NJË ENDOSKOPI E TRUPIT NË KALBËZIM TË SHOQËRISË ISH – JUGOSLLAVE

0
Ibrahim Kadriu - Loja e fundit
Llesh Ndoj
Llesh Ndoj

Nga Llesh NDOJ

Shënime leximi nga romanet e shkrimtarit Ibrahim Kadriu: “Pengu” (2020) dhe “Loja e fundit” (Botim i dytë i plotësuar, 2022, botimi i parë 1993)

Sa herë bie në kontakt me letërsinë kosovare, kontakte që fatmirësisht janë shtuar kohëve të fundit, falë edhe hapjes së kufijve të dy vendeve tona, aq herë bindem në vetvete se ajo është një letërsi cilësore dhe se pak e njohim në Shqipëri, ndoshta për shkak të atij gjysëmshekulli ndarje të imponuar, ndoshta për shkak të këtij fillimshekulli ku letërsi prodhohet shumë, por “konsumohet” pak, ndoshta për shkak të një lloj megallomanie që shfaqet disa herë e që tenton të mos e thotë plotësisht të vërtetën krahasuese midis letërsisë shqipe andej e këndej kufirit absurd, apo edhe nga mungesa e kritikës së mirëfilltë letrare, sidomos në Shqipërinë postkomuniste.

Them sidomos në Shqipërinë postkomuniste, pasi në krahun tjetër të atdheut tonë të përbashkët konstatohen më shumë përpjekje për të shkruar rreth autorëve shqiptarë të Shqipërisë dhe të Kosovës, ka më shumë vlerësime pozitive prej shkrimtarëve, studiuesve e kritikëve letrarë andej, jo vetëm ndaj plejadës së shkrimtarëve me emër të madh që i tejkalojnë kufijtë si Kadare, Agolli, Lera, Poradeci, Tozaj etj, por edhe për vepra e shkrimtarë në ardhje, ndoshta akoma pa emër edhe në trojet shqiptare. Kjo qasje ndaj krijimtarisë letrare në Kosovë nga kritika letrare e Shqipërisë dhe anasjelltas, e kritikës kosovare ndaj veprave e shkrimtarëve të Shqipërisë, është një nevojë e domosdoshmëri që përmes njohjes së dyanshme të bëhet edhe përafrimi e unifikimi kulturor i popullit, të cilin asgjë nuk e ndanë veç dashakeqësisë, që nuk u përket atyre dhe është injektuar tinëzisht nga koha e gjatë e ndarjes së dhunshme midis vëllezërve dhe imponuar nga ata që nuk e kanë dashur e nuk e duan kombin shqiptar.

Ibrahim Kadriu është njëri nga shkrimtarët më të njohur në Kosovë. Aktiviteti i tij krijues shtrihet në një periudhë kohore që daton që nga viti i largët 1969 dhe fatmirësisht vazhdon të prodhojë kryevepra edhe sot në ditët tona. Ai ka lëvruar letërsinë për të rritur, por edhe atë për fëmijë, ka lëvruar kryesisht prozën, por edhe poezinë, vepra e tij është përkthyer në disa gjuhë të huaja, si serbokroatisht rumanisht, norvegjisht, në gjuhën malazeze, në italisht, në greqisht, suedisht, turqisht e arabisht, ndërsa disa vepra të këtij autori të njohur si drama e komedi edhe janë ekranizuar. Njëkohësisht Ibrahim Kadriu ka kryer në vijimësi edhe punën e redaktorit si në gazetën “Rilindja” e “Zëri”, në revistën “Plejada” e atë të kryredaktorit të revistës “Hareja” etj.

