Mark Palnikaj
Ka disa kohë që në rrjetet sociale por edhe në disa media po flitet shumë për atë që është quajtur Nisma e Deçanit. Kjo është një nismë e ndërmarrë nga qytetarë nga Kosova dhe Shqipëria si protestë ndaj ekspansionit sllavoortodoks dhe islamoturk ndaj kulturës dhe historisë tonë.
Roli i të gjitha feve ka ardhur duke u zbehur dhe zvogëluar në shoqëritë e të gjitha kombeve dhe racave anë e mbanë botës si rezultat i kushteve të krijuara për arsimim falas për djemtë dhe vajzat së paku në arsimin deri në klasën e tetë. Në shumicën e shteteve, arsimi është laik, pra feja është e ndarë nga shkolla edhe pse shkolla nuk e ndalon as e përjashton besimin fetar.
Pajisja e njerëzve me dije të thella shkencore në fushat e shkencave ekzakte si fizikë, kimi, matematikë, astronomi i ka tronditur thellë teologët dhe teologjinë sepse është e vështirë të besohen dogmat fetare nga njerëzit mirë të arsimuar. Ky rebelim nuk është shfaqje e modernizmit të shekullit XXI, por ka filluar gjallërisht qysh në shekullin XV dhe bashkë me këtë rebelim ka filluar inkuizicioni ndaj shkencës dhe shkencëtarëve. Nuk po i përmend rastet e vrasjeve dhe djegieve në turrën e druve dhe masakrime të tjera të kryera në emër të ideologjive që kanë marrë përmasat e religjionit.
Pushtuesit e ndryshëm, në të gjitha vendet e pushtuara, aq sa kishin mundësi, iu imponuan të pushtuarëve religjionin dhe zakonet e tyre.
Rasti tipik që mund të merret si shembull është kombi spanjoll. Spanja, 8 shekuj e pushtuar nga arabët (711- 1492), u rikthye në kulturën spanjolle pas 781 viteve pushtimi e myslimanizimi. Dhe rezultati i këtij veprimi në jetën dhe kulturën e atij vendi, është i qartë dhe i dukshëm si drita e diellit. S’ka nevojë për komente as për zbukurime sepse rezultati duket qartazi.
Po çfarë ka ndodhur me popullin shqiptar?
Në shekullin XV, Perandoria Osmane, mbas disa përpjekjesh dhe qëndrese, arriti të mposhtë principatat e ndara shqiptare duke i pushtuar dhe duke i mbajtur të robëruara për pesë shekuj.
Çdo pushtues qëllim kryesor ka marrjen pasurisë së vendeve të pushtuara, pastaj vjen në plan të dytë edhe ndryshimi i ligjeve dhe i zakoneve të vendit me ato të pushtuesit.
Shqiptarët në masën më të madhe katolikë, por edhe ortodoks të ritit bizantin e grek, dhe boshnjakët e ritit bogomil, dhe një pakicë e banorëve të Evropës e ndërruan krishterimin me islamizmin.
Ky veprim nuk ka qenë vetëm një gabim dhe një fatkeqësi, por edhe një mallkim që po i ndjek edhe sot e kësaj dite këta popuj.
Cilat janë në vija të trasha, pa u futur në hollësi, pasojat e këtij ndryshimi.
Mund të sjell si shembull që në Bosnjë, në fund të shekullit XX, serbët vranë vetëm nga motive fetare 8000 mysliman të pambrojtur, të gjithë pa kryer asnjë faj. U vranë në prani të një force ndërkombëtare të armatosur deri në dhëmbë, të veshur me kostume të bardha, të mirë ushqyer dhe të mirëtrajnuar, të cilët qëndruan indiferentë ndaj kësaj masakre. Kjo është një masakër që indinjoi të gjithë njerëzit përparimtarë në botë.
