10.5 C
Tirana
E hënë, 26 Janar 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Në „Damarët e Arbërisë“ gjejmë plot sakrifica me kujtesa dhe amanete për...

Në „Damarët e Arbërisë“ gjejmë plot sakrifica me kujtesa dhe amanete për shtetin shqiptar

0
Safet Sadiku

3) Ese historike nga sirtari 119, teksti nr. 29.

Nga Safet SADIKU

Hija nuk është strehë, por errësirë e qëllimshme që ju mban larg dritës së lirisë, larg kujtesës historike dhe larg guximit për ta ndërtuar shtetin me dinjitet. Çdo popull që mësohet të jetojë në hije, humb aftësinë për të ecur në dritë. Paaftësia për të ndërtuar demokraci të mirëfilltë, nënkupton se është edhe gjendje mendore që mpin vullnetin dhe normalizon nënshtrimin. Kjo gjendje duhet ndryshuar. Duhet çarë rrethimi dhe duhet thyer rrethi vicioz i agonisë që po i mban të ngrira vendbanimet shqiptare. Në shtetet tona për vite të tëra është gjendja mendore që ushqen mosbesimin ndërmjet nesh, e shndërron të përbashktën në pronë private dhe mpin vullnetin kolektiv, duke e normalizuar nënshtrimin si mënyrë jetese.

Sakrifica e komandantit legjendar të UçK-së Adem Jasharit dhe e familjes së tij përbën një kapitull të veçantë në historinë morale të shqiptarëve, dhe është një akt që e tejkalon përmasën e luftës dhe hyn në sferën e flijimit të vetëdijshëm për liri. Qëndresa e tyre nuk ishte vetëm mbrojtje e pragut të shtëpisë, por mbrojtje e dinjitetit kolektiv, e së drejtës për të qenë të lirë. Pikërisht për këtë arsye, shumë intelektualë, studiues dhe personalitete publike ndërkombëtare e kanë vlerësuar këtë sakrificë si të një niveli universal, duke shprehur bindjen se familja Jashari do të meritonte edhe çmimin Nobel, jo si dekoratë politike, por si simbol i sakrificës sublime për lirinë e një populli. Në atë flijim për gjithë popullin shqiptar, dhimbja u shndërrua në thirrje, humbja në themel të shtetit dhe vdekja në amanet për jetë të lirë.

U rrita si fëmijë duke dëgjuar rrëfime nëpër odat tona për luftërat e Gjergj Kastriotit, për veprimtarinë shtetformuese të Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, për qëndresën e Ahmet Delisë, Hasan Prishtinës, Azem dhe Shotë Galicës, si dhe për rezistencën e pathyeshme të Shaban Polluzhës, rrëfime që nuk ishin thjesht histori të së kaluarës, por forma të hershme të edukimit kombëtar dhe të ndërgjegjësimit për lirinë. Ngjarjet e vitit 1981, censurat e asaj kohe dhe largimet nga puna të shumë familjarëve tanë përbëjnë një vijë kronologjike me përvojë, që na kaliti herët, ashtu siç thotë populli “me vaj e uthull”, duke na mësuar se liria nuk dhurohet, por paguhet me sakrificë.

Këto histori nuk mbetën vetëm kujtime emocionale, por u shndërruan në mësime të gjalla për identitetin, dinjitetin dhe përgjegjësinë kombëtare dhe shtetërore, të cilat me kalimin e viteve u kthyen në obligim moral për ta ngritur zërin e vetëdijes, në funksion të harmonizimit të vlerave tona shqiptare me kërkesat e një shteti modern dhe funksional. Prandaj, të gjithë duhet të rreshtohemi në procesin e vetëdijes sonë shtetërore, jo si spektatorë të historisë, por si bartës aktivë të saj, duke e kuptuar se liria e trashëguar nga brezat e mëparshëm merr kuptim vetëm atëherë kur shndërrohet në përgjegjësi, drejtësi dhe ndërtim të qëndrueshëm të së ardhmes, në funksion të zhvillimit ekonomik, forcimit të institucioneve dhe ndërtimit të një shteti të qëndrueshëm që u shërben qytetarëve të vet.

