argjend, heshtja është flori, tha moralisti romak Seneka.
7. Tanimë dëgjo me vëmëndje, këtë që do të them dhe dua që të të bëjë shumë përshtypje. Sa bukur qeshje dikur, gëzohu dhe merre çështjen me optimizëm, se herët a vonë e vërteta do të dalë në shesh dhe eprorët do ta shohin se ne nuk jemi fajtor.
Një dorë nga qielli duhet të rregullojë të vëretën dhe drejtësinë, duke i vendosur në vendin e tyre. Atëhere eprorët do të na japin lirinë, dhe ne do të shohim njeri tjetrin më të lumtur se përpara largimit tim. Dante thotë: “Kulmi i stuhisë, shumë herë, është më i lumtur se një ditë pranvere”.
8. Pas 5 ditë burgimi në burgjet gjyqësore të Barit na sollën këtu në ishulin Ventotene, 6 orë me anije me avull nga Napoli, drejt detit Mesdhe në një ishull të bukur Arjan Sana Marittima. Tokë e bukur romake, e mrekullueshme, pranë detit ku dallga e fryrë shkëlqen, shkëlqen dhe bën zhurmën e bukur të harmonisë hyjnore.
Eprorët tanë janë të gjithë siç e kam kuptuar deri tani shumë të sjellshëmnë, në një mënyrë që nuk mund të imagjinohet. Njerëzit e këtij ishulli (besoj rreth 1500 banorë pa qenë i sigurt për numurin sepse nuk kam pyetur askënd) janë shumë të sjellshëm…”
Shënim:
Nuk ka qenë e mundur të gjendet vazhdimi i letrës. Rahileja ishte motra e Isuf Luzajt që vuajti 10 vjet në burgjet e Enver Hoxhës, ndërsa Drita ishte bashkëshortja e tij e cila e mbylli jetën e saj në internim, së bashku me 5 fëmijët.