Shkruan: Florim Zeqa, 22.02.2026
Nga zgjedhjet e vitit 2007 e deri më sot, LDK-ja i ka humbur tetë palë zgjedhje parlamentare, ka pësuar humbjet më të thella në vitet 2021 dhe 2025, por kjo e fundit ështe më skandalozja në historikun e saj dhe atë për shumë arsye!
Vetëm dorëheqja kolektive e drejtuesve partiakë do t’i hapte rrugë ndryshimit substancial dhe përmbajtësorë
LDK si parti humbëse e të gjitha zgjedhjeve parlamentare nga viti 2007 e këndej dhe e humbjes së komunave të mëdha në dy palë zgjedhjet e fundit lokale, nuk mund të mbulohet me asnjë lloj kamuflazhi politik!
Çdo tendencë për të kamufluar humbjen totale me proces të improvizuar zgjedhor, për ta ruajtur vazhdimësinë kryetarit humbës në udhëheqjen e LDK-së, do të ketë pasoja afatëgjata në ringritjen e këtij subjekti politik.
E renditur e treta për të dytën herë me radhë, pa asnjë reflektim moral për humbjen serike, e ka katandisur akoma më keq LDK-në!
Drejtuesit e këtij subjekti politik duhet të respektojnë verdiktin e popullit dhe të reflektojnë me dorëheqje kolektive para elektoratit për imazhin e dëmtuar të LDK-së shtetformuese.
Elektorati Rugovian i LDK-së e ndeshkojë rëndë me mos votim “Rrugen e Re” të klanit Riinvest, duke i bërë të qartë kryetarit aktual dhe atij paraprak se nuk ka “Rrugë të Re” dhe as “Lidhje të Re” për LDK-në perpos asaj Rugoviane.
Mospërmbushja e premtimit elektoral e kryetarit Abdixhiku për ‘fitore dhe vetëm fitore’ në zgjedhje dhe ‘për qeverisje të LDK-së’, duhet të pasohet me aktin moral të dorëheqjes së premtuar publikisht nga ana e tij!
Kur dikujt i humbet busulla orientuese dhe ndërgjegja njerëzore duhet korrigjuar, në të kundërtën, rrëshqitjen e tij nuk do të kenë të ndalur!
Improvizimi i “konfliktit” me mentorin politik, lojë e pandershme e Abdixhikut
Pra, siq e ceka më sipër, rrëshqitjet e Abdixhikut nuk kanë të ndalur! Pas shpëtimit në Kuvend, po e mendon ngritjen e shpejtë përmes “konfliktit” të improvizuar me mentorin e tij politik, Isa Mustafën, rrënuesin fatal të LDK-së Rugoviane.
Me asgjë nuk lahet turpi dhe dëmi i shkaktuar ndaj elektoratit rugovian, i cili, që nga shkuarja në amshim e liderit historik (Ibrahim Rugova) nuk e ka shijuar asnjëherë kënaqësinë e fitores në zgjedhjet nacionale.
LDK duhet t’i harrojë koalicionet me pushtetin dhe me opozitën, duhet t’i kthehet vetëvetes dhe të korrigjoj gabimet serike të dy dekadave të kaluara dhe të gjejë rrugën e duhur për ringritjen e madhe çfarë e dëshiron elektoratit pasiv, i pakënaqur me udhëheqjen e LDK-së post-Rugoviane.
Sikurse në zgjedhjet e vitit 2021, edhe në zgjedhjet e vitit 2025 pati rrjedhje të madhe të votave nga “kazani” i LDK-së në drejtim të LVV-së.
Nga kush dhe si ndodhen rrjedhjet, u mbetet drejtuesve të LDK-së që t’i riparojne rrjedhjet e brendshme nga të ‘famshmit’ e partisë!
Lumiri, sikurse dorëheqjen që e kthejë në mocion votëbesimi në Kuvend, ditëve të fundit e ka simuluar edhe konfliktin me mentorin e tij politik, Isa Mustafa, për rehabilitim e plotë të tij pas debaklit zhedhor!
Ruajtja e ‘Status Quo’-s bie ndesh me kërkesat e elektoratit
Kuvendi i fundit i LDK-së erdhi si rezultat i një dorëheqje të paralajmëruar pas humbjes katastrofale në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit 2025. Ky nuk ishte as kuvend pune as kuvend zgjedhor, por ishte një simulim i lodhët i funksionimit të demokracisë së brendshme partiake!
Përmes një procesi të improvizuar zgjedhor me votë të fshehtë u ruajt vazhdimësia e udhëheqjes së LDK-së, të cilës, megjithatë iu dha një legjitimitet i përgjysmuar. Mirëpo, me këtë u arrit qëllimi i stopimit të procesit të reflektimit dhe reformimit të partisë.
Kriza nëpër të cilën po kalon LDK-ja prej një kohe relativisht të gjatë është pasojë e një mendësie autokratike të udhëheqjes së centralizuar, e cila ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha dhe zingjirore, e cila rezultoj me rënje drastike në elektorat!
Me simulime të kuvendeve zgjedhore dhe ndryshime kozmetike nuk arrihen reformat e mirëfillta në LDK.
Rruga e vetme për rikthimin politik dhe ringritjen e LDK-së është reformimi i mirëfilltë dhe ristrukturimi nga baza elektorale e jo e kundërta e saj!
Përpjekjet për të ruajtur me çdo kusht ‘Status Quo’-në bie ndesh me kërkesat e elektoratit për reforma përmbajtësore.
Për ‘mbrojtjen’ e lidershipit përmes simulimit të votës së lirë, u bë degradimi më i madh i mekanizmave partiakë, filluar nga Kryesia Qendrore, Këshilli i Përgjithshëm dhe Kuvendi i LDK-së. E njëjta gjë ndodhi edhe në Degë dhe Nëndegë deri në pasivizim të strukturave organizative.
Largimi nga identiteti Rugovian, fatal për LDK-në
Mendësia autoritare dhe modeli centralist i drejtimit të partisë e ka rrënuar në themel demokracinë e brendshme, duke e krijuar një sistem piramidal të bllokimit të reformave në LDK.
Humbja e identitetit politik rugovian dhe kalimi nga një parti e qendrës së djathtë në një parti autoritare, e ka margjinalizuar në ekstrem rolin e anëtarit të partisë, të cilin nuk e pyet më askush për asgjë!
Me Kuvendin e 31 Janarit 2026 u pamundësuan reformat dhe u përjashtua tërësisht baza elektorale nga vendimarrja e partisë!
Margjinalizimi i forumeve partiake dhe përjashtimi i anëtarësisë e shkaktoj reduktimin e përkrahjes elektorale, për çka LDK-ja në dy ciklet e fundit zgjedhore e pësoi rezultatin më të dobët nga themelimi i saj!
Andaj, kjo e shtron nevojën imediate për reflektimin e të gjitha strukturave partiake për dorëheqje kolektive dhe hapjen e rrugës për riorganizim të mirëfilltë të partisë përmes një procesi të brendshëm zgjedhor, të rregullt dhe demokratik, ku secili ka të drejt të zgjedhë dhe të jetë i zgjedhur në organet e partisë.
LDK-së nuk i duhet një lider i pazareve politike, por një lider që vjen si rezultat i vullnetit të elektoratit. Pra, drejtimi i partisë duhet t’i kthehet anëtarësisë mbi bazën e parimeve demokratike.