Në rrjedhën e zhvillimeve historike të periudhës së vonshme shqiptare, në hapësirën publike dhe intelektuale u shfaqën figura që, përmes mendimit, veprimit dhe sakrificës, u bënë bartëse të vetëdijes kombëtare dhe të vazhdimësisë së përpjekjes për liri, ndër të cilët spikasin profesorët Mr. Halil Alidema dhe Mr. Ukshin Hoti, (me grupin e të burgosurëve politikë në vitin 1981), dëshmorët Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Fahri Fazliu, Fadil Vata, Mehë Uka, Adem Jashari, Zahir Pajaziti (me grupin e tij), si dhe shumë dëshmorë dhe veprimtarë të tjerë atdhetarë, të cilët përfaqësuan veprimtarinë ilegale dhe intelektuale në përgatitjen e rrugëtimit të UÇK-së, jo vetëm si forcë ushtarake dhe simbol i rezistencës së armatosur, por si shprehje e një vetëdijeje të thellë politike dhe historike të popullit shqiptar.

Këta dëshmorë nuk e kuptuan lirinë si akt të çastit apo si rezultat të rastësisë, por si proces historik afatgjatë që kërkon organizim, përkushtim, përgjegjësi dhe flijim personal në funksion të interesit kolektiv. Këto figura përfaqësojnë një lidhje organike ndërmjet brezave dhe idealit të lirisë, duke e bërë të qartë se rezistenca shqiptare nuk ka qenë episodike apo spontane, por e ndërtuar mbi një vazhdimësi morale, politike dhe kombëtare.

Pikërisht për këto arsye, këto momente janë përzgjedhur si boshti tematik i kësaj eseje historike, në funksion të një krahasimi kritik me realitetin e sotëm të tranzicionit politik, për të vlerësuar se sa larg apo sa afër qëndron shoqëria jonë nga standardi i përgjegjësisë, i etikës dhe i sakrificës që ata mishëruan. Në të njëjtin kontekst historik, përveç veprimtarisë dhe flijimit  i dëshmorëve si Adem Jashari, me sakrificën e gjithë familjes së tij, si një rast i rrallë dhe unik në historinë evropiane të shekullit të kaluar, edhe Zahir Pajaziti, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Agim Ramadani, Sali Çekaj dhe shumë të tjerë, nuk mbeten vetëm kapituj heroikë të së kaluarës apo referenca emocionale të kujtesës kolektive, por përbëjnë një amanet të drejtpërdrejtë dhe të pakushtëzuar për ndërtimin e shtetit në të tashmen dhe për orientimin e së ardhmes, duke e bërë të qartë se liria e fituar me gjak kërkon shtet që e meriton atë përmes drejtësisë, përgjegjësisë dhe funksionalitetit, e jo vetëm kujtesë që e nderon me fjalë.

Historia e shqiptarëve nuk është thjesht një varg datash, betejash apo marrëveshjesh politike, por një rrëfim i gjatë i mbijetesës dhe i qëndresës, ku në damarët e Arbërisë ka rrjedhur brez pas brezi gjaku i atyre që e deshën tokën më shumë se jetën dhe që e shndërruan sakrificën personale në themel të përjetësisë kombëtare, duke e bërë lirinë jo një dhuratë të rastit, por një vepër të fituar me dhimbje, guxim dhe vetëdije historike. Ky gjak, i derdhur si prush që ndezi qiellin e robërisë, u bë energjia shpirtërore që e mbajti gjallë kombin në kohët më të errëta, duke e shndërruar Arbërinë në një trup të gjallë, ku çdo damar mbart kujtesë, krenari dhe detyrim moral për brezat që vijnë.

Në këtë rrjedhë të pandërprerë të rezistencës, figura si Azem dhe Shotë Galica u ngritën si flakadanë mbi kodrat e lirisë, duke mishëruar kryengritjen popullore si akt vetëdijeje dhe jo thjesht reagim spontan, sepse qëndrimi i tyre i palëkundur përballë pushtimit ishte shprehje e një bindjeje të thellë se toka nuk mbrohet vetëm me armë, por me besim, nder dhe gatishmëri për t’u flijuar, dhe se kryengritja e vërtetë është ajo që ngrihet mbi kohën dhe shndërrohet në betim, që deri më sot endet brez pas brezi në damarët e kombit. Në të njëjtën frymë, Shaban Polluzha përfaqëson fuqinë e njeriut që nuk njeh dorëzim, që ecën përpara pa hap prapa, duke e shkruar rrugën e burrërisë me plumba, jo për lavdi personale, por për dinjitetin e një populli që refuzon të jetojë i përkulur.