Ibrahim Kadriu - shkrimtar
Ibrahim Kadriu – shkrimtar

Për veprën e shkrimtarit Ibrahim Kadriu, natyrshëm janë bërë plot shkrime e vlerësime nga kolegët e tij, nga institucionet e Prishtinës etj, dhe vepra e tij është vlerësuar me shumë çmime e vlerësime rajonale, kombëtare e ndërkombëtare. Rreth veprës së tij janë shkruar libra të plotë si nga prof. dr. Anton Nikë Berisha, nga prof. asoc. dr. Labinot Berisha, nga prof. dr. Mahmut Hysa, nga Mr. Sc. Arsim Halili e Fatmire Duraku, por sa më shumë të flasësh rreth tyre, aq më shumë vlera mund të shpalosen për lexuesin e shumtë, ndaj asnjëherë nuk është e tepërt të shkruash për të. Kjo sepse Ibrahim Kadriu në veprën e tij rrok shumësi temash e tematikash që e bëjnë atë të larmishme e të vlershme në çdo kohë, por edhe sepse stili i tij i rrëfimit artistik është shumë i veçantë e i personalizuar, i tillë që, siç konstaton prof. dr. Mahmut Hysa “…është ndër të rrallët në letërsinë tonë bashkëkohore që e ka ndërtuar identitetin e vet letrar,…”1, gjë që e bën lexuesin të mbetet i lidhur me veprën e tij edhe për këtë shkak, krahas anës përmbajtësore që sjell në rrëfimet e tij.

Dy romanet që kam marrë kohët e fundit në shqyrtim, për të cilët dua të shpalos mendimin tim thjesht si lexues, jo si specialist letërsie (edhe pse nuk jam i tillë, por edhe se me këto cilësi kanë shkruar vepra të tëra kritikë e studiues të njohur që edhe i ceka diku më lart), “Loja e Fundit” dhe “Pengu”, që në dukje nuk i lidh asgjë me njëri – tjetrin, madje as koha e të shkruarit të tyre, pasi i pari është botuar për herë të parë në vitin 1993 dhe ribotuar në vitin 2022, kurse i dyti është botuar në vitin 2020, por me një lexim të vemendshëm ato kanë plot anë të përbashkëta.

Cilat janë disa prej tyre?
Pavarësisht tematikave të shumta në dukje që rrokin të dyja këto romane dhe që vijnë tek lexuesi përmes shpalosjes së një shumësi ngjarjesh, të dyja romanet kanë një temë e një qëllim: të shpalosin artistikisht bukur, pa zmadhime e zvogëlime, represionin e regjimit serbo – jugosllav ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës. Nuk do të ishte ndonjë veçanti e madhe kjo tematikë, në se ajo do të vinte në librat e Ibrahim Kadriut me pamje policore, që pushtojnë sheshet e Prishtinës, me reparte ushtarake të armatosura deri në dhëmbë që shtrihen në të gjithë teritorin e Kosovës, duke tejkaluar edhe dendësinë e popullsisë atje, me burgje e dhunë të hapur, me sigurimsa e represion të fshehur, por të pranishëm në çdo qelizë të jetës së shqiptarëve nën Serbi, ashtu siç jemi mësuar t’i shohim, t’i lexojmë e dëgjojmë të gjithë, por fakti se autori e referon atë situatë dramatike tek lexuesi përmes paraqitjes së dramës së brendshme të personazheve të tij, e bën rrëfimin sa rrënqethës, po aq edhe të bukur dhe emocional.

Autori, ka vënë në qendër të rrëfimit të tij, në të dyja këto romane të bukura, nga njëra anë gazetarët e kohës, kronikanët, njerëzit që pasqyrojnë realitetin e zhvillimeve në shoqërinë komuniste jugosllave të kohës në tërësi, e atë kosovare në veçanti, e nga ana tjetër përshkruan përpjekjet e regjimit shovinist serb, që në plan të parë e mbi të gjitha të goditej pa mëshirë fjala e lirë, arti e kultura në tërësi, gjuha shqipe, si rruga më e lehtë për t’i xhveshur shqiptarët nga identiteti i tyre i vërtetë dhe për të lehtësuar rrugën e asimilimit të tyre. Tek romani “Loja e Fundit” ngjarjet shtjellohen të alternuara, të cilat autori i sjell si “shënime të kronistit”, po aq edhe përmes zhvillimeve të tjera interesante të cilat pasqyrohen në këto vepra, aq edhe përmes psikologjisë e ndërgjegjësimit në rritje të shqiptarëve për të reaguar masivisht përmes rritjes së vetëdijes, apo “dalja e narkozës”, siç e quan ai diku, po aq edhe përmes manovrave të pushtetit për t’i ndaluar që të vërtetat të dalin në publik.

