NË SHTËPINË E TË MADHIT VANGJEL LIAPI NË ELEFSINA

0
Vangjel Liapi

[V. Liapi 14 gusht 1914 – 12 shkurt 2008]

Me afendiko Spiro Evstafsiadhi në vitin 1992 nga Athina shkuam të punojmë në një Radio Stacion në mal që duhej rrethuar. Radiostacioni ishte në Aspropirgos. Si mbaruam së rrethuari, afendikoi na zbriti poshtë në Elefsina. Ai kudo që shkonim me punë më njihte me arvanite që ishin aq të shumtë dhe gjendëshin kudo.

Sapo hymë në qytetin Elefsina, me tha:
– A do të takosh një alvano të ditur? Është miku im i vjetër komunist. Shok burgu.
– As mos e ver në dyshim – i thashë,- Na ço atje.
Ata vërtetë ishin miq të vjetër. Mënyra si u takuan e i flisnin njëri-tjetrit tregonte një miqësi të vjetër e miq ideali.
– U ktheva- i tha afendiko Spiro,- se të kam sjellë këtë shqiptarin.
– Nga je? – me pyeti Vangjel Liapi.
– Nga Veriu i thashë. Jam Gegë. Mbiemri im është emër mali në Veri.
– Unë jam lab, – ma ktheu,- jam mali i Labërisë në Athinë.

Vangjel Liapi ishte afro 80 vjeç, një nga arvanitet më të shkolluar, i shquar dhe i ditur, kishte botuar 39 libra mbi folklorin arvanitas.

Na nxorri raki Shqipërie. Vangjel Liapi e fliste shqipen më mirë se çdo arvanitas tjetër.
Si për moshën ashtu dhe për krijimtarinë ishte si të thuash Ata i Arvanitëve. Të gjithë e donin dhe e respektonin.

Plaku shqiptar i Elefsinës na përcolli të porta. U përqafuam sipas traditës shqiptare, kokë më kokë.
– Shkojme të hamë drekë në ishull – tha afendiko Spiro – atje janë shqiptarë të gjithë.

Përballë ishte Salamina. Kisha dëshirë ta shihja atë ishull sepse ai ishte pjesë e historise së shtypit shqiptar me të madhin Anastas Kullurioti, që kishte hapur një gazetë për Shqipërinë, por në gjuhën greke “I fonis tis Alvanias”. Anastas Kullorioti ishte një figurë e madhe që punonte për çlirimin e Shqipërise nga pushtimi osman, por duke qenë se grekët nacionalistë e shovenistë e shihnin Shqipërinë si një terren që mund të coptohej e gllabërohej e jo një shtet shqiptar siç donte Anastas Kullurioti, grekët nacionalistë ekstremistë e helmuan mbas kthimit nga një vizite në Shqipëri.

Në Salaminë gjetëm nje restorant dhe si gjithnjë afendikoi porositi një pulë të pjekur dhe një tas të madh me patate të skuqura. Dhe recinë, sigurisht, sepse ajo ishte pija e tij e preferuar.

Kur u kthyem në Athinë kishte rënë nata. Ishte një ditë e gjatë, por për mua plot mbresa. Aq shumë shqiptarë nuk besoj se do të mund të takoja në asnjë qytet tjetër si në Athinë e rrethina.

K. P. Traboini
Fragment nga kujtimet e Greqisë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.