Shkruan: Florim Zeqa, 05.10.2024
Niveli i lartë i uzurpimit të partive politike nga liderët autoritarë dhe kapja e partive politike nga grupet e interesit, ka bërë që të mos ketë shumë dallime mes tyre. Kush më pak e kush tjetër më shumë, shumica e partive politike kosovare po mbahen të uzurpuara nga një grup i vogël i klaneve dhe grupeve të interesit të lidhura ngushtë me korporatat e inkriminuara të bizneseve të pista, të cilët skajshmërisht i kanë ngulfatur zërat reformues brenda partive politike, duke e bërë kështu të pamundur ndryshimin aq të nevojshëm të kursit qeverisës në vendin tonë.
Politikanët e inkriminuar e infektuan edhe mërgatën
Liderët partiakë me këto grupe të vogla njerëzish përreth tyre, duke mbajtur afër vetes vetëm servilët dhe puthadorët e të gjitha pushteteve, përveçse i kanë izoluar zërat ndryshe, i kanë irrituar qytetarët dhe mërgimtarët, ku si pasojë e kësaj situate kemi rënie drastike të daljes së elektoratit në zgjedhje!
Nga paslufta e këndej, klasën e korruptuar politike në pushtet është duke e mbajtur nëntoka kriminale dhe sekserët e tyre në Diasporë, përmes të cilëve e bëjnë pastrimin e parave të pista dhe zhvatjen e buxhetit të shtetit, në emër të aktiviteteve të mërgatës, duke paguar nga llogaria e shtetit të Kosovës dreka e darka të majme, verëra dhe pije të shtrenjta me çmime të fryera të restoranteve mesatare në shtetet evro-perëndimore.
Janë të papranueshme dhe të dënueshme të gjitha format e abuzimit të parasë së taksapaguesve të varfër kosovarë, e në mënyrë të veçantë nga individët e caktuar në mërgatë që janë të lidhur me krimin e organizuar në Kosovë, të cilët po i qesin hije të zezë anës më të pastër, arteries më të shëndoshë dhe më humane të kombit tonë.
Politikanët e inkriminuar pa i pasur sekserët e tyre në mërgatë as që ia mësyjnë Diasporës. Vizitat e eskortave politike të pushtetarëve tek organizimet fiktive pa anëtarësi në Diasporë u ngjajnë tenderëve njëburimor që i ndajnë për kompanitë fantome në Kosovë, nga të cilat dhe përmes të cilave i shpëlajnë paratë e pista.
Individët apo grupet e interesit në Diasporë, të cilët kanë marrë dhe marrin mjete (pare) të taksapaguesve të varfër kosovarë nga qeveritë e Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Diasporës në emër të zhvillimit të aktiviteteve në mërgatën tonë janë sekser abuzues dhe pjesëmarrës aktiv në krim të organizuar.
Prandaj, individët dhe grupet e interesit në Diasporë që thithin mjete të taksapaguesve të varfër kosovarë janë grupe mafioze të cilët politika e korruptuar i shfrytëzon për shpëlarjen e parave të pista dhe për vota njëkohësisht.
Më mirë do të ishte që ato mjete të mbeteshin në Kosovë, gjegjësisht të shfrytëzoheshin për përmirësimin e jetës së qytetarëve, gjegjësisht për rritjen e skemave sociale, pensioneve të invalidëve të luftës, shërimin e të sëmuarëve apo ndarjen e bursave për studentët shëmbullorë e jo për bileta aeroplani dhe shpenzime hotelerie për mërgimtarët që shkojnë për të votuar për politikanët e inkriminuar në pushtet apo opozitë.
Rezervimet e biletave të aeroplanit dhe të hoteleve për mërgimtarët kanë filluar nga dita e shpalljes së zgjedhjeve nga Presidentja! Shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit në hotele, mërgimtarëve ju kthehen në këmbim të marrjes së librezës partiake, gjegjësisht të konfrimimit të votës së dhënë për ta!
Si zakonisht, ndërmjetësues në sigurimin e biletës dhe hotelit për mërgimtarët votues janë sekserët e diasporës dhe grupet e interesit në Kosovë!
Ju themë me bindje të plotë, se ata që ju ofrojnë kushte tërheqëse për një votë, asnjëherë nuk e kanë pasur dhe nuk e kanë në fokus interesin e qytetarëve dhe mërgimtarëve, por mendjen e kanë si ta mbajnë apo marrin pushtetin, për t’u pasuruar në mënyrë të paligjshme, duke ju harruar tërësisht deri në zgjedhjet e radhës!
Sikur të ishte ndryshe, pa asnjë problem data e zgjedhjeve do të caktohej në përiudhën e pushimeve dimërore të mërgatës, në fund të muajit dhjetor apo në ditët e para të janarit. Por këtë nuk e bën, sepse i frikësohen votës së lirë të mërgimtarëve! Andaj, duan t’iu shantazhojnë me para të pista të krimit të organizuar.
Të dashur bashkatdhetarë, vëllezër dhe motra mërgimtare mos bini pre e mashtrimit dhe shantazhit të politikanëve të korruptuar. Pavarësisht çmimit të ofruar mos bini pre e krimit të organizuar.