Grupi i të burgosurve politikë, në krye me Mr. Halil Alidemën dhe Mr. Ukshin Hotin, përfaqësonte zërin më të fortë dhe më të pathyeshëm të protestave të vitit 1981, duke u shndërruar në simbol të rezistencës politike dhe intelektuale shqiptare kundër regjimit represiv serb. (Gjërsisht për veprimtarinë gjatë viteve 1990-ta të Mr. Halil Alidemës, si një nga frymëzuesit e celulave të para të themelimit të UçK-së, kam botuar librin „Frymëzuesi i lirisë“, 2023). Por, historia shqiptare nuk u ndërtua vetëm nga pushka, por edhe nga fjala e mendimit të lirë, dhe në këtë drejtim krahas Mr. Halil Alidemës, edhe bashkëkolegu i tij i burgut, edhe personaliteti i Mr. Ukshin Hotit qëndron si simbol i intelektualit që nuk pranoi heshtjen dhe as strehën përballë padrejtësisë, duke e shndërruar mendimin në udhë dhe fjalën në armë morale, aq sa ajo u shkrua me gjak si një kushtetutë e pashkruar e së drejtës shqiptare, e cila i mëson kombit se shteti nuk ndërtohet vetëm mbi territorin, (për të cilin bëhet luftë për ta mbrojtur), si një nga parimet themelore, por edhe mbi drejtësinë, përgjegjësinë dhe guximin për të thënë të vërtetën edhe atëherë kur kostoja është jeta.

Rënia e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës më 17 janar 1982 u bë frymëzim për ngritjen e vetëdijes së popullit shqiptar, që të mos pranohej më kurrë bashkëjetesa me një shtet vrastar si Serbia e ish-Jugosllavisë. Në këtë rrugëtim të lirisë, në kulmin e sakrificës kombëtare qëndron figura e Adem Jasharit, i cili nuk e pyeti vdekjen, por e priti në prag si mik, duke e shndërruar shtëpinë në kështjellë dhe zemrën personale në zemër të një populli të tërë, sepse në atë akt flijimi u kristalizua porosia e qartë për idenë, se liria nuk fitohet pa çmim dhe se shteti nuk mund të jetë funksional nëse nuk mbështetet mbi sakrificën, unifikimin dhe përgjegjësinë kolektive.

Në këtë mozaik të madh të rezistencës shqiptare, figura si Mehë Uka përfaqësojnë qëndrueshmërinë morale dhe besën, fjalën e dhënë sado që rruga është e rëndë dhe ta rretzikon jetën, por që betimi nuk thyhet dhe që bëhet gur themeli i jetës shoqërore, sepse pa fjalën e dhënë, pa përgjegjësi dhe pa respekt për vlerat e trashëguara, asnjë komb nuk mund të ruajë identitetin e tij dhe asnjë shtet nuk mund të funksionojë si shtëpi e përbashkët për qytetarët e vet. Aksionet e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës pa dyshim se patën rëndësi themelore në fazën e hershme të rezistencës së armatosur në Kosovë, sepse ai theu heshtjen dhe frikën, duke dëshmuar se pushtimi mund dhe duhet të përballej me rezistencë të armatosur. Veprimi dhe sakrifica e tyre krijuan shembullin moral dhe organizativ që parapriu lindjen dhe forcimin e UÇK-së dhe i dha rezistencës shqiptare besim, drejtim dhe guxim historik.

Po ashtu, fronti luftarak i dëshmorëve Fehmi dhe Gjevë Lladrovci ishte një model i gjallë i Azem Bejtës dhe Shotë Galicës në kohën e UÇK-së, ku burrë e grua qëndruan në vijën e parë të rezistencës, duke mbajtur fronte lufte deri në rënien e tyre heroike. Qëndresa e tyre u bë dëshmi se liria nuk ishte vetëm çështje armësh, por edhe besnikëri ndaj idealit, sakrificë familjare dhe unifikim i pathyeshëm në shërbim të atdheut. Po ashtu krahas tij, Agim Ramadani u bë simbol i kapërcimit të frikës dhe i hapjes së shtigjeve të reja aty ku kishte errësirë, duke bashkuar pragjet e ndara në frontin e luftës në Betejat e Kosharës dhe duke dëshmuar se liria kërkon vizion, guxim dhe aftësinë për të parë përtej kufijve të imponuar.

