NË KRESHPORET E DARDANISË

0
18
Atdhe Geci - libra

Atdheu ynë, Iliria

Sikur të gjitha gjethet e pemëve dhe valët shkumëzuese të detit të shndërroheshin në fjalë dhe shkronja, kurrë s´do të më mjaftonte të përfundoja librin, “Iliada shqiptare”, një dritë e gjakut dhe e identitetit shqiptar.

Libri “Iliada shqiptare” në çdo varg të kënduar ka Epikën, Mitet, Eposin, Meloditë, Këngët dhe tërë lavdinë e atdheut, të origjinës pellazgë-ilire, Alfabetin Pellazg të shqipes së lashtë dhe Alfabetin e Manastirit të kohës sonë.

Në librin “Iliada shqiptare” i pari është populli dhe liria e tij! I pari është populli dhe kryengritjet e tij! I pari është populli dhe gjuha e tij! I pari është populli dhe territori i tij! I pari është populli dhe qytetërimi i tij.

Ky libër i shpirtit, i zemrës dhe i mendjes, i mbledhë bashkë pikat e gjakut për atdhe, mallin e mërgimtarëve dhe të shpërngulurve, flakët e të rënëve të luftës dhe, i jep dorë këngës së përjetshme Iliro – Arbërore.

Shqiptarët janë trashëgimtarët e pellazgë-ilirëve. Ndaj, kthimi i emrit të Atdheut në emrin e vet Iliri, pajton shqiptarët, bashkon trojet tona dhe lëshon perden mbi dramën plot kurthe të historisë.

Libri “Iliada shqiptare” i Atdhe Gecit i këndon popullit dhe atdheut, gjuhës shqipe të Thotit, Zeusit, Apollonit, shkrimtarëve të lashtë shqiptar; Safos, Platonit, Eskilit, Sokratit e Homerit. Bashkon varret, heronjtë, ofshamat e epokave, dritën e gjitha kohërave.

Ky libër në brendësinë e tij ka vlerën e të qenit i veçantë, sepse është këmishë dhe plis gjaku nëpër kohërat e ekzistencës, betejave dhe lavdisë! Shkëlqimi i blerimit të natyrës e flet të natyrshmen e diellit dhe të shiut, të natyrshmen e stinëve dhe dorën e njeriut në natyrë.

Në “Iliadën shqiptare”, këtë kushtetutë shpirtërore dhe kod përmanence ndër shekuj, si kudo në artin sublim, syri mund të zgjedh të bukurën që gjendet n’për fletët dhe vargjet e tij të hyjnishme.

Në librin “Iliada shqiptare”, dashuria nuk është ves i poetëve por mësim jete për të jetuar të gëzuarën dhe tragjikën. Lexues i dashur, me Homerin e lashtësisë jam njohur para se të lindemi. U njohëm në një nga vendlindjet e tij në Smirë të Vitisë, në qytetin e tij ende të pa gërmuar!

Libri “Iliada shqiptare” nuk është pa dhimbje, pa vuajtje, pa pasione dashurie dhe pa ide për kauzën dhe atdheun! Palca e librit “Iliada shqiptare” është historia jonë shqiptare, mbrojtësja dhe lindësja e identitetit tonë, mesazhi poetik për qëndresën, përballimin dhe lirinë.

Ky libër së brendshmi është një ansambël madhor poezish, është muza që vargjet m’i dikton, është simfoni e lumit dhe kohës, arenë e naltimit të këngëve për atdheun.

Jetës sime në tokë ( për shkak të moshës ) po i afrohet fundi. Libri im “Iliada shqiptare” kujtoj se e ka autoritetin të flas vetë për veten dhe për protagonistët historik të kohës së poetit. Në këtë parathënie nuk mund të lë anash vendlindjen.

Të palindurit e Roganës, brezat që do vijnë, herët a vonë do të më vlerësojnë si shkrimtarin e tyre, si dhe do të më vlerësojnë për veprimtarinë në Çështjen Shqiptare për Pavarësinë e Çamërisë. Jo rrallë kam kënduar midis stuhive të shiut dhe jam ndesh me frymë të errëta të kohës!

Shqiptar, duaje Atdheun siç e do nënën, duaje Atdheun më tepër se fëmijët dhe prindërit. Naltoje këngën tënde; është art, dashuri dhe heroizëm ta duash Atdheun me të gjitha pjesët e tij. Duajeni Çamërinë, Iliridën, Krahinën e Mollës së Kuqe, Kosovën dardane, Tivarin me Kotor dhe Shqipërinë Iliri.

Një dëshirë timen mes mureve me libra do tua them lexuesve: Libri “Iliada shqiptare” është dashuria ime e parë dhe e fundit rr’fyer në altarin e besëdhënjes dhe flijimit për Atdheun tim, Atdheun tonë ilirik.

Atdhe GeciDortmund, 15.06.2024

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.