Nuk do të harrohet për një kohë të gjatë as turpi i atyre forcave ndërkombëtare që qëndruan indiferente dhe nuk i ndihmuan të sulmuarit e pafajshëm, as qëndrimi kriminal i atyre që urdhëruan dhe zbatuan këtë masakër.
Më vonë, sa për sy e faqe, gjykata ndërkombëtare dënoi tre katër persona, me gjasë për masakër sepse fjala gjenocid në gjykatë nuk u përdor.
Në vitin 1999 në Kosovë u përsërit e njëjta gjë, u larguan me dhunë jashtë kufijve të shtetit të tyre një gjysmë milioni qytetarë shqiptar të Kosovës, u vranë sipas statistikave dhjetëmijë vetë kryesisht civilë të pa fajshëm dhe sipas deklarimeve publike u përdhunuan njëzet mijë vajza dhe gra kosovare.
A u dënuan ekzekutorët dhe urdhërdhënësit e kësaj masakre?
Jo, nuk u dënuan.
U dënua si veprim nga Gjykata ndërkombëtare. U dënua Sllobodan Millosheviqi si udhëheqës i kësaj masakre, por ai nuk kërkoi asnjëherë falje për krimet e tij. Kur u larguan nga Kosova, pushtuesit serb morën me vete të gjitha pasuritë e tundshme që mundën të marrin nga ndërmarrjet që në atë kohë ishin shtetërore.
Mbas lufte, nga faktori ndërkombëtar, ata u trajtuan si të barabartë me shqiptarët, nuk paguan dëmshpërblimet e luftës as nuk iu lidhën pensione të vrarëve pa faj për prindërit, gratë dhe fëmijët e tyre.
Regjimet komuniste para vitit 1990 në vendet ku sunduan, edhe në ish Jugosllavi, lejuan që feja të praktikohej sipas ligjeve që krijuan vetë këto regjime.
Mbas shembjes së tyre në këto vende, demostrimi i efektit fetar të religjioneve ka pësuar ndryshime dhe deformime, nganjëherë të pa tolerueshme. Efekti fetar ndonjëherë ka marrë karakter ekstremist deri në terrorizëm në disa raste.
Mbas datës 13 qershor 1999, kur forcat e NATOS, me në krye forcat amerikane, i larguan pushtuesit serbë dhe i rikthyen të larguarit nga Kosova në vatrat e veta, lindi shpresa se do të kemi një Kosovë më të mirë, një Kosovë ndryshe.
Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi dhe për shumë familje patriote të Kosovës që në disa breza kanë derdhur gjakun për liri dhe pavarësi nga pushtuesi turk dhe serb kjo liri ishte një zhgënjim i madh.
Të paktën që nga formimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878 e deri sot, për patriotët shqiptarë, synimi kryesor ka qenë bashkimi kombëtar, ku të gjitha zonat në Ballkan që shqiptarët janë shumicë, të bashkohen në një shtet të vetëm. Shqiptarët ortodoks, duke barazuar fenë me kombësinë, në Mal të Zi, në Bosnje, në Serbi, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut nga kisha ortodokse serbe konsiderohen si popullsi sllave edhe pse një pjesë e madhe e tyre nuk janë të tillë. Edhe shqiptarët ortodoks në Republikën e Shqipërisë nga kisha ortodokse greke konsiderohen si grekë edhe pse nuk janë të tillë.
Në mbështetje të këtyre pretendimeve, qeveria greke ndërhyn në mënyrë brutale në punët e shtetit shqiptar duke ju dhënë këtyre “grekëve” të pretenduar nga ata pensione deri në 250 euro me kushtin që ata të deklarohen grek. Nga gjendja jo e mirë ekonomike ku ndodhen këta banorë, një pjesë e madhe e tyre i kanë marrë këto pensione prej gati tridhjet vitesh. Vitet e fundit nga këto popullsi ortodokse në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe në vendet e tjera që përmenda ka filluar të flitet haptas që ne jemi shqiptarë dhe në disa raste janë shprehur se të parët tanë kanë qenë shqiptar të besimit katolik roman.
