KUR HESHTJA KTHEHET NË ART

0
Agim Mato

Ajete Zogaj Ajete Zogaj

Punime për Agim Maton dhe poezinë e tij”. Botoi “Emal” Tiranë, 2024

“Më ka munguar ky atdhe ku rroj
edhe atëherë kur perënditë e rreme
e kapnin për fyti këngën time
dhe e përplasnin në harrim. (Bjerrje atdheu)[1]

Jetë rrëfimi poetik i krijuesit të detit Jon

Rrëzë brigjeve të detit Jon, aty ku deti përplaset me gurët e bardhë të Sarandës, lindi dhe u rrit një poet që do t’i japë zë vetmisë, dhimbjes dhe heshtjes vrastare më se 30 vjeçare, poeti dhe botuesi Agim Mato (1947-2020).

Mato lindi në një kohë kur në atdheun e tij, njeriu shpesh përkufizohej jo nga talenti, por nga ‘biografia’. Jeta e tij, si një det që herë qetësohet e herë valëvitet në furtuna, mbart historinë e një brezi që kërkoi lirinë përmes fjalës, kur ajo ishte e ndaluar. I biri i një familjeje të persekutuar, ai përjetoi kufizime të padrejta, por, në vend që të heshtte, e ktheu dhimbjen në art, trishtimin në metaforë, dhe mungesën në poezi.

Në letërsinë shqipe dhe poezinë bashkëkohore, emri i Agim Matos shfaqet si një dritë e qetë, por e qëndrueshme – një dritë që vjen nga Jugu, nga bregu i Jonit, dhe që reflekton një ndjeshmëri të rrallë poetike. Ai është ndër ata autorë që nuk ndërtuan famën me zhurmë, por me përkushtim, përulësi dhe thellësi estetike, duke e kthyer poezinë në një udhëtim të brendshëm mes njeriut dhe natyrës, mes kujtesës dhe heshtjes.

Poezia e Matos është një meditim i përhershëm mbi jetën, mbi ekzistencën që përplaset si dallgë në shkëmbin e kohës, kohë kjo shumë e padrejtë me Agim Maton!

Pas disa botimeve të hershme, u detyrua të heshtë për shumë vite (më se 30 vjet ndërprerjeje), i përjashtuar nga e drejta për të botuar. Megjithatë, kjo heshtje nuk e shteroi frymën e tij krijuese; përkundrazi, ajo u bë burimi i një thellësie të re që më vonë do të shpërthente me forcë në librat e tij të pas viteve ’90-ta.

Në vargjet e Matos, gjejmë një poet të pjekur që kërkon kuptimin e dritës pas errësirës, që zgjedh detin si metaforë të jetës dhe shpirtit njerëzor. Në vargjet e tij ‘shkëlqen dielli’ i Jugut, por edhe melankolia e atyre që kanë njohur humbjen. Mato përdor me mjeshtëri metaforën, kurse vargjet e tij nuk i detyrohen lexuesit; ato ftojnë, si një valë që përkëdhel shkëmbin. Në një kohë kur poezia shpesh ngarkohej me mesazhe ideologjike, Mato zgjodhi heshtjen si qëndresë estetike.

Poezia e tij mund të lexohet si një kod shpirtëror– një komunikim i brendshëm mes poetit dhe lexuesit, ku fjalët janë ura e jo mure. Heshtja, që në jetën e tij qe e imponuar, në art u shndërrua në estetikë.

Kujtim i përjetshëm për Agim Maton

Libri “Punime për Agim Maton dhe poezinë e tij” përgatitur nga Anton Nikë Berisha, Pandeli Koçi, Timo Mërkuri, është dëshmi e kujtimit të përjetshëm për njeriun që qëndroi vertikalisht edhe atëherë kur iu zu fryma e jetesës, iu ndalohej fjala dhe mendimi.

“Në shenjë të kujtimit të paharruar për Agim Maton vendosëm të botojmë këtë vëllim me punime të zgjedhura të shkrimtarëve shqiptarë dhe italianë për poezinë e tij, siç e përcaktonte (poezinë) Edgar Allan Poe: “[…]një krijim ritmik i bukurisë”. Është e vërtetë se – falë veprave poetike që na i lë trashëgim – poeti vazhdon të jetë i pranishëm ndër lexues edhe pas ndërrimit të jetës; veprat e mbajnë gjallë emrin e tij dhe kujtimin për të në mënyrë të mirëfilltë”[2]– shkruan profesor Anton Nikë Berisha në fjalën paraprake të këtij libri.

Në një bisedë të zhvilluar përmes postës elektronike në prill të vitit 2018 (me A.Z.), që botohet pas fjalës paraprake, shpaloset jeta, puna dhe angazhimi i tij sfidues e qëndrestar edhe atëherë kur ishte shumë e vështirë të qëndrohej!