Të gjithë këta burra e gra, të gdhendur në damarët e Arbërisë, nuk janë vetëm kujtim historik, por prani e gjallë në vetëdijen kombëtare, sepse ata rrojnë në ne si fryma në mushkëri dhe si zemra që nuk ndalon së rrahuri. Por historia dhe krenaria nuk kanë vlerë nëse mbeten vetëm në kujtesë dhe në fjalë solemne. Ato shndërrohen në amanet, i cili kërkon veprim, sepse gjaku që rrjedh në damarët e Arbërisë na ngarkon me detyrimin për ta ruajtur kombin,  dhe për ta forcuar shtetin me vlerat e tij, me gjuhën, kulturën, drejtësinë dhe unifikimin, si dhe për ta jetësuar idealin e një shteti funksional gjithëshqiptar, me integrime të brendshme ku këshillat kombëtare thonë se liria duhet të mos jetë vetëm simbol, por realitet i përditshëm, ku ligji të jetë i barabartë për të gjithë dhe ku sakrifica e të rënëve të mos përdoret për përçarje, por për ndërtim.

Vetëm atëherë këta zëra të kundër-robërisë do të vazhdojnë të kumbojnë jo si thirrje e dhimbjes së kaluar, por si themel i një të ardhmeje të denjë, ku jeta e Shqipërisë dhe e gjithë shqiptarëve në Gadishullin tonë të rritet mbi gjakun e lirisë, jo për të përsëritur tragjeditë, por për të ndërtuar një shtet që e meriton sakrificën e tyre. Kështu duke mësuar nga e kaluara dhe duke e sjellë atë në të sotmen, bëhet e qartë se kujtesa historike nuk duhet të shërbejë si strehë emocionale, por si busull veprimi, sepse vetëm një shoqëri që e kthen sakrificën në përgjegjësi politike, morale dhe institucionale mund ta shmangë rrezikun e përsëritjes së padrejtësive, të nënshtrimit dhe të dështimit kombëtar.

Në këtë kuptim, detyra e brezit të sotëm nuk është të idealizojë vetëm qëndresën, por të ndërtojë institucione të forta, drejtësi të pavarur, solidaritet shoqëror dhe bashkëpunim gjithëshqiptar, në mënyrë që liria të mos mbetet narrativë e së kaluarës, por përvojë konkrete e përditshme, ku shteti funksionon për qytetarin, ligji zbatohet pa dallim dhe unifikimi kombëtar ndërtohet mbi vlera, jo mbi frikë (e as mbi regjemet e pushteteve të individëve), duke e shndërruar trashëgiminë e rezistencës në themel të një të ardhmeje të denjë.

Serbia ka qenë e etur ta sulmojë Prekazin që nga qëndresa e Ahmet Delisë më 1913. Prandaj edhe pas Luftës së Dytë Botërore, disa fshatra të Drenicës, përfshirë Galicën, Lubovecin, Mikushnicën, Polluzhën., Likovcin, Radishevën etj., u vendosën në mënyrë të qëllimshme nën administrimin e kornizave të cenzuruara për trajtime specifike të veçanta, duke bërë kalime dhe bashkëpunime edhe me dy komunat e tjera, si me Mitrovicën dhe komunën e Vushtrrisë, ndonëse këto fshatra historikisht, gjeografikisht si territor i përkisnin komunës së Skenderajt. Ky riorganizim administrativ nuk ishte rezultat i ndonjë gabimi burokratik apo rrethanë teknike, por pjesë e një politike të mirëkalkuluar të regjimeve serbe për programimin social dhe kontrollin politik të zonave me traditë të theksuar kryengritëse.

Qëllimi kryesor ishte të pengohej grumbullimi dhe bashkëveprimi i banorëve brenda një qendre të vetme administrative në Drenicë, veçanërisht rreth Skenderajt, si dhe të dobësoheshin lidhjet e drejtpërdrejta me Prekazin, i cili ishte tashmë i konsoliduar dhe me emër të konfirmuar si vatër e rezistencës së organizuar. Përmes këtyre ndarjeve artificiale, synohej izolimi i komuniteteve, thyerja e solidaritetit lokal dhe neutralizimi i kapaciteteve të tyre për organizim politik dhe shoqëror, duke e shndërruar administratën në instrument të drejtpërdrejtë të nënshtrimit dhe mbikëqyrjes.