Të gjith këtyre ortodoksëve që i përmenda më sipër, të cilët e ndjejnë veten se janë shqiptar, do ju rekomandoja të kthehen në besimin katolik roman dhe të deklarohen në kombësinë që kishin të parët e tyre. E kuptoj se shum njerëz këtë propozim timin do ta shikojnë me mosbesim, por unë nuk jam i këtij mendimi. Besoj se tek shqiptarët e vërtetë, ndjenjat atdhetare do ti mundin ato fetare dhe do të bëjnë zgjedhjen e duhur edhe për kombësinë edhe për fenë.
Në Kosovë, patriotët po shikojnë para syve të tyre pretendimet e Serbisë për të krijuar për një pakicë serbe prej dyzet mijë kolonësh, në një shtet prej dy milionësh, një “Republikë Serbska”, një shtet serb brenda shtetit të Kosovës.
Me marrëveshje në tavolinë, pa një kuptim, pakica serbe me 40 mijë banorë, në Parlamentin e Kosovës, ka 20 karrige deputetësh që pa qenë faktor vendim marrës bëhet artificialisht e tillë në këtë parlament. Dhe pika më e fortë ku ata, pa të drejtë, vazhdojnë pretendimet e tyre se “Kosova është djepi i Serbisë dhe shqiptarët myslimanë janë pushtues të djepit të tyre”, është Kisha Ortodokse serbe me Patriarkanën e saj me qendër në Pejë dhe me manastiret ortodokse sipas tyre “historike” në territorin e Kosovës. Mirëpo, këta komshinj grindavecë, harrojnë që kur kanë ardhur në Kosovë në shekullin e shtatë ata nuk ishin ortodoks por ishin të pafe, të ardhur nga vendet e lindjes, pa asnjë vendorigjine të deklaruar deri sot dhe pa një gjuhë të shkruar. Pra, ishin një popullatë, që në gjuhën e historianëve quhen “barbar”.
Krishterimin e morën nga shqiptarët që e kishin përqafuar katërqind vjet para se të vinin ata, dhe ata patriarkanën e tyre serbe të Pejës e krijuan mbas vitit 1500 me lejen dhe bekimin e pushtuesve turq duke i marrë me dhunë kishat shqiptare të të dy religjioneve, ortodokse dhe katolike. Me ndihmën dhe mbështetjen e pushtuesve turq, në bazë të dokumenteve të pakundërshtueshme që ruhen në arkivat perëndimore, patriarkana serbe përfshiu në veten e sajë pa i pyetur ortodoksët me kombësi shqiptare. Ky është një fakt i hidhur por i provuar me dokumente dhe i pakundërshtueshëm shkencërisht.
Tani, mbas çlirimit të Kosovës më 1999, patriotët e vërtetë shqiptarë, shikojnë me keqardhje se si vazhdon edhe sot e kësaj dite pushtimi serb i Kosovës, tashmë jo nëpërmes ushtrisë, por nëpërmes kishave dhe xhamive. Manastirit të Deçanit qeveria e Kosovës i dhuroi dhjetëra hektar tokë që kurrë nuk i ka pasur në pronësi dhe, kisha ortodokse protestoi që të mos ndërtohej as autostrada në afërsi të manastirit!
Nga ana tjetër patriotët, me keqardhje shikuan një qëndrim krejtësisht indiferent të shtetit ndaj objekteve arkeologjike, kulturore dhe historisë së Kosovës. Akademia e shkencave dhe e arteve dhe Instituti i Historisë të Kosovës nuk kanë paraqitur asnjë platformë për shkrimin e historisë së vjetër dhe të re të Kosovës, por vazhdojnë të publikohen, si në kohën para vitit 1999, libra edhe me falsifikime historike dhe pa një strategji kombëtare sipas parimit “Kush të dojë të shkruajë çfarë të dojë”.