Ndërsa tek “Pengu” i gjithë rrëfimi vërtitet rreth një gazetari, Bekim Përroni, që udhëton drejt Beogradit për të përgatitur një shkrim rreth një shqiptari “që nuk flet shqip”, si dhe një mundësi të talentuar, Lirik Dashi, me të cilin e pati bashkuar rastësia në tren dhe që pësojnë edhe fatin e survejimit e ndalimit policorë, thjeshtë sepse “flasin shqip”. Më tej autori sjell në vemendje një personazh të quajtur “trashaluqi” shqiptar që flet e kupton shqip, por “fle gjumë” e regjistron bisedën e tyre, për t’a përkthyer në serbisht duke i përplasur ata në polici, sa tek urrejta e milicëve serb, aq edhe tek marrëdhëniet njerëzore që nuk njohin etni. Është e kuptueshme kjo zgjedhje e autorit edhe për shkak të përvojës personale e të punës që ka bërë në organet e shtypit për një kohë të gjatë.

Nga ana tjetër, për arësye përzgjedhje personale dhe për të qenë korrekt me realitetin e atkohëshëm, që ai i referohet në romanet e tij, sidomos vitet e tetëdhjeta e në vijim, autori ka një qasje krejt të veçantë në vështrimin dhe përshkrimin e realitetit. Ai nuk do të sillte asgjë të re në se do të fliste për mbledhje qeveritare në Beograd, ku gjithshka flitej serbisht, për polici e ushtri serbe, për sigurim serbo – sllav etj, pasi këto ishin gjëra të zakonshme në atë regjim dhe në kronikat e kohës, por e sjell dhunën e represionin serb përmes gjuhës shqipe. Kur e them këtë, nuk kam parasyshë gjuhën e shkrimtarit, por faktin se personazhet e këtyre romaneve flasin shqip edhe kur bëhet fjalë për dhunë e represion. Është fakt i njohur botërisht se asnjë regjim i huaj nuk mund t’i realizojë qëllimet e veta pa bashkëpunimin e sejmenëve vendas, e kështu ka ndodhur realisht edhe në Kosovë, e po ashtu e sjell edhe autori, me një frymë realiste, nisur “…jo nga entropia (zmadhimi) i ngjarjeve pse e ka sensin e masës për të treguar, aq sa lejon dhe ashtu si e lejon teksti letrar…”2.

Sidomos tek “Loja e Fundit”, gjithë materiali letrar vjen sa përmes kronikës së gazetarit, aq edhe përmes zhvillimeve tek “kukullat kosovare” në qeverisjen rajonale, si zgjatime, apo tentakula dhune të qeverisjes së Beogradit. Në qendër të tij janë vënë personazhe si “trashaluqi” tek romani “Pengu”, apo Surratan Molori, Zymryt Veroni, Florin Rezbiu etj, tek “Loja e Fundit”, të cilët përfaqësojnë zyrtarin tipik servil, zëdhënës të regjimit, që kurrë s’folën me zërin e tyre të brendshëm, por u bënë megafonë të Beogradit prej të cilit i merrnin të gjitha urdhërat, duke rënë pre e orekseve të tyre për pushtet, për jetë ndryshe nga të tjerët, për darka, dreka, vetura e femra. Bile ata shisnin edhe familjet e tyre, vetëm për t’u ngritur në karierë e këtë karierë e shfrytëzonin për t’i bërë keq çdokujt që nuk lëviz në të njejtët “binarë” me ta në “trenin” e regjimit dhe që nuk kishin të njejtat mendime si ata.