Punimet e botuara në këtë libër, nga autorë të hapësirave shqiptare dhe të studiuesve të huaj, janë një dëshmi e vlerave të poezisë së Agim Matos si dhe e karakterit të tij të pathyeshëm, njeriut të urtë e parimor.

“Agimi vuajti për poezinë, e pësoi për poezinë, por ajo ishte edhe kënaqësia e tij, frymëmarrja e tij shpirtërore. Këtë e përligjin më së miri poezitë e tij. Në sistemin e komunistëve ai e pësoi nga poezia, si ndodhi edhe më shumë sivëllezër të tij krijues në Shqipëri…[….] Mirëpo, pikërisht dashuria ndaj artit të fjalës, ndaj poezisë, e bëri Agimin, jo vetëm t’i përballojë vështirësitë, por edhe të ndjejë atë kënaqësinë e pazakonshme që ajo mund t’i shkaktojë poetit: poezia u bë etje dhe ngushëllim shpirtëror, që u përligj dhe u njësua në shprehjen poetike të tij, sa të mëvetësishme, po aq të pasur. Kështu u vlerësua nga studiuesit shqiptarë dhe të huaj.”[3].

Agimi e deshi Kosovën dhe pati miqësi me autorë të Kosovës, madje në Kosovë iu botua edhe një përmbledhje me poezi të zgjedhura “Shkretëtirë harrimi”, me përzgjedhjen dhe parathënien nga profesor Anton Nikë Berisha i cili vlerëson lartë Maton dhe poezinë e tij: “Poeti Mato është i vetëdijshëm se atdheu nuk qeveriset dhe nuk mbahet me diktaturë e me dhunë ndaj qytetarëve: ’Lëndohem kur shoh se përditë bjerrët atdheu (Bjerrje atdheu). ..[…]”Mato e di se tematika nuk e bën një poezi të madhe që mbijeton nëpër kohë, po vlera artistike, mesazhet poetike që dalin nga teksti dhe bëjnë ndikim estetik në marrësin”[4].

Se Agim Agim Mato ishte i vlerësuar si njeri me vlera dhe si poet e dëshmojnë punimet e botuara në këtë libër, ndër të cilat po veçojmë punimin e Daniele Giancane, profesor i Universitetit të Barit- Itali, i cili shkruan kështu: “Poezia e Agim Matos është komplekse dhe e larmishme: në të është shtypja e diktaturës, që e zhveshi nga të mirat dhe i hoqi mundësinë për t’u realizuar, është miti antik me të cilin poeti është ende i rrethuar, është meditimi mbi ekzistencën…[…] Besoj se në themel të frymëzimit të Agim Matos qëndron një “Shenjtërim i fortë i jetës”, që është pikërisht substrati i kulturës mesdhetare. Të lexosh poezitë e Agim Matos është një eksperiencë e “kthimit në shtëpi”, është sikur ai na bën të shohim diçka që e kemi harruar, humbur, siç jemi në një botë pa memorie.”[5]

“Ai ishte brilant” [6], shkruan në punimin e tij Edmod Llaqi, për të vazhduar: “Formimi, ekzistenca njerëzore, bota e madhe e shprehur në rreshtat e shumta të tij krijon bindjen për cilësinë, stilin e tij të veçantë dhe atë çka barte në to.”[7].

Fatmir Minguli e vlerëson kështu Agim Maton: “Poeti i Jonit e ngre lart shpirtin e pastër të fisit e të popullit shqiptar që është, ka qenë dhe do të jetë akrokeraun”[8], ndërkaq Fatmir Terziu, bën një krahasim interesant, një gjetje të themi të bukur figurative – artistike: “Ndërsa te “ Odiseja” gjente pikërrëfimin e udhëtimin e heroit Odise që lufton për t’u kthyer në shtëpi nga përtej deti pas luftës me trojanët, e përshkruar në Iliada, ai, pra poeti shqiptar, Mato, gjente arsyen të rikthente në vetvete fjalën e artë që përballej me Trojën e kartonizimeve, me ndalimin e tij lundrues e të qetë mes botimit poetik”[9]; Foto. V. Malo vlerëson: “Agim Mato na ka ofruar detin “e tij” në raport me veten dhe me botën, fushëpamje dhe fushëpërsiatje, edhe fushë veprimi, me gjuhën që duhet të dish t’ia deshifrosh”[10].

Poezia Matos ka zgjuar interesim tek lexuesit dhe studiuesit e shumtë, disa prej së cilave janë botuar në këtë libër.