Në emër të demokracisë, lejohen gjithfarë shoqatash të huaja që të bëjnë, ditën me diell, propagandë antikombëtare në mes të institucioneve shtetërore të Kosovës.
Nuk ka asnjë strategji kombëtare të shpallur në Kosovë as nga Parlamenti, as nga Qeveria, as nga Akademia e shkencave dhe e Arteve. Ato janë aty sa për emër, por nuk merren me problemet me rëndësi thelbësore të kombit, nuk prononcohen sepse kjo u shkakton humbjen e votave dhe rrjedhimisht edhe pushtetin e tyre!
Veprimi i duhur i kryetarëve të Qeverisë në Prishtinë dhe në Tiranë, i kryetarëve të të dy Parlamenteve, i të dy presidentëve dhe të dy Akademive të shkencave do të ishte ky:
“Të thërrasin këshilltarët dhe specialistët më të mirë të kombit shqiptar kudo që ndodhen, në atdhe ose në mërgim, dhe të kërkojnë prej tyre që të gjithë së bashku të sjellin një platformë kombëtare me propozime për veprim për çështjet me rëndësi madhore siç janë bashkimi i kombit, shkrimin e historisë, rregullimi dhe definimi i gjuhës kombëtare, qëndrimi ndaj religjioneve fetare për të bërë të padëmshëm për kombin veprimtarinë e tyre, zbulimi dhe ruajtja e objekteve arkeologjike në të gjithë territoret e kombit, etj.
Këto, mjerisht, nuk kanë ndodhur. Pushtetarët jo se nuk i dinë këto çështje, por nuk kanë “nge” të merren me to.
Serbi Çubrilloviç, në vitin 1937, ka publikuar një memorandum që ishte një platformë thellësisht antishqiptare, e cila u përvehtësua dhe u zbatue me egërsi nga shteti dhe politika serbe. Nga zbatimi i kësajë platforme, kombi shqiptar ka patur humbje kolosale të cilat kurrë nuk do të mbyllen plotësisht.
Meqenëse ky memorandum është i gjatë, në shkrimin tonë po citoj disa rreshta: “Siç thash dhe më sipër, për ne është efektive vetëm shpërngulja masive e shqiptarëve nga trekëndëshi i tyre. Për t’u zbatuar një shpërngulje masive, kusht i parë është krijimi i një psikoze të përshtatshme.
Kjo mund të bëhet në disa mënyra.
Të gjithë e dimë se popullata myslimane në përgjithësi, duke qenë naive, por edhe fanatike, shumë lehtë i nënshtrohet ndikimit, sidomos atij fetar. Me fjalë të tjera, për t’i shpërngulur shqiptarët, në radhë të parë duhet ta bëjmë për vete klerin dhe parinë e tyre që kanë ndikim, qoftë duke u dhënë para, qoftë duke iu kanosur. Sa më parë duhet gjetur agjitatorë të cilët do të agjitojnë për shpërngulje, e sidomos po qe se vetë Turqia do të pajtohej të na i dërgonte”.
(Detyrë e agjitatorëve ka qenë ta lëvdojnë Turqinë, jetën e atjeshme, të thonë se atje është parajsë, se ky këtu është vend i shkaut, i kryqit, se këtu do të bëhen shkie, do ta humbin fenë. Ata që do të shpërngulen për në Turqi dokumentet e udhëtimit do t’i nxjerrin për një ditë, pa asnjë procedurë, biletat do të jenë me çmime të lira, madje edhe falas, transporti i valixheve deri te stacionet e trenave do të jetë falas…)”
Unë nuk jam për hartimin e një platforme si kjo nga ana e shqiptarëve. Platforma jonë duhet të jetë kombëtare, e ndershme dhe e drejtë, që nuk cënon padrejtësisht liritë dhe të drejtat e të tjerëve.