Kjo frikë institucionale ndaj një bashkimi natyror mes këtyre komuniteteve kishte rrënjë të thella historike, që nga kryengritjet e hershme si ajo e Ahmet Delisë më 1913, e Emin Latit, bashkëluftëtar i Azem Bejtës, dhe gjyshi i Tahir Mehës, simbolit të rezistencës së vitit 1981, që u bartën nga një regjim në tjetrin, sepse Prekazi, Galica, Radisheva, Mikushnica, Polluzha, Luboveci dhe fshatra të tjera përreth përfaqësonin vazhdimisht një bërthamë të qëndresës aktive shqiptare, ndaj së cilës pushtetet serbe reaguan jo vetëm me dhunë të drejtpërdrejtë, por edhe me inxhinieri administrative, ndarje territoriale dhe izolim të qëllimshëm, nga frika e ndonjë kryengritjeje të organizuar dhe të pandalshme të banorëve të tyre.

Nga e gjithë kjo kronologji historike, na bëhet e qartë se lufta e vetëdijshme dhe e ndërgjegjshme e Adem Jasharit nuk erdhi si një akt i rastësishëm apo i izoluar, por si një trashëgimi e drejtpërdrejtë e brezave të mëparshëm dhe e gjithë atyre luftëtarëve që, brez pas brezi, mbajtën gjallë frymën e rezistencës në këto treva, duke e kthyer qëndresën në kulturë, në bindje dhe në mënyrë jetese. Adem Jashari nuk u shfaq në histori si produkt i një momenti të vetëm politik, por si kulm i një procesi të gjatë vetëdijesimi kombëtar, i frymëzuar nga kryengritjet e hershme, nga sakrificat e figurave si Ahmet Delia, Emin Lati, Azem Bejta, Shotë Galica, Shaban Polluzha, Mehmet Gradica, Tahir Meha dhe nga gjithë ata burra e gra që refuzuan nënshtrimin, duke e dëshmuar se liria, jo vetëm në Drenicë dhe në Kosovë, por edhe kudo në vendbanimet shqiptare, nuk u kërkua kurrë si privilegj, por u fitua si e drejtë, me gjak, me durim dhe me një vetëdije historike që nuk u shua asnjëherë.

Amaneti i dëshmorëve për klasën politike të sotme, është i qartë, se nuk është thirrje për retorikë patriotike dhe as për përdorim ceremonial të emrave të tyre, por një obligim i madh moral dhe politik që kërkon ndërtimin e një shteti të drejtë, funksional dhe të barabartë për të gjithë qytetarët. Ky amanet i porositë të gjithë që pushteti të mos jetë mjet pasurimi individual apo kontrolli që krijon regjim të pushtetit, por shërbim ndaj interesit publik. Gjaku i derdhur për liri kërkon drejtësi, jo vetëm privilegje, por kërkon ligj që të zbatohet pa dallim, jo selektivitet politik, por kërkon institucione të forta.

Pra, jo kursesi shtet të kapur, por kërkon harmonizim kombëtar mbi vlera, jo përçarje mbi interesa personale apo partiake. Për klasën politike të sotme, amaneti i dëshmorëve është përgjegjësi për të mos e anashkaluar sakrificën me korrupsion, me heshtje përballë padrejtësisë dhe me përulje ndaj ndikimeve të huaja, por për ta kthyer lirinë e fituar me gjak në dinjitet dhe në zhvillim ekoomik dhe siguri për brezat që vijnë, sepse vetëm atëherë dëshmorët nuk mbeten figura të së kaluarës, por themel i një shteti që e meriton sakrificën e tyre.
___________
Vërejtje: Në fund, mbetet një vërejtje e pashmangshme për klasën politike dhe për të gjitha subjektet që, pa përjashtim, kanë ushtruar pushtet në Republikën e Kosovës, të cilat kanë dëshmuar mungesë të kurajos për vendosjen e bustit të Adem Jasharit në Prishtinë. Ky veprim është më shumë se një lëshim i rastit. Ky fakt është tregues i një hezitimi moral për t’u përballur me themelin mbi të cilin u ndërtua liria. Kryeqyteti i shtetit ende nuk e mban në hapësirën e tij publike figurën që mishëron sakrificën absolute, duke lënë të kuptohet se politika vazhdon të frikësohet nga madhështia e një simboli që nuk mund të instrumentalizohet. Një shtet që nuk gjen guximin ta nderojë themelin e vet në zemër të kryeqytetit, rrezikon ta relativizojë historinë dhe ta zbrazë lirinë nga kuptimi i saj moral.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.