Autore:
Elife LUZHA
Gjatë udhëtimeve të mia nëpër Francë, nga parqet publike deri te kopshtet private, më ka tërhequr vëmendjen një nga lulet më elegante në natyrë: lule irisi. Të shohësh një iris, është si të kapësh një fragment të heshtur bukurie. E njohur në shqip edhe si “lule shpatulle”, kjo bimë përçon një ndjesi qetësie dhe delikatese, një përzierje e butësisë me vetminë.
Iriset, me format e tyre hijerënda dhe natyrën e përmbajtur, mbartin një simbolikë të gjerë dhe të lashtë. Në mitologjinë greke, ato simbolizonin ndikimin hyjnor; në kulturën japoneze besohet se largojnë të keqen; ndërsa në atë franceze, simbolizojnë pastërtinë, elegancën dhe shpirtin fisnik.
Këto domethënie marrin një përmasë të veçantë në pikturën “Irises” të Vincent Van Gog-ut, realizuar gjatë qëndrimit të tij në sanatoriumin e Saint-Rémy-de-Provence, një periudhë e trazuar në jetën e tij. Në këtë vepër, Van Gog-u, nuk synon të paraqesë thjesht bukurinë e luleve. Përkundrazi, përmes ngjyrave të ndezura dhe detajeve të imëta, ai shpreh një ndjenjë të thellë vetmie, qëndrese dhe shprese që mbin edhe në errësirë.
Gjatë kësaj kohe ai krijoi mbi 150 vepra, përfshirë edhe kryeveprën e njohur“Nata me Yje” (The Starry Night). Në këtë pikturë, vështrimi i artistit ngrihet nga toka drejt qiellit të trazuar, ku yjet nuk janë më thjesht burime drite, por pasqyrim i tensioneve të brendshme, një univers i brishtë shpirtëror, në përplasje me realitetin.
Në thelb, kjo vepër mund të lexohet si një “protestë e heshtur ndaj përjashtimit”, qoftë ai social, institucional apo emocional. Kjo ide rezonon me mendimin e filozofit Theodor W. Adorno, i cili e përkufizon artin si një formë rezistence pa zë, një mënyrë për të shprehur qëndrime pa qenë domosdoshmërisht i angazhuar politikisht.
Megjithëse Van Gog-u nuk ishte i përfshirë në politikë, arti i tij mbart një ndjeshmëri të thellë shoqërore, ndjeshmëri që vazhdon të na flasë edhe sot. Këtë ide e zgjeron filozofi Herbert Marcuse, sipas të cilit arti i vërtetë ka potencial çlirues dhe nuk duhet të nënshtrohet përballë realitetit represiv.
Në të njëjtën linjë, sociologu Pierre Bourdieu pohon se arti shpesh u jep zë çështjeve të mëdha shoqërore dhe politike, edhe pa i shpallur ato si qëllim. Në këtë kuptim, çdo vepër arti mund të lexohet si një reagim ndaj kohës dhe rrethanave në të cilat lind.
Van Gog-u, jetoi në një epokë që shpesh përjashtonte ata që nuk përshtateshin, një realitet që, për fat të keq, mbetet i njohur edhe sot. Nga ky këndvështrim “Nata me Yje” mund të lexohet si një metaforë për të margjinalizuarit, për ata që janë heshtur apo kanë zgjedhur të heshtin.
Sigurisht, edhe sot, kjo vepër, ruan fuqinë e saj simbolike. Qielli i trazuar dhe yjet që lëvizin në mënyrë kaotike krijojnë ndjesinë e një bote moderne në konflikt, një realitet që pasqyron ndarje të thella shoqërore, kriza politike, përjashtim qytetar dhe vatra të hapura lufte: nga Lindja e Mesme dhe Ukraina, e deri te kriza institucionale në Kosovë.
Në pjesën e poshtme të pikturës, shfaqet një qytet i heshtur, i shkëputur nga rrëmuja qiellore që shpërthen si raketë. Ky qytet mund të lexohet si metaforë e një shoqërie të pasivizuar, një paralelizëm i tërthortë me realitetin politike në Kosovë.
Një tjetër element i fuqishëm është pema e zezë, (cypresi) që ngrihet si një urë mes tokës dhe qiellit. Ajo mund të shihet si simbol i shpresës për rikthimin e pjesëmarrjes dhe mirëkuptimit njerëzor.
Nën vështrimin kritik të Adornos dhe Marcuse, arti shfaqet si një hapësirë rezistence, si vend ku individi artikulon lirinë, vuajtjen apo përjashtimin. Në këtë kuptim, “Irises” dhe “Nata me Yje” nuk janë thjesht piktura të bukura. Ato janë thirrje për të dëgjuar thellësinë e shpirtit njerëzor.
Van Gog-u, megjithëse jo politikan, përmes artit të tij na mëson se edhe në errësirën më të thellë, njeriu ka fuqinë për të krijuar diçka të bukur dhe me kuptim. Kështu, arti bëhet jo vetëm estetik, por edhe emancipues dhe etik.
Ashtu qoftë!