Shqiptarët duhet patjetër të kenë një platformë kombëtare të publikuar ku secili shqiptar, në mënyrën e vet të kontribuojë për përmbushjen e sajë.
Si rebelim ndaj këtyre qëndrimeve, shoqëria civile, pjesa më e ditur dhe më atdhetare e saj, është rebeluar dhe ka filluar një iniciativë patriotike, Nismën e Deçanit.
Nga qindra shembuj që mund të sjell, po sjell dy shembuj nga Shqipëria dhe nga Kosova për të treguar se sa rëndë po shkelet mbi historinë dhe të kaluarën e kombit tonë.
Në Kalanë e Shkodrës, ndodhet kisha e Shën Shtjefnit, e kthyer në xhami nga pushtuesit turq mbas pushtimit të këtij qyteti në vitin 1479. Sipas dokumenteve historike të shkruara dhe të ruajtura, edhe mbas dyqind vjetësh ruhej organoja për muzikë kishtare në këtë ish kishë dhe nuk përdorej nga pushtuesit. Mbas largimit të pushtuesit, gjëja e vjedhur dhe e marrë me dhunë pa shpërblim, sipas çfarëdolloj ligji, i kthehet të zotit të mallit. Një fondacion amerikan, pak vite më parë, premtoi të jepte një shumë të madhe financiare rreth katërqindmijë dollarë amerika, për rinovimin e këtij objekti historik. Komuniteti Mysliman Shqiptar reagoi duke theksuar se kjo tashmë ishte një xhami dhe nuk mund të prekej as të tjetërsohej pa miratimin e tyre. Shteti shqiptar, reagoi shumë dobët, deri në indiferentizëm dhe restaurimi nuk u krye.
E drejtë do të ishte që Komunitetit Mysliman Shqiptar t’i tregohej vendi, duke u thënë se Kalaja e Shkodrës është monument kulture i klasës së parë, ishte pronë e shtetit shqiptar dhe jo e Komunitetit Mysliman dhe sipas ligjeve dhe rregullave që ka shteti do të bëhej restaurimi. Komuniteti Mysliman t’i gëzojë i qetë dhe në paqe ato prona dhe xhamia që, sipas ligjit, i ka prona të vetat. Kjo nuk ndodhi. Njerëzit nuk mund të dalin në luftë dhe të bëjnë reprezalje, por pakënaqësia ishte e madhe tek shqiptarët e vërtetë të të dy besimeve, myslimanë dhe katolikë. Shteti u tregua i pa qenë.
Në Elbasan u protestua nga jo të krishterët që të mos vendosej një kryq prej betoni mbi një kodër, në Tiranë u mbulua përmendorja e heroit kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbeut, që të mos të shikohej gjatë faljes nga besimtarët; në brendësi të Parlamentit shqiptar është hequr busti i Skënderbeut nga punonjësit e shërbimit të këtij institucione dhe është dërguar në bodrumet e këtij institucioni gjatë vizitës së një udhëheqësi të huaj, ka pasur në Shkodër zëra për të mos e vendosur bustin e Shën Terezes në një shesh të këtij qyteti.
Kisha ortodokse greke vendosi kryqe në të gjith Shqipërinë jugore në majat e kodrave për të treguar se këtu ka kisha ortodokse greke dhe banorët janë grek që duhet ti bashkohen greqisë. Ky ishte një veprim që cenonte ortodoksët shqiptarë që kanë kishën e tyre autoqefale shqiptare të njohur botërisht në shekullin e kaluar.
Mbas një pushtimi pesëqind vjeçar turk, mbas mbi njëqind vjet shpallje të pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët e ndershëm dhe atdhetarë ndihen keq kur ndodhin dukuri të tilla.
Tani të themi dy fjalë edhe për situatën në Kosovë.
