Mitrovica ndërton ura, jo mure

0
Ura e Ibrit

Elife Luzha

Ndërtimi i një ure është më i vështirë se ndërtimi i një muri.
Por ura të çon diku. Muri të mban brenda
”.
Elie Wiesel

Pas aneksimit të Krimesë nga Federata Ruse më 2014, u bë e qartë se epoka pas Luftës së Ftohtë nuk solli “fundin e historisë” – ashtu siç kishte parashikuar teoricieni liberal Francis Fukuyama. Në librin e tij, “ Fundi i historisë dhe njeriu i fundit”, ai shprehte bindjen se përhapja globale e demokracisë liberale, do të shënonte fazën përfundimtare të evolucionit politik të njerëzimit, duke zbehur ndjeshëm konfliktet ideologjike.

Megjithatë, zhvillimet e dekadës së fundit kanë sfiduar thellësisht këtë vizion optimist. Ato kanë hapur një kapitull të ri përplasjesh ideologjike dhe gjeopolitike, kanë rikthyer rivalitetin mes fuqive të mëdha, dhe kanë vënë në pikëpyetje stabilitetin e rendit ndërkombëtar liberal.

Tensionet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme, përfshirë konfliktin e përgjakshëm mes Izraelit dhe Palestinës, si dhe agresioni rus ndaj Ukrainës, me përfshirjen e drejtpërdrejtë apo të tërthortë të aktorëve globalë, dëshmojnë se konfliktet jo vetëm që nuk janë zbehur, por janë bërë më të ndërlikuara, më të përhapura dhe më të vështira për t’u zgjidhur.

Në këtë kontekst sfidues global, një nismë modeste, por me simbolikë të fuqishme, ka marrë jetë në Kosovë: ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Kjo iniciativë, e ndërmarrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës – pavarësisht debatit që ka nxitur – përcjell një mesazh të qartë për rëndësinë e kapërcimit të ndarjeve, jo vetëm përmes infrastrukturës fizike, por edhe përmes ndërtimit të urave të bashkëjetesës, mirëkuptimit dhe integrimit shoqëror.

Përtej simbolikës, këto ura pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve – duke lehtësuar lëvizjen, krijuar mundësi të reja bashkëpunimi dhe zbutur ndarjet, qofshin ato reale apo të perceptuara.

Nëse ky shekull, siç parashikonte Samuel Huntington, do të karakterizohet nga “përplasja e qytetërimeve”, atëherë ndërtimi i urave është përgjigjja më e mençur, më largpamëse dhe më humane. Është një domosdoshmëri për të ruajtur humanizmin dhe për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët në një botë gjithnjë e më të polarizuar dhe të tensionuar.

Pikërisht për këtë arsye, është për të ardhur keq për retorikën përjashtuese dhe përçarëse të disa zërave publikë në Kosovë, që janë shprehur kundër këtij projekti madhor. Qëndrime të tilla të cekëta dhe paragjykuese nuk i shërbejnë një shoqërie që synon paqe, zhvillim dhe integrim.

Sot, më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për qytetarë dhe udhëheqës që e kuptojnë se paqja dhe përparimi nuk ndërtohen vetëm në tryeza diplomatike, por edhe përmes veprimeve konkrete, në çdo sferë të jetës publike.

Mbështetja për ndërtimin e urave në Mitrovicë nuk duhet parë thjesht si një vendim infrastrukturor apo politik, por si një akt i vlershëm qytetar dhe patriotike – në funksion të Republikës sonë demokratike dhe gjithëpërfshirëse, për të gjithë qytetarët, pa dallim. Këto ura, nuk janë dhe nuk duhet të interpretohen si provokim, por si një detyrim moral dhe kushtetues. Ato janë dëshmi e përkushtimit për të ndërtuar një të ardhme mbi themelet e besimit dhe respektit të ndërsjellë.

Nga përvoja personale, kam pasur fatin të kaloj mbi disa nga urat më simbolike të botës: Urën e Bruklinit në New York – simbol i kapërcimit të ndarjeve sociale; Urën mbi Senën në Paris – simbol i harmonisë ndërkulturore; Urën e vjetër të Mostarit – simbol i pajtimit mes boshnjakëve dhe kroatëve; dhe urën Oberbaum në Berlin – simbol i ribashkimit të Gjermanisë.

Në secilën prej këtyre urave, kam ndier frymën e lirisë dhe fuqinë e ribashkimit. Ishte si një udhëtim nëpër kohë – një ecje mbi fjalë të pathëna dhe shpresa të pathyera. Këto ura nuk janë thjesht rrugë kalimi, por dëshmi të qëndrueshmërisë së shpirtit njerëzor; simbole që sfidojnë ndarjen dhe na kujtojnë se një e ardhme e përbashkët është e mundur – se gjithmonë ekziston një rrugë për t’u takuar sërish.

Prandaj, le ta shtrojmë pyetjen me sinqeritet:
Pse edhe urat në Mitrovicë të mos bëhen ura të paqes dhe bashkimit për gjithë qytetarët e Republikës?

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.