Mbledhjet e nivelit të lartë, që pasqyron shkrimtari herë pas here në rrëfimin e tij artistik, dënimet e gazetarëve thjesht për “ngjyrën blu” të kronikës së tyre, pasi ajo (e vërtetë kjo) pasqyronte represionin e policisë serbe, darka e Surratan Molorit tek shtëpia e Zymrytit (deri atëherë një nëpunës më pak se i rëndomtë në kryeqendër), hiret e së shoqes, Hajries, dehja, fjetja në një kravat me të e Surratanit, e ngritja në karierë e menjëhershme e Zymrytit pas asaj nate “të magjishme” në kasollen e vjetër të lagjes pa plan urbanistik e rrethuar me llamarina, siç e paraqet autori, e përshkruajnë bukur gjithë situatën, dhe e gjitha kjo vjen përmes depërtimit në psikologjinë e personazheve që ka zgjedhur autori për t’ia rrëfyer lexuesit. “Procesi i diferencimit” i nxitur nga Beogradi, ushtrimi i ndikimit të sigurimit të shtetit dhe diktimi i gjthçkaje prej tij, veprimet e Zymryt Veronit në shërbim të kësaj çështje e bëjnë gjithçka të duket se po shpaloset para syve tuaj sikur të kishte ndodh dje e lexuesi të kishte qenë vetë aktor në ato skena sa makabër, aq edhe të turpshme.

Përkundër këtyre personazheve dhe ngjarjeve të dhunshme e të turpshme njëkohësisht, autori ka ditur të vejë gjithnjë elementin pozitiv, gjykimin e tyre të kthjelltë, ndjenjën patriotike e dashurinë njerëzore që vijnë kurdoherë triumfuese. Kjo ndodh kudo në romane e vepra letrare, por autori Ibrahim Kadriu i ka sjellë me një gjuhë kaq realiste e pa teprime, sa njeriu jo vetëm i kupton e nxjerr konkluzione të shëndosha mbi to, por edhe i duket vetja se “lundron” edhe ai në të njejtin shtrat ku autori i ka vënë ngjarjet. Bukur shpaloset tek “Pengu” personazhi i quajtur mixha Azem, shqiptari i marrë peng nga regjimi i huaj që fëmijë, vetëm pse i ati kishte qenë luftëtar e kundërshtar i vendosur e për shkak të përndjekjes nga të huajt, kishte dalë kaçak, i cili edhe pse nuk fliste shqip, mbetej një shqiptar i mirë e i vlonte shpirti e malli për atdheun, ashtu siç vijnë bukur episode nga emigracioni politik, si në rastin e Erblin Kurexhës që kishte lënë nënën, gruan e fëmijët e ishte arratisur nga represioni e dhuna, apo Sulo Bardhi që kishte edhe një rrugë me emrin e tij në Zvicër, por që në atdhe e burgosën etj.

Interesant është edhe akti i dhunës nga një serb ndaj një serbeje, vetëm sepse e kishte diktuar se kishte folur me një shqiptar, gazetarin Bekim Përroni, përkundër të cilit qëndronte vetë serbja, studente – kamariere e familja e saj që lidhin miqësi me gazetarin, apo sportelisti i hotelit në Beograd që e përkrah atë, e plot raste të tjera, rrëfyer natyrshëm, me vërtetësi e bukuri artistike nga autori i këtyre romaneve. Gazetarët e kronikanët kosovarë paragjykoheshin nga regjimi e përndiqeshin, thjesht sepse punonin në organet shqiptare të masmedias.

Shkrimet e tyre kalonin në një skanër të shumëfishtë e në rast se zbulohej diçka në to edhe gazetari edhe redaktori rrezikonin jo vetëm vendin e punës, por edhe burgun. Nga kjo situatë, tek shumë syresh mori udhë autocensura, apo fshehja e të vërtetës edhe ndaj vetes, por gjithnjë përballë kësaj triumfoi puna e tyre e palodhur që ishte zëri i vërtetë i vuajtjeve të shqiptarëve e ndërgjegja e tyre e ringjallur. Një gazetari ishte dënuar vetëm se kishte shkruar diku “Energjia e vetëdijes, çlirim nga narkoza…”, që nënkuptonte çlirim nga frika e represioni, por në ndërgjegjen e tyre profesionale sundonte mendësia: “Do të jemi mëkatarë në se nuk i shkruajmë të gjitha, në se shkruajmë me maska…”. Ishte kjo devizë që i bëri ata zëdhënës të revoltës e pararendës të zhvillimeve historike që e pasuan atë.