Besimtarët myslimanë kanë promovuar Tyrben e Sulltan Muratit, ku besimtarët shkojnë dhe falen. Dakort, tyrbja duhet të qëndrojë aty dhe kush i beson le të falet gjithë ditën nëse është besimtar. Askush nuk po ua dhunon tyrben, askush nuk po i thotë tjetrit pse shkon aty. Mirëpo, atdhetarët shqiptar, që e njohin mirë historinë dhe bëmat e Sulltan Muratit ndaj popullsisë shqiptare, i cili para se të vritej, vrau tridhjetë mijë shqiptarë dhe ai u vra nga një shqiptar, për ne shqiptarët nuk është një shenjtor por një pushtues. Ne nuk i falemi as nuk i afrohemi atij objekti fetar. Çudia këtu qëndron që në Kosovë s’ka as një muze të Skënderbeut, as të Shën Terezes dhe pushtetarë kryesorë të qeverisë së Kosovës marrin pjesë në manifestime pranë këtij objekti fetar. Është krejt e qartë se kjo nuk bëhet për motive fetare, por për motive të tjera dhe për interesa personale.
Njëlloj, si për Kishën e Shën Shtjefnit në Shkodër, ka ndodhur me Kishën e Shën Françesk Ksaverit në Prishtinë. Meqenëse ish-katedralja e Shën Françesk Ksaverit në Prishtinë, ku ishte varrosur Pjetër Bogdani, është aktualisht xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut II, kjo xhami duhet të ishte shpallur “Monument kulture” kombëtar dhe aty duhet të ishte rivarrosur Pjetër Bogdani dhe të vendosej edhe një përmendore e tij aty. Figura e Pjetër Bogdanit nuk është vetëm figurë e një kleriku, por në radhë të parë i një patrioti të madh që i ka dhënë shumë popullit dhe kulturës sonë kombëtare.
Tani lind pyetja “Ku janë kockat e trupit të Pjetër Bogdanit” të zbuluara nga arkeologët shqiptarë dhe të studiuara në mënyrë shkencore në laboratorët më modern të Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Kush i ka marrë dhe pse? Pse nuk janë të paktën pjesë e Muzeut arkeologjik? Pse nuk i janë dhënë Arqipeshkvisë në Prishtinë për ti vendosur në arkivolin bosh që gjendet në varrin simbolik të tij në bodrumet e këtij institucioni? Pse hesht Instituti i Historisë, Akademia e shkencave, Ministria e Kulturës, Parlamenti dhe Qeveria e Kosovës për një poshtërim kaq të madh që ndodh në sy të tyre?
Këto veprime që ndodhin në të dy anët e kufirit unë i emërtoj “Arrogancë Fetare” që pjesa e popullsisë që ka 500 vjet në një religjion ushtron nën hundën e shtetit ndaj pjesës tjetër që ka 1700 vjet në religjionin e vet. Un jam kundër arrogancës fetare nga kushdo qoftë, jam për tolerancë fetare ashtu si gjatë shekujve është demostruar nga populli jonë me përjashtime të vogla. Bota e ka vlerësuar tolerancën fetare të shqiptarëve ndër shekuj kurse tani, në fund të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI nxjerr krye dhe mungesa e tolerancës shfaqet hajdutërisht dhe nganjëherë edhe hapur në shkrime dhe në televizione.
Nuk po flas këtu për disa njerëz të pa përgjegjshëm që flasin shqip, por kombësia e tyre si shqiptar vihet në pikëpyetje, të cilët kanë dhunuar bustin e heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që kanë vjedhur dhe zhdukur në qytetin e Pejës një bust të tij të vendosur para një shkolle; vjedhjes dhe zhdukjes së bustit të Shtjefën Gjeçovit në rrethinat e Prizrenit, duke i quajtur këto veprime sporadike që nuk janë masive dhe i kryejnë njerëz pa mend!
Dhënia e tenderit për restaurimin e Kalasë së Artanës një firme nga Serbia dhe mos dërgimi në gjyq i kësaj firme për punën, shkel e shko, të këtij restaurimi nuk mund t’i faturohet një njeriu pa mend, por një segmenti qeveritar të korruptuar dhe të pa aftë.