Vlen të veçohet punimi i Hyqmet Haskos, në punimin e tij shkruan: “Shtylla mbi të cilat mbështetet arti poetik i Matos janë struktura e zhdërvjellët poetike, figura e gjallë dhe e freskët, imazhi fin, fuqia dhe thellësia e mendimit poetik, kontrapunti me të cilin vë në lëvizje përqasjet në kohë dhe hapësirë, moderniteti në shpalimin e të vërtetave estetike që na përcjell.”[11]…[…]Agim Mato është një zë i veçantë e dinjitoz në korin shumëzërësh të letrave tona kombëtare, që njësohet e bëhet pjesë e plotë e vetëdijes së kombit tonë shqiptar”[12].

Punimet e këtij libri, ndriçojnë figurën e poetit Agim Mato nga këndvështrime të ndryshme, duke i dëshmuar lexuesit se poezia e tij, si vlerë e artit të fjalës, është ‘gdhendur’ bukur nga një artist – Agim Mato.

“Agim Mato nuk ishte hyjni deti, por njëkohësisht ishte edhe thellësi edhe qiell, dhe tejqyrë, dhe yll i palëvizshëm dhe përgjithkah- zbulesë e përnjëmendtë”[13] – vlerëson Odise Kote.

Poeti dhe botuesi nga Gjilani, Sabit Rrustemi shkruan: “Agim Mato rrëfehet para tempullit të tij shpirtëror, poezisë. Poezia është vendi i tij më i shenjtë dhe lexuesit e saj, janë publiku.”[14]

Me punimet e tyre në këtë libër, i kanë konkretizuar vlerësimet e tyre: Prend Buzhala, Pirro Loli, Sazan Goligu, Shefki Karadaku, Timo Mërkuri, Xhemal Hasani, Vasil Prençi, Zejnepe Alili – Rexhepi, etj.

Në përmbyllje është dhënë pjesa Shtojcë, ku janë botuar poezitë kushtuar Agim Matos, nga autorët: Fatmir Terziu, Ibrahim Kadriu, Nexhat Rexha dhe Sazan Goliku.

Libri përmbyllet me “Të dhëna për Agim Maton”.

Frymëzues i jetës kulturore të Sarandës

Duke i lexuar me kujdes punimet e këtij libri, mund të themi lirisht se, Agim Mato nuk ishte vetëm poet; ai ishte edhe piktor, botues, dhe frymëzues i jetës kulturore të Sarandës. Me shtëpinë botuese “Milosao” dhe me “Klubin e Krijuesve Jonianë”, ai u bë urë lidhëse mes autorëve shqiptarë e atyre të huaj, duke sjellë një frymë bashkimi përmes artit dhe kulturës. Ai ishte i vetëdijshëm se arti nuk njeh kufij dhe ky besim ndriçon në çdo nismë që la pas.

Agim Mato, ishte një shpirt që nuk u pajtua kurrë me heshtjen. Poezia e tij është si një breg deti ku çdo lexues mund të gjejë një gjurmë të vetvetes: pak dhimbje, pak dashuri, dhe shumë dritë.

Në kujtesën e letërsisë shqiptare, ai mbetet poeti i dritës së Jugut, një udhëtar mes erërave të Poseidonit, që dinte t’i kthente plagët në vargje dhe heshtjet në këngë.

Poezia e tij e hershme është e mbushur me dritë, me ujë, me lëvizje, është një përmasë shpirtërore. Ai ndërton një kozmos poetik ku deti bëhet gjuhë, ku era është kujtesë, dhe ku njeriu është pjesë e pandashme

Ai mbetet një nga poetët që e riktheu poezinë shqiptare te rituali i përjetshëm i meditimit: poezia si kërkim, si vetë kuptim, si mënyrë për të mbijetuar përmes bukurisë.

Me pak fjalë, me poezinë që e krijoi dhe me vlerën që e cilësojnë atë, Agim Mato i siguroi vetit një vend të veçantë në poezinë shqipe. Saranda dhe bregdeti i Jonit, me penën e tij, marrin përmasë mitike, dhe janë më shumë se toponime: janë simbole të ekzistencës dhe të lirisë.

Të shkruash për Agim Maton, domethënë të kujtosh një poet i cili krijoi vlera, që jetoi me ndershmëri dhe që i qëndroi besnik fjalës poetike edhe kur atë nuk e dëgjonin të tjerët.

Prishtinë, 14 nëntor 2025

[1] “Punime për Agim Maton dhe poezinë e tij”. Përgatitur nga Anton Nikë Berisha, Pandeli Koçi, Timo Mërkuri. Botoi “Emal” Tiranë. 2024, f. 44
[2] Po aty, f. 7.
[3] Po aty, f. 30
[4] Po aty, f. 48
[5] Po aty, fq. 56
[6] Po aty, fq. 61
[7] Po aty, fq. 61
[8] Po aty, fq. 69
[9] Po aty, fq. 70
[10] Po aty, faq. 106
[11] Po aty, fq. 115
[12] Po aty, fq. 119
[13] Po aty, fq. 168
[14] Po aty, fq. 118

Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, shkrimtar

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.