Shpesh autori e sjell rrëfimin e tij përmes dialogjeve që bëjnë vetë personazhet, e kjo i jep jo vetëm bukuri rrëfimit, por edhe natyrshmëri atij e lehtësi lexuesit në të lexuarit e të kuptuarit të thelbit të rrëfimit. Janë të shumta këto dialogje, prej të cilave do të veçoja atë mes gazetarit Guri Zhuja e kronistit, pasi kanë dalë nga një vizitë tek një shkrimtar “që kishte influencë politike” e ku zhgënjimi i tyre ishte i madh: “E po, eja në vete djalë. Njëherë e përgjithmonë shlyeji konsideratat ndaj njerëzve të cilët, anipse mbajnë farë posti, asnjëherë nuk kanë arritur të ecin me kokë të vet…”, gjë që e portretizon bukur atë për të cilën folëm edhe më lart, për sejmënët që flitnin shqip e që shërbenin serbisht, më tej ai vazhdon e shpjegon fjalët që ai (shkrimtari me influencë politike) u kishte përsëritur disa herë për të ashtuquajturën “procedurë normale”, gjë që për ata nënkuptonte arrestim – dhunë – harrime në qeli – dënime pa gjyq e pa fakte.

Ndërsa dialogjet në darkat e qefet e pushtetarëve të lartë dhe zonjave të tyre, kryesisht nën avujt e dendur të alkoolit, janë një kapitull më vete i gjetjeve për t’a portretizuar të keqen nga brenda tyre, gjë që e bën rrëfimin mjeshtror të autorit si nje endoskopi të personazheve vetë, por edhe të regjimit serbo – sllav. Reagimin e shqiptarëve, autori e sjell jo vetëm përmes demostratave e tubimeve në shesh, me portretin e nënë Razijes, plakë që e marrin studentët në krahë, me ngujimin e minatorëve të xeherorit, siç i quan autori, por edhe me reagimin e shoqërisë shqiptare ndaj pushtetarëve sejmenë e familjeve të tyre.

Të mbetet në kujtesë rasti i familjes Rezbiu, ku vajza studente në mjekësi ndjehej e harruar nga shoqëria, e diferencuar prej saj, urrejtje që vjen me tavolinën ku studjonte ajo të pështyrë në çdo cep dhe e shoqja që ndjehej keq, e që e kërkon shkakun tek doktori Florin Rezbiu për shkak të qëndrimeve të tij pro së keqes, apo rasti i babait të Zymryt Veronit, Malë Veronit, që i sjell të birit në shtëpi thesin me 215 kapuça bashkëfshatarësh, që nënkuptonte 215 gjaqe borgj, debati mes Hajries e Zymrytit, apo kundërshtimi i Durak Gorës ndaj Surratanit në një mbledhje diferencimi, që ishte puna më e zakonshme e atyre kohërave.

Kosova, dihet që ka patur (edhe ka) emigracion të vazhdueshëm, pasojë e kushteve të rënda ekonomike e kryesisht politike pararendëse, por edhe si një “derë e hapur” për shkombtarizimin e tyre, e si një “valvul shkarkuese” e tensioneve në rritje të popullsisë shqiptare atje. Të dyja romanet e trajtojnë bukur këtë temë dhe e sjellin edhe dramën e tij, fenomen që ka ndarë prindërit nga fëmijët, burrat nga gratë, djemtë nga nënat e nga shoqëria. Veçanërisht tema e emigracionit politik gjenë trajtim në përputhje me temën kryesore që ka përzgjedh autori, për të shpalosur dhunën e represionin e huaj, gjithnjë në rritje në Kosovën e atyre viteve.