Shumë njerëz e kanë ndjekur polemikën e gjatë dhe shumë të detajuar midis Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qoses për përhapjen dhe pasojat e islamit në Shqipëri.
Herën e parë, në vitin 1991, kur Kadareja hodhi idenë e kthimit në identitet të shqiptarëve, pra kthimin në krishterim, shumë pak u mbështet ai në këtë nismë dhe njëri nga pushtetarët kryesor të asaj kohe, para kamerave të RTV shqiptar, deklaroi se “Prania e një shteti islamik në Ballkan është një lule e bukur në mes të Evropës”. Dhe pa kaluar veçse pak kohë, Shqipëria u bë anëtare e “Lidhjes islamike”.
Nuk po u bëj komente këtyre veprimeve, ia lë secilit të gjykojë vetë sipas bindjeve dhe shkallës së njohjes që ka.
Në polemikën midis Qoses dhe Kadaresë, të gjithë ndenjëm indiferent, edhe autori i këtij shkrimi, kur duhej që të gjithë ne të pajtoheshim me njërën palë. Ata bënë punën e vet, ne heshtëm. Fatkeqësi. Në vitin 2020 Kadareja edhe një herë, për herë të tretë në njëzet vite, në një intervistë televizive “u kujtua” të thoshte se “shqiptarët duhet të kthehen në identitet”. Edhe mbas kësaj deklarate nuk pati asnjë reagim nga politika.
Jo rastësisht përdora të shkruar në thonjëza fjalën “u kujtua” sepse kam informacione të besueshme se kjo fjalë nuk u tha nga Kadareja pa një ndikim të jashtëm.
Pikërisht, në këtë rrjedhë të dhimbshme të “bërjes sehirë” në vend të syçeltësisë, për veprim dinjitoz të organeve që janë zgjedhur dhe paguhen me djersën e popullit, që u përket së pari atyre të veprojnë në forma të ndryshme dhe sa më të përshtatshme për të ndryshuar dhe pasuruar jetën kombëtare, kulturore dhe shpirtërore në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, të institucioneve shekncore, kulturore dhe arsimore që duhet të prijnë për krijimin e mirëqenies së njerëzve të botës sonë e të jetesës së tyre, duke mos menduar vetëm për sot, po edhe për nesër, Nisma e Deçanit të kujton mirëfilli veprimin që e ndërmori Rinia e Pejës dhe disa intelektualë, të prirë nga prof. Anton Çeta, më 1990, për pajtimin e gjaqeve në Kosovë dhe më gjerë. Nisma e tillë dëshmon se ende ka forca shpirtërore dhe intelektuale dhe njerëz largpamës, të cilët nuk kursejnë asgjë për të mirën e kombit dhe të ardhmes së tij.
Për mendimin tim, burrat dhe gratë nga Deçani që filluan dhe po e vazhdojnë me sukses këtë nismë janë për t’u përshëndetur dhe për t’u mbështetur nga të gjithë ata që e kanë sado pak në gjak ndjenjën e identitetit kombëtar të të qenit shqiptar. Ata janë heronjtë e ditës.
Deri tani asnjë subjekt politik, grup parlamentar, parti, deputet, ose shoqatë, nuk është paraqitur në krah dhe në mbështetje të tyre. Mbështetja nga subjekte si këto që përmenda, do t’i bënte shumë nderë kësaj nisme dhe do t’i jepte një impuls pozitiv, por mesa duket, akoma nuk janë të gatshëm të përfshihen në këtë nismë. Ata deri tani, nuk kanë shkuar në këto tubime dhe nuk i kanë mbështetur ato.
Shpresojmë se në të ardhmen e shpejtë situata do të ndryshojë.
I uroj nga zemra suksese Nismës së Deçanit në misionin patriotik që ka marrë përsipër.