Dy fjalë për stilin e të rrëfyerit të shkrimtarit, së paku në këto dy romane dhe nga këndvështrimi i lexuesit. Bie në sy menjëherë se autori e ka ndërtuar rrëfimin e tij, jo siç ndodh zakonisht në romane, ku rrëfimi bëhet i tejzgjatur, i pashkëputur nga fillimi deri në fund të tij dhe ku, në se e ndërpret leximin, zor të orientohesh lehtë kur do të duhet t’i rikthehesh përseri, por me një shumësi nëndarjesh e ngjarjesh të trajtuara në to. Ndonëse në pamje të parë duket sikur autori trajton tema të ndryshme në secilën nëndarje, por në fakt ai e ruan bukur linjën ideore të rrëfimit, duke sjellë për lexuesit vepra cilësore, ku lexuesi lehtësisht e me pak vëmendje e fikson shtjellën e ngjarjeve, temën kryesore apo idenë e autorit në shumësinë e ngjarjeve që trajton, kulminacionin e zgjidhjen apo mesazhin, që është gjithnjë motivues.

Tek romani “Loja e Fundit”, natyrshëm mesazhi vjen nga ballafaqimi i tipeve të ndryshme të personazheve të zgjedhura prej tij, vënia e atdheut, gjuhës, kulturës, lirisë mbi të gjitha përfitimet e tjera që rezultojnë të çastit e kalimtare, por edhe thirrja për reflektim i të gjithë atyre që për një apo disa arësye kanë “rrëshqitur” në udhëtimin e tyre, përmes zhvillimit të fundit të ngjarjeve e metamorfozës së disa personazheve tipikë, kur ndërgjegjësohen për rrugën që duhert të ndjekin.

Jo vetëm paraqitja e shumë ngjarjeve apo rrokja e disa nëntemave brenda tekstit romanor, paraqitet interesante në këto romane të Ibrahim Kadriut, por edhe mbajtja e lexuesit në “ankth” të vazhdueshëm mbi ndodhitë që pasojnë njëra – tjetrën, e bën më të bukur rrëfimin, më të lexueshëm e të këndshëm të gjithë materialin. Lexuesi nuk arrinë të kuptojë deri në fund të veprave, as shkakun e përzgjedhjes së titullit përkatës nga autori, por e “kërkon” atë faqe pas faqeje duke i shfletuar ato. Vetëm në fund të romanit mëson se “Pengu” është mixha Azem, shqiptari i marr peng për të bërë të mundur dorëzimin e të atit kaçak, që kishte emigruar në Shqipëri, i cili edhe pse nuk e fliste shqipen, mendonte e vepronte shqiptarisht.

Edhe tek romani “Loja e Fundit”, vetëm në fund të shtjellimit të ngjarjeve kuptohet pse është përzgjedhur ky titull, gjë që lidhet me zhvillimet psiqike të brendshme të disa personazheve të librit, njerëz që vetëm kur ngjarjet marrin trajta dramatike, kur disa syresh “strehohen” në Beograd, e kur sheshet mbushen me demostrues, kryesisht studentë, dhe ata e familjet e tyre veçohen nga shoqëria, vetëm atëherë ata marrin kthesën e madhe, e kjo ishte edhe “Loja e fundit” e tyre.

Janë dy romane, që jo vetëm nuk e humbin aktualitetin, por janë edhe pasqyrë nga brenda e vetë zhvillimeve historike në trevën dardane në periudhën kohore të cilës i referohet shtjella e ngjarjeve që ka sjellë autori Ibrahim Kadriu. Sigurisht që vepra e tij është e gjerë dhe e thellë dhe se reflektimi ndaj saj është punë e specialistëve e kritikëve të letërsisë, por këto shënime vijnë si një ftesë për njohje e nxitje për lexim të krijimtarisë së këtij autori, e cila udhëhiqet nga vlerat e principet ndërgjegjësuese kombëtare shqiptare.

Lezhë, më 12 qershor 2025

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.